Komuna e Gjilaanit | Foto: Atdhe MUlla

Gjilani ‘rahaton’ mësimdhënësit nga konkursi i anuluar

Dhjetëra mësimdhënës përfituan kontrata të përkohshme nëpër institucione arsimore në Gjilan duke qenë në mes të procedurave administrative të stërzgjatura të konkursi të rregullt.

24 mësimdhënës të pranuar në një konkurs që më pas u anulua me vendim të Kryetarit të Gjilanit, po mbajnë pozitat e tyre tash e tre muaj derisa konkursi i ri ende është në procedurë.

Pak pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në Gjilan, ku fitues doli për herë të dytë, Lutfi Haziri, nga Drejtoria Komunale e Arsimit u hap konkurs për të pranuar mësimdhënës për zëvendësime dhe vende të lira, në nivele parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme.

Konkursi ishte hapur më 2 dhjetor dhe  rezultatet e tij u shpallën më 12 janar të këtij viti. Në po të njëjtën ditë, Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri mori vendim që t’i anulojë rezultatet e këtij konkursi.

Haziri këtë vendim e arsyetoi me atë që e quajti konflikt i interesit nga ana e Ushtruesit të Detyrës së udhëheqësit të DKA-së në atë kohë, Bardhyl Syla.

“Anulimi i vendimit bëhet për shkak të tejkalimit të autorizimeve zyrtare dhe konfliktit të interesit në detyrë nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Drejtorisë për Arsim”, thuhet në vendim.

I pyetur nga KALLXO.com se cili kishte qenë konflikti i interesit në këtë rast dhe se a i kanë njoftuar organet kompetente për këtë çështje, Haziri tha se ishte një çështje administrative.

“Është kategorizuar si konflikt interesi për shkak se Bardhyl Syla si drejtor i Arsimit në kohën kur ka udhëhequr procesin e rekrutimit dhe ka nënshkruar vendimin final, ka qenë këshilltar komunal i zgjedhur. Praktikisht, ka qenë në kundërtim me ligjin sepse  drejtori nuk mundet me pasë pozitë të dyfishtë….. më vonë z. Syla e ka qartësuar pozitën e tij duke dhënë dorëheqje nga këshilltari komunal dhe është rikhyer në pozitën e  vjetër të zyrtarit ligjor dhe shefit të personelit në DKA”, tha Haziri.

Ai po ashtu vlerësoi se ky proces nuk ka ‘shkaktuar dëm’ dhe për këtë arsye nuk janë njoftuar institucionet tjera.

“Nuk ka qenë i qëllimshëm, ka qenë vendim administrativ i cili është përmirësuar natyrisht me vendim administrativ. Nuk ka të bëjë me asnjë institucion tjetër sepse nuk është shkaktuar asnjë lloj dëmi apo aktiviteti tjetër që të involvohen institucionet tjera”, tha Haziri.

Megjithatë, raportime në KALLXO.com kanë ngritur shqetësimet se anulimi i konkursit dhe zgjatja e procedurave në konkursin tjetër ka shkaktuar vakum ku mësimdhënësit po marrin rroga tash e tre muaj nga konkursi i anuluar.

Shef i personelit në DKA, Bardhyl Sya ka treguar  për KALLXO.com se në çfarë faze gjendet konkursi i ri i hapur në mars të këtij viti.

“Pas anulimit të konkursit më 12.01.2018 nga ana e Kryetarit të Komunës, Drejtoria Komunale e Arsimit ka rishpallur këtë konkurs më 02.03.2018. Intervistat nga ky konkurs janë zhvilluar më 03.04 dhe 05.04.2018. Konkursi është në fazën e përmbylljes nga ana e komisionit rekrutues”, tha Syla.

Ai ka konfirmuar se mësimdhënësit e pranuar në konkursin, rezultatet e të cilit u anuluar, po punojnë dhe po marrin rroga me kontrata të përkohshme.

“Në Institucionet Edukativo Arsimore, mësimi – orët mësimore  duhet të mbahen në shkolla dhe orët mësimore  nuk guxon të humben pa marr parasysh anulimin e  konkursit,  gjithashtu mësimdhënësit të cilët janë duke mbajtur mësimin në këto shkolla   duhen të paguhen për punën të cilën e bëjnë”, tha ai.

Ai konsideron se mbarëvajtja e mësimit është e domosdoshme dhe thotë se mësimdhënësit janë të vetëdijshëm se mund të mos vazhdojnë të jenë në vendet e punës aktuale.

“Të gjithë këta mësimdhënës janë të vetëdijshëm dhe janë të njoftuar se me rastin e shpalljes së rezultateve të konkursit të ri, mund të mos vazhdojnë punën, mund të ndryshoj gjendja, sepse kemi të bëjmë me një  proces rekrutues të ri”, tha Syla.

Gjilani ishte një nga komunat e fundit në Kosovë që arriti të kompletojë ekzekutivin lokal. Në fakt, Haziri nuk ka bërë një njoftim publik ku prezanton ekipin e tij qeverisës, përkatësisht drejtorët e drejtorive komunale, mirëpo në uebfaqen e komunës tani figurojnë emrat për secilin drejtori.

Arsyetimi i Hazirit për këtë vonesë kishte qenë statuti i ri i komunës që pritej të miratohej në Kuvendin Komunal.

Statuti i ri u miratua më 22 mars dhe me të u rikthyen dy drejtori komunale që ishin shuar më parë. Pas kësaj Kryetari kishte premtuar se do të prezantojë ekipin e tij shumë shpejt, por Krypometri e zuri në rrenë.

Për pak muaj qeverisje, Haziri u gjet protagonist i Krypometrit disa herë.

KALLXO.com muajin e kaluar raportoi lidhur me një konkurs tjetër të dyshimtë në Komunën e  Gjilanit.

‘Harrnimi’ i Gjilanit Përmes Punësimeve të Dyshimta