Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

Gjashtë Vjet Punë S’e Kthejnë Hamamin

Kanë kaluar gjashtë vjet që kur komuna e Prishtinës filloi përpjekjet për ta bërë Hamamin një vend i cili do të nxiste vizitorë. Objekti i mbrojtur nga shteti, që mendohet se është i ndërtuar para 552 vitesh, është paraparë të shndërrohet në muze të kryeqytetit. Por, punimet janë pezulluar nga Ministria e Kulturës pasi që është konstatuar se po kryhen në kundërshtim me Ligjin për Trashëgimi.

Kur kryetari Isa Mustafa kishte vizituar Hamamin e Prishtinës më 6 shtator të vitit të kaluar, Zyra për Media kishte dërguar një kumtesë shtypi të titulluar “Hamami shndërrohet në muze”.

NDËRLIDHUR

Mustafa kishte thënë se investimet e komunës po ia kthejnë këtij monumenti vlerën kulturore dhe shpirtërore që ka për qytetarët e Prishtinës.

“Investimet komplete në renovimin e deritashëm të Hamamit të Qytetit, i cili daton që nga viti 1461, arrijnë shumën e 756 mijë eurove”, thuhej në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Komuna ka paraparë që në muzeun e kryeqytetin të vendosën artefaktet që gjatë gërmimeve janë gjetur në territorin e Komunës së Prishtinës.

Por, Hamami ende nuk është shndërruar në muze të kryeqytetit dhe premtimet se ai do të rregullohej nuk janë dhënë për herë të parë në vitin 2012.

Kanë kaluar 6 vjet prej kur komuna e Prishtinës filloi përpjekjet për ta bërë Hamamin një vend i cili do të nxiste vizitorë.

Punimet në objekt ishin ndarë në tri faza.

E para, që kishte nisur në vitin 2007, kishte kushtuar 80 mijë euro dhe kishte të bënte me pastrimin e Hamamit.

Faza e dytë parashihte ndërtimin e kupolave në vlerë prej 290 mijë eurosh. Nga kjo shumë, 50 mijë euro ishin të ndara nga Ministria e Kulturës.

Ndërkohë faza e tretë nisi vitin e kaluar dhe ka të bëjë me restaurimin e objektit dhe ka një kosto prej 419 mijë eurosh.

Por, punimet e fazës së tretë u ndërprenë me një vendim të Ministrisë së Kulturës që konstatonte se kishte pasur parregullsi gjatë restaurimit të Hamamit.

Vlora Dumoshi, drejtoreshë për kulturë në komunën e Prishtinës, nuk dha përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë kur u pyet për ndërprerjen e punimeve. Dumoshi tha se ishte jashtë vendit dhe se nuk mund të fliste për këtë çështje.

“Hamami i Vjetër në Prishtinë”, i ndërtuar para 552 vitesh, është monument arkitekturor, pronë e trashëgimisë kulturore e shpallur në mbrojtje të shtetit.

“Hamami i Prishtinës është ndërtuar dhe konceptuar si çift-Hamam, që nënkupton një qendër relaksuese për pastrim ritual të njerëzve, ku gjysma e hapësirës për këtë ritual u ka takuar femrave e gjysma tjetër meshkujve”, thotë Gjejlane Hoxha, drejtoreshë e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Hoxha thotë se Hamami ishte ndërtuar si hapësirë publike dhe ishte pjesë e Xhamisë Sulltan Mehmet Fatiu.
 
“Hamami i Prishtinës ka shërbyer si Hamam deri në vitet e 70-ta, kur ka filluar braktisja, dëmtimi dhe destinimi i tij për nevoja të tjera, deri te ideja për një muze të qytetit”, thotë Hoxha.

Ministria e Kulturës pezulloi punimet

Ministria e Kulturës më 7 shkurt 2013 ka lëshuar vendimin ku urdhërohet ndalja e menjëhershme e punimeve në Hamam derisa të sillen analizat e llaqit të vjetër që ka qenë aty dhe të llaqit të ri i cili është vendosur në muret e objektit.

Fillimisht, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë kishte njoftuar Ministrinë e Kulturës për parregullsitë e punimeve që po bëheshin në objekt.

Në bazë të kërkesës së kësaj qendre Komisioni për Shqyrtimin e Kërkesave dhe Projekt Propozimeve për Ndërhyrje Restauruese-Konservuese kishte dalë në terren.

Komisioni, sipas vendimit të MKRS-së, kishte vërejtur se muret janë të spërkatura me llaq çimentoje në mënyrë që të kapet shtresa e parë e llaqit. 

Po ashtu, sipas MKRS-së,  kishte pasur ndërhyrje në mure të objektit pasi ishin hapur kanale për vendosjen e kabllove elektrike.

 
Hamami duke u renovuar  

Ministria e Kulturës më 27 shkurt të këtij viti morri një vendim tjetër.

Ky vendim urdhëronte që punimet të mbesin të pezulluara deri sa organi mbikëqyrës i punimeve të inicionte procedurën për marrjen e mostrave laboratorike të katër shtresave përfshirë gjendjen ekzistuese, shtresën e spërkatjes, shtresën e parë dhe atë të dytë të suvatimit.

Shkëlzen Dragaj, këshilltar politik i ministrit të Kulturës Memli Krasniqi, thotë se procesi për restaurimin e Hamamit ka vite që ka ngecur por, sipas tij, jo i gjithë faji bie mbi institucionin e MKRS-së.

“Me përgjegjësitë që i kemi tani ne jemi mundu me i mbikëqyrë punimet, drejt ruajtjes së origjinalitetit të këtij objekti. Të dy vendimet tona tregojnë për vullnetin tonë të mirë, por angazhimi ynë nuk varet vetëm nga ne të të tilla raste”, tha Dragaj.

Ndërkohë Agim Gërguri drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve thotë se shumë shpejt pritet kryerja e analizave laboratorike të cilat do të vendosin për fatin e mëtutjeshëm të Hamamit.

“Shumë shpejt do të bëhen analizat dhe më pas komisioni pritet të rimarrë një vendim për vazhdimin apo jo të punimeve në Hamam”, pohon Gërguri i cili njëherit është edhe kryetar i Komisioni për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave- Projekteve Restauruese- Konservuese të Trashëgimisë Kulturore.

Ky komision ka konstatuar se punimet janë duke u bërë në kundërshtim me ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe në kundërshtim me normat bashkëkohore për restaurim dhe konservim.

Vërejtjet e Institucioneve për Trashëgimi

Gjejlane Hoxha, drejtoreshë ekzekutive e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, bashkë me ekipin e saj, në janar dhe shkurt të këtij viti, kanë vrojtuar monumentin, duke vlerësuar punimet dhe rrjedhat e zhvillimit të projektit.

Hoxha, e cila është specialiste konservimi e arkitekte, thotë se është e shqetësuar me atë që ka pare. “Monumenti është në situatë të pafavorshme dhe ka të cenuar integritetin dhe autenticitetin e tij, si pasojë e efekteve nga aktivitetet e pakontrolluara të projektit të restaurimit dhe adaptimit të tij për muze të Prishtinës”, thotë Hoxha.

Ajo thotë se monumenti është dëmtuar nga punimet jocilësore përgjatë periudhës 2009-2013.

“Nëse nuk ndërmerret asgjë në përmirësimin e imazhit të këtij objekti do të nisem edhe për në Prokurori”, thotë Hoxha.

Më 14 shkurt të këtij viti Hoxha i ka dërguar shkresë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në të cilën ka paraqitur vërejtjet e Këshillit… për gjendjen e Hamamit.

Në këtë shkresë përmendet faza e dytë e punimeve në këtë Hamam ku janë realizuar punime restauruese në eksterier, përfshirë përforcimin e strukturës të gjysmës së ndërtesës.

“Këtu ka pasur devijime në restaurimin e kupolave, ku në vend të mekanizmave specifikë të hapjeve në kupolat e ndërtesës janë instaluar tubacione betoni me qelq të thjeshtë dhe mbulesa është realizuar me plumb përgjysmë më të hollë dhe fashatura plumbi në dimensione të përgjysmuara”, thuhet në shkresën që Hoxha dorëzoi në MKRS.

“Njëjtë ka pasuar probleme edhe faza e tretë e filluar vitin e kaluar dhe vazhduar edhe tani në enterier dhe instalime elektrike. Në kuadër të këtyre punimeve, si pozicion dominues dhe i gabuar është lyerja e sipërfaqeve të brendshme të kupolave me beton, gjë e cila është e ndaluar”, thuhet në shkresën që ajo dorëzoi në MKRS.

Një shkresë tjetër dërguar zyrtarëve të lartë në Ministrinë e Kulturës e ka dërguar edhe Qazim Namani, zyrtar i lartë profesional në Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës.

Namani në letrën e tij kritikon Ministrinë e Kulturës për mungesë organizimi të qëndrueshëm për t’u marrë me mbrojtjen e monumenteve.

Ai thotë se Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prishtinës janë përgjegjëse për shkatërrimin e këtij monumenti.

 
Hamami duke u renovuar  

ETIKETA

18 Mars 2013 - 00:08

Arbër Selmani 18/03/2013 - 00:08
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0

Gjashtë Vjet Punë S’e Kthejnë Hamamin

by Gazeta JNK
NA NDIQNI