Gjilanit i Zhvendoset 'Panorama' Gjysmë Shekullore

Qytetarët e Gjilanit kanë reaguar ndaj zhvendosjes së saj me qëndrime të ndryshme ndërsa shoqëria civile po kërkon që kjo shtatore të mos zhvendoset prej lokacionit ku ka qenë e vendosur për më shumë se 50 vjet.

Vendimi për zhvendosjen e përmendores nga qendra e qytetit është marrë në prill të këtij viti në Kuvendin Komunal të Gjilanit. Pas vendimit për vendosjen e 10 shtatoreve, busteve e pllakave përkujtimore është emëruar edhe një komision për të përzgjedhur lokacionet e tyre.

“Vendimi është marrë në prill të këtij viti në Kuvendin Komunal me shumicën absolute të votave edhe nga opozita edhe nga pozita dhe është caktuar edhe lokacioni në të njëjtën mbledhje, paraprakisht është caktuar një komision i cili e ka përcaktuar lokacionin ku kanë me u vendos bustet dhe shtatoret në Komunën e Gjilanit” , tha Korça për gazetën Jeta në Kosovë.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri e pati shpallur vitin 2017 si “Viti i Idriz Seferit” dhe qysh më herët është vendosur që shtatorja e tij të përurohet me 28 nëntor, në përvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Idriz Seferi, i lindur në një fshat të Gjilanit, ishte udhehqës ushtarak i lëvizjes së shqiptarëve për pavarësi nga Perandoria osmane në fillim të viteve 1900 dhe njihet më së shumti për betejat e tij në Grykën e Kaçanikut në dekadën e parë të shekullit të kaluar. Ai vdiq në vitin 1927.

Me vendimin e Kuvendit Komunal, lokacioni i kësaj shtatore është përcaktuar të jetë vendi ku deri tani ka qenë e vendosur shtatorja e skulptorit nga Beogradi, Ante Gërzhentiq kushtuar të rënëve në Luftën Nacional-Çlirimtare të vitit 1944.

“Vendosja e busteve dhe shtatores së Idriz Seferit qysh më herët është caktuar që të bëhet me rastin e (përvjetorit të) Pavarësisë së Shqipërisë, me datën 28 nëntor, prandaj janë duke u bërë këto punë tash se jemi në finalizim të gjitha punimeve”, shtoi Korça.

Dega në Gjilan i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, e cila ka dhënë propozimin për lëvizjen e shtatoreve, ditëve të fundit është përfshirë në polemika me secilin që ka provuar ta kontestojë lëvizjen e përmendores simbol të Gjilanit nga vendi ku ka qëndruar për më shumë se gjysmë shekulli.

Sipas historianëve të tubuar në këtë Lidhje, shtatorja ishte ngritur në vitin 1963, “me rastin e 19 vjetorit të “çlirimit” të Gjilanit dhe 20 vjetorit të formimit të Batalioneve të Kosovës në “Serbinë Jugore”.

“Pra, kjo përmendore përfaqëson “dëshmorët” e rënë në Luftën Nacional – Çlirimtare dhe është ngritur me motive të një politike të re të forcimit të vëllazërimit e bashkimit të të gjithë popujve të Jugosllavisë dhe atyre të Gjilanit e rrethinës në veçanti”, ka thënë Lidhja e Historianëve në një reagim.

Shtatorja është zhvendosur rreth 50 metra larg nga pozita e mëparshme e saj, ndërsa Naser Korça thotë për KALLXO.com që lokacioni i ri i kësaj shtatore është “një vend i dinjitetshëm”.

Gjithashtu ai ka nënvizuar se para përurimit të saj me 16 nëntor, në të njëjtën ditë që është përuruar edhe në vitin 1963, do të bëhet pastrimi dhe restaurimi i saj.

Por shoqëria civile në Gjilan nuk po pajtohet me lëvizjet e bëra.

Iniciativa lokale qytetare “Kartoni i Kuq” së bashku me organizatën kulturore “Varg e Vi” kanë mbledhur më shumë se 370 nënshkrime kundër zhvendosjes së shtatores.

“Ne mendojmë që ky vendim për lëvizjen e saj ka qenë jodemokratik pasi ne nuk jemi njoftuar me kohë edhe që të reagojmë por gjithsesi lëvizja e saj është e paarsyeshme sepse qyteti i Gjilanit ka vende të mjaftueshme që t’i akomodojë të gjitha shtatoret”, tha Albesa Aliu nga iniciativa qytetare “Kartoni i Kuq” për KALLXO.com.

Ajo ka theksuar se ata janë pro vendosjes së shtatores së Idriz Seferit por, sipas saj, ajo duhet ta ketë një vend meritor e jo të jetë zëvendësuese e një shtatore tjetër.

“Është një pakicë e njerëzve të cilët ndoshta nuk e kanë mirëpritur ose kanë qëllime të tjera politike”, tha Naser Korça.

Edhe artisti nga Gjilani, Sali Musliu i cili veprimtarinë e tij artistike e zhvillon në Gjermani është shprehur kundër zhvendosjes së shtatores. Madje ai në profilin e tij në Facebook ka folur edhe për vlerat artistike të kësaj shtatore.

“Kjo skulpturë ka një kualitet të lartë teknik, estetik e artistik … vendosja e saj ka qenë jashtëzakonisht mirë dhe profesionalisht, në harmoni të plotë me ambientin rrethues, lirisht mund të themi se mbi gjysmë shekulli ishte sinonim i qytetit të Gjilanit dhe të gjithë qytetarët janë ndjerë shumë mirë e komod me refleksionin estetik e përmbajtësor të cilin e ka reflektuar skulptura e Gjilanit”, ka thënë Musliu.

Disa prej qytetarëve janë shprehur më të lumtur me vendosjen e shtatores së Idriz Seferit në vend të asaj kushtuar të rënëve në Luftën Nacional-Çlirimtare të vitit 1944.

“Shumë ma mirë që po vjen Idriz Seferi këtu, e që po e vendosin atje është vendim i komunës”, tha Driton Nuihiu, qytetar nga Gjilani.

“Është ma mirë me qit Idriz Seferin se kjo që ka qenë ma herët, unë nuk e kam ditë çka është, Idriz Seferi është njeri i madh dhe ma merr mendja që është ma mirë me qit Idriz Seferin”, thotë Fatmir Gashi, një qytetar tjetër.

Linda Gusia, asistente në departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës zhvendosjen e shtatores në Gjilan e ka quajtur koncept për të shkatërruar të vjetrën dhe për ta ndërtuar të renë.

“Konsideroj që në përgjithësi në Kosovë pas Luftë së Dytë Botërore ka qenë një farë koncepti i përgjithshëm që ta shkatërrojmë të vjetrën dhe ta ndërtojmë të renë. Mendoj që kjo që ka ndodhur në Gjilan edhe që ka ndodhë vazhdimisht në Kosovë, shkatërrimi i memorialeve të vjetra është e mendësisë së njëjtë, ato janë memoriale të kohës së socializmit që janë duke u shkatërruar por mendësia është e njëjtë”, është shprehur Linda Gusia për KALLXO.com.

Kurse të tjerë qytetarë janë shprehur kundër zhvendosjes së shtatores për shkak se Gjilani është identifikuar përmes saj.

“Unë mendoj që kanë bo keq, se Gjilanin e kanë njoftë në bazë të kësaj përmendore dhe nuk është dashtë me heq. Jo nuk e kam ditur dhe të shtunën e kam parë që nuk është këtu”, qytetari thotë Nijazi Ramadani.

“Jam plotësisht kundër zhvendosjes së përmendores për dy arsye, e para që ka qenë vendim arbitrar i komunës, pra pa e marrë mendimin e askujt, as të komuniteteve e as të qytetarëve. Komuna nuk është pronë e njerëzve që punojnë aty, komuna është pronë e qytetarëve, që pari është dashur me u bo një debat publik ku qytetarët me vendos a po dojnë me u zhvendosë a jo”, thotë Doruntinë Matoshi, qytetare nga Gjilani.

Naser Korça, drejtori i shërbimeve publike në Gjilan, e pranon që përmendorja e zhvendosur ka qenë simbol i qyteit për dekada të tëra.

“Jo nuk jemi për me heq krejt, le të jetë si simbol, Gjilani është identifiku me këtë shtatore gjithmonë, edhe panoramat që i kemi pasur dikur, është fotografu kjo përmendore dhe është ditur që është Gjilani”, tha Korça.

Deri tani pranë shtatores së zhvendosur biznesin e ka zhvilluar një kafene e cila sipas drejtorit të shërbimeve publike do të largohet nga ai vend pak para përurimit të shtatores së Idriz Seferit.

Iniciativa qytetare “Kartoni i Kuq” së bashku me organizatën kulturore “Varg e Vi” do të mbajnë nesër (11 nëntor) protestë kundër zhvendosjes së shtatores. Kjo protestë do të mbahet në lokacionin e mëhershëm të shtatores, pranë parkut të qytetit të Gjilanit në ora 14:00.

—–

Më 11 nëntor, Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Gjilan, ka lëshuar një Sqarim lidhur me një paragraf të artikullit të cilin po e botojmë në tërësi më poshtë.

Publikimi i Sqarimit është bërë më 11 nëntor 2017.

SQARIM PËR OPINIONIN

Sqarim për opinionin publik lidhur me shkrimin e gazetës Jeta në Kosovë dhe Kallxo, me titull “Gjilanit i zhvendoset “Panorama” gjysmë shekullore”, të datës 10 nëntor 2017, ora 19:30.

Ne, Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Gjilan, sqarojmë opinionin publik se në artikullin e sipërshënuar, në portalet e Jeta në Kosovë dhe Kallxo, është paraqitur ky lëshim i rëndësishëm në paragrafin:

“Dega në Gjilan i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, e cila ka dhënë propozimin për lëvizjen e shtatoreve, ditëve të fundit është përfshirë në polemika me secilin që ka provuar ta kontestojë lëvizjen e përmendores simbol të Gjilanit nga vendi ku ka qëndruar për më shumë se gjysmë shekulli”.

Në kronologjinë parafillestare të aktit të zhvendosjes së përmendores në fjalë, LHK “Ali Hadri” dega në Gjilan, nuk ka bërë asnjë propozim. Opinionin publik e njoftojmë se ne kemi bërë kërkesë zyrtare për ngritjen e shtatores së Idriz Seferit, kurse për lokacionin dhe formën e shtatores është përkujdesur Komuna e Gjilanit. Ndërkohë, për t’i orientuar qytetarët se çka në të vërtetë fshihet pas asaj përmendore, kemi dhënë shpjegimet për simbolikën dhe rrjedhimisht qëndrimin tonë për përmendoren. Ne nuk merremi me polemika ditore, por me ofrimin e përgjigjeve kompetente mbi kërkesat adekuate që na drejtohen nga qytetarët e Gjilanit dhe më gjerë, për të cilat ne konsiderojmë se jemi përgjegjës për të dhënë opinionin tonë profesional. Kërkojmë nga redaksia e gazetës Jeta në Kosovë dhe Kallxo, që t’i njoftojnë lexuesit e saj mbi sqarimin tonë. Për çdo eventualitet mbi këtë çështje mund t’i paraqiteni organeve të LHK “Ali Hadri” dega në Gjilan, përmes adresës elektronike ose numrit të kontaktit dhe të merrni informacione të drejtpërdrejta.

Gjilan, 11 nëntor 2017

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Gjilan