Gjakova Sheh Shpëtim në Aeroportin e Pakompletuar

Shkrimi fillimisht është botuar 12.05.2014.

Godina e ish-fabrikës së “Gorenjes” në Gjakovë ka parë ditë më të mira në të kaluarën. Gjatë kohës së Jugosllavisë, aty ndërmarrja sllovene prodhonte komponentë për lavatriçe. Sot, aty kanë mbetur vetëm pasqyrat dhe makineria që po ndryshket. 

“Të gjithë i kujtojnë ato ditë të lavdishme”, thotë Dren Pozhegu, hulumtues në Institutin GAP në Prishtinë me prejardhje nga Gjakova. 

“Ka pasur aq shumë fabrika sa që jemi detyruar të importojmë fuqi punëtore”, shton ai.

Në vlugun e punës, fabrikat në këtë qytet kishin punësuar deri në 16 mijë punëtorë. 

Lufta në Kosovë e viteve 1998-1999 e goditi rëndë qytetin perëndimor të Gjakovës. Forcat serbe e vunë qytetin në shtetrrethim dhe dogjën në flakë perlën kryesore të tij – Çarshinë e Vjetër, që datonte nga epoka otomane. 

Dëmet që iu bënë fabrikave të këtij qyteti arrijnë miliona euro. 

Që atëherë, Gjakova nuk ka qenë më ajo e vjetra. Sipas disa vlerësimeve, niveli i papunësisë është mes më të lartëve në Kosovë, ndërsa viteve të fundit ka ditur të arrijë edhe mbi 60 për qind. 

Por, përballë fabrikës së vjetër të “Gorenjes”, shfaqet një shenjë më premtuese për të ardhmen. 

Brenda fabrikës “Key One”, gumëzhima e makinave fringo të reja të qepjes përcjell erën e lëkurës dhe ngjitësit. Kjo fabrikë prodhon produkte të lëkurës për një kompani italiane të quajtur “The Bridge”. 

Kjo fabrikë që funksionon që një vit punëson 25 persona që paguhen mesatarisht nga 250 euro në muaj. Çantat elitare të prodhuara nga “The Bridge” mund të kushtojnë shumë më shumë se aq – deri në 800 euro për copë. Por, Ardiana Muhaxhiri është e lumtur për vendin e punës që e ka. 

“Njerëzit duhet të punojnë, ndërsa për të punuar këtu ka shumë kërkesa”, thotë Muhaxhiri. 

Plani i kryetares së Komunës për rimëkëmbje

Në dhjetor të vitit të kaluar gjakovarët e zgjodhën Mimoza Kusari-Lilën si kryetare të Komunës. Ish-Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Kusari-Lila kandidoi me një platformë për rivitalizimin ekonomik të kësaj komune me rreth 100,000 banorë. 

Ngjashëm me homologun e saj të porsazgjedhur në Prishtinë Shpend Ahmetin, nga ajo pritet që të sjellë shumë për qeverisjen lokale në Kosovë – fushë kjo e njohur më shumë për ngathtësi dhe korrupsion, sesa për progres. 

Sfida me të cilën përballet  Ahmeti është rregullimi i rrëmujës në kryeqytet. Për Kusari-Lilën puna më e madhe është rindërtimi i Gjakovës dhe shndërrimi i saj në një motor ekonomik me vendin e vet në botën e tregtisë ndërkombëtare. 

“Nëse nuk arrijmë ta kthejmë situatën në Gjakovë për 180 shkallë – nuk kemi bërë asgjë. Situata aktuale është mjaft dëshpruese”, tha Kusari-Lila. 

Kryetarja nuk parasheh rikthimin e industrisë së rëndë të shfrytëzuar gjatë epokës së Jugosllavisë. Ajo dëshiron të shohë më shumë fabrika si “Key One” që prodhojnë mallra cilësore për konsumatorë në BE. 

Qyteti ka disa përparësi ekonomike potenciale. Pagat janë të ulëta sipas standardeve të BE-së, ndërsa fuqia punëtore është e aftë, thotë ajo. 

Në të njëjtën kohë, Gjakova është afër me Evropën Perëndimore dhe brenda së njëjtës zonë kohore. 

Për momentin, duket se gjërat po zhvillohen në favor të Gjakovës. Qeveria i ka shpallur Gjakovën dhe Mitrovicën zona të lira ekonomike që do të thotë se bizneset atje paguajnë taksa dhe tarifa më të ulëta, ndërsa përfitojnë nga infrastruktura më e mirë. 

Në këtë ndihmon edhe fakti që kryetarja e komunës ka miq në pozita të larta. Shpallja e zonës së lirë ekonomike ishte nismë e Behgjet Pacollit, liderit të partisë së saj – AKR-së dhe e trashëgimtarit të Kusari-Lilës në postin e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë – Bernard Nikajt. 

Ajo ka edhe një adut tjetër: aeroportin e vogël në veri të qytetit. 

Nisma drejt rimëkëmbjes

Më 29 shtator 1999, pak pas përfundimit të luftës, një aeroplan transportues G.222 i Forcave Ajrore të Italisë ateroi në aeroportin e porsandërtuar të quajtur “A.M.I.Ko”. 

Ai u ndërtua pranë një piste të vjetër bujqësore dhe një ndërtese të vjetër që shërbente si bazë logjistike për forcën paqeruajtëse të NATO-s – KFOR-in. 

Forcat Ajrore Italiane e mbajtën aeroportin nën menaxhim deri në vitin e kaluar, kur atë ia bartën Qeverisë së Kosovës. Përderisa italianët donin të kursejnë para, zyrtarët e Kosovës e identifikuan një mundësi reale. 

“Ne nuk mund ta refuzonim ofertën e italianëve… Kosova mund të përfitojë nga ky rast”, na tha zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Gazmend Mejzini. 

Kryetarja e Gjakovës e sheh aeroportin si gurthemel të ringjalljes ekonomike të komunës së saj. 

“Vitin e ardhshëm shpresoj se aeroporti do të mund të funksionojë dhe t’u shërbejë kompanive ajrore ‘loë-cost’, kompanive që bartin mallra në drejtim të zonës së lirë ekonomike, si dhe veprimtarive dhe shërbimeve që nuk gjejnë hapësirë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës,” tha Kusari-Lila. 

Sipas Kusari-Lilës, mallrat e prodhuara në këtë qytet përmes këtij aeroporti mund të jenë “kudo në Evropë brenda dy-tri orësh nga prodhimi i tyre”. 

Përderisa Gjakovës është e qartë se i nevojitet zhvillimi ekonomik, disa vënë në pikëpyetje nevojën për një aeroport tjetër komercial në Kosovë. 

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës gjendet rreth një orë larg nga cilido vendbanim në Kosovë dhe funksionon nën kapacitetin e tij prej 4.5 milionë udhëtarësh në vit. 

Lorik Fejzullahu, zyrtar në Ministrinë e Financave që ndihmon në mbikëqyrjen e partneriteteve publike-private, duke përfshirë atë të Aeroportit të Prishtinës, ka dyshime lidhur me potencialin afatshkurtër të Gjakovës. Ai tha se aeroporti do duhej subvencionuar dhe se kërkesë për të aktualisht nuk ka. “Unë nuk mendoj se ai mund të konkurrojë me Prishtinën”, tha ai. 

Aeroporti i Prishtinës gjithashtu u shërben disa kompanive më të lira, siç janë “Pegasus”, “Easyjet” dhe “Germanëings”. Megjithatë, ofertat nga ky aeroport janë të kufizuara dhe nuk mund të kualifikohen si tejet të lira. 

Kosovarëve u del më lirë të udhëtojnë deri në Shkup që tani po shërben si qendër dhe pikë lidhëse për “Wizz Air-in”, nga ku shpesh mund të gjejnë fluturime për më pak se 30 euro. 

“Ëizz Air” ka kohë që ka deklaruar se ka interes që të shërbejë në Kosovë, ndërsa zëdhënësi i kësaj kompanie Daniel de Carvalho ka sugjeruar se kjo aviokompani mund të vijë në Kosovë nëse ka ofertë të mirë. 

“Ne nuk do të komentojmë lidhur me spekulimet për vijat e mundshme, por mund të konfirmoj se “Wizz Air” do të mund ta stimulojë transportin ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës me udhëtimet tona të lira, nëse atje na ofrohen kushte për të sajuar ofertë të lirë për konsumatorët tanë”, tha ai. 

Kur u pyet specifikisht për Gjakovën, De Carvalho tha se aviokompania e tyre ishte gjithnjë “e hapur për pranimin e propozimeve nëse çmimet e ofruara janë të ulëta”. 

Aviokompanitë që funksionojnë me çmime më të ulëta, zakonisht joshen nga aeroportet sekondare, të cilat ofrojnë taksa dhe tarifa më të volitshme dhe u vënë kompanive të tilla kohë më të përshtatshme në dispozicion për realizim të fluturimeve. 

Albion Idrizi, trajner i agjentëve të udhëtimit në Prishtinë, thotë se Kosovës do të mund t’i kryente punë një aeroport i dytë. “Ne duhet të kemi raporte rajonale të cilat do t’u ofronin aviokompanive me çmime të ulëta alternativë me çmim shumë më të ulët”, tha ai. 

Por, aeroportet sekondare jo gjithmonë janë dëshmuar si zgjidhje e mirë, veçanërisht në Ballkan. 

“Zakonisht aeroportet jashtë kryeqyteteve të shteteve të dala nga ish-Jugosllavia kanë qenë tejet të pasuksesshme, përjashto Kroacinë e cila ka qenë më e suksesshme falë turizmit”, theksonte Lluka Popoviq, që shkruan në bllogun “Ex-Yu Aviation Neës”. 

Aeroportet e Portorozhit dhe Mariborit në Slloveni, ai i Nishit në Serbi dhe i Ohrit në Maqedoni rrinë të zbrazët pjesën më të madhe të vitit, shton ai. 

Aeroporti larg nga ofrimi i kushteve për fluturim

Aeroporti i Gjakovës është larg nga ofrimi i shërbimeve për ndonjë aviokompani. Nuk ka ndonjë plan konkret se si ai të shndërrohet në aeroport komercial, gjë që do mund të bëhej vetëm me një investim të madh. 

Investime të tilla do të ishin zgjatja e pistës nga 1,800 në 2,500 metra për t’iu përshtatur kushteve për aeroplanë komercialë si “Airbur 320” dhe “Boeing 737”, si aeroplanë që më së shpeshti shfrytëzohen për fluturime komerciale. 

Nuk ekziston terminali apo stabilimentet tjera përcjellëse komerciale të cilat nevojiten për çdo aeroport civil. Aktualisht ekzistojnë vetëm disa njësi të vogla për parkimin e kamionëve dhe pistat e zbrazëta. 

Ndërtesat e administratës, agjencisë qeveritare përkatëse, administrimit të bagazhit, hapësirat komerciale dhe parkingjet duhet të ndërtohen, nëse mëtohet të ofrohen shërbime të transportit ajror civil. 

Të gjitha këto shpenzime, sipas zyrtarëve përkatës, duhet të mbulohen me investitorë të huaj të cilët do menaxhonin këtë aeroport në bazë të një kontrate koncesionimi. 

Aeroporti gjithashtu do duhej certifikuar nga Autoriteti Kosovar i Aviacionit Civil, certifikatë kjo marrja e së cilës mund të zgjasë me vite të tëra. Agjencia ende nuk e ka kryer as studimin e fizibilitetit për të parë nëse Kosovës i nevojitet një aeroport i dytë, apo jo. 

Megjithatë, Kreshnik Gashi, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i “AKAC”-it, beson se potenciali ekziston. 

“Kosova nuk ka traditë të gjatë në aviacion, ne nuk kemi qenë pjesë e ndonjë sistemi të aviacionit, por aeroporti i Gjakovës përbën një rast të shkëlqyeshëm për ne”, thotë ai. 

Kryeministri Hashim Thaçi rishtas vizitoi aeroportin me Kusari-Lilën. 

Me këtë rast ai tha se “akademia e krijuar aty do të ishte më e madhja dhe më cilësorja në rajonin e Ballkanit”.

Kusari-Lila e di se e ardhmja e aeroportit të saj varet nga përkrahja prej qeverisë, përbërja e së cilës ka gjasa të ndryshojë pas zgjedhjeve të qershorit. 

“Nuk jam e sigurt se çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve, por çdo njeri normal do dëshironte ta funksionalizonte atë”, tha ajo. 

Ndërkohë, pronari i “Key One”,  Mirco Tattini, dëshiron që të zgjerojë operacionet e veta për të punësuar jo vetëm 25 po 300 punonjës, të cilët do t’u shërbenin më shumë kompanive evropiane. 

Deri tani ai nuk ka gjetur stabilimentet e duhura. “Fabrikat këtu nuk janë të mira”, tha ai, dukshëm i frustruar me këtë fakt. 

Menaxheri i fabrikës, Gëzim Qurdina, është i bindur se ky zgjerim do ndodhë një ditë. 

“Unë vazhdimisht them – ngadalë, ngadalë”, shpjegon “strategjinë” ai.