Gjykata Kushtetuese Refuzon Bukoshin

Bujar Bukoshi, ish Ministër i Shëndetësisë, i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese, suspendimin e hetimeve penale ndaj tij në rastin “Tolaj e Bukoshi”.

Me një kërkesë drejtuar Gjykatës Kushtetuese në tetor 2012, Bukoshi nëpërmjet avokatit të tij, arsyetimin për suspendim të hetimeve e lidh me imunitetin gjatë ushtrimit të detyrës së tij si ministër.

Më 14 mars 2013, Gjykata Kushtetuese e ka refuzuar kërkesën e Bukoshit “për masë të përkohshme”. Këtë vendim, Gjykata e ka publikuar të faqen e vet zyrtare.

“Gjykata vëren se rasti është nën shqyrtim nga gjykata e rregullt, ku parashtruesi do të jetë në gjendje të ushtrojë ankesat e tij për shkeljen e pretenduar të drejtave te tij”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Kushtetuesja ka konstatuar se u takon gjykatave të rregullta që në këtë fazë të mbledhin dhe vlerësojnë provat.

“… dhe të vendosin nëse veprimet dhe vendimet ishin brenda fushëveprimit të Ministrit të Shëndetësisë, i cili mbrohet me imunitet funksional dhe të gjykohet në mënyrë përkatëse.”, thuhet në vendim.

Ndërkaq Bukoshi në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese thotë se me hetimet kundër tij në Rastin “Tolaj e Bukoshi” është shkelur neni 98 i Kushtetutës së Kosovës.

Ky nen që flet për imunitetet thotë se: “Anëtarët e Qeverisë së Kosovës gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile dhe shkarkimi për veprimet dhe vendimet brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre si anëtarë të Qeverisë.”

Sipas kërkesës së parashtruar në këtë Gjykatë, Bukoshi pretendon se ai kishte imunitet funksional për të gjitha veprimet dhe vendimet të cilat i mori si ministër i Shëndetësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

“..Dhe veprimet ishin në pajtim me ligjin e aplikueshëm në Kosovë. Prandaj, ai nuk mund të ndiqet penalisht”, thuhet më tutje në kërkesën dorëzuar Gjykatës Kushtetuese nga avokati i Bukoshit.

Në kërkesë Bukoshi do edhe vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit, të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, i cili e konfirmoi aktakuzën kundër parashtruesit të kërkesës (Bujar Bukoshit)”.

“Parashtruesi (Bujar Bukoshi) thekson se pretendimet kundër tij në aktakuzë janë antikushtetuese, pasi veprimet dhe vendimet që ka marrë ishin brenda fushëveprimit të kompetencave të ministrit të Shëndetësisë”.

Për këtë arsye, ai ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të vendosë masa të përkohshme për suspendimin e hetimeve penale kundër tij, derisa ky institucion ta marrë vendimin
përfundimtar.

Një pikë tjetër mbi të cilën Bukoshi e ka mbështetur kërkesën për pezullim të hetimeve penale ndaj tij është edhe neni 23 i Kushtetutës që flet për Dinjitetin e Njeriut.

“Dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e te gjitha te drejtave dhe lirive themelore te njeriut.”, thuhet në këtë nen. 

Bukoshi nëpërmjet avokatit është ankuar se konfirmimi i aktakuzës ishte bërë publik dhe kjo e kishte dëmtuar reputacionin e tij, duke shkelur kështu dinjitetin e tij njerëzor”.

Aktakuza e prokurores së EULEX-it, Maria Bamieh, e ngarkon ish-Ministrin e Shëndetësisë Bujar Bukoshi se kishte mbajtur takim me operatorë ekonomikë përpara vendimeve për dhënie kontratash, gjë që është praktikë e pazakonshme.

Po ashtu, Bukoshi akuzohet se nuk kishte vazhduar kontratat me tri kompani kosovare. Me këto veprime, ai dyshohet se ka kryer veprën penale shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit. Për këtë pjesë aktakuza është konfirmuar.