Foltorja "Versace" në Asamblenë Komunale të Gjakovës | Foto: Rron GJinovci

Gjakova Ashtin e ka Versaçe

Qytetarët në plotkuptimin e fjalës ndodhen në Gjakovë. Gjuha shqipe pamundëson dallimin që ata do ta donin shumë, dallimin e qytetarëve të republikës me ata që kanë asht të qytetarit.

Kjo është një shprehje që mund ta dëgjosh në Gjakovë në rast se flitet për gratë zonja. Për ndonjë që është nga ato të rëndat mund të dëgjosh edhe “E ka ashtin e zojës”.

Gjakova qe pjesë e një diskutimi “urban vs rural” muaj më parë kur të rinjtë e saj shkuan aq larg sa shpreheshin se nuk do të martoheshin me ndonjë “katunar”. E kur pyeteshin se çka i bënë ata “qytetarë” ata jepnin përgjigje nga më absurdet.

Një vajzë nga këto me “asht të zojës” tha: “Jetëgjatësia, sa kom jetu në Gjakovë”. E kishte fjalën për gjeneratat paraardhëse të saj, por kishte problem me të shprehurit qytetarja.

Gjakova njihet për një kuzhinë më ndryshe se pjesa tjetër e Kosovës. E mrekullueshme gjithsesi. Për ata që janë qejflinj, Gjakovën të mos e ndërrojnë. Po ashtu, shquhet për një traditë muzikore nga më të bukurat në Kosovë.

Madje “jare”-t e Gjakovës i dominojnë ndejat pas konsumimit të alkoolit kudo nëpër Kosovë. “Jare” është një fjalë që përdoret nëpër këto këngë që ka formën e një pasthirrme nën shoqërimin e klarinetës, në ato momentet që njihen si “u kall atmosfera”.

Ikona e muzikës gjakovare Shkelzen Jetishi, a.k.a. Xeni, është diku nga rrethi i Gjakovës, do me thënë jo bash qytetar me kutin e Gjakovës, por ama i pranueshëm për të gjithë gjakovarët me anë të një konsensusi për shkak të talentit të tij.

Në hyrje të Gjakovës ekziston një sallë dasmash e Xenit. Quhet “Xeni Imperial”. Siç duket nuk i ka mjaftuar Xenit fakti që gjakovarët e kanë pranuar, tani ai synon krijimin e një dinastie perandorake a kushedi çka.

Kafeneja përbri ndërtesës së Komunës së Gjakovës kishte lëshuar Danin. Dani është këngëtar nga Peja dhe rival kryesor i Xenit. Kjo në fakt do të duhej të ishte e papranueshme. Gjakova dhe Peja, të dyja me tradita qytetareske deri në asht, janë rivale dhe nuk ia pranojnë njëra tjetrës. Po kush e di si ka vajtur puna e në mes të Gjakovës lëshohesh Dani.

Gjakova sot ka rreth 94 mijë banorë dhe si rrjedhim një buxhet 20 milionësh. Ajo është nga komunat e varfra të Kosovës dhe kjo është e papranueshme për gjakovarët. Dikur, në kohën e Jugosllavisë Gjakova ishte një super qytet.

Duke qenë se nomenklatura krahinore ishte pothuajse komplet nga Gjakova, të paktën në majat e saj, edhe vendimet për hapjen e fabrikave e përqendrimin e industrisë krejt rastësisht lidheshin me Gjakovën. Aq sa thuhet se kishte mbërritur një kohë kur Gjakova kishte nevojë për punëtorë nga jashtë. Ndërkohë, “katunarët” ishin zezakët e papunë të Kosovës.

Ka diçka me rëndësi për ta kuptuar si funksionon puna e gjakovarëve. Ata, në rast se do t’u jepej rasti për të dhënë një vlerësim për ta pranuar dikë në punë, qoftë ky edhe biznes privat, kandidatin gjakovar e kanë prioritet të padiskutueshëm mosvarësisht nga profesionalizmi.

Është disi një lidhje e fortë kulturore, gati gati një formacion etnik. Pra, gjakovarët kanë një lidhje mes vete brenda përbrenda kombit shqiptar sa krijon përshtypjen e një etnie tjetër.

Në këtë trajtesë nuk hyn të qenët më pak atdhetar apo patriot pasi Gjakova është nga qytetet me më shumë luftëtarë gjatë luftës së fundit. Fjala është për çështje të tjera ku kombi nuk hyn në ekuacion.

Përmbysja e pasluftës ku “katunarët” vërshuan qytetet, formuan parti e erdhën në pushtet, solli një situatë krejt të ndryshme. Gjakova është e varfër sot. Zyrtarët shtetërorë rrallë e hiç janë gjakovarë.

Gjakovarët kanë kaluar në sektorin privat, atë bankar dhe ambasadorial. Po kjo në fakt, është mësimi që “katunarët” e kanë marrë nga gjakovarët dikur. Punëson vetëm “tëndin”. I jep përparësi tëndit.

Situata e Gjakovës sot duket sikur te vargjet e Ndre Mjedjës: “O bylbyl, ky shekull orë e ças ndrrohet, bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet”.

Para dy vitesh këtë bënë gjakovarët. Më në fund arritën ta hiqnin nga pushteti AAK-në duke sjellë në krye një grua. Në fakt, për herë të parë në Kosovë, në zgjedhje të drejtpërdrejta fitoi një grua. Ishte një votë revolte ndaj korrupsionit.

Në krye të Gjakovës erdhi Mimoza Kusari-Lila. (Sa për informatë, mbiemrat me katër shkronja në Gjakovë njihen si den baba den.) Gjakovarët pra, ua mësuan të tjerëve ç’do me thënë të zgjedhësh në krye një grua pa zarf.

Kishte ardhë koha që kryetarja Kusari-Lila të tregonte për punën e saj. Kryesuesja provizore Jeta Xharra kishte zënë vendin në ballë të sallës së asamblesë komunale të Gjakovës vetëm për një ditë.

Në sallë hynin nga radhë e opozitës AAK-ja që ka asamblistë aq sa ka partia e kryetares AKR-ja, të dyja nga 9. Pastaj vjen PDK-ja me 6, LDK-ja me 4, VV-ja me 2 dhe partitë tjera më të vogla me 4 anëtarë së bashku.

S’kishte si mos të t’linte përshtypje foltorja ku kryetarja Kusari-Lila priste për fillimin e debatit. Besoni apo jo, Gjakova e ka foltoren me yrnek të Versaçes. Është fjala për ato vijat e thyera qe rrethojnë logon e Versaçes, pasi do të ishte vërtetë qesharake sikur ta kishte edhe vulën me fytyrën Versaçe.

Për ata që nuk kanë haber në këtë punë, yrneku vjen nga fjala turke “Örnek” që do me thënë “ornament”. Si fjalë në Kosovë përdoret për yrnekun e tenteneve apo goblenëve.

E yrneqet e logos së Versaçes janë në fakt të Greqisë së lashtë dhe fytyra që paraqitet është Meduza, një nimfë e frikshme e mitologjisë greke e cila në vend të flokëve ka gjarpinj helmues.

Kryetarja gati pas foltores Versaçe, salla gati, debati fillon.

Në klipin dyminutësh të premtimeve zgjedhore kryetarja kishte premtuar zonë të lirë ekonomike, qytet universitar, krijimin e një fondi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Kryetarja e pati me rëndësi të thoshte se instituti “GAP” ka gjetur se në Gjakovë janë përmbushur 40% të premtimeve. Ajo përmendi po ashtu, si revansh ndaj propagandës se ajo ishte “anti-katunare”, faktin se ka filluar procesin për ujësjellës në 42 fshatra. Po ashtu edhe procesin e shtrimit të rrugëve nëpër fshatra.

Opozita kundërshtoi sidomos për premtimet në klipin elektoral. Kryetarja shuajti menjëherë zjarrin e akuzave duke thënë se për mospërmbushjen e këtyre premtimeve faj kishte ngërçi politik të cilin ajo s’mund ta parashikonte.

Debati shkonte si lojë ping-pongu. Hidheshin akuza e kundërakuza sa andej këtej. Opozita akuzonte për zvogëlim të numrit të punëtorëve, e në anën tjetër kryetarja përmendte nisjen e dy investimeve të huaja në industrinë e tekstilit.

Kryetarja e dominonte debatin. Ajo ka një aftësi të flasë shpejt dhe është vështirë ta përcjellësh me saktësinë e nevojshme për ta zënë ngushtë. E dikur opozita e lëshoi pak nivelin.

Në një pikë asamblesti i AAK-së, z. Pjetër Ndou tha një fjali që na çuditi krejtve – “Kryetarja u ka borxh kompanive të Gjakovës 3 milionë euro, por ato s’guxojnë me folë”. Shikimi drejt e në kryetaren Kusari-Lila e cila qeshte me cinizëm.

Tani ajo e zëvendësonte Meduzën e frikshme në foltoren Versaçe. Kështu do të mendonim sikur të mos ndërhynte kryesuesja provizore Xharra për ta ditur krejt të vërtetën për këtë që u tha. “E çka ka me ju bo?” – pyeti kryesuesja Xharra. E tërë salla filloi të qeshte. Dhe nga kjo e qeshur u kuptua se kjo deklaratë e pamatur e z. Ndou ishte vetëm një blof. Madje edhe ai vet qeshi pak. Përnjëherë edhe kryetarja dukej më njerëzore.

Pastaj filloi një raund tjetër akuzash për nepotizëm. Vajza e tezes së kryetares ishte punësuar në ndërmarrjen publike “Çabrati”. Por kryetarja insistonte që ajo është profesioniste dhe se vetë kryetarja nuk kishte asnjë lidhje me punësimin e saj.

E megjithëse vajza e tezes së kryetares punon në “Çabrat”, kjo kompani për herë të parë nuk e ka fituar tenderin për pastrimin e rrugëve të Gjakovës. Dhe kjo ishte një akuzë e opozitës sepse kompania lokale nuk e kishte fituar tenderin. E këtu kryetarja me ashpërsi insistonte se ajo as që e kishte ndërmend të ndërhynte në prokurim.

Por akuzat nuk ndaleshin. Mimoza Shala, veterane e UÇK-së dhe asambliste e Vetëvendosjes, thoshte se në zyrë të prokurimit kryetarja e kishte një asambliste “të dështuar” nga radhët e saj. Gjithashtu, e quajti “retorikë boshe” atë që kishte thënë kryetarja deri atëherë.

Debati vazhdonte për tema të ndryshme. Pothuajse në secilën komunë ka arsyetime për cilëndo akuzë.

Tani i vinte radha një momenti interesant të debatit. Për herë të parë do të shihnim klipin e një burri që është zotëriu i parë.

Arben Lila shpjegon për natyrën e kryetares dhe se sa punëtore është ajo. “Sa kthehet prej punës futet në kuzhinë” – thotë ai si pa të keq. Në fakt kjo është jeta e shumë grave në patriarkalitetin kosovar.

Përveç punës në profesion, ato amvisërinë e kanë punë pa pagesë. E kishte pasur edhe një dëshirë para dy vitesh zotëriu i parë, tani i ishte realizuar. Kishte dëshiruar veturë dhe tashmë e kishin blerë një të tillë.

Kryesuesja provizore Xharra nuk e la pa e ngacmuar kryetaren. “E pasket ble kerrin, tash edhe aeroplani ju paska mbetë, masi keni bo edhe aeroport në Gjakovë”.

Gjakova ka pra aeroport. Ka foltore Versaçe. Ka kryetare grua të zgjedhur, jo të dërguar me zarf. Ka qytetarë, ka dhe “katunarë”.

Gjakova ka gjithçka që e bën jetën në një qytet, në plotkuptimin e fjalës qytet.