Gratë në Kosovë, Forca e Pafuqishme Riprodhuese

Mungesa e ndërgjegjësimit, e kontraceptivëve, e qasjes në përkujdes shëndetësor dhe diskriminimi e seksizmi i përhapur institucional, janë vetëm disa nga problemet akute të shëndetit riprodhues në Kosovë.

Edhe pse aborti është i lejueshëm deri në javën e dhjetë të shtatzanisë, gratë dhe vajzat nuk kanë qasje në edukim seksual, nuk përdorin thuajse fare metodat moderne kontraceptive dhe keqtrajtohen në departamente të gjinekologjisë.

NDËRLIDHUR

Progresi drejt shëndetit seksual dhe riprodhues do të vërehet vetëm atëherë kur do të mund të flasim haptas dhe lirshëm për opsionet e grave dhe fuqinë tonë për të kontrolluar trupat tanë.

Gjithmonë kam dashur të kem fëmijë dhe herë pas herë më mbërthejnë ndjenjat e mia amnore. Megjithatë, të kesh fëmijë në Kosovë e shoh si një vendim të vështirë. Nuk është për shkak të luftës sime prej një feministeje për t’i refuzuar normat tradicionale kulturore sa i përket amësisë si cak përfundimtar.

Gratë në zyrën e gjinekologut pyeten “a jeni e martuar” në vend se “a jeni seksualisht aktive”

Si lexuese e apasionuar dhe aktiviste feministe, ajo lloj lufte nuk paraqet më rrezik në nivelin personal. Mirëpo, është gjendja e mjerueshme të drejtave seksuale dhe riprodhuese në Kosovë më bën t’i ngre vetullat.

Këto dyshime vijnë gjatë ndeshjes me probleme më të lehta si qëndrimet konservative të qytetarëve dhe profesionistëve shëndetësorë; prej ndjenjës së pakëndshme kur duhet ta kërkosh pilulën e mëngjesit në barnatore; frikën e të mbeturit shtatzanë dhe presionin për t’u përballur me mungesën e mbështetjes së të afërmve.

Dyshimet vazhdojnë në ballafaqim me çështje si seksizmi, me të cilin gratë përballohen edhe në zyrën e gjinekologut, i cili të pyet “a jeni e martuar” në vend se “a jeni seksualisht aktive”. Ata i referohen “burrit tënd” në vend të “partnerit tënd,” ose të nxisin të kesh fëmijë nëse ke arritur një moshë të caktuar.

Dhuna institucionale ndaj grave

Diskriminimi dhe keqtrajtimi i grave sa i përket riprodhimit merr forma më të ashpra. Janë raste të shumta, të njohura mirë nga publiku Kosovar, me atë se çfarë ndodh Qendrën Klinike Universitare (QKUK). Një grua 27 vjeçare ka vdekur disa orë pas lindjes në Spitalin Gjinekologjik të Gjilanit.

Sipas prokurorisë, dyshohet se gruaja kishte vdekur si pasojë e gjakderdhjes që nuk mund të gjendej – pra neglizhencës së stafit shëndetësor. Vitin e kaluar, një foshnje kishte humbur jetën për shkak të mungesës së përkujdesjes nga personeli shëndetësor në Spitalin Gjinekologjik të Mitrovicës.

Vdekjet e nënave dhe foshnjave ndodhin në mënyra të dyshimta dhe është e shpeshtë që stafi shëndetësor nuk dënohet për neglizhencë dhe nuk u merren licencat

Një grua filloi procesin e lindjes në hollin e një spitali nga shkaku i mungesës së përkujdesjes nga personeli shëndetësor. Dhe kjo nuk është e gjitha; infermierja e cila më në fund iu afrua e pyeti “Çka po ec si e killavt?”

Skandale tjera përfshijnë një grua të cilës ia qepën një pecetë brenda trupit pas operacionit; gra të cilat pas prerjeve Cezariane detyrohen nga infermieret t’i mbajnë dhomat e pastra para takimit me doktorin dhe prej atyre që pranuan të kenë dhënë mitë për doktorët që t’ju jepej përkujdesja e domosdoshme; dhe mos të harrojmë rastin e një nëne që mori infeksion në sallën e operimit pas një prerjeje Cezariane.

Të gjitha rastet e tilla i klasifikojnë departamentet e gjinekologjisë në spitale lokale dhe rajonale të Kosovës si vende të tmerrshme për gratë shtatzana, ku edhe vdekjet e nënave dhe foshnjave ndodhin në mënyra të dyshimta dhe është e shpeshtë që stafi shëndetësor nuk dënohet për neglizhencë dhe nuk u merren licencat.

WomenReproductionHealth-Illustrations-05

Ligje dhe të meta

Se sa të pafuqishme janë gratë sa i përket riprodhimit vërtetohet nga korniza ligjore që e rregullon atë. Ligji kosovar e përkufizon abortin si “ndërprerje e shtatzanisë me dhunë”. “I bërë përmes mjeteve mjekësore” dhe jonatyrore mund të jetë ajo se çfarë kanë dashur të thonë. Sidoqoftë, përkufizimi i abortit si akt i dhunshëm sjell një perspektivë shumë të ngushtë për shkaktarët dhe nevojat që kanë gratë kur konsiderojnë një gjë të tillë.

Ligji në fjalë nuk përfshin arsyet ekonomike dhe shoqërore si arsye legjitime për të kërkuar abort përmes mjeteve mjekësore. Leja e grave nuk përmendet askund si prioritet apo çështje e rëndësishme, dhe kjo është arsyeja pse aborti në Kosovë nuk shihet nga një perspektivë e të drejtave njerëzore.

Psikiatrja pohoi se mendësia seksiste mbizotëron edhe në ambientet mjekësore, dhe më siguroi se gratë përjetojnë denigrim dhe abuzim verbal nga infermieret dhe doktorët edhe gjatë lindjes

Sipas rregulloreve e të OKB-së, të cilat së fundi kanë njohur abortin si të drejtë njerëzore, aborti është bërë i ligjshëm dhe legjitim kur është e nevojshme të shpëtohet jeta e gruas, të ruhet e shëndeti fizik dhe mendor i saj, në raste të përdhunimit dhe incestit, kur ka dëmtime të fetusit, për shkak të arsyeve ekonomike dhe sociale, e për më shumë, në një numër shtetesh mund të bëhet thjesht përmes kërkesës në tremujorin e parë të shtatzanisë.

Kam folur me një psikiatre që preferoi të mbetej anonime për hir të pacienteve të saj dhe mirëbesimin që kanë mes vete. Ajo paraqiti një sërë problemesh me të cilat gratë dhe vajzat e Kosovës duhet të ballafaqohen pa ndihmën e të tjerëve: dhuna dhe përdhunimi nga partnerët intimë; dhuna familjare si pasojë e marrëdhënieve seksuale jashtëmartesore ose me personin që do të martohen në të ardhmen; kryerja e formave të dhimbshme të seksit për të “mbrojtur” virgjërinë; konsiderimi i vetëvrasjes dhe himenoplastisë (riparimin e membranës që mbyll pjesërisht vaginën), gjë që shihet si mjaft e zakonshme në Kosovë.

Psikiatrja pohoi se mendësia seksiste mbizotëron edhe në ambientet mjekësore, dhe më siguroi se gratë përjetojnë denigrim dhe abuzim verbal nga infermieret dhe doktorët edhe gjatë lindjes.

Ekziston një mangësi e thellë e të dhënave për numrin aborteve të kryera në institucionet shëndetësore publike dhe private. Ligjet kërkojnë nga secili institucion shëndetësor të raportojë për të dhënat statistikore që lidhen me ndërprerjen e shtatzanive. Mirëpo këto institucione ose nuk kanë, ose nuk duan të sjellin statistikat mbi numrin e aborteve të kryera brenda një periudhe kohore të caktuar, qoftë mujore apo vjetore.

Në ligjin e Kosovës, nënat beqare referohen si “gra të pamartuara”

Ligji mbi Shëndetin dhe Ligji mbi Ndërprerjen e Shtatzanisë nuk zbatohen për shkak se abortet kryhen si në qendra shëndetësore publike, ashtu dhe në ato private. Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, aksesi ndaj këtyre të dhënave në Kosovë, pra për shëndetin dhe vendimet e grave, refuzohet. Emailet injorohen, thirrjeve në telefon nuk u përgjigjet kush, dhe profesionistët e kontaktuar për intervista rezultojnë pothuajse të paarritshëm.

Amësia e vetme dhe sistemi patriarkal

Shëndeti riprodhues në Kosovë nuk është as prioritet i shëndetit publik, e as çështje e fuqizimit të grave. Seksi, marrëdhëniet, kontraceptivët, rolet prindërore dhe aborti ndërtohen ligjërisht dhe debatohen në shoqëri prej një këndvështrimi patriarkal në të cilin gratë nuk kanë fuqi mbi trupat e tyre, roli i tyre shihet vetëm si kujdestar parësor dhe ku familja bërthamë konsiderohet si koncepti i vetëm i pranueshëm.

ligjin e Kosovës, nënat beqare referohen si “gra të pamartuara.” Gratë mbi moshën 45-vjeçare duhet të vlerësohen nga Komisioni për Frytnim të Asistuar Mjekësor, një proces i cili për shkak të qëndrimeve joetike të sistemit të shëndetësisë në përgjithësi, është vërtetuar se ka mungesë të konfidencialitetit për privatësinë e pacientëve.

Ambienti mjekësor në Kosovë ka një qasje shfrytëzuese kundrejt pacientëve të tyre, me mungesë totale të respektit për privatësinë e pacientëve

Kam intervistuar një person për këtë çështje – një grua në të 40-at, profesionalisht e përcaktuar dhe financiarisht stabile, beqare dhe gati për t’u bërë nënë e vetme. Edhe pse adhurohet për pavarësinë, suksesin dhe vetëbesimin e saj, ajo dekurajohet profesionalisht dhe nga shoqëria për amësinë e vetme, sepse mospasja e një bashkëshorti që do të ishte babai i foshnjës nuk mund të përballohet nga një shoqëri që i sheh gratë e pamartuara si inferiore dhe të papranueshme për të qenë prind.

Kur e intervistova, ajo shprehu dëshirën të mbetet anonime, por ishte shume entuziaste të më informonte për aspektet ligjore që i pajisin vajzat beqare me të drejtën për t’u bërë nëna dhe i dekurajojnë për njëjtën gjë njëkohësisht. Ambienti mjekësor ka një qasje shfrytëzuese kundrejt pacientëve të tyre, me mungesë totale të respektit për privatësinë e pacientëve.

Një qasje e tillë nga profesionistët e kujdesit shëndetësor mund të shihet thjesht si formë e komunikimit, gjë që nuk dallon nga mënyrat e rëndomta të komunikimit mes grave dhe burrave në ambiente tjera.

WomenReproductionHealth-Illustrations-06

Kontraceptivët dhe pilulat e abortit

Gratë dhe vajzat në Kosovë nuk kanë akses në kontraceptivë të sigurt. Kontraceptivët e rregullt e regjistruar në Kosovë përfshijnë katër lloje të ndryshme, tre nga kompania Bayer e Gjermanisë, dhe një nga Pharmapack Technology e Australisë. Ato kushtojnë diku 12.95 euro + 30% vlerë e shtuar nga barnatoret.

Por ata pak farmacistë të intervistuar (të cilët preferuan të qëndronin anonimë), pohuan se edhe kontraceptivë të tjerë shiten në barnatore, njëri prej të cilëve kushton një apo dy euro. Ndërkohë, janë dy lloje të pilulave emergjente, të përdorshme vetëm pas marrëdhënieve pa prezervativë, të cilat shiten në barnatoret e Kosovës.

G-pill dhe Smart pill, të dy të prodhuara në Indi, shiten në shumicën e barnatoreve pa certifikime nga dogana. Ato kushtojnë dy apo tri euro, edhe pse në realitet duhej të kushtonin më shumë. Diku tre apo katër muaj më parë, sipas farmacistëve, një lloj tjetër i pilulës emergjente ka hyrë në treg dhe kushton 16-17 euro.

Përdorimi i kontraceptivëve cilësorë përkthehet në fuqizim të grave dhe vajzave

Në Kosovë, pilulat për abort mund të blihen në barnatore me udhëzim të mjekut. Edhe pse pohohet se pilulat e abortit mund të blihen vetëm përmes udhëzimeve, këto rregulla etike me gjasë nuk respektohen. Sikurse barnat e tjera në Listën Esenciale të Barnave që shiten pa udhëzim në barnatore, e njëjta gjë mund të pritet për pilulat e abortit.

Aksesi në këto pilula të forta për ndërprerjen e shtatzanisë pa udhëzime mjekësore dhe mbikëqyrje profesionale mund ta rrezikojë seriozisht shëndetin e grave dhe vajzave, dhe është një temë e cila duhet diskutuar si një çështje e rëndësishme e shëndetit publik.

Mungesa e kontraceptivëve cilësorë mund të jetë një nga arsyet pse këto barna përdoren nga një përqindje shumë e vogël e grave. Një vrojtim i UNICEF tregon se vetëm 13.7% e grave të moshës 15-49 vjeç, të cilat janë të martuara apo në një marrëdhënie, përdorin metoda moderne kontraceptive, si spiralet apo pilula.

Kjo mungesë ndërgjegjësimi për mbrojtjen e shëndetit riprodhues të grave dhe vajzave përkeqësohet nga mungesa e politikave të planifikimit familjar, edukatës seksuale dhe fushatave kombëtare mbi shëndetin riprodhues.

Përdorimi i kontraceptivëve cilësorë përkthehet në fuqizim të grave dhe vajzave, dhe qasje në kontraceptivë të sigurt dhe financiarisht të përballueshëm, çka është një domosdoshmëri për mirëqenien e grave dhe politikat e planifikimit familjar.

Për autonomi dhe fuqizim riprodhues

Abuzimi dhe keqtrajtimi me të cilin ballafaqohen gratë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është alarmant. Prandaj duhet një reformë e plotë institucionale dhe veprim gjyqësor që të kërkohen standarde etike nga ana e institucioneve të shëndetësisë në mbështetje të jetëve të grave, nënave dhe foshnjave.

Ndryshimet në sjellje dhe qëndrime te profesionistët e përkujdesjes shëndetësore duhet të konsiderohen po aq të domosdoshme sa rregullimet ligjore të shëndetit seksual dhe riprodhues të grave.

Ka mjaft kundërthënie dhe sinjale të përziera që u dërgohen grave në lidhje me aftësitë dhe të drejtat riprodhuese. Pavarësisht se aborti është i ligjshëm deri në javën e dhjetë të shtatzanisë, dhe kontraceptivët e pilulat e abortit janë në dispozicion të grave, ato nuk kanë qasje në edukim seksual, dhe studimet tregojnë se metodat moderne kontraceptive përdoren shumë pak.

Më shumë se 50% e familjeve nuk janë në gjendje të paguajnë as edhe 500 euro shpenzime të menjëhershme nga të ardhurat e tyre

Për më shumë, fekondimi artificial për nënat beqare është i vështirë dhe procedurat ligjore janë në fuqi që të pengojnë amësinë e tyre.

Nëse nuk u gjendet zgjidhja mospërputhjeve në kornizën ligjore të shëndetësisë, ne nuk do të mund të kemi hapësirat e domosdoshme për debat të mirëfilltë mbi të drejtat dhe opsionet seksuale dhe riprodhuese, për gratë si qytetare me të drejta dhe përgjegjësi të plota si prindër, të pavarura dhe të afta të ushtrojnë autonomi të plotë e të informuar mbi trupat e tyre.

Andaj, leja e grave duhet të përmendet në mënyrë të qartë në kornizën ligjore, si dhe vështirësitë shoqërore dhe financiare me të cilat përballen në një shtet sikur Kosova ku, vrojtimet tregojnë, më shumë se 50% e familjeve nuk janë në gjendje të paguajnë as edhe 500 euro shpenzime të menjëhershme nga të ardhurat e tyre.

Sistemit të përkujdesjes shëndetësore në Kosovë i duhen ndryshime dhe reforma thelbësore që të këndellet nga korrupsioni dhe shpërfillja ndaj jetëve dhe mirëqenies se pacientëve. Progresi drejt shëndetit seksual dhe riprodhues do të vërehet kur ne do të jemi të aftë të flasim haptas dhe lirshëm për shëndetin e gruas, për opsionet dhe fuqinë tonë për ta kontrolluar trupin tonë.

Gra e fuqizuara në vend të grave të kërcënuara, të inkurajuara në vend se të jenë të tmerruara – kur vjen puna te lindja dhe mbështetja ndaj institucioneve, do të ndihmojë në rrugëtimin e Kosovës për ta rrënuar mizogjininë në nivelin institucional dhe shoqëror, si dhe do të ndërrojë mendimet dhe perspektivat sa i përket integritetit trupor dhe shëndetit të gruas.

18 Prill 2016 - 11:46

Shqipe Gjocaj 18/04/2016 - 11:46
NDËRVEPRIMI0

Gratë në Kosovë, Forca e Pafuqishme Riprodhuese

by Gazeta JNK
NA NDIQNI