Gjykata e Largon Djalin Nga Shtëpia e Babait (TV)

Gjykata Themelore në Gjakovë ka nxjerrë  të martën nga shtëpia Rexhep Peqanin me familje, duke ekzekutuar kështu një vendim gjyqësor, sipas të cilit, kjo shtëpi i ishte falur motrës së tij.

Maja Peqanit i ishte falur prona nga babai Haxhiu Peqani.

Rexhep Peqani nuk kishte të drejtë të jetonte më tutje aty.

Gjyqtari i rastit Adem Ademaj e beri ekzekutimin e këtij vendimi në vendin e ngjarjes, në lagjen  “Ali Pashë Tepelena”, numër 325 në Gjakovë.

Rexhep Peqani menjëherë filloi t’i largojë nga shtëpia gjësendet e veta.

Ai nuk ishte i kënaqur me këtë vendim dhe tha se nuk ka ku të shkojë vetë i shtati dhe se alternativë i mbetet vetura e tij e tipit kombi ose ndonjë livadh.

Hasan Shala avokati i Maja Peqanit thotë se, “sa i përket këtij rasti ka qenë vetë prindi i tyre ai i cili më ka kërkuar që ta përpilojë një kontratë mbi dhurimin e palujtshmërisë me të cilën në vitin 2006 i ndjeri me dëshirën e vet ia ka dhuruar pasurinë vajzës se tij”.

Sipas Shalës, lidhur me këtë vendim për falje janë pajtuar edhe vëllezërit e motrat e palëve në kontest.

Ai shtoi se i vetmi kishte qenë Rexhepi i cili nuk qe pajtuar.

Mirëpo, thotë avokati, babai e ka realizuar kalimin me gjithë mospajtimin e të birit.
 
Avokati Shala po ashtu tha se në një takim që ka pasur me palët dhe babain e tyre, plaku kishte thënë se këtë veprim e merrte sepse Rexhepi kurrë s’ishte kujdesur për të.

“Ndërsa vajza ka qenë ajo e cila është kujdesur gjatë gjithë kohës për mua“, kujton Shala të ketë thënë plaku.

Vëllai  i palëve ndërgjyqësore  I. P i cili ishte pajtuar lidhur me vendimin e prindit te tij nuk deshi te prononcohet për Gazetën Jeta në Kosovë: “Unë nuk kam të bëj me këtë rast”.

Motra Maja Peqanki nga Gjakova e ka paditur vëllain e saji Rexhep Peqanin duke u bazuar ne atë se ai nuk ka trashëguar asgjë nga prindi i tyre i ndjerë Haxhi Peqani dhe ka kërkuar nga vëllai i saj që ai së bashku me bashkëshorten dhe pesë fëmijët ta lëshojë shtëpinë të cilën babai me një kontratë të përpiluar në korrik të vitit 2006 ia kishte dhuruar asaj.

Lidhur me këtë kontest mes motrës dhe vëllait janë mbajtur disa seanca gjyqësore. Më 23 maj 2011 Gjykata komunale ne Gjakovë, si gjykatë e shkalles se parë, me aktgjykim kishte vendosur në favor të paditurit Rexhep Peqani, mirëpo pala paditëse duke mos qenë e kënaqur me këtë vendim parashtroi ankesë ne Gjykatën e Qarkut ne Pejë.

Pikërisht një vit më pas, më 23 maj 2011, kjo gjykatë me aktgjykim e prish aktgjykimin e shkallës së parë dhe vendos në favor të palës paditëse duke vendosur që i padituri ta lirojë shtëpinë dhe e obligon gjykatën e Gjakovës që ta ekzekutojë ketë aktvendim.

Gjykata komunale ne Gjakovë, si gjykatë e shkalles se parë duke qenë e obliguar qe ta ekzekutojë vendimin e shkallës së dytë, më 11 nëntor 2012 mban edhe një seancë ku shtyhet data e ekzekutimit për muajin maj, me arsyetimin se i padituri i ka pesë fëmijë dhe ishte kohë dimri.