Produkte vendore|Foto : Jeta në Kosovë

Hakmarrja ndaj ‘Cipiripit’

Nëse jo Qeveria, atëherë qytetarët e Kosovës duhet t’i bojkotojnë produktet e Serbisë, e cila i persekutoi 17 vjet më parë dhe vazhdon të pengojë jetën normale të tyre. Ka mundësi e zgjidhje që prodhimet serbe të zëvendësohen, por duhet vetëm vullneti.

“A nuk ka ujë vendor?” e pyeta shitësen e cila kërkesës time për një ujë pa gaz iu përgjigj me një shishe uji “Rosa”, prodhim i Serbisë. “Jo, ky është i vetmi lloj i ujit që e mbajmë”, ishte përgjigja e punëtores në kinemanë e re Cineplexx, një investim mbi 4 milionë eurosh në Prishtinë.

NDËRLIDHUR

Nuk do reagoja njësoj në rast se do kërkoja “Coca-Cola”, ani pse uji “Rosa” është prodhim i të njëjtës fabrikë. Shtatëmbëdhjetë vjet pas luftës pjesës më të madhe të konsumatorëve kosovarë u pengon vetëm një produkt serb – uji. Një konsumator kosovar mund të blejë plot produkte serbe, por në të shumtën e herave për ujë do përzgjedh njërin nga prodhuesit vendorë. Nuk mund ta them me siguri përse ndodh kjo, por mund të ketë të bëjë me faktin se Kosova ka mjaft prodhues kualitativë të ujit, si dhe kompanitë prodhuese kanë ndërmarrë një fushatë agresive reklamimi në vitet e fundit.

Pas incidentit të javës së kaluar, kur Qeveria serbe vendosi të nisë një tren udhëtarësh nga Beogradi në Mitrovicë, me mbishkrimin “Kosova është Serbi” dhe pa marrë pëlqimin e institucioneve të Kosovës, pati një valë të re thirrjesh për të bojkotuar prodhimet serbe. Thirrjet jozyrtare për të bojkotuar prodhimet serbe kanë qenë prezente që nga paslufta. Ato kanë marrë forma të ndryshme, duke filluar nga valë e-mail-esh të cilat dërgoheshin në mënyrë anonime për të frikësuar konsumatorët se si prodhimet serbe të destinuara për Kosovë janë me përmbajtje kancerogjene, e deri tek rrokullisja e kamionëve që bartnin prodhime serbe.

Por, asnjëra nga këto masa nuk e ka dekurajuar konsumin e prodhimeve serbe. Nëse bazohemi në vlerën monetare të mallrave, importi nga Serbia ka shkuar duke u rritur nga 152 milionë euro në vitin 2005, në rreth 390 milionë euro në vitin 2016. Kurse sa i përket pjesëmarrjes së mallrave serbe në totalin e mallrave të importuara, mallrat serbe kanë marrë pjesë nga 14.6% në vitin 2006 e deri në 10.2% në vitin 2011, duke shënuar prapë rritje deri në 14% në vitin 2015.

Për shkak se mallrat që shiten në Kosovë, Serbia i konsideron si mallra që shiten në “territorin e saj” e jo si eksport, është vështirë të dihet saktë se çfarë pozite zë tregu i Kosovës për eksportin e përgjithshëm të Serbisë. Në vitin 2015, eksportet e Serbisë tejkalonin 12 miliardë euro, mbi 65% e të cilave eksportoheshin në vendet e Bashkimit Evropian. Nëse e krahasojmë me këtë, del se përafërsisht eksporti i mallrave serbe në Kosovë përbën rreth 3.4% të eksportit të përgjithshëm, çfarë e bën Kosovën një ndër gjashtë tregjet më të rëndësishme për Serbinë.

Ekziston një llojllojshmëri produktesh të importuara nga Serbia, duke filluar nga energjia elektrike e deri tek “krem-bananet”. Në tri vitet e fundit, nga Serbia kemi importuar energji elektrike në vlerë mesatare vjetore prej 35 milionë euro. Më 2015 përafërsisht janë importuar edhe mbi 10 milionë “krem-banane”, 2.3 milionë pako “Plazma”, e afro gjysmë milioni çokollada “Cipiripi”.

Përkundër asaj se prodhimet serbe janë lehtë të zëvendësueshme, përse kosovarët edhe më tej vazhdojnë të blejnë mallra nga shteti i cili i vrau e i përndjeki ata 17 vite më parë? Një nga arsyet për këtë është se në përjashtim të disa bizneseve të vogla, bizneset e mëdha tregtare nuk i janë përgjigjur asnjëherë thirrjes për bojkot. Për shumë vite me radhë importuesi më i madh i prodhimeve serbe ka qenë biznesi i zëvendëskryeministrit aktual Ramiz Kelmendi.

Përveç kësaj, ekziston një nostalgji për produktet e prodhuara në të gjitha republikat ish-jugosllave. Në të folmen e përditshme të kosovarëve kanë zënë vend emërtimet e produkteve sipas markave të prodhuesit. Për shembull, shumica e kosovarëve faculetave u thonë “palloma”, sipas markës kroate për prodhimin e faculetave, kurse “eurokrem” i themi çdo lloj përzierjeje të “kakaos dhe lajthive”. Fëmijëve që u mungon një dhëmb i përparmë apo i kanë dhëmbët e rrallë u themi “cipiripa”, duke aluduar në dy dhëmbët e mëdhenj të ketrit në çokollatat “Cipiripi”.

Në një shkrim për “London School of Economics”, gazetari Tim Judah tregon një rast se si për tregtarët e Shqipërisë është e vështirë që të shesin qumështin italian, ngase qumështi slloven është standard i pazëvendësueshëm për kosovarët. Këtë nostalgji për prodhimet jugosllave, në të gjitha territoret e ish-Jugosllavisë, Judah e klasifikon si “yugosphere”.

Sjelljet e konsumatorëve ndryshojnë shumë ngadalë. Konsumatorët blejnë ato produkte të cilat i njohin më mirë, janë më lirë dhe janë më afër tyre. Për shkak të politikave tregtare, mallrat nga Serbia shpeshherë shiten më lirë se sa mallrat e të njëjtës kategori që prodhohen në Kosovë. Një “krem-banane” e importuar nga Serbia kushton vetëm një cent më shumë se ajo e prodhuar nga “Liri” në Prizren. E në disa supermarkete, “Plazma” e 300 gramëve shitet më lirë ose me çmim të barabartë me “Sempre”-n 300 gramëshe të prodhuar në Kosovë.

Kosovarët nuk janë të vetmit të cilët përballen me sfidën morale në mes të të bojkotuarit të prodhimeve të një shteti armiqësor dhe blerjes së tyre për shkak të çmimit, kualitetit dhe shprehisë. Në fillim të shekullit 20, studentët kinezë bënë thirrje për bojkotimin e produkteve japoneze, me ç’rast edhe bizneset dhe punëtorët iu përgjigjën bojkotit duke i shkaktuar dëme të mëdha ekonomisë japoneze. Pas Luftës së Dytë Botërore, një pjesë e madhe e hebrenjve, por edhe popuj tjerë evropianë, bojkotuan prodhimet gjermane, veçanërisht veturat. Njëjtë vepruan edhe amerikanët ndaj prodhimeve japoneze dhe çdo investimi japonez në tokën amerikane. Të gjitha këto kanë qenë veprime të qytetarëve, jo të shtyra nga politika zyrtare e shteteve. Por ka pasur edhe raste kur një vend vendos të bojkotojë disa apo në tërësi produktet e një vendi tjetër, siç ka qenë embargoja e ShBA ndaj Kubës.

Përkundër asaj se lufta frontale ka përfunduar në qershor të vitit 1999, përpjekjet e Serbisë për të destabilizuar Kosovën kanë vazhduar deri më sot. Serbia është fajtori kryesor për ekonominë joformale në veri të Kosovës, duke i shkaktuar humbje miliardëshe për çdo vit ekonomisë formale në Kosovë. E shumë biznese kosovare ende përballen me barriera të shumta jotarifore për të eksportuar në Serbi, ose vetëm për të përdorë territorin e Serbisë si transit për vendet e Bashkimit Evropian.

Që nga viti 2000 e deri më tani vetëm zyrtarisht janë regjistruar rreth 3,9 miliardë euro importe nga Serbia. E duke marrë parasysh shkallën e lartë të informalitetit në veri të Kosovës, prezenca reale e mallrave serbe në Kosovë është dukshëm më e madhe. Duke u bazuar në kontestin historik, por edhe në sulmet e vazhdueshme që Serbia i bën ndaj shtetësisë së Kosovës, qytetarët dhe Qeveria e Kosovës kanë të gjitha të drejtat ligjore dhe morale për të bojkotuar dhe vendosur masa reciprociteti për mallrat e Serbisë.

Bojkoti si hap kundërvënës ndaj politikës së një shteti tjetër është hap normal të cilin mund të marrin shtetet zyrtarisht ose shoqëria pa koordinim me institucionet vendore. Përderisa bojkoti zyrtar mund të jetë më i vështirë për shkak të obligimeve ndërkombëtare, bojkoti nga ana e qytetarëve është forma më e efektshme që një vend mund t’i bëjë një vendi tjetër.

Ashtu siç kemi krijuar një averzion ndaj ujit të prodhuar në Serbi, të njëjtën mund ta zgjerojmë edhe për qindra e mijëra produkte tjera, duke filluar nga “krem-bananet” e “cipiripit”, e deri tek energjia elektrike.

22 Janar 2017 - 16:36

Agron Demi 22/01/2017 - 16:36
NDËRVEPRIMI0

390

milionë euro është vlera e mallrave të importuara nga Serbia në vitin 2016.

Hakmarrja ndaj ‘Cipiripit’

by Agron Demi
NA NDIQNI

Send this to a friend