Gruaja që Njeh Jetën e Parasë

Dinarë, deviza e çeqe të tyrli vlere. Shumë para kanë kaluar nëpër duart e saj.

Roza Kaçinari, tani gjashtëdhjetetetë vjeçare, e diplomuar në gjeneratën e dytë të Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, ka punuar në ish-Bankën e Bashkuar të Kosovës që nga viti 1975 deri më 1999 duke shërbyer edhe si drejtoreshë e qarkullimit të pagesave me botën e jashtme. Ajo ka qenë pioniere e grave kosovare që filluan të marrin pozita të fuqishme dhe është njohëse e jetës së parasë derisa vendi përjetoi industrializimin më të madh.

Në një kuptim, edhe atëherë, gjërat ishin pak a shumë të njëjta. Në atë se ne jemi një shoqëri e vogël dhe shpesh duhet t’i përshtatemi trendëve të tregut botëror. Edhe atëherë zgjedheshin modelet. Roza thotë se banka modele në ish-Jugosllavi ishin ato të Sllovenisë. Ato krijonin të ardhura e menaxhoheshin mirë, por edhe riinvestonin gjerësisht në shoqëri.

“Sllovenët kanë pasur traditë të shërbimeve bankare, njohuri dhe ndërtuan reputacion”, thotë Roza.

Dhe kishte siguri për të vendosur ato modele. “Nuk ke dëgjuar kurrë në lajme që sulmohej ose vidhej një bankë. Nuk ke dëgjuar as për shpëlarjen e parave…Jo pse ishin të panjohura, por nuk ishin evidente në bankat tona”, tregon ajo. Tash, lakmia për paranë është shtuar, pasi është shtuar edhe varfëria.

Roza mendon se roli i parasë në shoqërinë kosovare ka ndryshuar në shumë aspekte. Sikurse ka ndryshuar siguria, vlera, interesi…

“Kamatat kanë qenë të ulëta dhe kushtet e kredive kanë qenë shumë më të volitshme”, thotë ajo.

Ishte ngritur një klasë punëtore e cila merrte rroga nga bankat. Ajo klasë ishte thelbi i organizimit shoqëror të kohës. Punë, të holla dhe mbështetje për familjet. Tash, bankat fitojnë shumë më shumë ndërsa qytetari ndihmohet më pak nga shteti.

Rozës i dalin parasysh rafte përplot me para nga trezori ku nuk mund të hynte gjithkush. Nga ai trezor, thotë ajo, “janë dhënë kredi për ndërtimin e gjysmës së Prishtinës dhe shumë ndërmarrjeve të vendit”. Për shembull lagjet e intelektualëve e personave të rëndësishëm, si Dragodani e Aktashi, ishin ngritur pikërisht atëherë, thotë Roza.

Kur ka punë dhe përfitim si dhe kur ka shtëpi, njeriu ka nge e luks për t’u marrë edhe me gjëra tjera. Kjo ndoshta mund ta shpjegojë shpërthimin kulturor të kohës. Shumë krijime të atëhershme nga muzika e letërsia, ta zëmë, ende mbesin në majat e krijimtarisë sonë. Vet Roza e kishte burrin muzikant. “Ende mbaj mend si më 28 Nëntor ai do t’i binte pianos e do të këndonim himnin e gjithë familja së bashku”.

Transformimi ekonomik ndikonte zakonet mu sikur bën tash. Shumë familje preferonin t’i mbanin paratë nën sënduk, nuk besonin sistemin dhe nuk mund të imagjinonin se si duke operuar përmes bankës mund të krijoheshin mundësi për shumë njerëz të tjerë, pa qenë ky qëllimi i tyre fare. “Gjenerata jonë filloi t’i bindë njerëzit dhe të ndryshojë”.

Edhe atëherë kishte njerëz që shkonin në kurbet dhe çonin remitenca. Roza mban mend se ishin bërë transfere nga mese 80 shtete të botës. 

foto  
Shtypi i kohës për Roza Kaçinarin  

 

Dhe teknologjia ishte më pak e avancuar. Pa bankomatë ku mund të merreshin paratë në gjysmën e natës. Pa pagesa të faturave përmes internetit ose pagesa me kartelë. “Sistemi ishte i thjesht. Shërbimet kryheshin në sportele”, thotë ajo. Por ka pasur ende kënaqësi në këtë – të shërbesh njerëzit, t’i njohësh ata, të kesh sigurinë që të vjen nga kontakti me të gjallin, të ecësh… 

Paraja ka edhe anën e saj tjetër – që Roza ia di.

Ajo e përshkruan atë si diçka të pistë, pasi kalon nëpër duar të gjithsecilit. “Me një lojë fëmijësh mund të shqyhet, nga një pakujdesi mund të bjerë në tokë, të zhytet edhe në baltë…”, thotë ajo. “E secili sërish e kthen në kuletë”.

Roza thotë se sado që të jep këtë ndjesi pisllëku, paraja shpesh të bën të jesh i fortë. Ajo nuk të dallon si shprehesh. Të dallon si dukesh. Të dallon si jeton. Ta cakton kufirin mes të varfrit të shkretë dhe pasanikut mendjemadh.  Një letër, e thjeshtë fare, ta thyen qafën e të futë në burg ose, në anën tjetër, të dërgon në ndonjë pusheshim krejt ekzotik. 

Por ka diçka që ka ndryshuar rrënjësisht në rolin e parasë në vendin tonë, sipas vëzhgimit të saj.

Nga Ferizaji, që është qyteti i saj i lindjes, ajo mban mend dy-tre pasanikë me nam të kohës. “Thuhej se ata kishin shumë lira”, tregon Roza. “Por, nëse futeshe në shtëpitë e tyre, standardi ishte i njëjtë me 80 për qind të popullatës tjetër që ishte me kushte të mesme ekonomike”. 

“Edhe në vitin 1975 e aty afër, sikur të pasurit sikur ata që kanë qenë të kategorisë së mesme sociale, kanë pasur standard gati të njëjtë jetese”, insiston ajo. “Tash standardi ndryshon”.

Është koha e të pasurve të paktë dhe turmës së varfër. 

E Roza Kaçinari thotë se edhe në pasuri “mesi është i artë”.