Graviteti i Lidhjeve Kinë-Serbi

Një delegacion i ushtrisë kineze i udhëhequr nga Gjeneral Xu Caihou vizitoi Beogradin më 8, 9 dhe 10 shtator dhe dha si donacion pajisje për spitale ushtarake me vlerë prej 2.4 milion dollarësh amerikanë.

Donacioni i fundit që Kina bëri për ushtrinë e Serbisë, i katërti në vitet e fundit, nënvizoi interesin strategjik të Pekinit në një vend që e sheh veten në të ardhmen si shtet anëtar i BE-së.

Ministri serb i mbrojtjes, Dragan Shutanovac, dhe gjenerali kinez nënshkruan një protokoll në të cilin vërtetohet interesi i tyre strategjik për bashkëpunim afatgjatë në të ardhmen. Ky donacion bën që Kina të jetë një nga donatorët kryesorë për ushtrinë e Serbisë, krah për krah me SHBA’në Norvegjinë.

Diplomatët serbë dhe zyrtarët ushtarakë shpresojnë që lidhjet më të ngushta me gjigandin nga lindja e largët do të ringjallin nismat e përbashkëta sa i përket armëve dhe pajisjeve ushtarake, të cilat ishin ndërprerë gjatë viteve të nëntëdhjeta me rënien e Jugosllavisë.

Gjithashtu, lidhjet më të ngushta do t’i mundësojnë Serbisë që të ketë në dispozicion teknologjinë më të re dhe njohuritë praktike për përdorimin e saj, që të trajnojë stafin e vet ushtarak në Kinë dhe t’i shtojë kapacitetet e veta për operacione paqeruajtëse.

Në anën tjetër, Serbia e din se nuk është në gjendje t’i ofrojë shumë Kinës dhe e pranon se interesat e Kinës për t’iu qasur Evropës janë prapavija e këtij bashkëpunimi.

Kina ia ka vënë syrin dhe ka ambicie për t’iu qasur tregut të BE-së, në të cilin në të kaluarën ka pasur vështirësi të hyjë. Ajo shpreson se kur Serbia t’i bashkëngjitet BE-së (nëse arrin ta bëjë këtë), ajo do ta ketë një derë të hapur për në kontinentin evjetër.

Ndërkohë, Serbia, e cila ka çështje të pazgjidhura me Kosovën pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga kjo e fundit në vitin 2008, e konsideron Kinën partner të besueshëm diplomatik, i cili rregullisht voton në favor të Serbisë në takimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Kina ka rifilluar dhënien e donacioneve ushtarake Serbisë në vitin 2005, kur u nënshkrua marrëveshja e parë mes ministrive të mbrojtjes të të dyja shteteve.

Që atëherë është filluar me trajnimin dhe arsimimin e oficerëve, kryesisht të atyre serbë që janë ngritur profesionalisht në shkollat ushtarake kineze, por rishtas edhe disa oficerë kinezë kanë vijuar shkollat më të larta ushtarake në Serbi.

Koloneli Predrag Kraleviq nga Departamenti i Bashkëpunimit Ndërkombëtar Ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes thotë se 24 oficerë nga Serbia kanë vijuar kurse në shkollat më të larta ushtarake të Kinës.

Një oficer kinez e ka përfunduar arsimimin në Serbi ndërsa edhe dy të tjerë janë duke u arsimuar aktualisht. Pesë oficerë tjerë kanë shkuar në Kinë për edukim muajin e kaluar, sqaroi ai.

Në lidhje me donacionet e mëparshme të ushtrisë kineze, koloneli Kraleviq tha se gjatë viteve të fundit ka pasur tri të tilla dhe secila prej tyre ka qenë me vlerë prej rreth gjysmë milioni euro.

“Tani e kemi donacionin e fundit të pajisjeve mjekësore me vlerë prej 1.8 milionë euro”, tha ai.

Një tjetër shenjë e ngushtimit të lidhjeve ishte nënshkrimi i marrëveshjes së partneritetit strategjik në vitin 2009 nga presidentët e Serbisë dhe Kinës, Boris Tadiq dhe Hu Jintao, përmes së cilës Serbia u bë një nga vetëm pesë partnerët strategjikë të Kinës në mbarë botën.

Gjatë muajit gusht të vitit të kaluar një delegacion i Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë, i udhëhequr nga z. Shutanovac, vizitoi Kinën për të kryer bisedime të mëtejme në lidhje me bashkëpunimin ekonomik ushtarak. Gjatë kësaj vizite ai e përshkroi Kinën si shtet me ‘përvojë të jashtëzakonshme në trajnim dhe arsim’ dhe shtoi ‘por spitalet tona ushtarake janë mes më të mirave në botë dhe ne sinqerisht mendojmë se mund ta ndajmë këtë përvojë me Kinën.’

Zyrtarët kinezë i paraqitën edhe aeroplanët e tyre luftarakë J-10, duke shprehur interes që të jenë furnizues i mundshëm i Serbisë në momentin kur ajo të jetë e gatshme për të blerë aeroplanë të rinj.

Eksperti ushtarak Alleksandar Radiq beson se kinezët më me dëshirë do t’ia shitnin Serbisë versionin alternativ të aeroplanëve, JF 17 që paraqet një version të përmirësuar të MIG 21 rus, e i cili është më i lirë se J-10.

Serbia kishte planifikuar hapjen e një tenderi për blerjen e aeroplanëve të ri luftarakë gjatë këtij viti, por kriza ekonomike bëri që ky plan të shtyhet.

Ajo që është brengosëse për Serbinë është se ajo ka pak për t’i ofruar Kinës. Predrag Simiq, profesor dhe ekspert i shkencave politike thotë në lidhje me Kinën se “Përparimi i tyre ekonomik është i tillë që vë në pikëpyetje se çka ne mund t’u shesim atyre”.

Philip Ejdus, nga Fakulteti për Studime të Sigurisë në Beograd, thotë se një brengë e përhershme dhe pyetje që parashtrohet në raportet mes shteteve të vogla dhe fuqive të mëdha është: cila është prapavija e veprimeve të ndërmarra?

Politika dhe ekonomia po i afrojnë këto dy shtete me njëri-tjetrin, veçanërisht çështjet lidhur me integritetin territorial dhe BE-në.

Edhe Kina edhe Serbia kanë ‘probleme’ territoriale, Serbia me shkëputjen e ish-krahinës së saj Kosovës dhe Kina me krahinat e veta problematike. “Tibeti dhe Xinjiangu janë sinonimi i tyre për Kosovën”, thotë Simiqi.

Që nga viti 1999 kur NATO i dëboi forcat e Serbisë nga Kosova, dhe që kur shumica e shteteve të BE-së e njohën pavarësinë e saj, Kina është duke u alarmuar në lidhje me kërcënimet e mundshme që mund t’i kanosen nga krahinat e saj.

Çështja e Kosovës ‘kërcënon të bëhet precedent për 56 pakicat kombëtare të njohura në Kinë, të cilat zënë më shumë se gjysmën e territorit të këtij shteti’, shkruante para disa vitesh analistja politike Antoaneta Bezlova.

Konflikti në Kosovë ishte një nga arsyet që shtyu Kinën që të shtojë interesimin në përvojat e luftës të Serbisë dhe të përshpejtojë zhvillimin e strategjive të reja të mbrojtjes dhe investojë më shumë në kapacitetet ushtarake.

Sipas edicionit të Stratfor-it të datës 18 janar 2011, Instituti Gjeopolitik thoshte në raportin special mbi fuqinë ushtarake të Kinës: ‘Kinezët po i frikësohen një bllokade potenciale të bregdetit të vet nga SHBA’të. Megjithëse ky skenar mund të mos duket në shikim të parë si i mundshëm, Kinezët e vlerësojnë brishtësinë e tyre strategjike dhe fuqinë e tyre çdo herë e më të madhe kundrejt veprimeve të SHBA’së në të kaluarën në kuptim të përkrahjes së fuqive regjionale, dhe konsiderojnë se përballen me një rrezik të qartë’.

Alleksandar Radiq thotë se kërcënimet e tilla të perceptuara kanë bërë që Kinezët të bëjnë ndryshime të mëdha dhe të ngritin kapacitetin e armatës së tyre.

‘Edhe pse Kina gjithmonë ka qenë një fuqi e madhe e aftë për të reaguar në rast të kërcënimeve të brendshme, lufta e Kosovës në vitin 1999 i shtyu ata që të bëjnë përmirësime të mëtejme’, tha ai.

‘Përvoja e shfrytëzimit të fuqisë ajrore në konflikte si Kosova, dhe mënyra e shfrytëzimit të kësaj fuqie, i shtynë ata që t’i zhvillojnë kapacitetet e tyre për luftë në ajër dhe të prodhojnë aeroplanë luftarakë që janë shumë më të shpejtë.’

Ndërkohë, Predrag Simiq thotë se kinezët duan t’ia hapin vetes dyert në tregun evropian dhe, pasi që ata e shohin Serbinë si pjesë të BE-së në të ardhmen, ‘ne jemi të rëndësishëm por vetëm në aspekt politik’.

‘Ata besojnë se BE-ja nuk do t’i ketë ata [kinezët] afër, e për më tepër se BE mëton që tërësisht t’i dëbojë ata’, shtoi ai.
Ndërtimi i lidhjeve me Kinën dëshmon se Serbia vazhdon t’i përmbahet politikës së jashtme që e ka përzgjedhur, do të thotë bazimin në katër ‘shtylla’: Rusinë, Kinën, BE-në dhe SHBA-në, dhe jo të varet ekskluzivisht nga aleanca me BE-në apo NATO-n.

Ognjen Pribiqeviq, diplomat dhe analist politik, mbron politikën katërshtyllëshe.

‘Çdo shtet i vogël kërkon dhe duhet të ketë sa më shumë partnerë që të jetë e mundur’, thotë ai. ‘Ndërtimi i partneriteteve me fuqi të mëdha, si Kina dhe Rusia, kombinuar me ruajtjen e marrëdhënieve më të mira të mundshme me SHBA-në dhe rrugëtimin drejt BE-së paraqesin një ide të mirë’.

Pribiqeviq preferon të ketë një qasje më reale ndaj politikës së jashtme. ‘Është shumë vështirë për cilindo shtet të vogël të zhvillojë politikë të tillë në aspekt afatgjatë’, nënvizon ai.

‘Limitet tona duhet të jenë BE dhe shtetet fqinje, dhe zhvillimi i marrëdhënieve të posaçme me shtetet e rajonit, si Italia, Austria, Gjermania’, shtoi ai.

Por, Pribiqeviqi thotë se partneriteti strategjik me Kinën nuk bie ndesh me synimet e Serbisë për tu anëtarësuar në BE: ‘Anëtarësimi ynë në BE dhe ndërtimi i partneritetit me Kinën nuk bien ndesh me njëri-tjetrin’.

Philip Ejdus sheh probleme potenciale në zhvillimin e marrëdhënieve ushtarake. ‘Disa po flasin për eksport të armëve dhe pajisjeve ushtarake, por ne duhet të kujtojmë se BE i ka vënë embargo eksportit të armëve në Kinë pas masakrës në sheshin Tienanmen’, tha ai.

‘Edhe pse thuhet se kjo politikë është duke u rishqyrtuar, ajo ende mbetet politikë zyrtare e BE-së’, shtoi Ejdus.

Histori e ngritjeve dhe rënieve

Marrëdhëniet e Serbisë me Kinën kanë shënuar shumë lëkundje gjatë dekadave të kaluara, të cilat kanë pasqyruar marrëdhëniet mes Jugosllavisë së atëhershme dhe Pekinit.

Pas ndarjes së Jugosllavisë me Bashkimin Sovjetik në vitin 1948, lideri kinez Zhou Enlai propozoi që këto dy shtete të formojnë një bllok të ri komunist pa Bashkimin Sovjetik dhe paktin e Varshavës.

Por, marrëdhëniet e mira të zhvilluara gjatë viteve të 50-ta ranë poshtë pas turbulencave në mesin e viteve të 60-ta kur Kina kaloi nëpër të ashtuquajturin Revolucion Kulturor. Atëbotë, punonjësit e ambasadës jugosllave u patën keqtrajtuar fizikisht nga demonstruesit Maoistë.

Në vitet e shtatëdhjeta, gjërat u përmirësuan dhe industria ushtarake e Jugosllavisë po prodhonte pjesë për tanket kineze T-50.
Në vitet e tetëdhjeta, dy vendet krijuan një kompani të përbashkët në Kinë për të prodhuar armë dhe pajisje ushtarake të cilat do t’ia shisnin shteteve të treta. Ky bashkëpunim u ndërpre me shpërbërjen e Jugosllavisë.

Gjatë viteve të nëntëdhjeta, Serbia hapi dy degë të kompanive shtetërore Jugoimport dhe Hemofarm në Kinë. Megjithatë, të dyja këto kompani dështuan, sepse kinezët mësuan me shpejtësi zanatin dhe morën përsipër teknologjinë serbe duke bërë që këto kompani të jenë të panevojshme.