Gjukaj i të Gjithë Kryeministrave

Arben Gjukaj, drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), mburret me dyfishim të inkasimit, rritje të furnizimit me energji elektrike në vend dhe në njëfarë mënyre me “dështimin” e tij për t’i siguruar furnizim të pandërprerë vendlindjes së tij – Strellcit.

Ky është një fshat mjaft i njohur për ta ditur se nuk bëhet fjalë për një “lëshim” të lehtë. Strellci i Ultë i Deçanit bën pjesë në kategorinë C të furnizimit me energji, konsumatorët e së cilës ende përballen me orare të gjata të reduktimeve.

“Asnjëherë nuk kam tentuar, e as nuk do të tentoj, ta favorizoj vendlindjen time nga vendbanimet e tjera”, shprehet Gjukaj.

Ai prezantohet si një menaxher që e mat veten, edhe me parime, edhe me rezultate.

Thotë se prej vitit 2008 kur është zgjedhur drejtor i KEK-ut e ka dyfishuar inkasimin nga 97 milionë euro në vit, sa ka qenë para katër vitesh, në 201 milionë vitin e kaluar.

Gjukaj shton se ka pasur edhe rritje të prodhimit të energjisë elektrike nga viti në vit, prej 5 deri në 8 për qind. “Rritja e prodhimit të energjisë ka ardhur si rezultat i rritjes së investimeve në njësitë gjeneruese të energjisë në termocentralet ‘Kosova B’ dhe ‘Kosova A’”.

Dështim të vetëm ai e konsideron pamundësinë e ndaljes së vjedhjes së energjisë elektrike që shënohen si humbje komerciale.

“Nuk jemi të kënaqur me nivelin e humbjeve komerciale, pavarësisht se nga viti 2008 ato i kemi ulur për 10.8 për qind, por prapëseprapë janë të larta”, thotë ai, derisa tregon se për çdo vit KEK-u i humb rreth 28 milionë euro prej vjedhjes dhe rreth 10 milionë euro të tjera nga rrjeti i vjetruar energjetik, të cilat shënohen si humbjet teknike.

 Më kanë ndihmuar rezultatet, e jo partitë”.

KEK-u i humb edhe 20 milionë euro të tjera nga mospagesa e energjisë nga konsumatorët në veri të Kosovës, të cilët i furnizon vazhdimisht me rrymë.

Pra, bëhet fjalë për gati 60 milionë euro humbje në vit.

Në vendbanimet serbe në pjesët e tjera të vendit, sipas Gjukajt, serbët kanë filluar të paguajnë energjinë elektrike, mirëpo borxhi i vjetër iu është ngrirë, gjë që nuk ndodhë me konsumatorët e tjerë joserbë. Borxhi i gjithë konsumatorëve serbë ndaj KEK-ut kalon shumën prej 120 milionë eurove.

“Nuk është diskriminim, pasi te konsumatorët tjerë kemi pasur qasje, ndërsa tek serbët jo”, arsyeton Gjukaj.

Afrimi me Thaçin

Arben Gjukaj është drejtori i vetëm i një kompanie të madhe publike, i cili iu ka mbijetuar tri koalicioneve të ndryshme qeveritare, qëkur ka ardhur në detyrë.

Ai ishte zgjedhur drejtor i distribucionit në KEK gjatë koalicionit qeverisës LDK- AAK, përkatësisht kur në krye të Bordit të Drejtorëve të kompanisë ishte ministri i atëhershëm i Energjisë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ethem Çeku.

Pastaj Gjukaj u avancua në pozitën e drejtorit menaxhues, prej nga nuk lëvizi as gjatë mandatit të Qeverisë Thaçi 1 dhe 2.

Gjukaj thotë se në këtë karrierë e kanë ndihmuar sukseset, e jo partitë. “Për mua është spekuluar shumë dhe vazhdon të spekulohet, por e vërteta është se mua më kanë ndihmuar rezultatet, e jo partitë”, shprehet ai.

Sa i përket fjalëve se së fundi është afruar shumë me PDK-në e Thaçit, Gjukaj thotë se as nuk është afruar, e as nuk është larguar me asnjë parti politike, mirëpo është munduar që KEK-un ta mbajë larg politikës dhe në shërbim të konsumatorëve.

Edhe pse nuk e pranon afrinë me Thaçin, ai nuk e mohon se gjatë mandatit të tij e ka avancuar në pozitë kushëririn e Kryeministrit.

Nijazi Thaçi, i cili më herët ka udhëhequr prokurimin e KEK-ut, në fund të vitit të kaluar është avancuar në pozitën e drejtorit operativ të kompanisë. Drejtori operativ në vazhdimësi ka luajtur rolin edhe të zëvendësdrejtorit të korporatës.

“Edhe kushëriri i Kryeministrit është zgjedhur shef i prokurimit në kohën e koalicionit LDK-AAK. Kur janë bërë ndryshimet menaxheriale, unë i kam dhënë hapësirë çdo kuadri të ri. Ata edhe po japin rezultate të kënaqshme”, thotë Gjukaj, duke përjashtuar çdo ndikim nga Kryeministri.

Ai thotë se nuk është mirë që kuadrot të shikohen në bazë të mbiemrave dhe se avancimi i kushëririt të Kryeministrit nuk është bërë që t’i hyhet në hatër dikujt.

“Gjendja e njëjtë”

Por partnerja e vogël në Qeverinë e Thaçit, Aleanca për Kosovën e Re (AKR), nuk është aspak e kënaqur me punën e Gjukajt në KEK.

Myzejene Selmani, shefe e grupit parlamentar të AKR-së, thotë se Arben Gjukaj ka dështuar ta menaxhojë si duhet kompaninë më të madhe publike në vend. Sipas saj, gjatë mandatit të Gjukajt, furnizim të kënaqshëm ka pasur vetëm për Prishtinën, e jo edhe për vendbanimet e tjera ku janë aplikuar reduktime të vazhdueshme të energjisë elektrike.

 Edhe kushëriri i Kryeministrit është zgjedhur shef i prokurimit në kohën e koalicionit LDK-AAK”.

“Nëse është rritur furnizimi, atëherë pse është dashur të aplikohet plani ABC i furnizimit”, pyet Selmani. Po ashtu, sipas saj, furnizimi i qëndrueshëm është siguruar edhe falë dhjetëra miliona eurove të ndara çdo vit nga buxheti për import të energjisë.

Gjukaj nuk pajtohet. Ai thotë se plani ABC pothuajse nuk është aplikuar për tri vjet, ndërsa reduktime për kategorinë C ka pasur vetëm kur nuk është mundur të mbulohet konsumi i energjisë nga prodhimi dhe importi.

“Derisa s’kemi njësi të reja prodhuese, plani ABC është e keqja më e vogël, krahas çdo veprimi tjetër për konsumatorët”, thotë Gjukaj.

Sa i përket subvencioneve buxhetore për import të energjisë, Gjukaj thekson se ato kanë rënë në vazhdimësi. Në vitin 2010, subvencioni qeveritar për import të energjisë, sipas tij, ka qenë 53 milionë euro; ndërsa vitin e kaluar ka rënë në 27 milionë. Për këtë vit parashihen vetëm 13 milionë euro për import.

“Ky subvencion nuk i është dhënë KEK-ut, por konsumatorëve në mënyrë që t’i mbajmë tarifat e pangritura të energjisë elektrike”, thotë Gjukaj, sipas të cilit nuk do të kishte pasur nevojë për subvencione buxhetore, nëse do të ishte lejuar kërkesa për shtrenjtim të rrymës.

As ministri që e kishte avancuar Gjukajn në KEK nuk është i kënaqur me punën e këtij të fundit.

Ethem Çeku thotë se në KEK nuk ka progres të kënaqshëm pavarësisht se shumë këshilltarë ndërkombëtarë janë të angazhuar për këtë synim në kompaninë publike.

Ai thotë se ka pasur rritje të inkasimit dhe faturimit, por edhe të importit të energjisë, ndërkohë që nuk ka ndodhur zvogëlimi i vjedhjeve.