Gazetarët më 3 Maj Bojkotojnë Institucionet

Presidentja Atifete Jahjaga priti sot në takim një delegacion të Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) dhe redaktorë e kryeredaktorë të mediave në Kosovë.

Përfaqësuesit e AGPK-së dhe të mediave në Kosovë shfaqën shqetësimet e tyre lidhur me Kodin Penal dhe i dorëzuan Presidentes Jahjaga propozimet e tyre me shkrim për procedim të mëtejmë të Kodit Penal, e që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes.

Përfaqësuesi e mediave në Kosovë kërkuan nga Presidentja Jahjaga që të kthejë në rishqyrtim Kodin Penal në Kuvendin e Kosovës, posaçërisht nenet 37 dhe 38 të Kodit.

Përfaqësues të rreth 15 mediave janë pajtuar që në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit të bojkotojnë institucionet e vendit, duke mos raportuar për aktivitete e tyre. Bojkoti mund të vazhdojë nëse nuk përfillen propozimet e komunitetit të gazetarëve.

Kryetari i AGPK-së, Arben Ahmeti, ka thënë se bojkoti i mëtutjeshëm do të varet nga vendimi i presidentes, nëse ajo do ta kthejë Kodin prapa, apo do ta nënshkruajë. “Ne do të bojkotojmë punën e institucioneve për t’iu treguar deputetëve se nuk kanë bërë mirë kur kanë votuar kësisoj, dhe për t’ua bërë me dije që mos ta përsërisin votimin e njëjtë”, ka thënë Ahmeti.

Presidentja Jahjaga ka thënë se është e njoftuar me shqetësimet e gazetarëve tyre, thuhet në një komunikatë të Zyrës së Presidentes, të lëshuar pas takimit.

“Bashkëbisedimi me përfaqësuesit e mediave po bëhet me qëllim që të dëgjohen argumentet e tyre për shqetësimet që ngrejnë dhe që të gjenden zgjidhje të cilat do të ndihmojnë avancimin e praktikave demokratike në vend”, ka thënë ajo.

Presidentja Jahjaga tha se takimet me përfaqësuesit e mediave janë të nevojshme dhe të domosdoshme për të hapur tema të ndryshme dhe të lira e që kanë të bëjnë me “përparimin e vendit dhe të proceseve demokratike, lirinë e shprehjes si dhe të gjitha çështjet që konsiderohen me interes të përbashkët”

Kodi Penal, i votuar në Kuvendin e Kosovës javën e kaluar, thuhet se nuk ka arritur ende në Zyrën e Presidentes.

Sipas Kushtetutës, nga momenti që presidentja Jahjaga pranon ligjin, ajo ka afat tetë ditë që ta nënshkruajë ligjin, ose të vendosë se ai duhet t’i kthehet Kuvendit për plotësim.

Organizata të ndryshme ndërkombëtare të gazetarëve, siç janë SEEMO dhe “Reporterët pa Kufij”,  i kanë bërë thirrje presidentes që mos ta nënshkruajë Kodin Penal, por ta kthejë në Kuvend për të bërë ndryshimet që do të ishin në një vijë me standardet ndërkombëtare.