Hija e Gruas

Ajo që të bën përshtypje, në debatet e hapura apo të mbyllura, ose thjesht në mjetet e informacionit, është joserioziteti dhe artificialja e gruas sonë në pushtet, asaj që e ka ose e pretendon fuqinë. Ndoshta me fajin e “burrave të fortë” ose të grave që e kanë humbur udhën në oborr, ne kemi mbetur një shoqëri maskiliste, shpesh e kufizuar e shumë llafologe, ku gruaja vazhdon të jetë për dekor dhe për numra.

Artificialja e vret përpjekjen e kësaj gruaje të duket serioze. Frika e vret përpjekjen e saj që të konsiderohet serioze. Zotësia e pazotësia, imponimi dhe pasiguria, dhe sidomos modeli i burrave të fortë të kësaj shoqërie, e zhveshin gruan duke i lënë asaj vetëm hijen.

Në shoqërinë tonë ka burra të fuqishëm, të tjerë më pak të fuqishëm dhe një rang i tretë, që është më i madhi, i burrave që pretendojnë të bëhen të fuqishëm – të gjithë së bashku, me fare pak përjashtime, e pëlqejnë vetëm hijen e gruas.

Pse shoqëria kosovare, më shumë pjesa e saj politike, është përpjekur shumë që ‘ana e bukur e saj’, asnjëherë të mos mbërrijë atje ku do të duhej të ishte? Pse kjo shoqëri vazhdon të mos e ndiejë nevojë për kontributin e gruas dhe kur ajo është ose mund të jetë shumë e suksesshme…

“M’raft pika” nëse shumë prej tyre nuk do të donin që “burrat nën hije të lozin e t’kuvendojnë, pika që s’u bie se nga gratë rrojnë!” Ky soj do të donte që nga gratë ta merrte edhe shpirtin, veç me kusht që namin ta ruajë për vete.

Një burrë thoshte njëherë se “gratë e sodit janë burra pa pare” por ai e kish fjalën për gratë amerikane. Sigurisht se “burrat e fortë” edhe do të mund ta trashin zërin e të thonë, jo more se në Kosovë sot ka edhe ministre, edhe drejtoresha, edhe të tjera që “vrajnë e kthjellin”, por ky s’është veçse një humor i këndshëm edhe atëherë kur jemi me humor të keq.

Janë disa raste të kohëve të fundit të grave që i kemi parë të fuqishme në politikë, të cilat u vunë në lojë ose luajtën gabimisht dhe që ranë poshtë me një lehtësi qesharake. Edhe kjo me fajin e manipulimit të burrave të fortë, të cilët janë besnikë për fronin dhe armik për të drejtën. Ato janë një pakicë, një pakicë kundrejt një fuqie burrnore autoritare.

Në Kuvendin e Kosovës mbi 30 për qind e deputeteve janë gra, dhe ato janë aty, jo vetëm për votat që kanë marrë, por më shumë për të mbushur kuotën e kërkuar nga vendet demokratike perëndimore, të cilat vetë i kanë disa standarde të tjera të barazisë dhe të përfaqësimit të gruas.

Duke bërë kështu diçka thelbësisht diskriminuese ndaj burrave dhe ndaj vetë grave. Fjala barazi është e pabarabartë në vete, ndërkaq fjala anti-diskriminim është në thelb diskriminuese. Këtë do të duhej ta dinin ata që gjithë jetën ranë copë duke punuar për barazinë e gruas me burrin.

Por midis gjinisë së adhuruar, politikisht të pafuqishme dhe lehtësisht të manipuluar, ajo që shihet është politika e vjetër dhe e re, e cila i ka thithur fytyrat e reja për t’i margjinalizuar më pas, pa lënë hapësirë për zëra të ndryshëm dhe emra të veçantë.

Të gjitha storiet kanë nga dy anë, dhe të gjitha medaljet dy anë i kanë, politika ndërkaq është një spektër i shumanshëm, mu si gurët e çmuar të kurorës së mbretëreshave, të cilën gratë e pushtetit tonë, ose e kanë hequr vetë ose ua kanë hequr me forcë.

“Burrat e fortë”, janë ata që kolliten fort, për kënaqësinë e tyre dhe bukurinë e grave. Lidership të partive politike, në të gjitha politikat e shteteve ku rrojnë shqiptarët, e duan formën dhe emrin e gruas, po “pika m’raft” për fuqinë e saj.

Ajo dhe ata bashkë, herë naivë e herë të pabesë, po që të gjithë lakmiqarë, e kanë shndërruar fuqinë e gruas në hije të dobët, sipërfaqësore e të papeshë, por përkundrejt shtypjes ato janë të besueshme e të devotshme. Ndoshta sepse burrat e fortë e duan hijen e tyre t’u shërbejë vetëm si fllad për vete, dhe ndoshta sepse gratë që e kanë humbur udhën në oborr i admirojnë mbretërit e përrallave.