Gjykatës e Prokurorë u Ikin Tatimeve

Hulumtimi i transmetuar nga emisioni “Drejtësia në Kosovë” tregoi se dhjetëra gjyqtarë e prokurorë fitojnë para nga qiraja e banesave, lokaleve dhe pronave tjera. Por disa nga gjyqtarët dhe prokurorët, përkundër faktit se i obligon ligji që t`i deklarojnë në Administratën Tatimore të Kosovë paratë që i fitojnë nga qiraja, një gjë të tillë ata nuk e kanë bërë, së paku jo derisa nuk janë kontaktuar nga ekipi i emisionit.

Qiradhënës sipas asaj që doli nga hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë” janë Ramush Bardiqi dhe Krenar Berisha, dy gjyqtarë në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Por, hulumtimi tregoi se gjyqtari Bardiqi i ka deklaruar të gjitha të hyrat nga qiraja në ATK, por jo edhe kolegu i tij Krenar Berisha.

Ky i fundit është bashkëshorti i prokurores Shënaj Berisha. Të dy këta, nuk i kanë deklaruar të hyrat në ATK, përkundër faktit se një gjë e tillë është obligim ligjorë.

“Për shkak se nuk kam njohuri më shumë në këtë lëmi dhe nuk e kam ditur se jam obligues tatimor apo jo, unë do të shikoj se si veprohet në praktikë nga ATK dhe me siguri do t`i kryej obligimet e mia nëse kjo veç është e rregulluar dhe zbatohet nga ATK-ja”, ka deklaruar gjyqtari Berisha.

Prokurorja Shemsije Asllani nuk ka patur dilema se a duhet apo jo të paguhen tatimet nga qiraja. Ajo për këtë ka ofruar dëshmi se të gjitha të hyrat janë deklaruar në ATK. Hulumtimi dëshmoi se jo vetëm gjykatës e prokurorë nga Prishtina nuk i kanë përmbushur obligimet e tyre nga ATK-së.

Qiradhënës janë edhe Rifat Bllata, Liridon Maloku, të dy këta gjyqtarë nga Vushtrria. Por të njëjtit ofruan dëshmi se obligimi ndaj ATK-së është kryer.

“Të hyrat nga qiraja nuk janë deklaruar në ATK për shkak se nuk me obligon ligji mbi deklarimin e qirasë i vitit 2015-të, i cili ka hyrë në fuqi me datën 01.09.2015. Me rastin e takimit të parë në mes nesh, jua kam prezantuar njërën kontratë me qiramarrësin në origjinal.  Kontratën tjetër nuk e kam pasur me vete, por të njëjtën e posedoj në origjinal. Në bazë të ligjit nr.05/L-028 në pjesën ku bëhet fjalë për ‘Tatimi i mbajtur në burim për pagesën e qirasë, neni 37 pika 1.9 e ka rregulluar të njëjtën çështje se si të veprohet. Mendoj se mjaftojnë këto përgjigje të shkurtra, për të ju informuar rreth asaj që keni kërkuar, kurse pas përgjigjes nga ATK-ja lidhur me kërkesën time, do të veproj sipas udhëzimeve të ATK-së”, ka thënë gjyqtari Rifat Bllata.

E kolegu i tij Gjyqtari Liridon Maloku, ka ofruar dëshmi se pasuria e cila është e lëshuar me qira është pronë e prindërve të tij, nga të cilët jeton i ndarë.

“E gjithë pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme është e prindërve. Ju njoftoj se jam i ndarë nga prindërit dhe jetoj me bashkëshorten dhe vajzën time”, thuhet në përgjigjen e gjyqtarit Liridon Maloku.

Sipas DNK, qiradhënës në Prokurorin Themelore të Mitrovicës është edhe prokurori Ahmet Tmava. Ai nuk ka ofruar dëshmi nëse i ka deklaruar tatimet nga qiraja në ATK.

Imun ndaj mos-deklarimit të të hyrave nga qiraja nuk ka qenë as gjyqtari nga Peja, Feti Gashi dhe bashkëshortja e tij Sahide Gashi.

Por, gjyqtari Gashi e ka pranuar se të gjitha detyrimet e tij do t`i kryejë në mënyrë retroaktive, pasi që ai ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni se ka detyrime ndaj ATK-së për të hyrat nga qiraja.

“Pas kontaktit me Juve të hyrat nga qiraja janë deklaruar në ATK, dhe do të paguhen retroaktivisht, ndërsa më parë nuk kanë qenë të deklaruara. Për obligimin e deklarimit të hyrave nga qiraja nuk kam qenë në dijeni andaj nuk i kam deklaruar”, ka thënë gjyqtari Feti Gashi.

Po sipas asaj që dëshmoi hulumtimi i DNK, në gjykatën dhe prokurorinë e Pejës ka edhe tjerë qiradhënës. Ahmet Rexhaj, një gjyqtar tjetër, nuk ka pranuar të flasë lidhur me atë se a i ka përmbushur apo jo detyrimet e tij ndaj ATK-së. Por, ndryshe nga kolegët e tij, prokurori Agim Kurmehaj, për të hyrat që i ka realizuar nga qiraja, nuk ka hezituar që t`i ofrojë dëshmitë se të gjitha detyrimet ndaj Administratës Tatimore i ka të kryera.

“Obligimet për qira të marrë i kam kryer rregullisht… bile nganjëherë nga neglizhenca kur kam harruar tre mujorin, më është dashur të paguaj vonesat me gjithë kamatë”, thuhet në përgjigjet e prokurorit Kurmehaj.

Siç transmetoi DNK, edhe në gjykatën e Malishevës ka gjyqtarë qiradhënës. Atje gjyqtari Shaqir Mazreku ka deklaruar se nuk është në dijeni nëse janë kryer apo jo detyrimet e tij ndaj ATK-së për të hyrat që i ka fituar nga qiraja e një lokali.

“Këto të hyra duhen të deklarohen nga qiramarrësi, dhe besoj që janë të deklaruara në ATK. Kam biseduar me qiramarrësin dhe ka deklaruar se do t`i kryejë të gjitha obligimet në  ATK mbi qiranë, sepse ashtu e kemi marrëveshjen me qiramarrësin, dhe në qoftë se nuk i ka paguar do t`i paguajë të gjitha”, thuhet në përgjigjet e gjyqtarit Mazreku, dhënë për emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Në Prizren qiradhënës është prokurori dhe anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Zejnulla Gashi, por sipas asaj që transmetoi DNK, ky prokuror i ka kryer të gjitha obligimet që dalin nga ligji për tatimin në të ardhurat personale.

“Të gjitha të ardhurat nga qiraja unë i kam deklaruar. Lidhur me menaxhimin, arkëtimin e mjeteve të qirasë dhe kryerjen e obligimeve të tatimit të qirasë pranë ATK-së është marrë babai im si person fizik. Ju njoftoj se me ndryshimet ligjore nga gjysma e vitit 2015, barra e obligimeve mbi qiranë bie mbi qiramarrësin”, ka deklaruar prokurori nga Prizreni, Zejnulla Gashi.

DNK pas Prizrenit ka zbuluar se qiradhënës ka edhe në gjykatën e Ferizajt. Atje gjyqtari Bekim Salihu ka të hyra nga qiraja. Por gjyqtari Salihu ka deklaruar se obligimi për përmbushjen e detyrimeve tatimore ndaj ATK-së bie mbi qiramarrësin.

“Po ju njoftoj se këto të hyra edhe sipas Ligjit mbi të Ardhurat Personale po edhe me kontratën mbi qiranë të lidhur mes vëllaut tim si qiradhënës, me qiramarrësin këto obligime i ka qiramarrësi”, ka deklaruar gjyqtari Salihu.

Në Gjilan të hyra nga qiraja kanë prokurorët Huma Jetishi dhe Arben Kadriu.

“I kam deklaruar pasuritë në pajtim me dispozitat ligjore”, është përgjigjur shkurt për DNK, prokurorja Huma Jetishi, por e ajo nuk ka ofruar dëshmi nëse janë deklaruar të hyrat në ATK, apo jo.

Në anën tjetër, prokurori Arben Kadriu, në përgjigjet e tij ka deklaruar se barra për detyrimet tatimore bie mbi qiramarrësin.

“Lokali është dhënë me qira në bazë të kontratës së noterizuar.  Qiraja mujore është 200 Euro, duke filluar nga shtatori i vitit 2015,  ndërsa lartësia e tatimit të qirasë është 9%, pra 18 Euro. Qiramarrësi i ka kryer të gjitha obligimet ndaj Administratës Tatimore lidhur me tatimin mbi qiranë, që nga fillimi i shfrytëzimit të lokalit. Kjo mund të vërtetohet në Administratë Tatimore”, ka thënë prokurori i krimeve të rënda Arben Kadriu.

Hulumtimi i DNK, ka vazhduar edhe ne nivele me të larta të gjyqësorit në vend. Në gjykatën e Apelit janë gjyqtarët Albert Zogaj dhe Qerim Ademaj që fitojnë para nga qiraja. Ata përkundër insistimit të ekipit të DNK, nuk kanë pranuar të deklarohen para kamerave dhe as nuk kanë ofruar përgjigje me shkrim nëse i kanë deklaruar në ATK të hyrat nga qiraja.

As dy drejtuesit më të lartë në sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial nuk kanë pranuar të deklarohen.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor Nehat Idrizi dhe as ai i Këshillit Prokurorial, Blerim Jusufaj, nuk kanë gjetur kohë të flasin se si  lejohen që gjyqtarët e prokurorët të mos i kryejnë obligimet e tyre tatimore.

Lidhur me deklarimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilat siç tregoi hulumtimi i DNK nuk e kanë ditur që duhet t`i deklarojnë të hyrat nga qiraja në ATK, zyrtari i kësaj të fundit, Sami Salihu, ka thënë se mos-deklarimi i të hyrave sanksionohet me ligj.

Ai ka thënë se çdo e hyrë është e tatueshme, prandaj edhe të hyrat nga qiraja, sipas tij, duhet deklaruar dhe paguar tatimet në ATK. Ai ka thënë se nuk kanë informacione konkrete lidhur me faktin se ka gjyqtarë dhe prokurorë që nuk i deklarojnë të hyrat që i fitojnë nga qiraja. Mirëpo, ai ka shtuar se pas pranimit të informatave do të vlerësojnë nëse ekzistojnë elemente të ikjes nga detyrimet tatimore. Ai ka thënë se ATK do të bëjë verifikimin dhe vlerësimin dhe me pas do të veprojë konform ligjit dhe procedurave të ATJK-së për të gjitha ata që nuk i kanë deklaruar të hyrat nga qiraja.

Siç transmetoi DNK, Sami Salihu, nga ATK ka shpjeguar rastet se kur obligohet qiradhënësi të kryejë obligimet e kur qiramarrësi.

Por, sipas tij, në secilën situatë qiradhënësi është i obliguar të bëjë deklarimin e të hyrave në ATK. Sipas tij, në rastet kur pagesa e tatimeve bie mbi qiramarrësin, qiradhënësi obligohet të bëjë vetëm deklarimin e të hyrave, pa u ngarkuar me tatime.