Dosje në zyrat e arkivit penal të Gjykatës së Tiranës | Foto nga : BIRN

Gjykata Transferon Dosjet me Thasë Plastmasi e Pa Evidentim

Transferimi i dosjeve nga Gjykata e Tiranës drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit në Lundër pa njoftuar Ministrinë e Drejtësisë, ngre shqetësime për shkelje të Ligjit për Arkivat.

Hyrja e Arkivës së Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë ishte gati e bllokuar nga një stivë kutish kartoni. Në mes të zyrës, disa thasë plastmasi e bënin të vështirë kalimin në një pjesë të brendshme të arkivës, ku ndodhen dosjet gjyqësore që nga viti 1996-të.

NDËRLIDHUR

Thasët dhe kutitë e kartonit ishin të mbushura dëng me dosje gjyqësore, gati për t’u transferuar në rezervat e shtetit në Lundër. Megjithatë, ato nuk përmbanin asnjë dokument shoqërues apo inventar sipas kritereve që përcakton Ligji për akrivat.

E ndërsa pesë punonjës të arkivës rrasnin dosjet nëpër thasët e plasmasit, një fugon i madh priste në hyrje të arkivës së gjykatës – një ndërtesë që ndodhet ndërmjet Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe Drejtorisë së Shërbimit të Provës – për transferimin e tyre.  BIRN ka mësuar se deri në mesditën e të mërkurës, në drejtim të magazinave në Lundër janë nisur katër furgonë.

Transferimi i dosjeve ka nisur pas një urdhëri verbal të kryetares së Gjykatës, Enkelejdi Hajro, e cila e pyetur nga BIRN e ka argumentuar vendimin me lirimin e hapësirave “për shkak edhe të hyrjes në fuqi të kodit të [ri] të procedurës penale.”

Arkivi penal i Gjykatës të Shkallës së Parë të Tiranës ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm për faktin se aty ndodhen dosje dhe vendime origjinale penale por dhe dokumentet dhe provat që kanë shërbyer për marrjen e vendimeve nga trupat gjykues.

Ruajtja dhe transferimi i dosjeve gjyqësore bëhet në bazë të Ligjit për Arkivat, si dhe dy urdhërave të ministrit të Drejtësisë. Të dy këto dokumente ligjore përcaktojnë mënyrën dhe procedurën se si ruhen dhe transferohen dosjet, për të cilat duhet të zbatohet një protokoll i detyrueshëm ligjor.

Sipas urdhërit të ministrit të Drejtësisë, për rregullimin dhe funksionimin e arkivave të gjykatave, kryetari i gjykatës duhet të kërkojë leje për transferimin e dosjeve për shkak të mungesës së hapësirës së ambienteve ku ato ndodhen. Institucioni përgjegjës që lejon dhe kontrollon procedurën e transferimit është Arkivi Shtetëror i Sistemit Gjyqësor që është nën vartësinë e Ministrit të Drejtësisë.

Dosje në arkivin penal të Gjyjatë së Tiranës | Foto nga : BIRN

“Kryetari i Gjykatës mund të kërkojë transferimin e dosjeve që nuk ruhen përgjithmonë në rast se gjykata nuk ka vend të mjaftueshëm dhe të përshtatshëm për ruajtjen e tyre. Por për këtë fillimisht duhet të plotësohet  formulari i  kërkesës për transferimin e dosjeve, ku duhet të argumentohet më se miri arsyen e transferimit. Më pas pritet miratimi i transferimit nga Arkivi Shtetëror i Sistemit Gjyqësor,” thuhet në urdhërin e ish Ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani.

Vendimi i Manjanit përcakton gjithashtu dhe kriteret se si do të bëhet transferimi i dosjeve.

“Në rast se kërkesa miratohet atëherë dosjet duhet të vendosen në kuti të parashkruara nga Arkivi Shtetëror i Sistemit Gjyqësor ku kutitë duhet të  etiketohen me informacione të ; emrin e gjykatës, vitin e dosjes, numrin dhe titullin e serisë së dosjes,  listat e numrave  të regjistrit të kartelave të çështjeve  që gjenden në kuti si dhe data e dërgimit të dosjeve,” vijon më tej sqarimi i urdhërit të Ministrit të Drejtësisë.

Më pas,  duhet të jetë Arkivi Shtetëror i Sistemit Gjyqësor i cili duhet të kryej një kontroll  inventari të dosjeve të transferuara dhe të konfirmojë dorëzimin dhe për çdo mospërputhje të konstatuar njofton menjëherë gjykatën. Po kështu,  punonjës të caktuar të Arkivit Shtetëror të Sistemit Gjyqësor duhet të firmosnin  pjesën e konfirmimit të marrjes së formularit të inventarit të dosjeve të transferuara e ku më pas  një kopje i kthehet gjykatës, për çdo dorëzim të bërë.

Punonjës të arkivës së Gjykatës së Tiranës, të cilët folën në kushte anonimati, i thanë BIRN se ndryshe nga sa përcakton ligji, ajo çka ato kanë bërë është thjeshtë futja e dosjeve nëpër thasë dhe më pas dërgimi i tyre në  magazinat e Lundrës. Askush nuk ka firmos një inventar apo ka bërë dhe evidentimin të dosjeve, siç parashtrohet në ligjin për arkivat dhe urdhëresat e Ministrisë së Drejtësisë.

Dosje në arkivin penal të Gjyjatë së Tiranës | Foto nga : BIRN

E kontaktuar nga BIRN nëpërmjet telefonit, kryegjyqtarja e Tiranës Enkelejdi Harjo tha se transferimi i dosjeve ishte i detyrueshëm për shak të kushteve.

“Ne kemi bërë inventarin e dosjeve dhe ngritur një grup pune prej 5 vetash që po merren me transferimin e tyre,” tha Hajro. “Ne thjeshtë po bëjmë  transferimin e tyre dhe të jeni të sigurtë që nuk do të humbasë asnjë dosje,” shtoi Harjo, duke refuzuar të japë detaje për procedurën e ndjekur me pretendimin se ndjehej e ‘lodhur.’

BIRN e pati të pamundur të kontaktojë të mërkurën Drejtorin e Arkivit Shtetëror të Sistemit Gjyqësor, zotin Leonard Busho. Megjithatë, i kontaktuar nëpërmjet telefonit Ministri i Drejtësisë Gazment Bardhi, premtoi se do të ndjekë dhe inspektojë të gjithë procedurat e  ndjekura në transferimin e dosjeve penale, për të cilat ai tha se ‘nuk kishte asnjë dijeni.’

12 Gusht 2017 - 10:38

Lindita Çela, BIRN 12/08/2017 - 10:38
NDËRVEPRIMI0