Gjykata e Tenderëve Shqyrton Tenderin 3-Milionësh të KEK-ut

Në faqen zyrtare të Organit Shqyrtues të Prokurimi (OShP) është publikuar ankesa lidhur me tenderin “Modernizimi i Fushave në Kullën Ftohëse nl.A4”. Në ankesën e publikuar, operatori ekonomik ankues pretendon se ndërmarrja publike KEK nuk e ka respektuar Ligjin për Prokurim Publik.

KEK-u e kishte rekomanduar për kontratë konzorciumin “Ekoinvest” & “Reko Praha”, të cilët kishin ofertuar një çmim prej 3 milionë e 357 mijë eurove (3,357,191.82 €).

Në ankesën e operatorit ekonomik të dorëzuar në OShP thuhet se KEK-u nuk ia ka miratuar pikat e ankesës në shkallën e parë.

“KEK ka konstatuar se pretendimet tona janë të pabazuara, por me vendimin e tyre, AK ka konfirmuar që pikat tona pretenduese janë të vërteta. Ne do të përshkruajmë arsyetimet e KEK në secilën pikë ankuese dhe do të japim mendimin tonë në secilën pikë”, thuhet në ankesën e publikuar në veb-faqen e OShP-së.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) për “Gazetën Jeta në Kosovë” thotë se ky aktivitet i prokurimit është pezulluar me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).

“Aktiviteti i prokurimit është pezulluar me dt.08.02.2016 me vendimin e OSHP-së nr.  08/17. Për këtë aktivitet janë pranuar 3 (tri) kërkesa për rishqyrtim nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës ne këtë aktivitet të prokurimit.”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut.

Autoriteti kontraktues – KEK tregon arsyen e refuzimit të ankesave dhe pezullimit të këtij aktiviteti të prokurimit.

“Kërkesat për rishqyrtim janë shqyrtuar nga autoriteti kontraktues dhe të njëjtat janë refuzuar si të pabazuara. Një operator ekonomik ka parashtruar ankesë në OSHP me dt.08.02.2017. Si rrjedhojë, komplet dokumentacioni tenderues do të dorëzohet në OSHP konform afateve te parapara me Ligjin e Prokurimit Publik”, ka thënë zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli.

Në këtë tender kanë aplikuar katër kompani, ndërsa vetëm njëra prej tyre ka qenë e përgjegjshme.

“Gazeta JnK” e ka siguruar edhe raportin e komisionit vlerësues të KEK-ut për rishqyrtimin e tenderit.

“Refuzohet si e pabazuar kërkesa për rishqyrtim e operatorit ekonomik, konzorciumit “FANS-BUSSINES PRO, lidhur me tenderin “Modernizimi i Fushave në Kullën Ftohëse bl. A14” me numër të prokurimit KEKC-16-114-511”, thuhet në vendim e komisionit të KEK-ut.

Sipas dokumentit, konstatimi i zyrtarit përgjegjës të prokurimit është se operatori ekonomik nuk ka ofruar dëshmi që kundërshtojnë vendimin e autoritetit kontraktues.

“KEKC-16-114-511 ka gjetur se operatori ekonomik në ankesën e tij nuk ka ofruar prova që dëshmojnë se vendimi i marrë është i drejtë dhe i bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik, prandaj nuk paraqet bazë të duhur për ndryshime në vendimin e marrë me 16.01.2017”, thuhet në vendim e KEK-ut.

Në dokument, komisioni profesional për vlerësim kishte thënë se autoriteti kontraktues në një rast nuk kishte kërkuar zgjatjen e vlefshmërisë së ofertave, por operatorët ekonomikë nuk kanë pasur vërejtje.

“Gjatë kryerjes së kësaj procedure të prokurimit është kërkuar disa herë zgjatja e vlefshmërisë të ofertave dhe është e vërtetë që në një rast nuk është kërkuar vazhdimi i vlefshmërisë para datës së skadimit, por ka qenë një heqje e paqëllimshme dhe në këtë rast operatorët ekonomikë janë trajtuar si të barabartë, sepse të gjithëve u është dërguar vlefshmëria në të njëjtën kohë. Operatorët ekonomikë nuk kanë bërë vërejtje në atë kohë dhe kanë vazhduar vlefshmërinë e ofertës”, thuhet në vendimin e KEK-ut si përgjigje ndaj pikave të ankesës së konzorciumit ankues.

Por, operatori ankues pretendon se zvarritja e procesit ishte e qëllimshme.

“AK nuk ka bazë ligjore dhe shkelja e LPP-së ka qenë e qëllimshme vetëm për të na detyruar neve të mos i përgjigjemi kërkesës së tyre për vlershmërinë e tenderit dhe pastaj të refuzojë ofertën tonë pa ndonjë arsyetim, sepse, sipas ligjit, dështimi për t’u përgjigjur me kohë, automatikisht do të refuzojë tenderin tonë nga procedurat e mëtutjeshme të prokurimit”, thuhet në ankesën e operatorit ekonomik.

Ekspertiza i jep të drejtë KEK-ut

Operatori ekonomik është ankuar në Gjykatën e Tenderëve për këtë proces të prokurimit duke pretenduar që KEK-u ka bërë disa shkelje ligjore gjatë procedurave të prokurimit. OSHP-ja i ka caktuar dy ekspertë për shqyrtimin e ankesës së operatorit, një ekspert shqyrtues dhe një teknik.

Operatori ekonomik ankues kishte pretenduar se operatori i rekomanduar për kontratë nuk ishte i përgjegjshëm, pasi nuk kishte ofruar zgjidhjen teknike të kërkuar nga KEK-u, përkatësisht bazuar në dosjen e tenderit.

“Eksperti shqyrtues teknik, duke u mbështetur në vlerësimet e lartcekura, i rekomandon panelit shqyrtues që të aprovojë si pjesërisht të bazuar ankesën e OE “Fans & Elektraonik Busines-pro”, me seli në Republikën Çeke për këtë aktivitet të prokurimit dhe njëherësh të mbetet në fuqi vendimi i autoritetit kontraktues ‘njoftim për dhënie të kontratës’, i datës 16.01.2017”, thuhet në raportin e ekspertizës.

Ekspertët shqyrtues i kanë dhënë të drejtë operatorit ankues vetëm në një pikë të ankesës, atë për vazhdimin e validitetit të ofertave.

“Eksperti shqyrtues vlerëson se autoriteti kontraktues ka bërë vazhdimin e validitetit të ofertave me vonesë jo konform nenit 31.4 të Udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik, për në rastin konkret vazhdimi i validitetit është bërë nga operatori ekonomik ankues dhe operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë”, thuhet në arsyetimin e ekspertit shqyrtues.

Ai e ka marrë shembull edhe një vendim të Panelit Shqyrtues që është vendosur në një rast tjetër për të treguar se një shkelje e tillë nuk është e mjaftueshme që tenderi të anulohet.

“Autoritetet kontraktuese janë të obliguara që të vazhdojnë validitetin e ofertave edhe pas afatit të skadimit të validitetit të ofertave dhe për të njëjtën autoritet kontraktuese nuk mund të anulojnë aktivitetin e prokurimit”, thuhet në arsyetimin e dhënë nga eksperti shqyrtues.

Operatori ankues kishte ofertuar më lirë se ai i rekomanduar për kontratë, mirëpo i njëjti ishte eliminuar.

“Duke mos vlerësuar tenderin tonë sipas dispozitave të LPP-së, autoriteti kontraktues qëllimshëm apo joqëllimshëm pa ndonjë bazë ligjore, na ka eliminuar neve dhe ne konsiderojmë që ky fakt është i qëllimeshëm dhe prapa kësaj fshihet diçka tjetër dhe është diskriminuese”, thuhet në ankesën e operatorit ekonomik ankues.

Të gjitha pretendimet tjera të operatorit ekonomik nuk janë mbështetur nga eksperti shqyrtues. Edhe eksperti teknik ka thënë se operatori i rekomanduar për kontratë i plotëson të gjitha specifikat teknike të parashtruara në dosjen e tenderit dhe njoftimit për kontratë.

Me raportin e ekspertizës nuk është pajtuar operatori ekonomik ankues. Pas mospajtimeve nga operatori ekonomik, Gjykata e Tenderëve është e obliguar që të bëjë shqyrtimin e kësaj ankesë nga Paneli Shqyrtues në një seancë të veçantë.