Gratë në të Zeza Kundër Strauss-Kahn-it

Gratë në të Zeza, një lëvizje me përvojë e paqes në Serbi, kritikoi qeverinë serbe për punësimin si këshilltar ekonomik të ish-shefit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominique Strauss-Kahn.

“Besojmë që është një veprim thellësisht i pamoralshëm, që përhap kulturën e dhunës së meshkujve kundër femrave dhe promovon mosndëshkimin për krime seksuale”, tha organizata në një deklaratë.

Kahn u arrestua në New York në vitin 2011, pasi një pastruese hoteli e akuzoi për sulm seksual.

Akuzat u hodhën poshtë, vetëm pasi francezi Kahn dha dorëheqje nga pozita e drejtuesit të FMN-së.

Ai tash përballet me gjykim në Francë për akuzat për lidhje me një rrjet prostitucioni, edhe pse insiston se është i pafajshëm.

Gratë në të Zeza thanë se me marrjen e të dyshuarit  si abuzues seksual, si këshilltar, Serbia po e jep mesazhin se lejohet  dhuna seksuale dhe dhuna  kundër grave.

“Me këtë veprim, qeveria serbe dërgoi mesazhin te të gjitha gratë se ato nuk janë të sigurta, se integriteti i tyre fizik nuk do të thotë asgjë, se burrat mund të ushtrojnë dhunë ndaj grave dhe të mos akuzohen për këtë”, thuhet më tej në deklaratën e organizatës.

Gratë në të Zeza thanë se gjatë ditëve të ardhshme do të protestojnë kundër emërimit si këshilltar të Strauss-Kahn-it.

Kjo organizatë është themeluar në nëntor të vitit 1991, në fillim të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Qëndrimet e tilla në këtë kohë jo vetëm që ishin të papëlqyeshme, por edhe të rrezikshme, por Gratë në të Zeza u rezistuan militarizmit, luftës, seksizmit dhe nacionalizmit.