Historia e Kosovës në Depot e Beogradit

Këtë e tha për KALLXO.com, drejtori i Muzeut të Kosovës Skënder Boshtrakaj. Sipas tij, njëri është koleksion arkeologjik prej 677 eksponateve dhe një koleksion është etnologjik me 571 eksponate.

“Justifikimi është organizimi i ekspozitave dhe është shtyp katalogu për këto ekspozita, është bërë një dokumentim në në dukje shumë korrekt. Dhe pasi kanë përfunduar ekspozitat këto dy koleksione nuk janë kthy në shpin e vet, në Muzeun e Kosovës”, tha Boshtrakaj.

Sipas tij këto dy ekspozita qëndrojnë në Serbi. Koleksioni arkeologjik qëndron në depon e Muzeut Kombëtar të Beogradit kurse, koleksioni etnologjik qëndron në depon e Muzeut Etnologjik të Beogradit. Sipas tij, misioni i ekspozitës së koleksionit etnologjik është kryer siç është planifikuar.

“Ekspozita etnologjike mobile është shetitë nëpër muzetë e Serbisë. Atë misionin fillestar e ka kryer ka qenë në Novi Sad, Suboticë, Kikindë, Vrshac dhe Beograd”, tha ai.

Por, eksponati i vetëm që nga viti 99 që ka arritur të kthehet në Kosovë është “Hyjnesha në Fron” në maj të vitit 2002.

Sipas Boshtrakajt, me një angazhim shumë të madh të ish shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, Michael Steiner, ky eksponat ka arritur t’i kthehet vendit të origjinës.

“Nga këto dy koleksione ose 1248 artefakte në Kosovë është kthyer vetëm një eksponat. Kjo ka ndodh në maj të vitit 2002 me një angazhim shumë të madh të veçantë të Michael Steiner është kthyer një eksponat ‘Hyjnesha në Fron’. Është në ekzemplar që vjen prej neolitit një gjetje në lokalitetin e Tjerrtores dhe është ajo figura që është edhe simbol i Muzeut dhe Komunës së Prishtinës”, tha ai.

Boshtrakaj tha kjo çështje është bërë tepër politike si pjesa më e madhe e trashëgimisë kulturore në Kosovë dhe do të duhej, sipas tij, të jetë një çështje administrative dhe nga pak juridike mes Muzeut në këtë rast dhe institucionit që i ka këto eksponate.

“Por aktualisht çështja është ngrit përtej nivelit të Muzeut, përtej nivelit të asaj që mund të jetë çështje administrimi, shkëmbimi ose bashkëpunimi ekspozitash mes muzeve. Kjo çështje ka hyrë në pakon e Ahtisarit dhe në këtë plan është e qartë se Serbia është dashtë këto artefakte t’i kthej në Kosovë në afat prej 120 ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të planit të Ahtisarit”, tha ai duke treguar që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Duke treguar se pa marrë parasysh se këto artefakte mund të jenë të etnive të ndryshme,  ato janë të Muzeut të Kosovës dhe do të duhej të jenë nën administrimin e Muzeut të Kosovës.

I pyetur se a posedon Muzeu i Kosovës dokumente të nënshkruara me autoritetet e Serbisë në mënyrë që të vërtetohet se këto artefakte janë marrë nga Muzeu i Kosovës, Boshtrakaj tha se kanë dokumente të mjaftueshme.

“Është një dokumentacion që e kanë prodhuar në momentin kur e kanë marr vendimin për me i bart. Në anën tjetër për ekspozitën janë prodhuar edhe katalogë zyrtare të cilat janë bo publike. Po për dallim prej shumë gjerave tjera për të cilat Kosova ka informacione por s’ka dokumentacion për shumë vlera të cilat janë dëmtuar, tjetërsuar dhe nuk ju dihet fati e adresa për këtë pjesë të thesarit të Muzeut të Kosovës ka dokumentacion të mjaftueshëm”, tha ai.

Ai shpreson që kjo çështje të trajtohet në nivelin ndërinstitucional dhe mos të hyjë në kuadër të temave politike.

Boshtrakaj pret që gjatë vitit 2018 ta prodhojnë një lajm të mirë që i shërben normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe normalizim të jetës institucionale kur bëhet fjalë për shkëmbime e bashkëpunime të ndërsjella.

Në ndërkohë, në objektin e Muzeut të Kosovës janë duke u bërë renovime, ku sipas drejtorit janë duke u përgatitur sallat, hapësirat, pavijonet e Muzeut të Kosovës që ato të jenë të afta  teknikisht dhe estetikisht për të akomoduar një pjesë të koleksioneve të muzeut.

Sipas tij, Muzeu i Kosovës i ka dy pavijone në dispozicion një është i dedikuar për të akomoduar pjesë të koleksioneve dhe rrëfimet nga neoliti deri në mesjetë dhe pavijoni tjetër është i dedikuar për pjesën e historisë.