“Heronjtë” në Deçan Do Të Fikin Zjarre (TV)

Në pamundësi për të rritur numrin e zjarrfikësve, komuna e Deçanit më e dëmtuara nga zjarret verore, ka themeluar Shoqatën Vullnetare të Zjarrfikësve dhe Kërkim-Shpëtimit “Heronjtë”’, me një staf prej 12 vetash, të trajnuar për ndihmë në zjarrfikje dhe misione të kërkim-shpëtimit.

 “Heronjtë” edhe pse në fillim pa mjete të duhura për intervenim, do të funksionojnë në kuadër të Shërbimit të Zjarrfikësve në Deçan dhe do të jenë të gatshëm për intervenim gjatë 24 orëve.

Shërbimi i zjarrfikësve është nën menaxhimin e Agjensionit për menaxhim të Emergjencave që është në kuadër të MPB-së, dhe sipas ligjit të ri, komuna është e obliguar që të themelojë shoqatën e zjarrfikësve vullnetarë.

Deçani është komuna e parë në Kosovë që themelon një shoqatë të tillë për ndihmë gjatë gjendjeve të jashtëzakonshme natyrore ose të shkaktuara nga njeriu.

Sipas Admir Hasanajt, Drejtor për Mbrojtje, Shpëtim dhe Emergjenca, komuna e Deçanit duke parë se për çdo vit ballafaqohet me shumë zjarre në pyje gjatë sezonit të verës, ka vendosur për themelimin e shpejtë të shoqatës së zjarrfikësve.

Këta vullnetarë do kenë një pagë bazë prej 250 eurosh përgjatë muajve korrik, gusht dhe shtator, ndërsa në muajt tjerë ata do të paguhen vetëm në rast nevoje për intervenim.

Admir Hasanaj, drejtor për Mbrojtje, Shpëtim dhe Emergjenca në komunën e Deçanit shpreson që kjo shoqatë të ndihmojë në zvogëlimin e dëmeve që bëhen nga zjarret në malet e kësaj komune gjatë sezonit së verës.

Murtez Shala, kryetar i shoqatës “Heronjtë” thotë se mision i kësaj shoqate është shuarja e zjarrit  gjatë sezonit të verës dhe vjeshtës kur dhe ka zjarre më të shumta, si dhe intervenimi gjatë ndonjë përmbytjeje të mundshme, tërmeti, ose fatkeqësie komunikacioni.

Ai thotë se vullnetarët kanë kaluar nëpër trajnime për zjarrfikje, ndërsa për kërkim-shpëtim trajnimet do të bëhen në koordinim me shërbimin e zjarrfikësve.

Edhe në Shërbimin e zjarrfikësve të Deçanit është mirëpritur themelimi i shoqatës “Heronjtë”.

 Shaqë Mataj, shef ndërrimi në këtë shërbim thotë se numri prej 15 zjarrfikësish është i vogël për këtë komunë, pasi Deçani gjatë verës ka shumë vatra zjarri dhe shpreson që “Heronjtë” do të jenë një ndihmesë e duhur për t’uu përballur me këto zjarre.

Në rastin e themelimit të shoqatës “Heronjtë”, i pranishëm ishte edhe Rasim Selmanaj, kryetar i Deçanit , i cili premtoi ndihmë edhe mbështetje për zhvillimin e kësaj shoqate dhe rritjen e numrit të vullnetarëve.
 
Ndihmën për këtë shoqatë e ka premtuar edhe komandanti i Ekipit Monitorues Ndërlidhës(LMT) të KFOR-it italian, Ten Marco Versace.

Ligji për Zjarrfikje dhe Shpëtim i Republikës së Kosovës thotë se ndër njësitë e themeluara me këtë ligj janë edhe njësitë e shoqatave vullnetare të zjarrfikjes dhe shpëtimit.

Ndërsa sa i përket financimit të tyre, ligji thotë që kjo mund të bëhet nga donacionet dhe buxheti i komunës, në rastet kur kërkohet angazhimi i tyre.