Hashim Thaçi Synon Presidencën

Partia Demokratike e Kosovës, PDK  ka nominuar liderin e saj Hashim Thaçi si kandidat për postin e Presidentit të vendit, dhe aleati i saj në Qeveri, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK  ka thënë se do të përkrahë këtë nominim.

Kushtetuta e Kosovës parasheh që Presidenti i ri duhet të zgjidhet nga anëtarët e Parlamentit 30 ditë para se të kalojë mandati i Presidentes aktuale.

Presidentja  Atifete Jahjaga do ta përfundojë mandatin e saj më 7 prill të këtij viti.

Sipas marrëveshjes ndërmjet dy partive, PDK dhe LDK, që udhëheqin me Qeverinë e Kosovës, posti i Presidentit do t’i takojë PDK-së.

Basri Musmurati, sekretar i përgjithshëm i PDK-së ka deklaruar për KALLXO.com se ata do të respektojnë afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Ndoshta mund të ndodhë në fund të muajit shkurt apo fillim të muajit mars të kemi Presidentin e ri’.

Në anën tjetër, partneri i PDK-së në Qeveri, LDK-ja, nëpërmjet nënkryetarit të saj Lutfi Haziri ka thënë se se kjo parti do të mbajë fjalën e vet.

“PDK-ja e mbajti premtimin sa i përket zgjedhjes së Isa Mustafës kryeministër të Kosovës, sikur që LDK-ja do ta mbajë premtimin e vet në marrëveshje për zgjedhjen e z. Thaçi për president. Kjo është pjesë e marrëveshjes dhe ajo është eksplicite sa i përket pozitës së Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës”, tha Haziri.

Por kështu nuk mendojnë në partinë më të madhe opozitare.

Zgjim Hyseni, anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes ka thënë për KALLXO.com se Hashim Thaçi nuk po lë gur pa lëvizur për t’u bërë President.

“Hashim Thaçi është njeriu më i papërshtatshëm për të qenë President. Gjithë biografia e tij politike karakterizohet nga pazaret politike në dëm të interesave të vendit. Ai nuk mund të jetë garant i unitetit të popullit”, ka thënë Hyseni.

Sipas tij , deputetët opozitarë nuk do të marrim pjesë në seancë, sepse duke bërë kështu do ta mundësonim kuorumin e nevojshëm.

“Përkundrazi, ne do ta kundërshtojmë me çdo kusht zgjedhjen e tij”, ka thënë ai.

Besa Shahini, një analiste në Prishtina, ka thënë se Thaçi ka dështuar si ministër i punëve të jashtme për të siguruar pranimin e Kosovës në UNESCO dhe liberalizimin e vizave.

“Atëherë pse ai duhet të ‘gradohet’ si president tani?”, ka pyetur ajo.

Ajo ka thënë se partia e Thaçit, gjatë qeverisjes pas shpalljes së pavarësisë, ka marrë kontrollin e shumë institucioneve dhe ka më shumë influecne se sa presidentja aktuale.

“Nëse Thaçi bëhet President, atëherë shteti do të kapet i tëri”, u shpreh Shahini.

Atifete Jahjaga ishte zgjedhur në prill të vitit 2011. Para se të vijë në krye të shtetit, ajo ishte zëvendësdrejtore e përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Jahjaga ishte kandidatja e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet liderëve të këtyre tri partive politike, nën ndërmjetësimin e ambasadorit të atëhershëm amerikan në Kosovë, Kristofer Dell.