“Gjykatë” e Veçantë për të Fuqishmit

Një dhomë e veçantë penale pritet të krijohet për të trajtuar rastet e mundshme të korrupsionit për zyrtarët më të lartë të vendit, ndonëse kushtetuta garanton barazi para ligjit.

Presidentja, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, ministrat, Kryetari i Gjykatës Kushtetutese, asaj Supreme dhe Prokurorisë së Shtetit në rast se përfshihen në raste të korrupsionit do të gjykohen nga Dhoma e Veçantë Penale e cila pritet të themelohet vitin tjetër në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ka kuptuar Gazeta Jeta në Kosovë.

NDËRLIDHUR

Dhomë e Veçantë do të ketë juridiksion që të vendosë në shkallë të parë dhe gjatë procedurës paraprake lidhur me veprat penale që kanë të bëjnë me krim të organizuar dhe korrupsion të nivelit të lartë.

Marrëveshja për të themeluar gjykatën speciale është arritur në mes të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokuorial të Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë në një takim të mbajtur Durrës.

Takimi ishte organizuar për të diskutuar projektligjin për Prokurorinë Speciale të Kosovës i cili është duke u amandamentuar. Pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të Misionit të Bashkimit Europian në Kosovë EULEX.

Mbajtja e takimit është konfirmuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Personalitetet e larta publike në rast se përfshihen në raste të korrupsionit do të gjykohen nga Dhoma e Veçantë Penale. 

Për më shumë se një muaj përpjekjesh, Gazeta Jeta në Kosovë nuk ka munduar të kuptojë se sa do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës dhoma e posaçme penale, a është bërë ky propozim në përputhje me ligjin për gjykatat, a do të ketë nevojë për gjykatës të specializuar dhe si do të bëhet përzgjedhja e gjykatësve.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës kanë thënë se kompetent për këtë është Ministria e Drejtësisë si institucion sponsorizues.

Ndërsa, Ministria e Drejtësisë ka thënë që duhet t’i drejtohemi kryeprokurorit të shtetit Ismet Kabashit dhe kryetarit të Gjykatës Supreme Fejzullah Hasani pasi që ata dy drejtojnë grupin punues.

Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi dhe asnjë zyrtar nga institucioni i tij nuk kanë pranuar të flasin për këtë projektligj.

“Vetëm kur ta sjellin draftin final tek unë, mund të flas”, tha Kuçi, për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Prokurorët vendorë nuk mund të përfaësojnë Kosovën ndërkombëtarisht

Sipas draftit të këtij projektligji për Prokurorinë Speciale përveç krijimit të dhomës së veçantë penale parashihen edhe ndryshime të tjera thelbësore.

Në dokumentin e siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë vërehen ndryshimet e bëra me “track changes” të cilat mendohet se janë bërë nga EULEX-i.

Nëse miratohet ky draftligj në Kuvendin e Kosovës, Prokuroria Speciale do të udhëhiqet nga një kryeprokuror ndërkombëtar dhe dy zëvëndës të tij, njëri i huaj e tjetri vendor. Kjo është parashikuar në  paragrafin e nëntë të nenit dy të këtij draft-projektligji.

Sipas ligjit që është në fuqi, prokuroria speciale udhëhiqet nga një prokuror ndërkombëtar me vetëm një zëvendëskryeprokuror për të cilin ligji nuk parasheh kompetenca apo përgjegjësi menaxheriale për aktivitetet e prokurorisë speciale.

Por, zëvendëskryprokurori shqiptar pritet të jetë i diskriminuar në raport më atë ndërkombëtar pasi që nuk do të lejohet të përfaqësojë Kosovën në takime të ndryshme jashtë vendit. Zëvendëskryeprokurori vendor do të përfaqësojë Kosovën vetëm para institucioneve publike dhe private.

“Kemi propozuar që kjo prokurori të udhëhiqet nga dy bashkëkryesues me kompetenca dhe përgjegjësi të barabarta” Këshilli Prokurorial i Kosovës

Ky propozim nuk duket që përputhet me rekomandimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës që të dy zëvendëskryprokurorët të jenë të barabartë.

“KPK në propozimet e saj, ka propozuar që me plotësim ndryshimin e ligjit për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, kjo prokurori të udhëhiqet nga dy bashkëkryesues (një vendor dhe një i EULEX-it)  me kompetenca dhe përgjegjësi të barabarta”, thuhet në përgjigjet e Këshillit Prokurorial.

“Kjo me faktin që përgjegjësitë dhe kompetencat e prokurorëve vendorë të ngritën në një nivel më të lartë dhe të barazohen me ato të EULEX-it.” 

EULEX konfirmon se është pjesëmarrës në këtë projektligj por nuk jep detaje lidhur me ndryshime konkrete që janë duke u planifikuar në prokurorinë speciale.

“Së bashku me akterët e tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë, disa ekspertë ligjorë të EULEX-it janë pjesë e një Grupi Punues, të përfshirë në diskutime për pesë projektligje, ku njëri nga ta është ligji për Prokurorinë Speciale”, thotë Blerim Krasniqi, zyrtar për media në Misionin Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.

“EULEX-i përmes ekspertëve të misionit, jep kontributin në këtë grup punues, por nuk është sponsor i këtyre projektligjeve”, thotë Krasniqi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Shoqëria civile thotë se në këtë mënyrë nuk po lejohet avancimi i prokurorëve vendorë.

Fisnik Korenica, analist juridik, thotë se nuk është në dijeni për ndryshimin e Ligjit mbi Prokurorine Speciale, i cili sipas tij, edhe ne versionin aktual, lejonte “monopol” për prokurorët e EULEX -it, sa i përket rasteve që ndiqeshin nga Prokuroria Speciale (juridiksionin ekskluziv).

Bazuar në këtë draft-projektligj, ndryshimet e bëra në ligjin aktual, dukët se mbeshtesin vazhdimin e dominimit të prokurorëve të EULEX-it në PSRK. 

“Prezenca e shtuar e prokurorëve të EULEX-it në Prokurorinë Speciale dhe roli i tyre shumë i privilegjuar aty, nuk lejon hapësirë për “pavarësi” të plotë institucionale të prokurorëve vendorë”, thotë Korenica për Gazeten Jeta në Kosovë. 

Sipas tij, me këtë model të “mbikqyrjes” që prokurorët e EULEX-it  ushtrojnë mbi prokurorët e Kosovës, mbetet pak hapësirë që ata të mund të zhvillojnë aftesitë dhe kapacitetin e tyre institucional në luftimin e krimit serioz. 

ETIKETA

15 Tetor 2012 - 01:00

Jeton Musliu 15/10/2012 - 01:00
NDËRVEPRIMI0

“Gjykatë” e Veçantë për të Fuqishmit

by Gazeta JNK
NA NDIQNI

Send this to a friend