"Gratë me të zeza" përkujtojnë 20-vjetorin e masakrave të Srebrenicës. Foto: Zene u crnom.

“Gratë në të Zeza”, 25 Vjet Rezistencë

Gjatë 25 viteve të fundit, grupi i aktivisteve “Gratë me të zeza” kanë kërkuar të jenë ndërgjegjja sociale e Beogradit në kohë lufte dhe dhune, duke organizuar më shumë se 700 protesta, demonstrata dhe përkujtimore për të treguar kundërshtimin e tyre ndaj militarizmit dhe shtypjes.

Ato e organizuan tubimin e tyre të parë më 9 tetor 1991, para Qendrës së Kulturës Studentore në kryeqytetin serb, sapo nisën luftërat në ish-Jugosllavi.

“Isha totalisht e dëshpëruar,” tha për BIRN themeluesja e “Gratë me të Zeza”, Stasa Zajoviç, ndërsa kujton paraqitjen e parë publike të rezistencës të grupit të paqes.

“Unë vij nga një familje antifashiste dhe më kanë mësuar të reagoj menjëherë. Ne e quajmë aktivizim të dëshpëruar, kështu që as që e mendojmë ta izolojmë veten dhe të ankohemi,” tha ajo.

“Gratë me të zeza” kanë qëndruar gjithashtu të heshtura gjatë të gjitha protestave të tyre gjatë viteve, sepse nuk ka fjalë për të përshkruar tragjedinë e luftës, tha Zajoviç.

Aktivistet zgjedhin të vishen me të zeza, sepse është një simbol vdekjeje dhe hidhërimi, por kjo ngjyrë vishet gjithashtu nga disa nga luftëtarët dhe politikanët që provokojnë konflikte, shtoi ajo.

“Ne i vjedhim simbolet e tyre dhe i shndërrojmë ato në tanët. Ne zëmë sheshet e tyre, që i shërbejnë fjalimeve të tyre nacionaliste, për aktivitetet tona dhe prandaj kemi kaq shumë problem,” shpjegoi ajo.

Fillimisht, regjimi i liderit serb Sllobodan Millosheviç nuk i kushtoi shumë vëmendje aktiviteteve të tyre. “Por pas një periudhe kohe, ata e kuptuan,” tha Zajoviç.

Që atëherë, “Gratë me të zeza” janë përballur me lloje të ndryshme kanosjeje dhe kërcënimi, përfshirë marrje në pyetje nga policia, fjalime urrejtjeje, ndalim të paligjshëm, mandate arresti, konfiskim pasaportash, probleme administrative dhe kërcënime me vdekje.

Këto kanë vazhduar për shumë kohë pas përfundimit të luftërave dhe rrëzimit të Millosheviçit në vitin 2000.

Më herët këtë vit, ish-zëdhënësit i policisë antiterroriste Radomir Pocuca doli në gjyq nën dyshimin se kishte vënë në rrezik sigurinë e aktivisteve të paqes pasi ai i përshkroi ato si anti-serbe dhe bëri thirrje që huliganët e futbollit të bashkohen dhe t’i sulmojnë ato.

Pocuca i shprehu këto pretendime pas “Gratë me të zeza” organizuan një përkujtimore në Beograd duke shënuar 15 vjetorin e krimeve të luftës të organizuara nga forcat serbe kundër shqiptarëve të Kosovës.

Aktivistja e “Gratë me të zeza” Violeta Djikanoviç tha për gjykatën se grupi mori “një sërë kërcënimesh” pas deklaratës së Pocucës dhe tha se ajo s’kishte ndjerë kurrë kaq shumë frikë që kur ishte krijuar organizata.

Zajoviç tha për BIRN në atë kohë që kërcënimet e Pocucës ishin serioze, sepse ato vinin nga një punonjës civil në një institucion që sigurohet për zbatimin e ligjit, edhe pse ai u hoq nga puna për komentet e tij.

“Shteti po tregon se nuk ka ndërmend t’i mbrojë aktivistët e të drejtave të njeriut,” tha ajo.

Një përvjetor pa festime

"Gratë me të zeza" përkujtojnë viktimat e luftës në Kosovë në vitin 2014. Foto: BIRN/Marija Ristic.
“Gratë me të zeza” përkujtojnë viktimat e luftës në Kosovë në vitin 2014. Foto: BIRN/Marija Ristic.

Për të festuar 25-vjetorin e tyre në fundjavë, “Gratë me të zeza” organizuan tri ditë me takime, shfaqje filmash dhe debate në Beograd për militarizimin e Europës, krizën e refugjatëve dhe ngritjen e forcave politike të krahut të djathtë, në të cilat morën pjesë aktiviste femra nga e gjithë ish-Jugosllavia, por edhe nga Italia, Spanja, Greqia, Gjermania dhe Rusia.

Zajoviç megjithatë tha se ajo është e zemëruar që aleatët ndërkombëtarë të qeverisë aktuale serbe nuk po e bëjnë atë përgjegjëse për krimet e vendit në të kaluarën.

“Si mund të dëgjoj konferenca mbi interesat gjeostrategjike të shteteve? Mjafton të shohësh skenën e krimit. Ajo do t’ju tregojë gjithçka për interesat gjeostrategjike,” tha ajo.

Ajo u shpreh se personat përgjegjës për krime gjatë luftërave jugosllave nuk janë ndëshkuar dhe se politika e qeverisë aktuale i jep përparësi stabilitetit para përgjegjësisë dhe  kjo tradhton drejtësinë.

Zajoviç beson se roli i saj tani është të shkojë dhe të takohet me viktimat e luftës që kanë vuajtur për shkak të veprimeve të Serbisë në vende si Srebrenica.

“Detyra ime është të shkoj nga shteti agresor, të takoj njerëz që kanë vuajtur gjëra të këqija të shkaktuara nga ky shtet,” tha ajo.

Ajo tha gjithashtu se ajo që e bezdis atë në Serbi sot është ndjesia e demoralizimit para problemeve sociale, si edhe dëshpërimi dhe frika që i ndalon njerëzit për të marrë masa për të ndryshuar gjërat.

Qeveria aktuale krijon ‘armiq” dhe e përdor këtë frikë për t’u siguruar që njerëzit të vazhdojnë të heshtin, tha ajo – njësoj siç vepronte edhe ish-regjimi në vitet e Millosheviçit.

“Strategjia e frikës, të cilën ne e njohim shumë mirë, krijohet për të mbajtur urtë çdo qenie, për të vrarë fuqitë e saj jetësore dhe për të na shpërqendruar nga çështje kundër të cilave duhet të luftojmë, si varfëria dhe mjerimi,” tha ajo.

Pavarësisht kësaj, Zajoviç ndjen se “Gratë me të zeza” kanë arritur shumë gjatë 25 viteve të fundit, pjesërisht duke krijuar lidhje me njerëz që kanë mendime të ngjashme jashtë Serbisë, të cilët kanë ndihmuar për të mbështetur fushatat e tyre kundër militantizmit dhe dhunës.

“Ne arritëm të krijonim një rrjet ë madh dhe të qëndrueshëm njerëzor dhe duhet ta pranoj se në Europë është një tjetër “botë” me një nivel të pabesueshëm energjie, plot solidaritet,” tha ajo.

“Nuk do të kishim mundur të mbijetonim pa këtë solidaritet. Prandaj koncepti i Europës është kaq i rëndësishëm për mua, për shkak të këtij solidariteti.”

VIDEO: “Gratë me të zeza” përkujtojnë 25 vjetorin e masakrave të Srebrenicës në një event në Beograd në vitin 2015