Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

HIB Petrol Më e Shtrenjtë se në Kontratë

PTK-ja ka humbur rreth 200 mijë euro pasi kompania që e ka furnizuar me derivate të naftës për dy vjet, Hib Petrol, nuk e ka llogaritur çmimin sipas kritereve të kontratës duke llogaritur koston e transportit pesë herë më shumë se sa që në fakt aplikohet nga Doganat e Kosovës.

Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) kishte nënshkruar kontratë me kompaninë “Hib Petrol”, në tetor 2009, për furnizim me derivate të naftës për dy vjet, për vetura e nxemje, që në fund i ka kushtuar ndërmarrjes publike rreth 200 mijë euro më shumë.

NDËRLIDHUR

Gjatë dy viteve PTK’ja ia pagoi HIB’it rreth 3.3 milionë euro, duke përfshirë çmimin e derivateve të naftës sipas tregut, koston e transportit në 8.5 centë për litër dhe profitin e HIB’it prej 0.0048 eurosh për çdo litër të furnizuar.

“Hib Petrol” kishte fituar si oferta më e lirë në tenderin e hapur duke u shprehur e gatshme të fitojë 0.0048 euro për premium të furnizuar në PTK, por ajo i kushtoi më shtrenjtë ndërmarrjes publike ngase furnizuesi kishte paraqitur çmimin e transportit prej 8.5 centësh ndonëse Doganat e Kosovës thonë se kanë një çmim fiks për transportin e derivateve – prej 1.6 centësh për litër.

Dallimin e kishte vërejtur edhe një auditim i brendshëm i PTK’së për muajin e parë të zbatimit të kësaj kontrate, nëntorit 2009, gjatë së cilit ndërmarrja publike kishte paguar 15 mijë e 825 euro më shumë nga sa do të duhej të paguante po të aplikohej çmimi standard për transportin.

 

“Të kërkohet nga kontraktori rikthimi i mjeteve të paguara më tepër për të gjithë muajt e kalkuluar gabimisht”, rekomandim i auditorit të brendshëm të PTK-së 

“Të kërkohet nga kontraktori rikthimi i mjeteve të paguara më tepër për të gjithë muajt e kalkuluar gabimisht”, rekomandohet në raportin e auditivit që e posedon Gazeta JnK. “Menaxhmenti i lartë i PTK’së të autorizojë hetimin e rastit dhe në rast se hetimet konstatojnë se bëhet fjalë për aktivitet mashtrues, të ndërmerren masa ndaj përgjegjësve”.

Zëdhënësi i PTK’së, Menduh Abazi, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se Kryeshefi Ekzekutiv i ndërmarrjes kishte autorizuar Departamentin e Hetimeve të saj të hetojë rastin në përputhje me rekomandimin e Auditorit të Brendshëm.

Por Abazi thotë se hetimi nuk kishte gjetur shkelje.

Drejtori i Departamenti të Hetimeve, z.Richard Quick, pas hetimeve të kryera ka raportuar se nuk ka evidentuar ndonjë shkelje nga zyrtarët e PTK-së” Menduh Abazi

“Drejtori i Departamenti të Hetimeve, z.Richard Quick, pas hetimeve të kryera (takimeve edhe me palë të tjera si me zyrtarët e Doganave të Kosovës etj), ka raportuar tek kryeshefi ekzekutiv se PTK-ja nuk mund të ndikojë në caktimin e shpenzimeve të transportit por kjo bëhet nga rregulloret e Doganave të Kosovës dhe nuk ka evidentuar ndonjë shkelje nga zyrtarët e PTK-së”, ka thënë ai.

PTK furnizohet me afër 3 milionë litra derivate

Menaxheri i “HIB Petrolit”, Fatbardh Xhaferi, i cili e ka nënshkruar kontratën së bashku me Shyqri Haxhën dhe Fatmir Gjonbalajn në emër të PTK’së, thotë se kompania e tij e furnizoi ndërmarrjen publike me 2 milionë e 862 mijë litra naftë dhe 65 mijë litra benzinë. “Për këtë sasi, vlera e pagesave që ka kryer PTK është 3 milionë e 309 mijë euro”, ka thënë Xhaferi, për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai thotë se shpenzimet e transportit janë paguar aq sa i ka caktuar Dogana. “Më duket se kanë qenë 8,5 centë, tash nuk më kujtohet mire, por ne i kemi prezantuar ato të cilat na ka obliguar Dogana e Kosovës”, tha Xhaferi.

“Më duket se shpenzimet e transportit janë paguar 8,5 centë, tash nuk më kujtohet mire” Fatbardh Xhaferi

Me çmimin 8.5 centë për transport, kostoja e transportit ishte llogaritur 248 mijë e 792 euro.

Mirëpo në përshkrimin e tenderit vetëm çmimi i berzës dhe ai i kursit të dollarit ndryshojnë. Kurse pagesa për rafinerinë, konvertimi i njësive matëse, shuma e caktuar nga Ministria e Tregtisë, dogana, akciza, TVSH-ja si dhe shpenzimet e transportit të ngarkuara nga dogana mbesin të pandryshueshme.

Zyrtarët e PTK-së thonë se ndërmarrja ka pranuar çmimin siç është deklaruar nga “Hib Petroli”.

“Shpenzimet e transportit nuk llogariten nga PTK apo ndonjë autoritet tjetër kontraktues pasi që ato janë në kompetencë e Doganave të Kosovës”, tha zëdhënësi i PTK-së, Menduh Abazi

Por zyrtarë në doganën e Kosovës tregojnë se tarifa në emër të shpenzimeve të transportit është 1,6 cent për litër.

“Shpenzimet e transportit gjatë importit nga Maqedonia janë 0.016 euro për litër ose 500 euro për cisternat 30 mijë litërshe dhe deri tash nuk ka ndryshuar ndonjëherë”, thotë zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

Ai shton se “Hib Petroli” shpenzimet nuk i ka më shumë se 500 euro dhe madje, nganjëherë edhe më pak se aq, meqë importon me vagonë.

“Në nëntor 2009 për një cisternë te kompanisë Hib Petrol janë kalkuluar 500 euro shpenzime të transportit, ndërsa tani në vitin 2011 kompania Hib Petrol për një vagon (60 mijë litra), që importohet përmes hekurudhës, deklaron  600-800 euro shpenzime të transportit të cilat pranohen nga dogana”, shpjegon Stavileci.

Më parë paguhej 1.6 centë

Në raportin e adutimit të brendshëm të PTK’së thuhet se furnizuesi i mëhershëm ka paguar 1.6 centë në litër për transport.

Këtë shifër e konfirmon edhe Shkelzen Jusaj, pronar i kompanisë “Petrol Company”, e cila ka furnizuar PTK’në me derivate nafte deri në nëntor 2009.

“Në të gjithë tenderët që kemi konkurruar nuk mund të prezantohet shifër tjetër e shpenzimeve të transportit përveç 1,6 centë për litër” Shkelzen Jusaj

“Në të gjithë tenderët që kemi konkurruar nuk mund të prezantohet shifër tjetër e shpenzimeve të transportit përveç 1,6 centë për litër dhe dogana nuk e ka ndryshuar ndonjëherë këtë”, ka thënë Jusaj.

“Transporti mund të kushtojë më shtrenjtë nëse importohet nga Bullgaria ose tjetër vend por për PTK-në kjo është e papranueshme për shkak se me rastin e ofertimit duhet të ofrohet autorizimi i prodhimit i prodhuesit dhe certifikata e autoritetit me çka kompania autorizohet të merr pjesë në tender”, shton Jusaj.

Sipas tij, për këtë arsye, bazë e llogaritjes së transportit merret rruga nga rafineria OKTA në  Maqedoni prej nga “të gjitha kompanitë janë furnizuar”.

Jusaj shton se “Petrol Company” ka qenë pjesëmarrëse edhe në tenderin e tetorit 2009 të fituar nga “Hib Petroli”.

“Kërkesa nga tenderi ka qenë që të ofrohet vetëm çmimi i premisë ndërsa formula e përllogaritjes të të gjitha informatave të tjera sa i përket çmimit të berzës dhe kursit të dollarit kanë qenë variabile, kurse të gjitha të tjerat kanë qenë të fikse”, thotë Jusaj.

Furnizimi aktual, pa kontratë

PTK-ja aktualisht nuk ka kompani të kontraktuar për të bërë furnizimin me derivate të naftës.

Meqë është e obliguar me ligjin për prokurim publik që për shpenzimet më të larta se 1000 euro të shpallë tender publik, zyrtarët e PTK-së kanë zgjedhur metodën që shpenzimet e transportit të llogariten një nga një. Për veturat të cilat  i përdorin i furnizojnë vet dhe për një gjë të tillë zyrtarët marrin fatura të cilat i dorëzojnë për t’i kompensuar nga PTK-ja.

Këtë e konfirmon edhe zëdhënësi Menduh Abazi. “Momentalisht nuk kemi kontratë valide për furnizim me naftë”, ka thënë ai.

Tenderi i ri ishte anuluar në dhjetor të vitit 2011. Fillimisht ishte shpallur fitues Petrol Company në një garë ku ishin gjithsej dymbëdhjetë konkurrentë.

Tenderi është hapur sërish.

ETIKETA

19 Mars 2012 - 1:30 am

Tinka Kurti 19/03/2012 - 1:30 am
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0