Gjithçka që Ndodhi në 8 Orët e Seancës për Lotsjellësin në Kuvend

6 dëshmitarë, tre prej tyre deputetë, një ish deputet  dhe dy punëtore të administratës së Kuvendit të Kosovës,  për më shumë se 8 orë  treguan para gjykatës për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në tetor të vitit 2015.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovinja, Blerta Deliu – Kodra dhe Xhavit Haliti si dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës Nuredin Ibishi, dëshmuan para gjykatës versionet e tyre për hedhjen e gazit në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Deputetet, Flora Brovinja dhe Blerta Deliu-Kodra përpos statusit të dëshmitares, janë edhe palë të dëmtuara në këtë gjykim. Përderisa  Flora Brovina deklaroi se nuk kërkon kompensim financiar,  Deliu-Kodra tha se do të paraqesë kërkesë pasurore-juridike.

Qysh në hyrje të seancës u kërkua përsëri përjashtimi i trupit gjykues nga avokat, Ahmet Ahmeti që mbron Albulena Haxhiun, por pas një konsultimi të nisur me propozimin e avokatit të Faton Topallit, Haxhi Millaku, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre tërhoqën propozimin për përjashtim.

Pasi u pajtuan të vazhdojnë që çështjen ta gjykojnë gjyqtarët e tanishëm, prokurori Valdet Gashi lexoi përsëri aktakuzën, mirëpo qëndrimi i të akuzuarve nuk ndryshoi- që të gjithë u deklaruan të pafajshëm.

Ndryshe nga prokurori që në fjalën e tij hyrëse paraqiti pretendimet e tij me të cilat synon të mbështesë aktakuzën e ngritur, avokatët e të akuzuarve kërkuan që ndaj të mbrojturve të tyre të nxirret aktgjykim lirues.

Haxhi Millaku, avokati i deputetit Faton Topalli, në fjalën e tij hyrëse tha se veprimet e hedhjes se gazit në një farë mënyre i ka legjitimuar edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj me deklaratën e tij.

Lirimin e deputetëve e kërkoi në seancë avokati i Donika Kadaj- Bujupit, Afrim Salihu i cili tha se e keqja që deputetët kanë shkaktuar është shumë më e vogël se ajo që i është kanosur vendit duke aluduar në marrëveshjet për bashkësinë e komunave serbe si dhe marrëveshjen për demarkacionin.

Seanca maratonike ku të akuzuar janë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj – Bujupi dhe Faton Topalli vazhdoi me dëshminë  e deputetes Flora Brovina.

Brovina, me profesion doktore, tregoi për problemet shëndetësore që i kishte shkaktuar gazi lotsjellës në seancën e 8 tetorit 2015.

“Në vitin 2002 jam operuar në zemër dhe kam tri stenta dhe prandaj ky tym me ka shkaktuar dëm dhe nuk e di se si saktë, por e mbaj mend se jam kapur për një kolege”, tha Brovina.

Megjithatë, Brovina nuk arriti të identifikojë përgjegjësin për problemet që iu shkaktuan. Ajo tha se e kishte parë, Albin Kurtin që kishte qenë duke folur dhe pastaj kishte vërejtur një mjet që tymoste shumë.

Pasi dëgjoi dëshminë e saj edhe  deputeti Kurti pati pyetje ndaj Brovinës.

A kam pasur unë atë ditë maskë në fytyrë?, ishte pyetja që Kurti i parashtroi Brovinës ndërsa përgjigja që mori ishte “jo”.

Kurti më pas e pyeti dëshmitaren se a kishte marrë pjesë edhe në seanca tjera ku ishte hedhur gaz dhe a ka kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa dëshmitarja tha se kishte marrë pjesë në disa seanca të tilla, por nuk kishte kërkuar ndihmë herëve të tjera kur ishte përdorur gazi.

Kjo bëri që Kurti ta pyes dëshmitaren se mos ndoshta përkeqësimi i shëndetit të saj të ishte proces e jo akt, e Brovina nuk e la pa përgjigje këtë pyetje.

“Çdo përkeqësim i ajrit ku ajri është i ndotur, ka mjegull ose diçka tjetër, më përkeqësohet gjendja dhe e mbaj këtë mjet”, tha Brovina.

Brovina tha se nuk kishte besuar se dikush do të mund ta përdorte gazin lotsjellës në një ambient të mbyllur, ndërsa theksoi se Kuvendi ishte privuar nga mundësia për të punuar si pasojë e këtyre akteve.

Kjo përgjigje e Brovinës i parapriu pyetjes tjetër të Kurtit i cili e pyeti dëshmitaren se a është privuar puna dhe fjala e lirë e deputetëve në rastin kur dy marrëveshjet e kontestuara ishin nënshkruar në Bruksel gjatë kohës san ë Kosovë ishte pushimi veror?

“Të gjithë kemi qenë të privuar, por Kuvendi është vendi ku duhet të bëhet diskutimi”, tha Brovina.

Në fund të dëshmisë së saj Brovina shprehu keqardhjen për faktin se në këtë gjykim të akuzuar janë deputetë koleg të saj e disa prej tyre edhe nëna.

Dëshminë e Brovinës e pasoi kolegia e saj më e re në moshë, por nga partia e njëjtë po ashtu, Blerta Deliu –Kodra.

Deliu-Kodra në dëshminë tha se kishte dëgjuar Albin Kurtin pasi kishte hedhur gazin teksa thoshte se ‘duhet me i hedh edhe 50 të tilla edhe duhet me kall këtë vend”.

Këtë pjesë të deklaratës Deliu- Kodra e tha vetëm pasi prokurori Valdet Gashi e ballafaqoi me deklaratën e saj dhënë në prokurori pasi që në dëshminë e saj para trupit gjykues fillimisht tha se kishte parë Kurtin duke hedhur gazin, por ishte larguar duke dalur pa e vrarë mendjen se kush çfarë po thoshte.

Kontradiktën e saj, Deliu –Kodra e shpjegoi duke thënë se ajo pyetjen e prokurorit e kishte kuptuar kinse, çfarë kishte dëgjuar kur ka dalur nga ndërtesa e Kuvendit, e jo nga salla ku mbahen seancat plenare.

Ky deklarim u kundërshtua ashpër nga Kurti i cili tha se asnjëherë nuk do të kishte thënë një deklaratë kaq të tmerrshme dhe se fjala “kall” madje nuk ishte pjesë e fjalorit të tij.

Deliu –Kodra gjatë dëshmisë së saj u pyet edhe lidhur me profesionin e saj para se të bëhej deputete.

A keni luajtur ndonjë rol ku keni aktruar palën e dëmtuar”, ishte njëra nga pyetjet që iu parashtruan, por të cilën nuk e lejoi gjyqtari duke e quajtur ‘cinike’.

Më pak specifik se kolegia e tij nga partia u tregua deputeti, Xhavit Haliti. Ai ndonëse nuk përmendi emra se kush ka hedhur gazin, ai tha se kjo ishte një kauzë që e ka mbështetur e gjithë opozita.

Ngjashëm me Halitin edhe ish-deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nuredin Ibishi, ndonëse nuk përshkroi veprimet individuale të të akuzuarve, tha se nuk përjashtohet që secili prej tyre të ketë hedhur gaz.

Madje, Ibishi në dëshminë e tij tha se opozita  e atëhershme ishte e zëshme ndaj ish-kryeministrit Mustafa për një arsye mjaft interesante.

“Unë kam qenë njëri nga ata që e kanë ngrit zërin për shumë marrëveshje, por edhe Albin Kurti edhe opozita e atëhershme në kohën sa ka qenë kryeministër Hashim Thaçi masi ata me maçoizmin e tyre kanë dashur të tregojnë zotësinë që mundem me zgjedh edhe në mënyra tjera, kanë dashur ndaj Hashimit e jo ta presin Isën pasi që është pak fizikisht ma i vogël e të mendojnë ta mbizotërojnë. E kanë gjet Isën e vogël”, deklaroi Ibishi.

Ibishi ndonëse tha se ka praktika të ndryshme të kundërshtimit të punës në Kuvend, praktika e hedhjes së gazit është e papranueshme.

Dy dëshmitaret e Administratës së Kuvendit të Kosovës, Shpresa Gosalci dhe Leonora Halimi patën dëshminë të përafërta. Që të dyja thanë se kishin parë gazin, por nuk kishin parë se kush e kishte hedhur.

Krejt të fund të gjykimit, ndonëse avokatët  Hedije Ademi dhe Afrim Salihu kërkuan ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj të mbrojturve të tyre, Albin Kurti dhe Donika Kadaj – Bujupi, propozimet e tyre u refuzuan.

Seanca e radhës do të mbahet më 7 dhjetor ndërsa parashihet të dëshmojnë, Armend Zemaj, Bekim Haxhiu, Naser Osmani dhe Kadri Veseli.