Naim Tërnava

Hesht për Zgjedhjet që Përmbyllin Dekadën e Tij

Naim Tërnavës i ka filluar numërimi i kundërt i sahatit në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK). Më 15 tetor të këtij viti ai përmbyll një periudhë prej 10 vitesh, dy mandatesh të plota, si i pari i myslimanëve në Kosovë.

Kushtetuta e BIK-ut kufizon që myftiu kosovar të ketë në maksimum dy mandate.

Derisa në këtë bashkësi fetare — më e madhja në vend krahas tjerave si Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, Bashkësia e Besimit Hebrej dhe Kisha Evangjeliste — nuk pranojnë të komentojnë për procesin zgjedhor, një oponencë e Tërnavës e krijuar në vitin 2011, Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, e ka bërë atë prioritet. 

“Pas përfundimit të muajit të Ramazanit fokusi ynë do të jetë te zgjedhjet qendrore në BIK, Idriz Bilalli

“Pas përfundimit të muajit të Ramazanit fokusi ynë do të jetë te zgjedhjet qendrore në BIK”, thotë Idriz Bilalli, kryesues i Sindikatës së BIK-ut. “Do të kujdesemi që ato të mos shoqërohen me manipulime si zgjedhjet nëpër këshillat lokalë që u mbajtën vitin e kaluar”.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar në prillin e viti 2012 (shkrimi: BIK Shpenzon 2.5 Milionë për Haxh në Vit) se ato zgjedhje ishin shoqëruar me kontestime. “Këto më së paku kanë qenë zgjedhje. Këto kanë qenë emërime të Naim Tërnavës”, thoshte atëherë ish-kryetari i këshillit të BIK-ut për Drenasin, imami Osman Musliu.

Idriz Bilalli thotë që kur të çelet tema e zgjedhjeve qendrore në BIK do të kërkojnë që të merret edhe një vendim për këshillat ku zgjedhjet përfunduan me kontestime.

Tërnava nënshkroi kushtetutën që ia ndalon mandatin e tretë

BIK-u kishte bërë ndryshime në kushtetutën e vetë në qershor të vitit 2002. 

Në krye të kuvendit të BIK-ut, organi i kësaj bashkësie fetare që miraton ndryshimet e brendshme ligjore, atëherë gjendej Naim Tërnava.

Kështu, ai nënshkroi me dorën e tij kushtetutën e cila pos tjerash thotë tekstualisht që: “Kryetar i Kryesisë nuk mund të jetë i njëjti person më shumë se dy mandate”. 

“Kryetar i Kryesisë nuk mund të jetë i njëjti person më shumë se dy mandate, Kushtetuta e BIK

Diku një vit më vit më vonë pas nënshkrimit të atij akti, në tetor të viti 2003, Naim Tërnava zgjedhet për herë të parë Kryetar i Kryesisë së BIK-ut, pra njëherësh Myfti i Kosovës.

Tërnava u rizgjodh në këtë pozitë më 15 tetor 2008, në një garë me Rexhep Bojën, tash ambasador i Republikës së Kosovës në Arabinë Saudite.

Gazeta ka provuar gjatë javës që të marr një koment nga ambasadori Boja mbi procesin zgjedhor që po e pret BIK-un dhe nëse ai do të rikandidohet për Myfti, por megjithëse stafi i tij ka konfirmuar se ai është i njoftuar për temën, nuk ka folur. 

Në vitin 2011 Bashkësia Islame e Kosovës kishte marrë nismë që të bënte ndryshime në kushtetutën e saj. BIK lëshoi një qarkore nëpër secilin këshill të vetin. Por procesi dështoi dhe ndryshime nuk pati.  

“Unë i kam thënë jo nga fakti se me është kujtuar se sipas Kur’anit mbretëria është e ndaluar, Adnan Vishi

Ish-sekretari i Këshillit të BIK-ut në Kaçanik, Adnan Vishi, tash vetëm imam, thotë se i është propozuar nga një anëtar i Kryesisë së BIK-ut, kryesi që ka 8 anëtarë (i nënti është Kryetari i kryesisë, ose Myftiu), që ai të propozonte që klauzola që kufizon kandidimin e Tërnavës të ndryshojë dhe këtij të fundit t’i mundësohet rikandidimi. 

 “Unë i kam thënë jo nga fakti se me është kujtuar se sipas Kur’anit mbretëria është e ndaluar”, thotë Vishi.

Gazeta ka kontaktuar anëtarin e Kryesisë së BIK-ut që përmend imami Vishi, por i njëjti nuk ka pranuar të komentojë për këtë rast. As BIK-u nuk ka komentuar. 

Adnana Vishi, tash vetëm imam në Kaçanik dhe pa pozita drejtuese në organet e BIK-ut, thotë që po sheh te kreu aktual i BIK-ut tendencë për monarki. “Unë nuk mundem t’i them ndryshe Naim Tërnavës, pos ‘Sulltan Naimi’”, thotë Vishi.

Se Tërnava po tenton të bëhet “monark” në BIK, e kanë shqetësim edhe në Sindikatën e BIK-ut. 

“Çdo skenar është i mundshëm nga Naim Tërnava…”, thotë Idriz Bilalli.

Kushtetuta parasheh edhe mundësinë e ndryshimit të saj, nëse për të votojnë 2/3 e anëtarëve të Kuvendit.

Kuvendi i BIK-ut, që aktualisht drejtohet nga kandidati për Myfti, Xhabir Hamiti, është organi më i lartë përfaqësues dhe ligjdhënës i kësaj bashkësie fetare dhe ka aq anëtarë, sa është numri i këshillave lokal të BIK-ut, plus dy anëtarë që njëri i vjen nga Medreseja dhe tjetri nga Fakulteti i Studimeve Islame (FSI). BIK ka këshilla lokalë pothuajse në secilën komunë. 

“Çdo skenar është i mundshëm nga Naim Tërnava…, Idriz Bilalli.

Hamiti, kandidati i vetëm deri më tani

Xhabir Hamiti thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk i ikë përgjegjësisë nëse kandidohet si zgjidhje “për nxjerrje të BIK-ut nga kriza administrative që e ka kapluar gjatë 10 viteve të fundit”.

Hamiti, që publikisht e ka quajtur bazën juridike aktuale të BIK-ut si komuniste, pritet të propozohet nga Sindikata e BIK-ut.

“Tash për tash ne kandidatin e vetëm që e përkrahim për Myfti të Kosovës është Xhabir Hamiti”, thotë Idriz Bilaalli i Sindikatës.

“Por ne jemi të mirë-informuar që, siç u manipuluan zgjedhjet nëpër këshilla lokalë në vitin 2012, mund të manipulohen edhe zgjedhjet për Myfti të Kosovës”, thotë Bilalli.

Ai thotë se sindikata synon që t’i luftojë format e keqpërdorimit në zgjedhje. “Ne jemi për transparencë të plotë në zgjedhjet e BIK-ut. Le të vijnë e ta monitorojnë edhe organizatat që merren me zgjedhje këtë proces”, thotë Bilalli.

Valmir Ismaili nga koalicioni OJQ-ve për monitorimin zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” thotë se zgjedhjet në BIK janë brenda një institucioni fetar dhe kështu nuk janë në kuadër të misionit të koalicionit. “Prandaj ne nuk do të monitorojmë këto zgjedhje, morëm apo nuk morëm ndonjë ftesë”, tha ai.

Sistemi zgjedhor i BIK-ut

Jo vetëm imamët apo të shkolluarit në shkollat fetar islame mund të jenë në pozita të zgjedhura në organet e BIK-ut. “Pjesëtari i Bashkësisë Islame, që ka mbushur 18 vjeç, ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet në organet dhe forumet e Bashkësisë Islame”, thuhet në Kushtetutën e BIK-ut,e cila parasheh që të gjitha zgjedhjet bëhen me vota të fshehta dhe në konkurrencë.

Sipas këtij dokumenti që aplikon BIK, zgjedhjet i shpall Kryesia e BIK-ut, organ ekuivalent me qeverinë, që përbëhet pre 8 anëtarë, dhe ky i nënti është Kryetari që është edhe Myftiu. 

Kryesia menaxhon me buxhetin e BIK-ut, i cili sipas dokumenteve që posedon gazeta, për vit sillet mbi 6 milionë euro të hyra. Në këtë buxhet nuk përfshihen buxhetet e këshillave lokalë, që kanë secili buxhetin e tij.

Teknikisht zgjedhjet udhëhiqen nga një komision që formohet ad-hok, derisa data e mbajtjes së tyre caktohet nga Kryesia e BIK-ut.

Zgjedhjet shpallen më së paku tridhjetë ditë para skadimit të mandatit derisa zgjedhjet duhet të mbahen jo më larg se një muaj nga dita e shpalljes së tyre.

Mandatet për këshilla lokalë janë 4-vjeçarë, derisa për Kuvendin, Kryesinë dhe Myftiun e Kosovës janë 5-vjeçarë.

Mandati i këtyre organeve të BIK-ut, në nivel qendror, skadon më 15 tetor 2013, që rrjedhimisht, sipas normave kushtetuese, zgjedhjet duhet të shpallën jo më larg se më 15 shtator dhe të mbahen jo më larg se më 15 tetor. 

“Për shkak të haxhit, zgjedhjet edhe mund të shtyhen pak, ndoshta për në nëntor, por nuk do të lejojmë që mos mbahen fare, Idriz Bilalli

Por, përjashtim mund të ndodh këtë vit. Kjo pasi që në fillim të majit tetor nisin edhe procedurat e para të haxhit, që është një prej 5 kushteve të islamit, dhe paraqet vizitën e vendeve të caktuara të shenjta islame në kohë të caktuar duke kryer rituale të caktuara. 

“Për shkak të haxhit, zgjedhjet edhe mund të shtyhen pak, ndoshta për në nëntor, por nuk do të lejojmë që mos mbahen fare”, thotë Idriz Bilalli, kryetar i Sindikatës së BIK-ut.

Trupa elektorale të BIK-ut, e cila fillon me xhamitë, krijohet ashtu që çdo xhami cakton një përfaqësues dhe imamin. Përfaqësuesit tubohen në kuvendin e këshillit të BIK-ut. Procesverbali me detaje nga kush sa vota ka marrë dërgohet në Kryesinë e BIK- ut.