Selia e OShP-së. Foto: Kallxo.com

Gjobat e Papaguara dhe “Beteja” e Telekomit me OShP-në

Autoritetet kontraktuese nuk janë duke i paguar gjobat që po i shqipton Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) për moszbatim të vendimeve të formës së prerë. Institucionet e Kosovës përveç që janë të obliguara të zbatojnë vendimet e OSHP-së, ato janë të obliguara që të paguajnë edhe gjobat që ajo i shqipton për mos-zbatim të vendimeve.

Janë dy institucione që së fundmi janë gjobitur nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. Telekomi i Kosovës dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) janë gjobitur me nga 25 mijë euro. Këto dy autoritete kontraktuese ishin të obliguara që ta kryejnë pagesën në afat prej 15 ditësh. Ato nuk e kanë bërë pagesën e kësaj gjobe, ani se OSHP-ja thotë se vendimi i saj është i formës së prerë dhe si i tillë duhet të zbatohet.

Të dy institucionet nuk e kanë ndërmend ta bëjnë pagesën e gjobës prej 25 mijë eurove.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitarë i Kosovës (ShSKUK) nuk e ka realizuar pagesën e gjobës, pasi e ka kundërshtuar vendimin e OSHP-së duke e apeluar atë në Gjykatën kompetente.

“Nuk është bërë pagesa pasi që janë shfrytëzuar afatet ligjore për ankesë, me datën 30.09.2016,  SHSKUK i është drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamentit për çështje administrative ku është kërkuar anulim i këtij vendimi”, thuhet në përgjigjen e ShSKUK-së.

Telekomi thotë se janë ankuar në Gjykatën kompetente dhe se nuk e kanë në plan që të bëjnë pagesën e gjobës, të cilën e konsiderojnë të padrejtë.

“Telekomi i Kosovës nuk ka realizuar asnjë pagesë për gjobën e shqiptuar nga OSHP, dhe nuk do bëjë një gjë të tillë deri sa organet gjyqësore vendosin për këtë çështje”, thuhet në përgjigje e Telekomit.

E ajo që njihet si Gjykata e Tenderëve, OSHP-ja thotë se të dy institucionet e gjobitura duhet të paguajnë shumë brenda afatit të paraparë ligjor.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit … konstaton  se padia e parashtruar nga operatori ekonomik në fjalë në Gjykatën Themelore- Departamenti për Çështje Administrative,  nuk e shtyn ekzekutimin e vendimit të Panelit Shqyrtues të OSHP-së, për arsye se vendimet e panelit shqyrtues të OSHP-së, janë vendime përfundimtare dhe të formës së prerë”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së.

Këto institucione nuk janë të vetmet që nuk i zbatojnë vendimet e OSHP-së për shqiptim të gjobave.

Nga viti 2009 deri në vitin 2013 janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 136 mijë euro. Raporti Vjetor i OShP-së për vitin 2015, thotë se kjo vlerë as gjatë vitit 2015 nuk është arkëtuar.

Raporti vjetor i OShP-së thotë se përkundër se vendimet e OShP-së janë përfundimtare dhe të ekzekutueshme, në disa raste në lidhje me gjobat, Thesari i Ministrisë së Financave nuk po i zbaton këto pagesa.

“Thesari- MF-i nuk i zbaton vendimet tona, në lidhje me gjobat, me arsyetimin se ky institucion i ekzekuton vetëm vendimet e plotfuqishme të gjykatave kompetente, e jo edhe ato të organeve administrative, siç është edhe rasti me OSHP-në,“ thuhet në raportin e OShP-së të vitit 2015.

Kontestimi i vendimeve të OSHP-së

Dy institucionet e fundit që janë gjobitur japin arsye të ndryshme për mos-zbatim të vendimeve të OSHP-së, që njihet si Gjykata e Tenderëve.

Tenderi “Pastrimi i Brendshme i Hapësirave Spitalore” i Shërbimit Spitalor Klinik Universitarë (ShSKUK) është arsyeja de gjobës së shqiptuar nga OSHP-ja.

Vlera e parashikuar e kontratës ishte mbi 2.1 milionë euro.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, për lot 1 ishte shpallë fituese kompania “Selman Networks” në vlerë të përgjithshme të kontratës 899 mijë e 868 euro. Për lot 2 fituese ishte shpallur kompania “Krasniqi” me vlerë të përgjithshme të kontratës 747 mijë euro, për lot 3 kompani “Aroma Plus” me vlerë të përgjithshme të kontratës  211 mijë e 597 euro, dhe për lot 4 për kontratë ishte rekomanduar kompania “GMBH” me vlerë të përgjithshme të kontratës 317 mijë e 780 euro.

Në vendimin e 30 qershorit, OSHP kishte vërtetuar vendimi Shërbimit Spitalor për dhënie të kontratës për këto kompani nga Shërbimi Spitalor. Mirëpo, në muajin korrik, autoriteti kontraktues kishte marrë vendim që të anulonte këtë aktivitet të prokurimit me arsyetimin se nuk ka mjete.

OSHP vendosi ta gjobisë këtë institucion, ku konstaton se me anulimin e këtij aktivitete të prokurimit është bërë shkelje e rëndë e Ligjit për Prokurim Publik.

“Paneli shqyrtues konstaton se mos respektimi i urdhëresës me nr të protokollit 134, 137, 138/16, të dt:17 gusht 2016, e detyron panelin shqyrtues që konfrom dispozitave ligjore të nenit 131 të LPP-së, që të veprojë ndaj autoriteti kontraktues për shkak se në këtë rast janë bërë shkelje të rënda esenciale të LPP-së, pasi që fillimisht janë rekomanduar për kontratë operatorët ekonomik për lotet përkatëse, ndërsa pas këtyre rekomandimeve autoriteti kontraktues merr vendim për anulim të këtij aktiviteti të prokurimit pa ndonjë bazë ligjore”, thuhet në vendimi OShP-së.

Në Shërbimin Spitalor thonë se e kanë njoftuar me kohë OSHP-në se ata nuk kishin mjete në dispozicion për ta realizuar këtë procedurë tenderuese.

Përkundër këtij arsyetimi, disa ditë më vonë, ShSKUK-ja e ka zbatuar vendimin e OSHP-së që ishte arsyeja e shqiptimit të gjobës. Curr Gjocaj, drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor, përmes telefonit për Gazetën JnK e ka konfirmuar se është nënshkruar kontratat për këtë tender.

Akuzat e Telekomit për “Gjykatën e Tenderëve”

OSHP-ja e ka gjobitur edhe Telekomin e Kosovës. Në shtator të këtij viti, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), në faqen zyrtare të saj, publikoi vendimin përmes së cilit ju shqiptua gjoba.

“I shqiptohet gjobë autoritetit kontraktues Telekomi i Kosovës në shumë prej 25,000 mijë euro për mos zbatim të urdhëresës së Panelit Shqyrtues me nr 191/16, të dr:16 gusht 2016, siç parashihet me nenin 131 të LPP-së, dhe për mos zbatim të urdhëresës së Panelit Shqyrtues me 91/16  të 17 majit 2016”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Tenderi “Punë dhe material për zgjerimin e rrjetit Telekomunikues në RKS” me lote 1 deri në 5  ishte tenderi që i kushtoj me gjobë Telekomit të Kosovës. Në vendim thuhet se ky tender është gjykuar më parë nga OShP dhe sipas vendimit të OSHP-së,  Telekomi i Kosovës ishte urdhëruar që këtë lëndë ta kthejë në rivlerësim, por deri më sot nuk është informuar OSHP se çka ndodhë me këtë aktivitet të prokurimit përkundër afateve ligjore që të informohet.

OSHP konstaton gjithashtu se zyrtarit të prokurimit të Telekomit të Kosovës edhe një herë iu është marrë licenca, por megjithatë i njëjti është recidivist i shkeljes së Ligjit për Prokurim Publik.

Telekomi i Kosovës nuk i ishte bindur vendimit të OSHP-së për të vazhduar me një proces të prokurimit dhe të njëjtin e kishte anuluar.

Telekomi i Kosovës thotë se OSHP-ja i ka tejkaluar kompetenca duke vendosur gjoba.

“OSHP me shqiptim të gjobës ka tejkaluar kompetencat e veta të dhëna nga nenin 105 i LPP-se duke aplikuar qëllimisht në mënyrë të “gabuar” nenin 105, paragrafin 2.14”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.

Sipas tyre, imponimi i gjobave bazuar në neni nenit 105, paragrafi 2.14 mund të bëhet vetëm nëse Telekomi ka lidhur një kontrate publike pa bërë publikimin e njoftimit për kontrate në rastet kur kërkohet me ligj, ose ka nënshkruar një kontrate para skadimit të afatit të kohorqë duhet të pritet për ndonjë ankesë të mundshme.

“Ne rastin konkret asnjëra nga këto ngjarje nuk ka ndodh për rastet për të cilat OSHP ka imponuar gjobe. Ndërsa, neni 131 që i referohet OSHP përcakton vetëm nivelin minimal të gjobës që OSHP mund të aplikoj për rastet e parashikuara me nenin 105, paragrafi 2.14”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.

E OSHP-ja e arsyeton bazën ligjore të urdhëresës së lëshuar nga ta.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit, ju njofton se Urdhëresa me nr. 196-16, e datës 16 gusht 2016. lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizimi me set TobBox dhe VDSL modema”… të iniciuar nga ‘Telekomi i Kosovës’, është lëshuar konform nenit 105, paragrafi 2 pika 2. 16 e Ligjit për Prokurim Publik të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së.

Neni të cilit i referohet OSHP-ja thotë se: Në rastet e përsëritura me pretendimet e njëjta ankimore, kur objekti i kontestitdhe palët janë të njëjta, për raste të cilat janë shqyrtuar më parë, kryetari i panelitshqyrtues duhet të trajtoj si çështje të gjykuar “resjudicata”.

Telekomi i Kosovës thotë se OSHP e ka nxjerrë urdhëresën jashtë afatit ligjor.

“OSHP, gjithashtu Urdhëresën 91/16 e ka nxjerr jashtë afatit ligjore te parapare me nenin 117 te LPP-se, dhe kjo bie ne kundërshti me vet vendimin e tyre nr. 174/2014 te datës 27.03.2014. Ndërsa ne rastin tone urdhëresën e kane nxjerr pas 44 ditëve nga data e pranimit te ankesës.” thotë zyra për informim e Telekomit të Kosovës.

Gjykata e Tenderëve thotë se pretendimin e Telekomit të Kosovës janë të paqëndrueshme.

“Është i paqëndrueshëm pretendimi i Telekomit të Kosovës se: “OSHP-në se e ka nxjerrë urdhëresën 91/16 jashtë afatit ligjorë të paraparë me nenin 117 të LPP-së dhe se kjo urdhëresë bie në kundërshtim me vendimet paraprake të OSHP-së të datës 27.03.2014 me numër 17412014”, pasi që është fakt notor (i njohur botërisht v.j) që këto dy çështje, janë çështje totalisht të ndryshme dhe të ndara”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.

Telekomi thotë se për Gazetën Jeta në Kosove se është i pa pranueshëm vendimi i OSHP-së për gjobë, pa bazë ligjore dhe kërcënues.

“Telekomi i Kosovës nuk pajtohet në asnjë mënyrë me vendim e OSHP-së për shqiptim të gjobës. Pasi që të njëjtin e konsideron të pa bazuar ligjërisht dhe më tepër kërcënim nga ana e OSHP-së.”, përgjigjen zyrtarët nga Telekomi i Kosovës.

Në përgjigjen e zyrës për informim të Telekomit të Kosovës, tregojnë se cilën pjesë të vendimi të OSHP-së e konsiderojnë kërcënim.

“Tek rasti 91/16 OSHP duke përdor metodën e kërcënimit se do imponoj gjobe ndaj autoritetit kontraktues duke interpretuar dhe aplikuar qëllimisht nenin 131 nuk mund të konsiderohet ndryshe vetëm presion dhe kërcenim në mënyrë që OSHP me veprimet e veta të përcaktoj fitues jo ligjor të tenderëve”, thuhet në përgjigjet e Telekomit.

Ata thonë se për rastin në fjalë ata kanë marr interpretimin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik dhe opinionin e kompanisë ndërkombëtare që asiston KRPP-ne në prokurim publik.

“OSHP përmes vendimeve të paligjshme të veta dëshiron ta detyrojë autoritetin kontraktues t’i japë kontrata kompanive që nuk plotësojnë kërkesat ligjore”, thuhet nëpërgjigjen nga zyra për informim e Telekomit.

E në OSHP thonë se vetëm gjykata mund të konstatojë nëse OShP ka marrë apo jo vendim ligjor.

“OSHP ju njofton se ka shqyrtuar të gjitha provat dhe faktet në këtë çështje, ka marrë një vendim përfundimtar i cili mund të atakohet nga palët në gjykatë, dhe vetëm atje mund të konstatohet se a ka marrë OSHP vendime joligjore, ashtu siç pretendohet nga AK”, thuhet në përgjigjen e OShP-së.