Komandanti çetnik Nikola Kalabiq (në mes, me mjekër të zezë) dhe njerëzit e tij gjate Luftës së Dytë Botërore. Foto: Wikimedia Commons/Ninja212

Gjykatat Serbe Riinterpretojnë Historinë për të Falur Krimet e Çetnikëve

Më 26 maj, Gjykata e Lartë në qytetin Valevë në Serbi rehabilitoi Nikola Kalabiq, një nga komandantët e Luftës së Dytë Botërore të Ushtrisë Jugosllave në Atdhe, më zakonisht të referuara si çetnikët.

Vendimi tregoi edhe një herë se si gjykatat serbe kanë riinterpretuar në mënyrë selektive faktet në lidhje me atë që ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore për të pastruar emrin e çetnikëve dhe për të zbardhur krimet që ata kanë kryer.

Vendimi i Gjykatës ishte kulmi i një procesi gjyqësor pesëvjeçar të nisur nga mbesa e tij Vesna Kalabiq, duke anuluar të gjitha vendimet e pasluftës të autoriteteve jugosllave dhe duke e deklaruar Kalabiqin se s’është dënuar ndonjëherë më parë.

Megjithatë, zyra e prokurorit më të lartë ka njoftuar se po paraqet një ankesë dhe se procesi me siguri nuk do të përfundojë me këtë vendim të gjykatës.

Kalabiq ishte komandant i njësisë çetnike Korpusi i Gardës së Malit. Nën udhëheqjen e Dragoljub Mihailoviq, çetnikët ishin zyrtarisht në anën e aleatëve deri në vitin 1943, duke përfaqësuar qeverinë jugosllave në mërgim në Londër. Megjithatë, ata kishin filluar tashmë të bashkëpunonin me forcat naziste gjermane në vjeshtën e vitit 1941.

Ngurrimi i tyre për të luftuar kundër pushtimit nazist, përplasjet e vazhdueshme me partizanët e udhëhequr nga komunistët dhe dhuna e shkaktuar ndaj civilëve kontribuuan në tërheqjen e mbështetjes së aleatëve dhe kalimin e saj te partizanët, me çetnikët që përfunduan në anën e humbësve në fund të luftës.

Një riinterpretim strikt pozitiv i lëvizjes çetnike ka qenë i rëndësishëm për politikën zyrtare të kujtesës rreth Luftës së Dytë Botërore në Serbi që nga rënia e Sllobodan Millosheviqit në vitin 2000.

Ndërsa lufta përfaqësonte eventin themelues dhe burimin e legjitimitetit për Jugosllavinë, ky rishikim historik përfaqëson një aspekt thelbësor të procesit të delegjitimitetit të Jugosllavisë.

Zyrtarisht e deklaruar një lëvizje antifashiste e barasvlershme me partizanët në vitin 2004, Lëvizja Çetnike është rehabilituar tërësisht politikisht, ndërsa rehabilitimet gjyqësore, siç është rasti i Kalabiqit, përfaqësojnë aspektin ligjor të revizionizmit historik në Serbi.

Lideri çetnik Mihailoviq, i cili u dënua me vdekje në një gjyq publik dhe u ekzekutua në vitin 1946, u rehabilitua gjithashtu në Beograd në vitin 2015, pas një procesi të gjatë ligjor ku përfshiheshin historianë si dëshmitarë ekspertë dhe tërhoqi vëmendje të madhe mediatike.

Viktimë e pafajshme e komplotit komunist?

Nikola Kalabiç. Foto: Wikimedia Commons/Vandal.B.

Rrethanat e sakta të vdekjes së Kalabiqit nuk janë të sigurta.

Ajo që dihet nga burimet e disponueshme është se ai u kap dhe u burgos nga autoritetet jugosllave, të cilëve ai u kishte dhënë informacione që i ndihmuan të kapnin Mihailoviqin në vitin 1946.

Komisioni Shtetëror Jugosllavi për Krimet e Pushtuesve dhe Ndihmësit e tyre Vendas e deklaroi atë përgjegjës për krime të ndryshme në shtatë akuza në vitin 1945 dhe një gjykatë në komunën serbe të Mionicës konfiskoi pronën e familjes së tij në vitin 1946. Të dy vendimet u anuluan si rezultat i procesit të rehabilitimit.

Hapi i parë që gjykata duhej të merrte para procesit të rehabilitimit ishte të vendoste datën zyrtare të vdekjes së Kalabiqit.

Duke pranuar dëshminë e dhënë në vitin 2011 nga Mijailo Daniloviq – një prift në pension dhe ish-anëtar i Lëvizjes Çetnike – Gjykata e Shkallës së Parë në Valevë deklaroi 19 janarin 1946 si datën zyrtare të vdekjes së Kalabiqit, duke përcaktuar se ai u vra në një shpellë pranë Valevës atë ditë.

Vendosja e datës së vdekjes nënkupton se Kalabiqi nuk mund ta ketë tradhtuar Mihailoviqin, pasi ai kishte vdekur tashmë.

Edhe pse ky pohim nuk korrespondon me faktet, pretendimi se Kalabiqi nuk e tradhtoi gjeneralin e tij ka qenë një pretendim i zakonshëm dhe i përbashkët nga admiruesit e tij – përfshirë mbesa e tij – e cila e pa vërtetimin e kësaj gjëje si një aspekt të rëndësishëm të procesit të rehabilitimit.

Gjatë të gjithë procesit ligjor, Vesna Kalabiq pohoi se gjyshi i saj ishte ekzekutuar për arsye politike dhe ideologjike, duke lënë të kuptohej se rehabilitimi ishte një mundësi për të hequr njollën nga emri i tij.

Në deklaratën e tij përmbyllëse, avokati i saj Goran Brankoviq pohoi se Kalabiq ishte “një nga njerëzit më të rëndësishëm të lëvizjes Ravna Gora, një mbikëqyrës i njohur tokësor, një njeri familjar i respektuar, zyrtar i nderuar dhe komandant i shquar”.

Paditësi u shpreh gjithashtu se nuk kishte asnjë provë të vlefshme të krimeve dhe bashkëpunimit të tij, duke thënë se “gënjeshtrat e tmerrshme të përhapura për të nga komunistët” do të ekspozoheshin në këtë çështje gjyqësore.

Por Korpusi i Gardës së Malit ishte një nga njësitë më famëkeqe çetnike, të përfshira drejtpërdrejt në bashkëpunim, krime dhe terror kundër civilëve në Serbinë qendrore.

Burime të shumta, përfshirë ato të Lëvizjes Çetnike, e miratojnë këtë. Për shembull, Kalabiq dhe Jevrem Simiq, një kolonel në Korpusin Çetnik Avala, nënshkruan një armëpushim me forcat naziste gjermane në nëntor 1943, që përfshinte një marrëveshje për një luftë të bashkuar kundër komunistëve.

Për më tepër, Korpusi dhe Kalabiqi personalisht kryen një sërë krimesh, si në Kopljare në vitin 1943, kur vdiqën 22 vetë, dhe në Drugovac në prill të vitit 1944, kur u vranë 72 banorë vendas, me shtëpitë që u dogjën dhe u plaçkitën.

Pas masakrës në Kopljare, Kalabiq i dërgoi një raport Mihailoviqit, duke u mburrur për ngjarjen dhe duke i quajtur viktimat “komunistë aktivë”.

Një nga dëshmitë më të rëndësishme në lidhje me sjelljen e Kalabiqit dhe njësisë së tij është një ankesë me shkrim nga një oficer i Korpusit drejtuar Mihailoviqit në nëntor 1943, i cili shprehet se njerëzit kishin më shumë frikë se në fshat mund të vinin çetnikët sesa se mos vinin forcat pushtuese dhe gjysmat e viktimave të masakrave ishin të pafajshëm.

Oficeri pohoi se ishte i vetëdijshëm se raportet që i dërgoheshin komandantëve më të lartë po shkruheshin sikur viktimat ishin fajtorë.

Letrat që kanë ngelur nga ato që i dërgoheshin Mihailoviqit, siç ishte kjo, tregojnë gjithashtu se ai ishte i mirinformuar për aktivitetet e Kalabiqit dhe nuk bëri asgjë për ato.

Probleme ligjore me rehabilitimin në Serbi

Aktivistë antifashistë protestojnë në Beograd në vitin 2016 kundër rehabilitimit të Milan Nediç, kryeministër i Serbisë së pushtuar nga nazistët. Foto: Facebook.

Asambleja Kombëtare Serbe ka miratuar dy Akte Rehabilitimi – në vitin 2006 dhe 2011 – duke përfshirë mundësinë e rehabilitimit ligjor për njerëzit e dënuar, të burgosur, të ekzekutuar ose të privuar nga ndonjë të drejtë për arsye politike dhe ideologjike pas prillit 1941.

Në përgjithësi, mekanizmi i rehabilitimit ligjor ka për qëllim akomodimin e viktimave të gjykimeve të padrejta duke i rishikuar ato. Në rastin e rehabilitimit në Serbi, ka një sërë problemesh që dalin nga formulimi i të dy akteve ligjore, duke zgjeruar bazat e rehabilitimit dhe duke bërë të mundur që pothuajse kushdo të rehabilitohet si viktimë e persekutimit ideologjik dhe politik.

Ligji i vitit 2006 përkufizoi ekzistencën e një vendimi gjyqësor ose administrativ si bazë për rehabilitim, por edhe mungesën e një vendimi të tillë, që do të thotë se nuk është e nevojshme të ketë pasur ndonjë gjyq në radhë të parë.

Kur Dragisha Cvetkoviçq kryeministri i Mbretërisë së Jugosllavisë që nënshkroi hyrjen në Paktin Trepalësh në vitin 1941, u rehabilitua në vitin 2009, vendimi i vitit 1945 i Komisionit Shtetëror i cili e deklaronte atë një armik shteti u mor si bazë për rehabilitimin e tij – një dokument që nuk u ruajt aspak.

Në mënyrë të ngjashme, Princi mbrojtës i Mbretërisë së Jugosllavisë Pavle Karagjorgjeviq u rehabilitua në vitin 2011 së bashku me të gjithë familjen mbretërore, edhe pse ata nuk ishin arrestuar, kishin dalë në gjyq apo dënuar.

Më së shumti, formulimi i paqartë i aktit të vitit 2006 mundëson rehabilitimin e njerëzve me përgjegjësi komanduese ose përgjegjësi të drejtpërdrejtë për bashkëpunimin gjatë luftës ose në krime, për aq kohë sa mund të argumentohet se arsyet politike dhe ideologjike gjithashtu luajtën një rol në gjykimin e tyre.

Akti i Rehabilitimit i vitit 2011 e korrigjoi këtë, duke ndaluar lejimin e kërkesave për rehabilitimin e anëtarëve të forcave pushtuese ose tradhtare dhe njerëzve të dënuar ose të deklaruar si kriminelë lufte nga autoritetet jugosllave.

Prandaj, pasi Kalabiq u shpall kriminel lufte nga autoriteti jugosllav, ai nuk duhet të ishte rehabilituar sipas Aktit të Rehabilitimit të vitit 2011.

Megjithatë, i njëjti akt dekreton në nenin e tij 2 se rehabilitimi është i mundur edhe për personat e shpallur kriminelë lufte nëse përcaktohet gjatë procesit të rehabilitimit se ai person nuk mori pjesë në krime. Në rastin e Kalabiqit është zbatuar neni 2.

Rëndësia e fakteve

Dikush mund të pyes veten se si është e mundur që gjykata të përcaktojë nëse ka pasur apo jo krime apo bashkëpunim kur burimet primare dëshmojnë ndryshe.

Problemi i përgjithshëm qëndron në rehabilitimin e figurave të shquara nga Lufta e Dytë Botërore në Serbi, të cilat në thelbin e tyre janë procese politike, siç është rasti i Milan Nediq, kryeministri i Serbisë së pushtuar nga nazistët.

Saktësia e fakteve historike padyshim që nuk është një përparësi në sallën e gjyqit dhe paditësit dhe dëshmitarët e tyre zakonisht paraqesin vetëm fakte dhe dokumente që flasin për rehabilitimin e dikujt si viktimë e pafajshme e komunizmit.

Mbetet ende të shihet si do të vazhdojë procesi ligjor në rast ankesash nga zyra e prokurorit të lartë në rastin e Kalabiqit.

Megjithatë, rehabilitimi i Kalabiqit paraqet rastin më problematik të rehabilitimit deri më tani në Serbi dhe vendimi pozitiv i gjyqtarit është shkelje si nga perspektiva historike ashtu edhe nga ajo morale.

Pa dyshim, aktivitetet e Kalabiqit gjatë luftës përfshinin jo vetëm përgjegjësinë komanduese, por edhe një përgjegjësi direkte dhe personale për bashkëpunim me forcat pushtuese dhe akte terrori që përfshinin kanosje, plaçkitje, rrahje dhe masakrim të civilëve dhe atyre që konsideroheshin komunistë apo simpatizantë të tyre.

Siç tregojnë faktet, ajo që ne dimë për Kalabiqin nuk është një produkt i “gënjeshtrave të komunistëve”, por i ka rrënjët thellë në dokumente nga burime të ndryshme, përfshirë ato të Lëvizjes Çetnike dhe vetë Kalabiqit.

Për shkak të të gjithë kësaj, çështja e rehabilitimit shërben si një shembull se kushdo i përfshirë në Luftën e Dytë Botërore mund të rehabilitohet dhe të lirohet nga çdo përgjegjësi në Serbinë bashkëkohore.

Jelena Djureinovic është studente doktorature dhe lektore në Departamentin e Historisë së Europës Lindore në Universitetin Justus Liebig në Giessen, Gjermani.

Opinionet e shprehura në sektorin e komenteve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërisht pasqyrojnë këndvështrimet e BIRN.