Kreu i Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, Mirsad Ceman | Foto: YouTube

Gjykata Kushtetuese Boshnjake Nën Presion nga Referendumi Serb

Presidenti i Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës, Mirsad Ceman, tha për BIRN në një intervistë se referendumi i cili pritet të mbahet muajin që vjen në entitetin me shumicë serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, Republika Srpska, është një përpjekje politike për të penguar autoritetin e saj “me anë të mjeteve jo-ligjore”.

“Përdorimi i këtyre mjeteve jo-ligjore, të cilat u krijuan nëpërmjet vendimeve ligjore si deklarimi dhe zbatimi i një referendumi, është presion i qartë dhe i drejtpërdrejtë politik për Gjykatën Kushtetuese,” tha Ceman.

Pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura nga zyrtarë perëndimorë dhe boshnjakë, autoritetet e Republikës Srpska janë të vendosur për të mbajtur referendumin më 25 shtator.

Ata po kërkojnë mbështetje publike për Ditën e përvitshme të Republikës Srpska të cilën ata kërkojnë të vazhdojë të festohet më 9 janar, pavarësisht nga fakti se ajo u cilësua si diskriminuese dhe për këtë arsye jo kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese në nivel shtetëror.

Dita e Republikës Srpska shënon datën në vitin 1992 në të cilën serbët e Bosnjës themeluan entitetin pak para shpërthimit të luftës.

Mbikëqyrësi ndërkombëtar i Bosnjës, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, ka paralajmëruar se referendumi do të ishte një “goditje kundër Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit (e cila i dha fund luftës)”, ndërsa anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Bakir Izetbegoviç, ka thënë se ky është “një test për një referendum të ardhshëm” në ndarjen e mundshme të Republikës Srpska.

Gjykata Kushtetuese vendosi në fund të vitit të kaluar se duke festuar 9 janarin – e cila është gjithashtu datë e një shenjtori ortodoks serb – si festë pubolike, Republika Srpska po tregohet diskriminuese kundër personave të etnive dhe feve të tjera që jetojnë në entitet. Gjykata i dha Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska gjashtë muaj kohë për të sjellë ligjin e entitetit në përputhje me vendimin.

Ceman tha për BIRN se asambleja serbe e Bosnjës ka apeluar gjithashtu kundër vendimit, por nuk është shqyrtuar ende.

“Asambleja Popullore e Republikës Srpska ka paraqitur një mocion për të riparë vendimin, i cili u shpreh se festimi i 9 janarit si Dita e Eepublikës Srpska nuk është në përputhje me kushtetutën e Bosnjës dhe Hercegovinës. Kjo kërkesë është ende në pritje sepse ajo u paraqit në fund të afatit prej gjashtë muajsh,” tha Ceman.

Ai tha se apeli duhet të diskutohet në seancën e ardhshme të gjykatës në shtator.

Gjyqtarë të rëndësishëm ndërkombëtarë

Ceman kundërshton gjithashtu kritikat që zyrtarët e Republikës Srpska kanë drejtuar ndaj gjyqtarëve ndërkombëtarë që punojnë në Gjykatën Kushtetuese. Paneli gjyqësor i gjykatës përbëhet nga tre gjyqtarë të huaj, plus dy boshnjakë, dy kroatë dhe dy gjyqtarë serbë.

Votimi për festën e Ditës së Republikës Srpska i ndau gjyqtarët sipas përkatësive të tyre etnike: vendimi për ta deklaruar atë jo kushtetuese u mbështet nga të tre gjyqtarët ndërkombëtarë dhe dy boshnjakë, të cilët kaluan numrin e votave të dy gjyqtarëve kroatë dhe dy gjyqtarëve serbë.

Liderët politikë të Republikës Srpska kanë kërkuar gjithashtu ndryshime në ligjin për kufizimin e mandatit të Gjykatës Kushtetuese dhe për të hequr gjyqtarët e huaj.

Ceman tha se tre të huajt po punonin “me përgjegjësi dhe profesionalizëm”.

“Po flas për të gjithë ata që ishin pjesë e kuotës së tre gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese, atëherë dhe tani, dhe që vijnë nga vende të ndryshme,” tha ai.

“Ata janë ekspertë dhe njerëz me integritet. Ata janë të dobishëm dhe na ndihmojnë. Kjo ishte tepër e rëndësishme sidomos në fillim, kur ne e kuptonim “Ligjin e Konventës” (Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut). Prania e tyre, pavarësisht kundërshtimeve, ka ndihmuar në nxitjen e një ndjenje objektiviteti dhe pune të paanshme,” shtoi ai.

Ai këmbënguli gjithashtu se pretendimet se gjyqtarët ndërkombëtarë mbështesnin gjithmonë gjyqtarët boshnjakë në gjykatë ishte totalisht e pavërtetë.

“Këto deklarata përpiqen të thyejnë besueshmërinë e gjyqtarëve ndërkombëtarë dhe vendorë të Gjykatës Kushtetuese si shembulli më i lartë gjyqësor në vend,” tha ai.

“Edhe një rishikim i rastësishëm i vendimeve në lidhje me çështjet e ndjeshme në vend tregon se ka një numër të konsiderueshëm vendimesh në të cilat të ashtuquajturit gjyqtarë “ndërkombëtarë” dhe gjyqtarë boshnjakë – siç na quajnë me tendencë disa njerëz në Republikën Srpska – kanë pasur mendime të ndryshme,” tha ai.

Vendime gjyqësore të pazbatuara

Ceman tha se dështimi për të zbatuar vendimin e gjykatës mbi Ditën e Republikës Srpska ishte vetëm një nga një sërë incidentesh të tilla, e secili nga këto përfaqësonte një “goditje” të rendit kushtetues të vendit.

Sipas një studimi të fundit të të gjitha vendimeve të gjykatës, 91 nuk janë zbatuar brenda kohës së caktuar dhe 23 nuk janë zbatuar fare, shpjegoi Ceman.

Megjithatë, ai vuri në dukje se që nga viti 1997, gjykata ka marrë mbi 25,000 vendime të cilat zgjidhën më shumë se 50,000 çështje, kështu që situata nuk është dhe aq kritike sa janë shprehur disa.

“Kjo na jep një tjetër imazh kur diskutojmë marrëdhëniet ndaj vendimeve të kësaj gjykate sesa përsëritja tendencioze e vazhdueshme e të dhënave të rreme se 91 vendime nuk janë zbatuar kurrë. Megjithatë, është e vërtetë që këto të dhëna janë fleksible, sepse afatet fillojnë dhe mbarojnë gjithmonë. Për pjesën më të madhe, do të thosha se kemi një proces të pranueshëm,” tha Ceman.

Sipas Ceman, problemi vjen kur institucionet nuk arrijnë të vënë në zbatim një vendim, sepse Gjykata Kushtetuese nuk ka mekanizma për zbatimin e ligjit.

E vetmja zgjidhje është që ky moszbatim të raportohet në prokurori, e cila më pas mund të vendosë të hapë një hetim.

“Vitin e kaluar dhe këtë vit Gjykata Kushtetuese filloi dhe organizoi takime me përfaqësues të organeve shtetërore dhe institucioneve në mënyrë që ata të jenë më të përfshirë në krijimin e një klime të përgjithshme me kulturë pozitive për respektimin dhe zbatimin e të gjitha vendimeve të institucioneve gjyqësore,” tha Ceman.

Sistemi gjyqësor në Bosnjë dhe Hercegovinë është kritikuar gjithashtu për shkelje të të drejtave të njeriut, por Ceman këmbënguli se situata nuk ishte aq e keqe sa pretendojnë disa kritikë, edhe pse ka probleme.

“Shumë shpesh në çështje në gjykata, ka shkelje të të drejtës për një gjykim të drejtë, për shkak të zgjatjes së procedurës. Pastaj është edhe problemi i dështimit të zbatimit të vendimeve të gjykatave, sidomos në lidhje me detyrimet financiare,” tha Ceman, duke iu referuar gjyqeve shumë të gjata dhe dështimeve për të zbatuar urdhra gjykate për të konfiskuar pasuri të fituara në mënyrë të paligjshme.