Gjykata Speciale: Na presin sfida të mëdha

“Dhomat e reja speciale” siç ato janë përshkruar në mënyrë diplomatike në legjislacionin e miratuar nga deputetët e Kosovës javën e kaluar, priten të jetë gati, në gjendje pune dhe të marrin përsipër çështjet e tyre të para në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

Ato duhet të gjykojnë ish-luftëtarë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për përfshirjen e tyre të dyshuar në vrasje, rrëmbime, burgosje të paligjshme dhe persekutim të serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besohet se ishin bashkëpunëtorë me regjimin serb apo kundërshtarët politikë të udhëheqjes së UÇK-së.

Sipas burimeve të  BIRN pranë prokurorisë, janë përgatitur padi për një numër zyrtarësh të lartë të UÇK-së.

Por sfidat kryesore për gjykatën e re do të jenë sigurimi i mbrojtjes së dëshmitarëve dhe sigurimi i bashkëpunimit për të siguruar mbrojtjen e dëshmitarëve dhe për të marrë bashkëpunimin e institucioneve të të gjithë Kosovës në fusha duke filluar nga grumbullimi i provave  deri te policia dhe ndihma gjyqësore.

Jelle Janssens, autori belg i librit “Shtet-Ndërtimi në Kosovë”, tha se “problemi më i madh me të cilin përballet komuniteti ndërkombëtar është mungesa e besimit nga populli i Kosovës në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve të ofruar nga komunitetit ndërkombëtar”.

Sipas Janssens, mbrojtja e dëshmitarëve është e vështirë për shkak se Kosova është shumë e vogël.

“Arsyeja pse madhësia e Kosovës është e rëndësishme është për shkak se zyrtarët e zbatimit të ligjit shohin shumë pak mundësi në Kosovë për të rivendosur dëshmitarët. Mund t’i jepni dikujt një identitet të ri, por rreziku që të shihet dhe njihet nga dikush që udhëton nga një rajon në një tjetër (për shembull nga Peja në Prizren) mund të jetë mjaft i lartë duke pasur parasysh madhësinë e Kosovës,” tha ai për BIRN.

“Për më tepër, zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë një ndjesi se Kosova është e pasur me bashkës të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Kjo do të thotë se të gjithë e njohin njëri-tjetrin në një komunitet të caktuar,” shtoi ai.

Çështja e mbrojtjes së dëshmitarëve i ka trazuar të gjitha gjykatat që kanë ndjekur penalisht ish-luftëtarë të UÇK-së deri më tani.

Një nga arsyet kryesore të dhëna për themelimin e gjykatës së re nga avokatët e saj ndërkombëtarë ishte mbrojtja e varfër e dëshmitarëve dhe paaftësia e misionit të sundimit të ligjit të BE-së, EULEX-it, dhe institucioneve të Kosovës për t’u marrë me çështje të profilit të lartë.

Ligji për dhomat e specializuara të miratuara nga parlamenti i Kosovës thotë se “masa të veçanta” do të miratohen për mbrojtjen e dëshmitarëve të cenueshëm, dhe BE-ja do të nxjerr planin e saj të mbrojtjes së dëshmitarëve në një sërë rregullash proceduriale të cilat aktualisht është duke i hartuar.

Gjatë gjyqit të ish-liderit të UÇK-së Ramush Haradinaj në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, një numër dëshmitarësh u vranë dhe pjesa refuzuan të paraqiten para gjykatës të mbështetur nga OKB-ja. Në gjykatat vendore në Kosovë të administruara nga ndërkombëtarët, disa dëshmitarë kanë ndryshuar dëshmitë e tyre gjatë gjyqeve ose janë kërcënuar që të mos dëshmojnë fare.

Sipas burimeve të BIRN brenda BE-së, disa nga dëshmitarët që do të thirren për të dëshmuar tashmë janë zhvendosur nga Kosova në vende të tjera.

Janssens tha se përcaktimi i provave mjaftueshëm të forta për të dënuar të pandehurit do të jetë një tjetër çështje e rëndësishme.

“Vërtetimi i krimeve të pretenduara gjithashtu do të jetë një sfidë e madhe për gjykatën e re, duke qenë se disa nga krimet e pretenduara kanë ndodhur 15-16 vjet më parë. Por kur të vërtetohen dhe njerëzit të dënohen: menaxhimi i protestës publike në Kosovë do të jetë sfida më e madhe,” tha ai.

Shumë njerëz në Kosovë, duke përfshirë edhe disa zyrtarë – sidomos ata që ishin pjesë e lidershipit të kohës së luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – e shohin gjykatën si një përpjekje për të denigruar atë që ata besojnë se ishte një luftë legjitime armatosur kundër sundimit shtypës serb.

Geert-Jan Knoops, një profesor holandez dhe jurist me përvojë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, tha se kjo do të thotë se mund të jetë e vështirë që gjykata e re të marrë ndihmën që i nevojitet nga zyrtarët në Prishtinë.

“Një prej sfidave më të mëdha për këtë gjykatë të re do të jetë marrja e bashkëpunimit të shtetit,” tha Knoops për BIRN.

“Pa bashkëpunimin e shteteve dhe në veçanti të vetë administratës së Kosovës, do të jetë e vështirë për prokurorin dhe gjithashtu për mbrojtjen të hetojë një çështje dhe – për mbrojtjen- që të ketë një gjyq të drejtë. Kjo është gjithashtu një përvojë që e kam hasur edhe në gjykatat e tjera ndërkombëtare ku kam punuar si avokat mbrojtës,” tha ai.

Ligji për dhomat specializuara thotë se ata mund të kërkojnë ndihmë nga çdo institucion i Kosovës në çdo kohë, por kjo nuk përshkruan sanksionet e mundshme për pengim apo mospërputhshmëri.

Një shtëpi jashtë shtetit

Dhomat e reja do ta kenë bazën e tyre në Kosovë dhe një të ashtuquajturin “shtetin pritës”. Ai shtet mbetet ende për t’u konfirmuar, edhe pse vendi më i mundshëm është Holanda, ku ka bazën edhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Gjykata gjithashtu do të ketë nevojë për gjyqtarë, të cilët do të jenë të gjithë ndërkombëtarë.

“Në këtë fazë, hapat e ardhshëm përfshijnë finalizimin e marrëveshjeve me shtetin mikpritës dhe negociatat për vendndodhjen dhe premisat. Kjo duhet të pasohet nga përzgjedhja e gjykatësve dhe rekrutimi i stafit të Dhomave Speciale dhe Zyrës Speciale të Prokurorit,” tha për BIRN zyra e BE-së në Kosovë.

Në mars të vitit 2014, Bashkimi Evropian i kërkoi Holandës të ndihmojë Task Forcën e saj Speciale Hetimore në ndjekjet e mundshme penale, pasi hetimet e saj për krime të pretenduara nga ana e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të përfundonte.

Letra ministrore e vitit 2014, e siguruar nga BIRN, thotë se BE-ja zgjodhi Holandën për shkak “të përvojës unike holandeze në fushën e jurisprudencës ndërkombëtare”.

Task Forca Speciale Hetuese kreu një hetim tre vjeçar bazuar në akuzat e bëra fillimisht nga Këshilli i Evropës, raportuesi i të cilit pretendoi në një raport të vitit 2011 se gjatë konfliktit të Kosovës, pjesëtarë të UÇK-së kishin kryer krime të tilla kundër civilëve si rrëmbim, torturim dhe trafikim organesh.

Zbulimet e task forcës do të sigurojnë bazën për ndjekjet penale në gjykatën e re.

Qeveria holandeze tha për BIRN se ajo “nuk ka marrë ende një vendim për mikpritjen e gjykatës së përmendur”.

“Si rezultat, nuk mund të jepet asnjë informacion mbi vendndodhjen, kostot apo përzgjedhjen e gjykatësve,” tha ajo.

Sipas burimeve të BIRN në BE, Ministria e Jashtme e Kosovës fillimisht duhet të kërkojë zyrtarisht ndihmë nga qeveria holandeze dhe të nënshkruajnë një marrëveshje që do të rregullojë funksionimin e gjykatës.

Ministria e Jashtme e Kosovës, aktualisht e kryesuar nga ish-shefi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, i cili është gjithashtu një nga figurat kryesore të përmendur si i dyshuar në raportin e vitit 2011 të Këshillit të Evropës, ende nuk e ka paraqitur kërkesën për qeverinë holandeze dhe nuk pranoi të jepte komente mbi këtë temë.

Ministria e Drejtësisë në Kosovë, e cila hartoi ligjet, gjithashtu nuk pranoi të japë komente, duke thënë se për këtë çështje ishte përgjegjëse Ministria e Jashtme.

Kostot dhe kompensimet

Legjislacioni i miratuar nga parlamenti i Kosovës gjithashtu thotë se gjykata e re do të ketë buxhetin e vet, i cili do të jetë i pavarur nga buxheti i shtetit.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë kushton rreth 300 milionë dollarë në vit, por nuk është ofruar ende asnjë vlerësim për buxhetin e mundshëm të gjykatës së Kosovës.

“Detajet financiare të projektit varen gjithashtu nga finalizimi i bisedimeve të ndryshme në vazhdim e sipër mbi praktikat e Dhomave Speciale.  Mbetet në dorë të shteteve anëtare të BE-së që të vendosin përfundimisht për buxhetin e përgjithshëm. Prandaj nuk është e mundur të ndërmerret ndonjë vendim,” tha zyra e BE-së në Kosovë për BIRN.

Sipas Knoops, një nga problemet përsëritur për gjykatat ndërkombëtare ka qenë çështja e financimit.

“Sasia e çështjeve dhe hetime për t’u trajtuar nga gjykata të tilla varet nga buxheti i saj,” tha ai.

“Për shembull, Gjykata Ndërkombëtare Penale ka një buxhet vjetor prej rreth 110 milionë eurosh. Bazuar në një buxhet të tillë, prokurori ndoshta mund të hetojë maksimumi 3-5 raste në vit. ‘Suksesi’ i gjykatës së Kosovës do të varet pjesërisht edhe nga buxheti i saj,” shtoi ai.

Ndërkohë, qeveria e Kosovës u zotua të sigurojë fondet për për ish-luftëtarët e UÇK-së që do të gjykohen.

Në të njëjtën ditë që miratoi Ligjin mbi Dhomat Speciale, parlamenti i Kosovës miratoi edhe Ligjin për Mbrojtje Ligjore dhe Mbështetje Financiare për Personat e Akuzuar në Gjyqe para Gjykatës Speciale.

Sipas këtij ligji, kushdo që akuzohet ka të drejtë të kërkojë që kostot e mbrojtjes së tij të paguhen nga buxheti i shtetit të Kosovës.

Anëtarët e familjes së tij mund të marrin gjithashtu mbështetje financiare, ndërsa të pandehurit që shpallen të pafajshëm kanë të drejtë të kërkojnë kompensim.

Përsëri, megjithatë, shifra konkrete nuk janë dhënë ende – vetëm një pyetjet e shumta mbi gjykatën e re që duhet të marrë nj përgjigje publikisht.