Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

“Hidhet vallja para manastirit …”

Pas martesës së dy të rinjve, me këtë këngë të vjetër pak a shumë fillon ahengu i dasmës në kopshtin e manastirit. Në Graçanicë është traditë që të dielave populli të mblidhet në kopshtin e manastirit sepse gjithsesi do të ketë ndonjë martesë. Kësisoj, aty grumbullohen të vjetër e të rinj, të gjithë të ngazëllyer për të parë të porsamartuarit.

“Millica dhe Nikolla kanë vendosur që dashurinë e tyre ta vërtetojnë para njerëzve dhe zotit, kështu që ju ftojmë të jeni dëshmitarë të këtij akti dhe të merrni pjesë në ahengun e organizuar në restorantin…” thuhet në një ftesë dasmore që këto ditë po u shpërndahet krushqve. Të tilla ftesa do të ketë shumë këtë vjeshtë sepse tek ne që nga kohërat antike dasmat kryesisht organizohen në vjeshtë. Ky zakon është krijuar në kohët kur jeta është zhvilluar duke marrë parasysh punët në fshat, kështu që vjeshta është rezervuar për dasma, pasi që atëherë kryhen punët në fusha dhe mblidhet rendimenti i verës. Ngjashëm është situata me të gjitha zakonet tjera të dasmës të cilat nuk janë ndryshuar në thelb me shekuj të tërë. Me këtë ngjarje të lumtur dhe solemne në jetën e të gjithë të krishterëve ortodoksë janë të lidhura edhe shumë zakone popullore. Këto zakone i kanë mbijetuar viteve, por mbase sot ato nuk zhvillohen në formën në të cilën janë zhvilluar dikur. Vitet kalojnë, kohët ndryshojnë dhe zakonet mbesin e mbijetojnë për shkak të besëtytnisë, megjithëse unë do të thosha se disa prej tyre në të shumtën e rasteve janë të paarsyeshëm. Mbase ato nuk i pëlqejnë as të porsamartuarve, mbase ata do të donin të kenë një dasmë më moderne, por në fund të fundit të gjithë i respektojnë ato. Për çdo rast, që të mos nisen punët mbrapsht. 

NDËRLIDHUR

“Mirë është që nusja në ditën e martesës ta shikojë dhëndrin përmes unazës së fejesës sepse me këtë do t’ia sigurojë vetes dashurinë e përhershme të tij” – ky është vetëm një nga shumë ritualet e ‘domosdoshme’ popullore, të cilët u preferohen të porsamartuarve për t’i siguruar vetes një jetë të gjatë e të lumtur. Por, deri në vetë aktin e martesës ka aq shumë punë për tu kryer sa që janë me fat ata të porsamartuar të cilëve u bie në mend edhe një e vetme ‘do të ishte mirë që…’. Është mirë që nusja gjatë ceremonisë së martesës ta shkelë burrin, vetëm sa për tu ditur se kush do të jetë kryesori në shtëpi. Natyrisht se këto janë shumë argëtuese për krushqit, kështu që ata i shfrytëzojnë këto zakone si bazë për batutat e tyre. 

Para dasmës, qifti i zgjedh kumbarët. Në traditën tonë, kumbarët kanë rol të veçantë jo vetëm gjatë dasmës por gjatë tërë jetës. “Kumbara nuk është pullë; ose Zoti në qiell e kumbara në tokë” janë disa nga thëniet popullore të cilët tregojnë se sa të rëndësishëm janë kumbarët. Pa kumbarë nuk ka as martesë qytetare e as kishtare, sepse ata janë dëshmitarë para zotit dhe popullit. Dhëndri ka kumbarën ndërsa nusja kumbaren, që zakonisht janë miqtë më të mirë apo kumbarët familjarë në rastet kur kumbaria barten nga gjenerata në gjeneratë. 

Në ditën e dasmës, mysafirët mblidhen edhe tek nusja edhe tek dhëndri. Mysafirët e dhëndrit shkojnë për të marrë nusen, ku priten nga të afërmit e nuses. Dikur ka qenë zakon që mysafirët e burrit të bëjnë pazarllëk për nusen duke kërkuar para. Në pyetje ishin shuma të konsiderueshme parash apo sasi të konsiderueshme të arit, por në vitin 1846 princi Alleksandar Karagjorgjeviq nxori urdhëresë që rregullonte: ‘Kërkimi ose dhënia e parave dhe arit për vajzën ndalohet si zakon që bie ndesh me dinjitetin njerëzor’. Kësisoj, që atëherë është hequr ky zakon ndërsa sot në lidhje me të bëhet mahi, kështu që kur dhëndri me të afërmit arrin në shtëpinë e nuses për ta marrë atë, atëherë dikush nga suita e tij (që ka më shumë dell humori) bëhet kinse po bën pazarllëk për nusen, ndërsa të afërmit e saj bëhen kinse nuk po e japin vajzën. Në fakt, kjo paraqet një mënyrë për tu relaksuar dhe për ta thyer tremën dhe nervozën me mahi dhe buzëqeshje. Në mjedise rurale para shtëpisë së nuses një mollë ngjitet në majë të drurit dhe pa u rrëzuar ajo burri nuk lejohet të hyjë në shtëpinë  e nuses. Në shtëpinë e saj, krushqit do të jenë të stolisur dhe do të priten solemnisht me pije dhe ushqim. Nusja ka fustan të bardhë që simbolizon bukurinë dhe pafajësinë ndërsa burri vesh kostum. Kolona e veturave të stolisura shkon në komunë dhe në kishë. Shumë shpesh ndodh që prindërit e nuses të mos marrin pjesë në ceremoninë e martesës, gjë që mua më dukej jologjike dhe e çuditshme, dhe për çka askush ende nuk ka arritur të më bindë se ashtu duhet vepruar. Nuses dhe dhëndrit i vendosen kurora në kokë, nga këtu edhe rrjedh emri kurorëzim. Kurorat simbolizojnë jetën e çiltër të tyre deri në martesë dhe bekimin e kishës për jetën e tyre të përbashkët duke uruar zotin dhe të afërmit e tyre. Dhëndrit dhe nuses i lidhen duart me lidhëse të bardhë në shenjë të lidhjes së tyre jetësore, harmonisë, besnikërisë, ndihmës së ndërsjellë dhe dashurisë së ndërsjellë. Kumbarët mbajnë qirinj të ndezur ndërsa edhe fjalët që prifti ua drejton atyre janë plot simbolikë: “…bekoje e zot këtë martesë, jepi atyre një jetë të qetë, të gjatë, përplot me dashuri të ndërsjellë, fëmijë të mirë, harmoni të shpirtit dhe trupit, bekoj ata që të mbërrijnë të shohin fëmijët e fëmijëve të tyre, ruaj të paprekur qarshafin e tyre, jepi atyre vesë qiellore nga lartë dhe të mira tokësore, mbushe shtëpinë e tyre me drithë, verë e vaj, dhe me të gjitha të mirat të cilat ata do t’i ndajnë me ata që nuk kanë…” Pas ceremonisë së martesës, nusja e hedhë pa shikuar buqetën e luleve prapa krahëve, ndërsa vajzat e pamartuara mundohen ta kapin atë. Besohet se vajza që e kap atë do të jetë e vajza e ardhme që do të martohet. Më tej, para kishës ose komunës kumbarët hedhin para të hekurta mbi krushqit duke simbolizuar mirëqenien që i pret të porsamartuarit në jetën e përbashkët.

Tek pasi të kenë përfunduar të gjitha këto, fillon ahengu me muzikë, ushqim dhe pije të mira, i cili zgjat deri në orët e mëngjesit të hershëm e ndonjëherë në treva të caktuara ahengu zgjat edhe nga disa ditë. As aty nuk rreshtin zakonet, kësisoj, në të shumtën e rasteve lëshohet ‘gota’ dhe nusja e dhëndrit, apo nusja dhe shoqëruesi i dhëndrit i cakërrojnë gotat me të gjithë mysafirët në dasmë. Me këtë rast, mysafirët cakërrojnë gotat dhe kur pinë pijet, bashkë me gotë japin edhe para, si ndihmë simbolike për fillimin e jetës së përbashkët dhe të pavarur të porsamartuarve. Shumë shpesh edhe ky zakon i është nënshtruar ndryshimeve, kështu që tash në vend të ‘gotës’ përcillet molla në tabak. Prerja e tortës së martesës, që kryhet nga nusja dhe dhëndri bashkërisht, është një traditë tjetër tejet e vjetër që simbolizon bashkësinë e qiftit të ri. E natyrisht, kur tërë kjo mbaron dhe të porsamartuarit shkojnë në shtëpi, dhëndri e bart nusen mbi pragun e shtëpisë. Ky është zakon pagan i sllovenëve të vjetër, sipas të cilit konsiderohet se shpirtrat e paraardhësve jetojnë në pragun e çdo shtëpie, dhe për të mos i shkelur nusja herën e parë që hyn në shtëpi, dhëndri e bartë atë mbi pragun e shtëpisë si shenjë respekti për paraardhësit e tij. 

E kështu, edhe këtë vjeshtë shumë qifte të reja të dashuruara kanë vendosur që pjesën e mbetur të jetës ta kalojnë së bashku dhe unë u dëshiroj tërë lumturinë e kësaj bote, dhe shumë fëmijë të bukur e të shëndoshë. Kjo është thjeshtë një kolumnë e vogël për t’i përfshirë të gjitha zakonet martesore tek ne, të cilët dallojnë nga një fshat në fshatin tjetër, nga një familje në familjen tjetër. Në fund festohet dashuria dhe kjo është ajo më e rëndësishmja. 

Deri në leximin dhe shkrimin tjetër, ju do dhe ju përshëndet shumë, e juaja Dee. 

18 Tetor 2011 - 8:08 am

Dijana Simijonovic 18/10/2011 - 8:08 am
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0