Ndërtesa e Komunës së Vitisë - Foto: KALLXO.com

Gjykata Anulon Konkursin e Dyshimtë

Gjykata Themelore në Gjilan – Dega në Viti ka vendosur që punësimi i një mësimdhënëse të gjeografisë nga Komuna e Vitisë ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme.

Fjala është për pranimin e kandidates N.H si mësimdhënëse e lëndës së gjeografisë në Shkollën e Mesme të Lartë “Kongresi i Manastirit” në Pozharan nga Drejtoria e Arsimit në komunën e Vitisë.

Gjykata ka konstatuar se Komuna e Vitisë ka përcaktuar kritere për punësim jashtë atyre të përcaktuar nga MASHT-i dhe në kundërshtim me Ligjin për Arsimin Parauniversitar  dhe se këto kritere i ka zbatuar me rastin e vlerësimit të kundërkandidates së përzgjedhur sipas konkursit publik.

“Gjykata ka anuluar vendimin e të paditurës Komuna e Vitisë – DKA, si vendim i kundërligjshëm”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Gjilan – Dega në Viti.

Rasti është dërguar nga Gjykatë nga Vullkan Terziu, i cili ishte ankuar për diskriminim në punësim.

Në bazë të vendimit të Gjykatës, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Vitisë detyrohet që në bazë të këtij konkursi të bëj zgjedhjen e kandidatit në bazë të kritereve të konkursit publik të përcaktuara me Ligjin për Arsim të Kosovës dhe Udhëzimit Administrativ të MASHT-it nr.06/2015.

“Gjykata konstaton se nga e paditura Komuna e Vitisë, DKA, nuk ishte respektuar konkursi i shpallur, nuk ishte respektuar Udhëzimi Administrativ mbi normativat për kualifikim profesional të arsimit të përgjithshëm, Udhëzimi Administrativ nr. 06/2015 i MASHT, që rezulton se DKA në Viti nuk kishte zbatuar konkursin e shpallur e as normativat mbi pranimin e personelit arsimor sipas rregullave të MASHT-it”, theksohet në vendimin e Gjykatës Themelore në Gjilan – Dega në Viti.

Në vendimin e gjykatës po ashtu theksohet përveç meritave personale asnjë faktor tjetër nuk duhet të ndikoj në pranimin e një kandidati siç ka ndodhur në këtë rast kur Drejtoria e Arsimit në komunën e Vitisë ka marrë parasysh gjininë apo edhe kohën e pritjes për punësim kur ka pranuar kundërkandidaten e Vullkan Terziut.

“Pretendimet e të paditurës (Kumuna e Vitisë – DKA) se për kandidaten e pranuar kishin marrë parasysh disa faktorë të tjerë, si statusin familjar, nënë e fëmijëve, moshën 50 vjeçare, që konsiderohet si fund i karrierës, gjykata nuk mund t’i pranoj sepse në Ligjin për Arsimin Parauniversitar thuhet se “mësimdhënësit zgjidhen nëpërmes një konkursi publik në bazë të meritës personale pa asnjë lloj diskriminimi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, për arsye reale apo të supozuara që kanë të bëjnë me gjendjen martesore, nevojat e veçanta apo rrethana të tjera” që do të thotë se përpos meritave personale asnjë faktor tjetër nuk ndikon në punësim, sikur që nuk përmendet askund pritja për punësim si kriter për vlerësim”, thuhet në vendimin e gjykatës.

KALLXO.com e ka ndjekur këtë rast që nga fillimi kur edhe ishte pranuar N.H si mësimdhënëse e lëndës së gjeografisë në Shkollën e Mesme të Lartë “Kongresi i Manastirit” në Pozharan dhe tentativat e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Vitisë për ta legjitimuar punësimin jomeritor.

Vullkan Terziu ishte ankuar se i ishte bërë e padrejtë në punësim i ishte drejtuar Inspektoriatit Regjional të Arsimit të MASHT-it në Gjilan të cilët e kishin rekomanduar DKA-në në Viti, që ta anuloj vendimin për pranimin e mësimdhënëses N.H dhe të bëj rishpalljen e konkursit por Drejtoria e Arsimit në komunën e Vitisë nuk e ka zbatuar.

Drejtoria e Arsimit në komunën e Vitisë është ankuar për rekomandimet e dhëna nga Inspektoriati në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm pranë Departamentit të Inspeksionit në Prishtinë ku edhe i ishte refuzuar ankesa.

Më pas Drejtoria e Arsimit në komunën e Vitisë ka ushtruar ankesë kundër vendimit të fundit, drejtuar zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të MASHT-it, ku edhe DKA-ja në Viti ishte obliguar që të rishqyrtoj zgjedhjen e pozitës kontestuese. Madje në këtë vendim thuhet se përzgjedhja e kandidates N.H ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme.

Por Drejtoria e Arsimit në Viti nuk e ka shqyrtuar këtë pozitë, kështu që N.H ka vazhduar të punoj si mësimdhënëse e lëndës së gjeografisë në Shkollën e Mesme të Lartë “Kongresi i Manastirit” në Pozharan.