Galway, Irlandë | Foto kortezi: Jure Mocnik

Galway, Zemra e Kulturës Irlandeze

Në Galway, qytetin e Perëndimit të Irlandës, taksia u ndal përpara hotelit The Western Hotel, në kodrën Prospect. Ishte mbrëmje, dhe unë e lodhur nga rruga e gjatë. Po ngrija nga i ftohti dhe era e madhe. Isha nisur nga një klimë diku rreth 27 gradë celsius, ndërkohë që temperatura e motit atje shënonte 3 gradë. “Qyteti Galway zonjë, era e fortë e perëndimit. Mirëserdhe!” – më thotë recepsionistja.

Ngjitem në dhomë. Nëntë e mbrëmjes. Qielli gri, çatitë e vjetra, deti pas tyre, ndërtesat e firmave Marks & Spencer dhe Kkmart rrinë anash.

Hijeshia bohemiane

Mëngjesin e së nesërmes, zbres këmbë në qytetin e vjetër. Ditë e hënë, një ditë e zakonshme, por më tepër se e zakonshme për vizitorët e huaj, si unë. Rrugët e vjetra, shtëpitë e vjetra dykatëshe, kafenetë dhe birraritë dekoruar ngjyrë jeshile, janë të mbushura njerëz që ngrenë zërin dhe cakërrojnë gotat pothuajse të gjithë me një Guiness, birrën e famshme irlandeze. Nuk e pëlqej birrën, por moton e birrës ngjyrë të zezë, e pëlqeva fort “E zeza shkon me çdo gjë!”.

Turma njerëzish në rrugët e dredhura, po megjithatë atmosfera është e qetë, pos tingujve të muzikantëve ulur skaj qosheve. Një erë bohemiane, dhe dikush mund të thotë, tipike për psikën e Irlandës perëndimore: të qetë, të relaksuar dhe të gatshëm për festë. “Galway di si të argëtohet!” shënon një afishe në rrugët e gurta.

Galway, qyteti- port në bregun perëndimor të Irlandës, aty ku lumi Corrib takohet me Atlantikun, ka një qendër që i takon shekullit të 18-të, Eyre Square, një vendtakim popullor rrethuar nga dyqane dhe bare tradicionale që shpesh ofrojnë muzikë popullore irlandeze. Kafenetë e veshura me gur, dyqane dhe galeritë e artit në vijën e rrugica e modelit të lagjeve latine, mbajnë pjesët e mureve të qytetit mesjetar.

Me sy të parë ai i ngjan një qyteti modern bohemian, por nën këtë pamje rreh një zemër që nganjëherë duket thellësisht tradicionale: dyqanet e suvenirëve janë përplot simbole tradicionale; unaza Claddagh ndrit në vitrinat e bizhuterive; më pas hijeshia e katedrales së Shën Nikolasit, dëshmitare e epokës nordike, Spanish Parade nëpër të cilën Kolombo dikur kish ecur, te harqet Spanish Arch apo sheshi Eyre Square aty ku John F. Kenedy dikur kish folur. Po mbi të gjitha Galway është shtëpia e popullsisë më të madhe folëse të gaelishtes irlandeze në ishullin e Irlandës, dhe ndonëse gjithë tabelat janë dygjuhëshe, thonë, se pak kush e flet atë.

Nëpër rrugët e Galway, Irlandë | Foto kortezi: Jure Mocnik

Zemra e kulturës irlandeze

Qyteti bohemian, përtej festave e qejflinjve, njihet si zemra e kulturës irlandeze: me një jetë vibrante kulturore, skenë të hatashme letrare, nikoqire e festivaleve dhe ngjarjeve të shumta të arteve, e sidomos artit të letrave. Galway është vendi ideal për të gjithë ata që duan ta shohin anën e gjallë të kesaj kulture, më thotë një botues irlandez.

Në ditët, që qëlluan ditë të prillit me diell, autorë nga vende të ndryshme të botës, qemë mbledhur në festivalin më të madh të letërsisë në Irlandë “Cuirt International Festival of Literature”.

Dhe siç ndodh zakonisht në festivalet ndërkombëtare të letërsisë, qytetërime të shumta bëhen bashkë në mesin e një qytetërimi të vetëm, që në këtë rast, ishte më shumë se një qytetërim hijerëndë.

Dita e parë për mua nisi në një sallë të vogël teatri, dikur një kishëz e murgeshave. Seç kishte një intimitet mikpritës në atë sallë e skenë teatri, që mirëpret kureshtjen e dashururesve të letërsisë. Në Galway mund t’i gëzohesh kureshtjes fisnike dhe të hareshme intelektuale të njerëzve që interesohen për tjetrin, për atë që vjen përtej kufijve, të afërtë ose të largët.

Banorët e qytetit të kulturës duken krejtësisht të lirë nga pasiguria që ka dënuar sidomos popujt e Evropës Juglindore, asaj të Mesme apo edhe popujt që vinë nga Lindja e largët, të fiksuar pas vetes dhe identitetit të tyre, dhe në kërkim të vazhdueshëm të mbështetejes. Ata duken të lirë nga kjo nevojë, shpesh vogëlsi, ata i sheh të mbushur me një bujari të hatashme.

“Të jesh poet këtu, është gjë e mirë”

Gjuhë dhe kultura të ndryshe kalojnë nëpër sallat dhe skenat e ndryshme teatrore, derisa shkrimtarët hapin e interpretojnë letrat e tyre. Në një nga netët e veçanta të atyre takimeve, poetja afro-amerikane Natasha Trethewey, fituese e çmimeve të shumta letrare, ndër to e çmimit Pulitzer për Poezi, tha se ndryshe nga ç’ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku të qenit poet, jo rallë konsiderohet si një jetë e çuar dëm, në Irlandë, “kjo është gjë e mirë”. Publiku i ofron një duartrokijte galweiane, duke e mbështetur kështu punën e çmuar të autores amerikane.

Po ajo pritje miqësore dhe ai intimitet i sallave të vogla e të mëdha të teatrove haset në mbarë qytetin, që emrin e ka marrë nga lumi që i rrjedh në zemër “lumi i gurit”, me rrugica të qeta, me shtëpi të ulëta, katedralën romake dedikuar Zonjës në qiell, kështjellë e rëndësishme e besimit, kolegjet dhe universitetet prestigjioze; lumin e furishëm Corrib dhe kanalet e qeta pranë tij, apo pulëbardhat pranë urës së vjetër prej guri me emrin O’Brien bridge.

Galway, Irlandë | Foto kortezi: Jure Mocnik

Njerëzit më miqësorë në botë

Mbi gjithë sharmin dhe bukurinë e qytetit të vogël, Galway ofron dashurinë e madhe të njerëzve. Një raport i fundit realizuar nga “The Independent”, ka nxjerrë këtë qytet si qytetin më miqësorë në botë. Nuk e di si do të mund të ishte ndryshe për një vend në të cilin sjellja e njerëzve, butësia dhe miqësia e ofruar, di të të habis jo pak, aq sa padashje shtron pyetjen: si munden këta njerëz të jenë kaq të sjellshëm e të dashur? Çfarë i bën ata të jenë kaq të ndryshëm nga bota që njohim…

Kur pyes miqtë e mi irlandezë në tavolinën e drekës që ndajmë së bashku, ata ngren krahët, sikur të mos e besonin as vetë. “Ndoshta nuk jemi kështu si duket”, thonë njëzëri, dhe muhabetin e drekës e vazhdojnë me një sens unik humori.

Cila është zemra e Galway-t, shpirti, gëzimi dhe hidhërimi i tij: njerëzit, lumi apo kodrat, rrugët nga Gladdagh deri te Katedralja, apo nga Shantalla te Salthill, apo në qendër te rrugët e dredhura ku rrinë turistë amerikanë. “Të shumtët e tyre, thone se kthehen në tokën e të parëve, gati secili pohon sa ka gjak irlandez”, tregon ciceroni vendas. “Mbase vinë për pak stoicizëm irlandez…”

Kjo anë e botës, e thjeshtë në dukje dhe e thellë nën sipërfaqe, kudo të përcjellë me simbolet e qytetërimit të vjetër kelt, por mbizotëron tërfili trifletësh, ndërkaq në këndet, suveniret e dekoret, simbolet të urojnë me një fjali: “Qoftë fati i irlandezit gjithnjë me ty!” Good luck!