Mustafa, Thaçi dhe Veseli në një grafiti në grup në qytetin e Pejës | Foto: Shkodran Nikçi

Grafitet (anti)Politike Turbullojnë Opinionin Kosovar

Ndërsa viti 2015 u mbyll mes një vazhde ngjarjesh trazuese dhe dhunës poltike, fillimi 2016-s, përveç protestës më të madhe të opozitës, pa edhe një lloj të ri grafitesh në rrugët e Prishtinës dhe Pejës.

I pari i këtij lloji u shfaq në qendër të kryeqytetit të Kosovës, duke shfaqur Presidenten Atifete Jahjaga, në një pozë erotike, me kapele polici dhe vetëm në të brendshme, duke mbajtur në dorë një çantë që i përngjan një huti.

Reagime të shumta dhe të ashpra nga institucionet publike dhe shoqëria civile e dënuan grafitin duke e konsideruar seksist dhe të papranueshëm.

“RrGGK e konsideron këtë akt seksist dhe mizogjinist. Një akti i tillë, është fyes dhe i papranueshëm për cilindo qytetar të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Rrjetit të Grave të Kosovës.

Madje ky rrjet shkoi më tej se deklaratat, duke ndërmarrë një aksion në terren për ta fshirë grafitin. Gjithashtu mbi murin e fshirë aktivistet shkruan “#me Presidenten” dhe “Kundër seksizmit”

Sidoqoftë, një ditë pas, i njëjti grafit u shfaq në kryeqytet, në murin e një ndërtese tjetër. Por edhe ky pati fatin e të parit.

Pas kësaj reagoi edhe qeveria e Kosovës, duke i konsideruar ata që e bënë, rrugaçë.

“Në fakt pasqyrojnë një sjellje të mjerë mendore të individëve që e kanë humbur rrugën në shoqërinë kosovare,” thuhet në reagim.

Për përzgjedhjen e figurës së presidentes në këtë grafiti ka folur edhe artisti Alban Muja.

“Unë besoj që znj. Jahjaga është ajo që më së paku e meriton të jetë e portretizuar në atë formë. Besoj që çdo politikan i yni e meriton me shumë se ajo”, tha ai për Gazeta JNK.

Grafitin për Presidenten e dënoi edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, por ky i fundit do të shfaqej pak ditë më pas në një tjetër grafiti, i ulur në fron me një pamje të pushtetshme.

http://kallxo.com/pas-jahjages-grafite-edhe-per-veselin/

Mbishkrimi shoqërues lexonte: “From OWL chillin 98-99 with love Dr. Kadri Montana”, me gjasa duke iu referuar Tony Montana-s, personazhi kryesor i filmit kult me gangsterë “Scarface”, i regjisorit Brian De Palma.

Zv. Kryeministri Hashim Thaci ishte shënjestra e radhës, dhe autorët ishin treguar më të pamëshirshëm se ndaj Presidentes. Riprodhimi i tij mbi mur shfaqi një nudo të plotë ballore, me muskuj të formuar dhe një kobra ndanë këmbëve të tij.

http://kallxo.com/grafiti-thaci-ne-kerkim-te-hyrjes-ne-presidence/

Gjatë viteve 1998-99 në Kosovë, emri i tij luftës ishte “Gjarpri”, pro grafiti përmbante gjithashtu titullin “Atifete Lshoma Mu”.

Në bazë të marrëveshjes për qeverisje të përbashkët mes PDK-së e LDK-së Thaçi pranoi t’ia lirojë Mustafës vendin e Kryeministrit, për të marrë përkrahjen e LDK-së kur të kandidojë për President, pasi t’i përfundojë mandati Atifete Jahjagës.

Ndërsa mandati i Jahjagës skadon në mars të këtij viti dhe presidenti i ri pritet të emërohet para këtij afati, synimi i Thacit për karrigen presidenciale është konfirmuar nga koalicioni qeverisës për Gazetën JNK.

Hashim Thaçi Synon Presidencën

Nudoja e Thaçit u fshi nga rinia e PDK-së dhe fshirësit lanë një ‘smiley’ në murin e Qendrës Rinore në Pejë ku u paraqit grafiti.

“Ne si qytetarë të Republikës së Kosovës po ndjehemi të fyer me grafite te tilla që pasqyrojnë urrejtje. Të gjithë kemi familje, fëmijë dhe pamjet e tilla janë të turpshme”, tha për Gazetën Berat Thaçi, anëtar i Kryesisë së Rinisë së PDK-së.

Guerilët rrëfehen

“Thaçi paraqitet në një mënyrë ‘spektakolare’, ashtu qysh është vetë ‘spektakolar’, duke e synuar presidencën me aftësitë e tij gjarpërore”, tha autori i grafitit të ministrit të Jashtëm për Gazeta JNK në kushte anonimiteti.

Policia e Pejës është vënë në kërkim të autorëve të grafiteve mbi bazën e “dëmtimit të pronës publike”.

Ai shpjegoi se disa individë nga Peja, pakënaqësitë ndaj klasës politike po i shprehin me anë të grafiteve.

“Jemi një grup individësh dhe grafitet i bëjmë në Pejë,” tha ai. Të njëjtat modele i kishin përdorur për grafitet në Prishtinë.

Grafitet me karakter politik janë relativisht të reja për Kosovën. Lëvizja Vetëvendosje kishte përdorur disa në një shkallë më të vogël për të kundërshtuar marrëveshjet e Brukselit, por me gjasa kjo mund të jetë fushata e parë e mirëfilltë me grafite politike.

Rrjedhimisht kjo fushatë guerile tërhoqi vëmendje të madhe të medias në Kosovë, përmes raportimesh, opinionesh pa përjashtuar edhe disa pyetje se pse Isa Mustafa nuk ndodhej në mur.

Mustafa do t’i bashkohej Thacit dhe Veselit disa ditë më vonë për një grafiti në grup në Pejë, me mbishkrimin “Inglourios Basterds”, një huazim nga filmi i Quentin Tarantino me të njëjtin titull.

http://kallxo.com/mustafa-veseli-e-thaci-ne-grafit/

“Me grafite i kemi shpreh pakënaqësitë tona për zhvillimet që kanë ndodhur. Disa prej grafitet kanë qenë politike se u kon aktuale dhe përmes këtyre kemi dashtë me tregu se këta janë njerëz që duan të përfitojnë nga politika në mënyrë që me I arrit qëllimet e veta personale”, shpjegoi artisti i grafiteve.

Ai tha se kabnë bëre grafite edhe më parë, në varësi të zhvillimeve që kanë pasur. Por, kjo është fushata e parë e këtij lloji.

Për artistin Alban Muja, ndryshe nga sa po ndodh në Kosovë, “diçka e tillë është normale dhe iu ndodh çdo ditë shumë fytyrave nga politika botërore, por askush nuk është marrë me këtë temë shumë”, shpjegoi ai për Gazetën.

Gafite ku shfaqen Merkel, Sarkozy, Putin, janë parë shpesh nëpër hapësira publike në Evropë. Artistët jashtë Kosovës, përmes grafiteve të tilla shfaqin qëndrime e tyre përmes artit.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Xhevat Ibraj, tha për Gazetën JNK se çështja është nën hetim.

“Ekipet policore janë duke e hetuar rastin, ende nuk kemi asgjë konkrete”, tha Ibraj.

Edhe pse të gjitha grafitet janë fshirë apo mbuluar, dhe policia është vënë në kërkim të autorëve, ata shprehen të vendosur të vazhdojnë nëse zhvillime të tjera shqetësuese do të ndodhin në Kosovë.