Fundi i Mbikëqyrjes Ndërkombëtare

Ju keni një kopsht të shkëlqyeshëm me trëndafila. Një çun i ri mbledh nga disa lule për çdo mbrëmje dhe ato ia dërgon zonjushës së bukur të tij. Kësisoj ju merrni një roje dhe i thoni Romeos: “Kërko nga një lule në ditë, jo më shumë, dhe roja do të ta japë atë”. E kështu edhe ndodh: një lule në ditë. Por, zonjushës së duhur çdo ditë e më pak i bën përshtypje sjellja e vetëm një trëndafili dhe kjo bën që i dashuri i saj të mos mund të gjejë prehje. Një ditë ai shkon tek kopshti, shikon me shpërfillje rojtarin dhe i prenë disa trëndafila, ndërsa rojtari zmbrapset në shtëpizën e tij. Të nesërmen rojtari ia dërgon atij një letër në të cilën i thotë: “Kishe të drejtë që more disa trëndafila, ashtu ishte marrëveshja”. Nëse pajtoheni me rojtarin, atëherë ju do ta qortoni atë për shënimin që ai ka dërguar dhe do ta shkarkoni nga puna. Nëse pajtoheni me të, kjo nënkupton se marrëveshja ka ndryshuar; por ju prapëseprapë duhet ta shkarkoni atë nga puna sepse kjo marrëveshja e re do të thotë se nuk ka nevojë më fare për rojtarin.

Natyrisht, fjalën e kam për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës: planin e Ahtisaarit, GND-në dhe ICO-në.

Në muajin gusht Kosova miratoi një ligj që haptas shkel planin e Ahtisaarit (me të anulohen disa komitete për likuidimin e NSH-ve, të cilat kërkohen shprehimisht në planin e Ahtisaarit). Tri javë më pas ICO shkroi një letër të butë në të cilën thuhej “kishit të drejtë që bëtë këtë dhe ajo që Ahtisaari thoshte lidhur me likuidimin e NSH-ve tani po zëvendësohet me këtë ligj” (Vendimi i ZNC Nr. 2011/31, lexojeni se është i publikuar në web-faqen e Gazetës Zyrtare). GND as nuk e qortoi e as nuk e shkarkoi atë.

Kësisoj, me këtë njoftim formalizohet fundi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të Kosovës: shkelja, letra e butë, indiferenca. Kjo ishte evidente, mund të thotë dikush. Por, me këtë letër gjithashtu shpallet fundi i zbatueshmërisë së domosdoshme të Planit të Ahtisaarit, sepse ai nuk u shkel vetëm nga Kosova por edhe nga ICO.

Shefi i ICO-së kishte autoritet për ta ‘interpretuar’ planin e Ahtisaarit, jo për ta anuluar apo ndryshuar atë: vetëm GND mund ta bëjë këtë. Por, gjuha fjalëmadhe e shfrytëzuar në këtë letër bën të kuptojmë se Ahtisaari «do të zëvendësohet» me një ligj të ri: ICO ka tejkaluar autorizimet e veta (zëvendësimi ka kuptim, por kjo s’ka rëndësi: ICO nuk ka guxuar të bëjë këtë.) Natyrisht, ICO e ka shkelur planin e Ahtisaarit edhe disa herë më parë, që nga viti 2008 kur tha se zgjedhjet që do duhej të mbaheshin nëntë muaj pas pavarësisë ishin mbajtur (hop!) disa muaj më parë. Por, këtë herë shkeljen e shpalli përmes një akti zyrtar dhe askush nuk reagoi apo nuk mundi të reagojë ndaj kësaj: ICO nuk kishte vepruar si pouvoir constitué por si pouvoir constituant. Apo, më mirë të themi: si pouvoir détruisant, me çka i vjen fundi planit të Ahtisaarit si dokument juridik.

ICO mbase nuk arriti të kuptojë se çfarë kishte bërë me këtë ndryshim dhe me fjalën ‘zëvendësim’: mënyra e të menduarit dhe gjuha që ajo përdor ndonjëherë nuk janë të përkryera. Por, rezultati ishte i mirë: plani i Ahtisaarit kurrë nuk ishte kuptuar në mënyrë formale, e më në fund forma dhe substanca e tij do të përputhen. Por, neni 143 e Kushtetutës së Kosovës, i cili i jep planit të Ahtisaarit fuqi ligjore dhe e vë atë mbi vetë kushtetutën, ende mbetet në fuqi. Nëse Kosova dhe miqtë e saj nuk e kanë guximin e duhur për ta fshirë këtë nen, ata do të mund ta shfrytëzonin argumentin vijues: ky nen është shprehje poetike e një aspirate dhe jo një dispozitë obligative.

Cassandra do të thoshte se ndryshimi i një sistemi përmes shkeljes së tij është një bumerang i cili do të kthehet dhe do ta godet Kosovën: «E ku mbeti respektimi i ligjit dhe i Kushtetutës? E – ajo do të shtojë – Kosovës i duhet sundimi i ligjit më shumë se vetë ajri i pastër!». Por këtu Cassandrat nuk dëgjohen. Unë do t’i kthehem prapë çështjes së ICO-së dhe Ahtisaarit pasi që t’ju tregoj se çfarë i ndodhi EULEX-it të gjorë.

Në muajin gusht, Kosova miratoi edhe ligjin për odën e posaçme të gjykatës supreme, tribunal ky që merret edhe me çështje të decentralizimit dhe i cili, sipas planit të Ahtisaarit, duhet të punojë në kolegje në të cilat gjyqtarët e EULEX-it janë gjithnjë në shumicë (dy nga tre). Ligji i ri lë vetëm nga një përfaqësues të tyre në kolegj: nëse më parë oda e posaçme ishte gjykatë e EULEX-it me disa gjyqtarë të Kosovës, tani kjo është gjykatë e Kosovës me disa gjyqtarë të EULEX-it.

Natyrisht edhe ky ligj shkel planin e Ahtisaarit, por në letrën e butë të përpiluar në këtë rast, ICO shkroi se pajtohet edhe me këtë ligj: ICO është bërë një zonjë shumë zemërgjerë.

Sigurisht, ky ishte një autorizim ekzekutiv i EULEX-it. Ky ligj, si edhe çdo ligj tjetër, u shkrua nga një jurist i SHBA-ve që jeton nga Kosovë, pasi që Kosova u bë destinacion i dashur për juristët nga SHBA-të (fusnotë: në praninë time, ky njeri një herë tha se ka shkruar më shumë se njëqind ligje për Kosovën; natyrisht ai nuk dinte gjë për shumicën prej tyre: ky Hamurabi ishte njëri nga ata që përpilonin dispozita të tipit “shkelja e ligjit do të konsiderohet joligjore”; fatkeqësisht ky ishte niveli i cilësisë që sundimtarët nga Washingtoni po dërgonin në Kosovë). EULEX-i madje as që ishte konsultuar për këtë punë: ligji u hartua, shkoi në parlament dhe u miratua: fait accompli. Si duhet të jetë ndier EULEX-i: ata posa kishin deklaruar se e respektojnë Kushtetutën e Kosovës, dhe ja se si u shpërblyen! Kalimtarët e rastit kishin ndier afër selisë së tyre britma të tipit “Si na e bënë këtë, pas të gjitha atyre që ne i kemi bërë për ta (për ligjin e zbatueshëm, Limajn, BQK-në dhe taskforcën për Martyn e rrejshëm)!” Por, zyrtarisht EULEX-i u mbajt stoikisht: asnjë fjalë për këtë punë nuk u shpëtoi prej gojës, ndërsa tani gjysma e gjyqtarëve të tyre që punonin në lëndë të privatizimit janë duke u larguar nga gjykata në mënyrë tërësisht të dinjiteteshme.

Pra, EULEX-it iu tregua mënyra se si do të dëbohen nga Kosova: përmes një ligji, ashtu siç i ka hije një shteti sovran. E nëse prokurorët e EULEX-it nesër bëhen pengesë, dhe ambasada amerikane vendos për këtë çështje, Justiniani i tyre do të sajojë një ligj tjetër dhe – voila! – do të kosovarizohet edhe PSRK.

Por, EULEX-i dhe BE nuk e njohin Kosovën. A thua si ia ka shpjeguar EULEX-i Brukselit humbjen e fuqisë ekzekutive në vend: shpresoj se ishin të sinqertë dhe nuk i kanë thënë atyre se çdo gjë në këtë sektor është shumë mirë dhe se gjykatat ekonomike të Kosovës janë shumë më superiore se sa ato penale, sepse, në fakt, e kundërta është e vërtetë (duhet thënë se Kosova do të përfitonte shumë nga ndihma e BE-së në përmirësimin e drejtësisë në sferën ekonomike, për ta përmirësuar klimën afariste dhe të investimeve dhe për t’i dhënë një shtytje rritjes ekonomike. Mund të imagjinoni një bisedë të zhvilluar në Bruksel: “Pse keni fytyra të ngrysura? Çka ju kanë bërë këtë herë?” ndërsa EULEX-i i me fytyrë të skuqur përgjigjet: “…kështu… ne nuk thth-thamë asgjë ss-sepse Kkuçi nuk na la të themi gjë dhe sepse ICO tha që çdo gjë ishte në rregull.”!! “Aaargh! Ju kam thënë njëqind herë se ju nuk duhet t’i dëgjoni ata! …Idiotë! Ju nuk jeni në gjendje as veten ta mbroni?!… Me çka e paskam merituar të kem një mision kaq pakurrizor?” Përderisa ICO nuk ka padron, EULEX-i e ka një të tillë.

Por, si qëndron puna tek ICO, e cila motu proprio  e ka dekretuar fundin e mbikëqyrjes, Ahtisaarit dhe të dobisë së vetë ICO-së si mbikëqyrës: a do të duhej pra ai të shpërbëhej?

Mbase jo, por me tri kushte.

Plani i Ahtisaarit tani ka mbetur thjeshtë një dokument interesant, ashtu siç ishte më 16 shkurt 2008 dhe si do të duhej të kishte qenë gjithmonë. Nga ai mund të merren shumë ide të mira, mund të zgjedhen lulet e preferuara, ndërsa edhe në ICO ka të punësuar shumë njerëz të mirë, të cilët Kosova i njeh mirë: ata ende mund të jenë të dobishëm nëse i shmangen qasjes fundamentaliste ndaj këtij dokumenti të cilën ata e ndjellin. Në fakt, edhe pse kam punuar atje, kohën më të madhe ICO e kishte shpenzuar duke diskutuar nëse kjo ose ajo është në pajtim me Ahtisaarin, ndërsa më pastaj mundohej të gjejë argumente inventive dhe befasuese për të dëshmuar se si çdo gjë ishte në pajtim me këtë (një përmbledhje e këtyre argumenteve mund të gjendet në Matricën e ICO-së, në këtë tërësi fiktive e cila mund të nxirret nga web-faqja e tyre). Kushti i dytë është që ai të ndalet së dëgjuari vetëm ambasadorin i cili vishet si një oligark mediokër bjellorus si taksapagues evropian unë kam vendosur se mjaft kam financuar një dépendance nga ambasada amerikane. Kushti i fundit është që ICO të heq dorë nga të gjitha autorizimet që i bartë: sepse për shkak të tyre, ICO nuk ka arritur të thotë asnjëherë diçka të dobishme, sepse shprehja kundër një gjëje perceptohej menjëherë si ndalim i të njëjtës, dhe këtë kurrë nuk ka pasur guximin ta bëjë: nëse ai shndërrohet në një organ këshillimor, ai do ta rikthejë lirinë e vet të të shprehurit dhe do të mund t’i ofronte qeverisë këshilla dhe kritika të dobishme.

Pra ICO nuk duhet të kërkojë lejen për të qëndruar nga GND, por nga këlyshi i Thaçit, i mençuri z. Kuçi, të cilit duhet se i është dhënë roli për t’i treguar komunitetit ndërkombëtar se çfarë duhet bërë. Nëse ai pajtohet, ICO do të qëndrojë (ndërsa unë do t’ua dërgojë prapë biografinë time pasi që do t’i kem shpëtuar).

Natyrisht, komunitarët do të kenë kryer një akt atëvrasës: hyjnesha e decentralizimit duhet të vdesë, ndërsa ata do të duhej që deklaratën në vijim ta trajtojnë si të vërtetë të pakontestueshme dhe si besim të tyrin të shenjtë, dhe të njëjtën ta përsërisin çdo mëngjes: “Decentralizimi është ide e shkëlqyeshme, për shkak të vlerave të nënkuptuara dhe për shkak të rëndësisë politike që ka edhe të brendshme edhe të jashtme. Por, ai nuk do të thotë se të gjitha komunat duhet të ushtrojnë kontroll mbi shkollat e mesme, shëndetësinë primare, ujësjellësin, mbeturinat, pjesën më të madhe të kadastrit, dhe atyre duhet t’ju vëhen në dispozicion buxhete disproporcionale.” Edhe ata janë njerëz të mirë dhe të kuptueshëm dhe do ta kuptojnë se zota më të fuqishëm se ata të tyre janë nënshtruar para progresit njerëzor.
                                                                       * * *