Fotografi e marrë nga provat e shfaqjes '55 Hijet e Homoseksualëve'. Foto: Atdhe Mulla

Gati për Shfaqjen ’55 Nuancat e Gay-t’

Kompania e pavarur teatrore, Qendra Multimedia, do ta shfaqë premierën e shfaqjes për martesën e homoseksualëve të premten, duke u përgatitur edhe për reagime të mundshme.

Jeton Neziraj është një provokator. Ai gjithmonë ia ngrin nervat dikujt me shfaqjet e tij: e fundit me titull “Bordel Ballkan”, me regji nga Andras Urban, shkaktoi protesta dhe kërcënime nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se “denigroi luftën e UÇK-së”. Ish-luftëtarët gjithashtu nënshkruan një peticion dhe shkruan një rishikim “i mallkuar” i shfaqjes, por Teatri Kombëtar u mbush gjithsesi në çdo përsëritje të saj.

NDËRLIDHUR

Shfaqja e ardhshme “55 Nuancat e Gay-t” që do ta ketë premierën këtë javë, nuk është më pak problematike. Me regji nga bashkëpunëtorja për kohë të gjatë e Nezirajt dhe bashkëshortja e tij Blerta Rrustemi – Neziraj, shfaqja është një shpërthim i parodisë, muzikës dhe ndoshta humor ofendues, është thjesht një rebelim. Por, duke trajtuar një temë tabu në Kosovë – legalizimi i martesës mes homoseksualëve – mund të shkaktohet pa dashje edhe një tjetër.

Bashkëpunimi i gjashtë teatral i çiftit, i titulluar “Pranvera Ballkanike e Revolucionit Seksual”, është vendosur në qytetin fiktiv të Tashanikut, ku një çift homoseksual përpiqet të ushtrojë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u martuar. Kaosi fillon. Qyteti mund të jetë fiktiv por konteksti ligjor nuk është, një nen i Kushtetutës së Kosovës garanton barazi për të gjithë, por Ligji për Familjen e Kosovës e përcakton qartë martesën si një lidhje midis një burri dhe një gruaje. Është pikërisht ky tension që shfaqja e përdor si një litar për kërcim.

“Duhet të pranojmë se kemi të bëjmë me një shoqëri shumë homofobike”, tha Jeton Neziraj, autori i shfaqjes, duke aluduar në shoqërinë konservatore të vendit, shumica e të cilëve identifikohen si muslimanë. “Është e pamundur të thuhet se çfarë do të ndodhë me shfaqjen kur komuniteti LGBT në Kosovë është i padukshëm. Fakti i vetëm se një bar në Prishtinë që u shpall si miqësor me homoseksualët duhet të mbyllej disa vite më parë, thotë shumë.”

Në vitin 2012, një grup myslimanësh konservativë dhe huliganë u mobilizuan për të protestuar dhe për të ndaluar lansimin e revistës ‘Kosovo 2.0’ për seksin dhe seksualitetin. Duke e kuptuar atë si një ngjarje që nxit homoseksualitetin, disa huliganë arritën të hyjnë në vendin e ngjarjes në Pallatin e Rinisë, të plaçkitin vendin dhe madje të sulmonin disa nga organizatorët, ndërsa rreth 200 burra protestuan jashtë në përpjekje për të ndaluar “festën e seksit”, pasi disa menduan se për atë ishte organizuar ngjarja.

Neziraj dhe trupa e aktorëve kishin parë video regjistrimet e sulmit kohët e fundit.

“Kur pashë videot dukej shumë e frikshme. Film i frikshëm”, tha Neziraj, duke qeshur me sy të hapur. “Nuk e di nëse ka ndryshuar shumë, besoj se po. Por ndoshta kam përshtypje të gabuar.”

Regjisorja e shfaqjes Rrustemi-Neziraj është gjithashtu dyshuese rreth asaj se si do të pritet shfaqja, veçanërisht pas kërcënimeve të bëra para premierës së “Bordel Ballkan”, kur Policia e Kosovës duhej të garantonte sigurinë e audiencës dhe të regjisorëve.

“Unë nuk mendoj se duhet të ketë reagime, sepse në fund të fundit ne po flasim për një shfaqje teatrore. Sidoqoftë, duke marrë parasysh shfaqje të tjera të Qendrës Multimedia, të cilat gjithmonë shkaktojnë një sërë reagimesh, nuk mund të thuhet kurrë me siguri”, tha ajo.

“Teatri ka detyrim që të bëhet zëri i pakicës, i të pafuqishmëve. Një teatër që mban anën e shumicës, të pushtetit, është një teatër propagandistik dhe shndërrohet në një leckë të pavlerë”, shtoi ajo.

Veprat e Nezirajt, sidomos ato me regji nga Rrustemi-Neziraj, nuk janë asgjë tjetër përveç propagandës, nga “Njëri fluturoi mbi teatrin e Kosovës”, një satirë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, te “Një shfaqje me katër aktorë dhe disa derra, disa lopë, disa kuaj, një kryeministër, një lopë Milka dhe disa inspektorë vendorë dhe ndërkombëtarë”, dramaturgët dhe regjisorët i shqyrtojnë çështjet shoqërore dhe politike me shumë kënaqësi, duke rezultuar në komedi të ashpra.

“Shfaqjet e Nezirajt me regji nga Rrustemi-Neziraj janë politike jo në kuptimin klasik, ku mund të shohim fytyrat e politikanëve në skenë, por qëndrimi i tyre ndaj zhvillimeve shoqërore apo politike në Kosovë është politik dhe reflektohet në skenë”, shpjegoi Eli Krasniqi, antropologe dhe shkrimtare.

Për “55 Nuancat e Gay-t”, Rrustemi-Neziraj krijoi një ekip prej pesë aktorëve dhe tenorit Luan Durmishi, i cili do të mbështesë aktorët gjatë numrave të shumëfishtë muzikorë. Gjatë provave, trupa ishte e gëzuar kur mësuan hapat nga koreografi Florian Bilbao, duke kënduar së bashku me muzikën e kompozuar nga Irena Popoviq.

“Nuk mund ta besoj këtë, një paradë e homoseksualëve në Tashanik!” këndon protagonisti Merlin, i luajtur nga Tristan Halilaj pasi i dashuri i tij italian, Adriano, i luajtur nga Bujar Ahmeti, përpiqet ta bindë atë se sapo të dalin në ambient të hapur të tjerët do t’i ndjekin. “Është sikur të shohësh një Papë mysliman në Romë!”, vazhdon kënga.

Më pas shoh Ahmetin dhe aktoren Alketa Sylaj, e cila luan komisioneren e BE-së, duke lexuar një skenë në të cilën i pari po kërkon dhënien e projektit. Komisionerja e BE-së, e veshur si dominante, bie dakord t’i japë paratë, por i jep Adrianos një grindje të kënaqshme, para se t’i thotë po.

“Shfaqja nuk është domosdoshmërisht për vetë komunitetin, por për politikën që rrethon komunitetin LGBT. Ka një lloj të motivit [50 hijet] e Grey, një cikël nënshtrimi … ne po kërkojmë kush është i nënshtruar ndaj kujt në këtë shoqëri”, shpjegoi Neziraj.

Por përmbajtja aktuale e shfaqjes dhe ajo që mund të përfaqësojë për disa janë dy gjëra të ndara, dhe Neziraj duhet ta pranojë këtë. Njerëzit që mund të protestonin kundër shfaqjes, nuk do ta shihnin kurrë atë.

Posteri i “Bordel Ballkan” u dogj pak javë pas premierës dhe Neziraj vetëm mund të hamendësojë se çfarë do të ndodhë me posterin e “55 Nuancat e Gay-t”, që përshkruan në mënyrë të dukshme puthjen mes dy burrave.

Sylaj ka përjetuar një eksperiencë të dorës së parë se si një puthje e thjeshtë mund të shkaktojë urrejtje të egër. Në vitin 2014, Sylaj dhe shoqet e saj, kolektivi i artit HaveIt, organizuan një shfaqje për të protestuar ndaj pabarazisë së dashurisë në Ditën e Shën Valentinit. Shoqet e puthnin njëra-tjetrën në buzë në një nga sheshet kryesore të Prishtinës. Fotografia e katër vajzave u bë virale, me artistët që u kërcënuan me vdekje dhe njerëzit që postonin adresat e tyre të shtëpive në internet.

“Ne morëm kaq shumë kërcënime sa që na u desh të shkonim në polici”, tha Sylaj, e cila është një përkrahëse e zëshme e të drejtave të grupit LGBT.

“Edhe në qoftë se ndodh diçka, unë jam gati të luftoj për këtë shfaqje, është diçka në të cilën unë besoj”, tha Sylaj pa iu dridhur qerpiku. “Por nëse ndodh diçka, dy ose tri herë radhazi, duhet të mbyllim teatrin dhe të kemi një teatër kukullash, të mos pretendojmë të kemi një të vërtetë”.

Aktivistët nga komuniteti LGBT sugjerojnë që teatri duhet të përgatitet për më të keqen.

“Nga përvoja jonë, do të thosha se organizatorët duhet të jenë të përgatitur për çdo gjë,” shpjegoi Blert Morina, drejtor i Qendrës për Liri dhe Barazi, CEL. “Mund të jetë ashtu si në rastin e Kosovo 2.0, do të ketë 200 njerëz që protestojnë. Ata madje mund edhe të bëhen të dhunshëm.”

Morina është veçanërisht i shqetësuar në lidhje me reagimin, pas incidentit në vitin 2012, aktivistët kishin frikë të mblidheshin. Dy ditë pas incidentit të Kosovo 2.0, u sulmuan zyret e OJQ-së Libertas, aktivistë të LGBT-së. Aktivistët duhej të punonin nga shtëpia për disa javë më pas.

Në të njëjtën kohë, Morina është optimist që shfaqja do të shtyjë çështjen e martesës së homoseksualëve, e cila nuk është prioritet për aktivistët e LGBT-së në Kosovë, të cilët kryesisht fokusohen në përmirësimin e kodit penal dhe luftën kundër dhunës në familje, si çështje kryesore.

“Njerëzit ndoshta do të reagojnë, por jo për shkak të përmbajtjes. Edhe titulli mund të jetë i mjaftueshëm, i cili aludon në 50 hijet e Greit, të cilin të gjithë e njohin”, tha Morina.

“Shumë imamë në videot e tyre [në YouTube] përdorin gjuhë të urrejtjes, jam i befasuar që ata janë të lejuar ta bëjnë këtë”, tha Morina, duke shtuar se si një shfaqje si provokim mund të “zbulojë situatën reale”.

Neziraj është më optimist. Ndryshe nga viti 2012, argumenton ai, gjuha e urrejtjes nuk është aq e hapur dhe kjo është pjesërisht për shkak të një ndryshimi në mënyrën se si raportojnë mediat mbi çështjet LGBT. Besa Luci, kryeredaktore e Kosovo 2.0, pajtohet që mediat janë më të vetëdijshme dhe kanë hyrë në një fazë tjetër.

“Tani jemi në një terren tjetër, ku mediat dhe gazetarët duhet të kuptojnë dhe të njohin LGBT-në”, tha Luci. “Ne kemi nevojë për më shumë arsim brenda mediave.”

Por, ndërsa mediat mund të jenë më të ndjeshme në raportimin e tyre, situata në terren mund të mos ketë ndryshuar shumë.

Për tri vitet e fundit, aktivistët e LGBT-së marshuan në qendër të Prishtinës për të shënuar IDAHOT, por të gjitha këto ngjarje ishin vetëm ftesë. Këtë vit, planet për të organizuar një ngjarje publike dështuan për shkak të krizës politike.

Edhe kostumografi nga Berlini, Sebastian Ellrich, i cili ka punuar me Nezirajn në shfaqjen e tij “Carla del Ponte pi Vanilla Chai Latte në Prishtinë” është i tërhequr nga rëndësia e kësaj shfaqje.

“Kjo shfaqje me të vërtetë ka rëndësi … Teatri që është bashkëkohor, shumë politik, ndaj të cilit duhet të luftohet, kështu duhet të jetë teatri”, tha ai me entuziazëm, para se të shtonte se në Europë është humbur ndjenja e luftës dhe tani është kryesisht për të bërë “gjëra të mira”.

“Të dëgjosh se ka gjithmonë policë para teatrit … kjo do të thotë diçka, madje edhe për mua”, përfundoi ai.

Ulur pranë tij, Neziraj tha me shaka, “Pasi të të vrasin ju premtoj që do ta emëroj Qendrën Multimedia në emrin tënd.”

Pa humbur kohë Ellrich u përgjigj, “Kjo do të ishte mirë. Mua më nevojitet vetëm një pllakë e vogël argjendi”.

Premiera e “55 Nuancat e Gay-t” do të shfaqet të premten më 8 shtator në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.

Repriza e parë do të jepet më 9 shtator.

08 Shtator 2017 - 11:55

Lura Limani 08/09/2017 - 11:55
NDËRVEPRIMI0