Çarls Darvini, krijues i teorisë së evolucionit. Foto: Pixabay

Fushata Anti-Darvin Nënvijëzon Ringjalljen e Konservatorëve në Serbi

Pasi biologu anglez Çarls Darvini botoi në vitin 1859 librin e tij historik, “Mbi origjinën e specieve”, shumica e njerëzve në Perëndim e pranuan teorinë e tij se të gjitha speciet e gjalla kanë evoluar me kalimin e kohës, në vend që të jenë krijuar nga një hyjni.

Ndërsa fare pak intelektualë e vënë atë në pikëpyetje sot, teoria e Darvinit është kthyer sërish në qendër të debatit në Serbi, ku më shumë se 160 intelektualë anti-ateistë përfshirë mjekë, biologë, kimistë dhe një ish-ministër të arsimit nënshkruan një peticion ku i kërkuan Ministrisë së Arsimit të Serbisë “rishikojë” hipotezat e tij dhe përdorimin e tyre në kurrikulën shkollore.

“Globalistët dhe ateistët, të cilët kanë poste me pushtet në të gjithë botën, afirmojnë teorinë e evolucionit për arsye personale dhe globaliste, si dhe financojnë mbrojtësitë e teorisë”, thuhet në peticionin e dërguar Ministrisë së Arsimit, Parlamentit, Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, SANU, dhe universiteteve shtetërore.

Lista e nënshkruesve përfshin Ljiljana Coliç, një ish-ministre e arsimit e cila u detyrua të japë dorëheqjen në 2004 pasi propozoi përjashtimin e teorisë së Darvinit nga kurrikula.

Kërkesa ka zemëruar pjesën më laike të komunitetit shkencor në Serbi.

Drejtori i Qendrës për Promovimin e Shkencës, Nemanja Djordjeviç, paralajmëroi se “pretendimet pseudo-shkencore” po përhapen më lehtësisht dhe më shpejt se kurrë dhe se mbajnë një ndikim dëmtues në fusha si shëndeti publik.

“Shtetasit që besojnë të tilla trende pseudoshkencore refuzojnë të vaksinojnë fëmijët ndërsa farmacitë shesin mjekime popullore dhe sharlatane të reklamuara në media,” u ankua Djordjeviç në një letër të hapur, quke i bërë thirrje Ministrisë së Arsimit ta rrëzojë kërkesën.

Rastislav Diniç, asistent-profesor në Fakultetin e Filozofisë në Nis i tha BIRN se peticioni nuk kishte gjasa të merrte rezultatet që kërkonin firmëtarët.

“Të gjitha institucionet shkencore kryesore kanë folur kundër tij ashtu siç duhet, nënshkruesit janë të pakët dhe të parëndësishëm dhe nuk ia vlen të shpenzohen fjalët për t’iu drejtuar këtyre argumenteve,” tha Diniç.

Akademia e Shkencave dhe Arteve ka njoftuar se nuk ndan të njëjtat pikëpamje me ato të shprehura në peticion, ndërsa Lidhja Serbe e Mjekësisë tha se nënshkruesit e peticionit “e varin shkencën ndaj bindjeve dhe ideologjisë fetare”.

Ministri aktual i Arsimit në Serbi, Mladen Sarceviç, ndërkohë tha se Ministria nuk do t’i marrë parasysh pretendimet e peticionit dhe se teoria do të vazhdojë të mësohet në shkolla.

Megjithatë, kërkesa ka marrë mbështetje në parlament nga kreu i Bordit të Arsimit, Muamer Zukorliç, një ish-klerik mysliman, i cili u tha gazetarëve se si besimtar ai donte që të dyja teoritë e krijimit, si atë nga Perëndia dhe evolucionin, të prezantoheshin në mënyrë të barabartë në kurrikulat e arsimit.

“Si besimtar nuk kam dyshim [te Zoti] dhe do të ishte qesharake të pritej që unë të besoj në diçka tjetër përveç leksioneve të besimit monoteist”, tha ai.

Megjithatë, shtoi ai, “Si kryetar i bordit, unë nuk kam të drejtë të imponoj besimin tim”. Zukorliç është ish-Myfti i Bashkësisë Islame Serbe.

Sociologu Srecko Mihailoviç tha se lëvizja kundër teorisë së Darvinit, të cilën ai e cilësoi si “mafioze”, ishte një shenjë rreziku e rritjes së ideologjisë së krahut të djathtë në Serbi.

“Ka një zgjim të Serbisë së djathtë, primitive, konservatore dhe të prapambetur”, tha Mihailoviç për BIRN.

Debati i vazhdueshëm rreth rritjes së dukshme të ndjenjave të krahut të djathtë në Serbi është nxitur gjithashtu nga një leksion i frekuentuar gjerësisht i një mbrojtësi të teorisë së krijimit nga Zoti, Miroljub Petroviç, i cili ka fituar famë për gjuhën radikale.

Përveç përkrahjes së krijimit nga Zoti, Petroviç dënon homoseksualët, mbështet marrëdhëniet familjare patriarkale dhe ka bërë thirrje për një “rilindje” të perandorisë mesjetare të Serbisë.

Diniç theksoi se ndërsa Petroviç është bërë i njohur për idetë e tij të pazakonta në lidhje me transformimin e shoqërisë serbe, vizioni i pasqyron gjithnjë e më shumë realitetin serb.

Ai beson se teoria e krijimit nga Zoti nuk mjafton për të “fituar mbi” politikën aktuale serbe, arsye përse e djathta po përpiqet të përfitojë nga çështjet e tjera si imigracioni, anti-feminizmi, homofobia, islamofobia dhe “vlerat e familjes”.

Ndër të tjera, Petroviç flet kundër edukimit dhe bën thirrje që të rinjtë të hapin biznese të tyret në vend që të studiojnë.

“A është kjo ide ndryshe nga realiteti ynë? Masat e kursimit të zbatuara nga qeveria aktuale prekin direkt dhe zhvlerësojnë arsimin publik,” tha ai.

“Në vend të shkencave dhe shkencave njerëzore, qeveria na jep arsim të dyfishtë. Ky është i njëjti mesazh si ai i Petroviç – shkolla ta shpif, gjej një punë,” paralajmëroi Diniç.