Frymëzime nga Bisedat në “Stacion Treni”

Ju e dini se gjatë tremujorit të luftës së vitit 1999, me dëshirë ose në pamundësi ta lëshojmë Gjakovën, për ne që mbetëm këtu, ditët dhe netët u bënë ferr. Ankthi që e përjetuam për mbijetesë ishte i llahtarshëm! Ata tre muaj apokaliptikë për ne ishin shekuj! Për ne, të ngujuarit në Gjakovë u bënë dy shpresa: njëra nga toka e tjetra nga qielli! Bombarduesit e NATO-s i kërcënonin formacionet militare serbe nga qielli. Nga toka, djemtë tanë të UÇK-së gjithandej majave të Çabratit herë-herë dëgjoheshin duke kënduar: “Besa besë, besën ta kam dhënë”! Nga qielli dhe toka ne, të ngujuarit në Gjakovë, motivoheshim të mbanim shpresë se do vijë ajo ditë kur do të jemi të lirë. Ajo ditë pra erdhi dhe pushtetit serb i skadoi mandati. Në fund, ëndrra jonë shekullore u kurorëzua me pavarësi. Nga ajo kohë e kujtimeve të hidhura të luftës kanë kaluar 14 vjet që për historinë janë vite foshnjërie.

Në shpirt na mbetën mbresat e hidhura për të vrarët, të masakruarit, të zhdukurit, për rrënimet! Ne, gjakovarët, nuk do ta kemi harruar katrahurën që iu shkaktua qytetit tonë! Midis harresës dhe lakmisë qëndron Rubikoni i gabimit! Nga ajo kohë e deri në ditët e sotme mandatarët e subjekteve tona politike përmes fushatave zgjedhore shpalosnin programet e tyre premtuese se çdo gjë që i përket të kaluarës së errët, do të kompenzohet me ndërtim, punësim, infrastrukturë, barazi shoqërore dhe gjitha të mirat që përkojnë me qytetarë të një shteti sovran me standarde europiane, etj.

Pra, unë si një qytetar i lirë i një shteti sovran, duke iu gëzuar kësaj lirie, me 42 vjet përvojë pune, arrita edhe të pensionohem. Për këtë edhe e gëzoj të drejtën e pensionit. Sa e si e tek, mos pyetni! Të gjithë e dini, sepse të barabartë jemi! 

Si pensionist, disi më duhet ta organizoj kohën e lirë, por pasi preokupim tjetër nuk kam, besa edhe në pamundësi të bëj përzgjedhje, kafiteria në qendër të qytetit, siç e kemi emërtuar “Stacion treni” është i vetmi vend takim ku me shokët e mi gjatë ditës me nga një makiato të 50 centëve kalojmë orë të tëra duke i shpalosur brengat tona.

Një ditë, si zakonisht me një shok, pinim makiatot tona të preferuara, por meqë ishte ditë e nxehtë, ky shoku im iu drejtua kamerierit: “Djalosh, ma sill edhe një ujë pak si më të ftohtë!”, por meqë kamerieri ishte shumë i lodhur, m’u duk ia ktheu si me tallje: “Axhë, a je i sigurt”? Edhe vazhdoi tutje.
 
Nga kjo përgjigje e kamerierit unë mbeta i befasuar.

Më vonë, kamerieri erdhi për të bërë pagesën. Unë iu drejtova: “O djalë, ujin e ftohtë që e porositi shoku im, nuk e solle?”

Prerazi ma ktheu: “E kah të shkyhem më parë, bre mixhë?”

Por meqë në Gjakovë me “mixhë” u drejtohemi vetëm burrave tejet të moshuar… “ Shiko – i thashë – djalë! Unë për ty nuk jam mixhë, edhe kam emër, e po që s’ma di! Ja ku më ke, pyet! Ose m’u drejto me edukatë, por edhe nëse je i lodhur nga puna, apo nuk ke mundësi të shkosh në pushim vjetor, në mua mos zbraz mllef dhe mos i fajëso të tjerët!”
Kamerieri si me hidhërim ma ktheu: “E ku po jeton ti bre jaran, se s’po di si me t’u drejtue me edukatë?!” “Pse – i thashë – mos gabova që pyeta?!” “Jo, jo zotëri, ti nuk gabove, por unë me kolegët as që dimë çka është pushimi vjetor, kur as pushimin e vikendit kurrë nuk e kemi shfrytëzuar!”

E unë, paksa për ta ngushëlluar, ia ktheva me butësi: “Por ndoshta në paga jua kompensojnë?”

“A bre zotëri! Për çfarë kompensimi po flet? Po ne shpesh për të njëjtën pagë edhe nga dy ndërrime i mbajmë gjatë një dite…”

Këto pra ishin premtimet e zotit kryetar aktual për këso farë vendpunimesh të premtuara për dy mandatet e kaluara, sigurisht edhe të fundit, apo?…
 
Kam edhe një shqetësim… premtim edhe këtij i thonë.

Gjakova, gati një shekull më herët, kishte një orë publike, “Sahat Kullë” e quanin. Në Çarshinë e Madhe ishte e ndërtuar.

Pleqtë thoshin:  “orë ekzakte që nuk ndalej kurrë” nga se atëbotë, dikush krejtësisht i pashkolluar, përkujdesej për të dhe se qytetarët përmes asaj “Sahat Kulle” i rregullonin orët e tyre që i posedonin. Andaj çdo gjë në qytet funksiononte sipas “Sahat Kullës” por ja që, pas Luftës së Dytë Botërore, Gjakovës i erdhi radha ta ndërtojë ambulancën e qytetit, kështu që “Sahat Kulla” u flijua për t’i bërë vend themeleve të ambulancës.

Gjakova si qytet u bë me ambulancë, por ja që mbeti pa “Sahat Kullë”.    

Tani, në mandatin e dytë të kryetarit aktual, Çarshisë së Madhe iu kthye “Sahat Kulla” me përmasa moderne, me mbi 15 metra lartësi. Trashëgimi kulturore për t’u krenuar!

Një pushtetar pjesëmarrës tenderi me ngazëllim kishte propozuar “Big Ben” Londre ta emërtonin. Imazh i vërtetë! Mburrje për Gjakovën, apo jo Kosovë?

Pra këtë kolos me dy akrepa gjigantë, me të qindat e sekondit saktësi, njëri nga paria e qytetit “bukuroshe” e kishte quajtur dhe me mburrje kishte propaganduar se ky objekt i trashëgimisë kulturore është një  mrekulli e këtij mileniumi, që do të dirigjohet nga sateliti, pra ju qytetarë gjakovarë, edhe kur jeni fjetur, “Big Ben bukuroshja” kujdestaron dhe me çekanin e saj, çdo orë ju sinjalizon.

“Sahat kullë” tenderi, me një koktej u përgëzua, por nga ai moment gjithçka u rrënua, vetëm disa ditë punoi dhe ja si për inat, në njëmbëdhjetë e tre minuta, akrepat një ditë i fiksoi.

Eksperti përgjegjës për mbarëvajtjen e punës së këtij gjiganti, për këtë dështim gjeti arsyetim: “Më falni – tha – zoti kryetar! Mua më vie keq, por ndjehem shumë komod, sepse unë nuk jam fajtor, ngase bateria e satelitit nga kjo punë ka hequr dorë.”  “Edhe mua më vie keq, por të ndjehem komod jam unë, jo ti! – ia preu kryetari – sepse ti nuk i përket subjektit tonë polititk. Pra, menjëherë ma lësho zyrën dhe nga ky moment, je i suspenduar.” Por nëse familja është në përkujdesjen tënde dhe mendon ta vazhdosh punën, kushti është të kalosh në subjektin tonë!”

Eksperti refuzoi dhe me përplasje dere, në zyrën e sekretarisë me të shpejt kaloi.   

Kryetari tej mase i frustruar nga lajmi i hidhur, urgjentisht e kishte mbledhur bordin dhe si njeri i fjalës, në mënyrë “parlamentare”, me respekt të veçantë para tyre ishte betuar: “Të nderuar kolegë! Për t’ia rikthyer edhe njëherë jetën “Sahat Kullës”, bukuroshes sonë, premtoj se menjëherë pas rezultatit të zgjedhjeve do të udhëtoj për në Bruksel dhe me shpenzimet e mia vetanake do ta bëj pagesën për baterinë e satelitit. Por me një kusht, vetëm nëse elektorati ma vazhdon mandatin e tretë.”

 “E dashtë Zoti, deri në përjetësi!” e kishte plotësuar njëri nga anëtarët e bordit.

O ho, ho ho! Fushatë premtimi për t’u lakmuar, apo?           

Kjo pra ishte ëndrra ime e para disa netësh, derisa në programin e Kohavizionit, me vëmendje përcillja debatin e fushatës së zgjedhjeve me katër kandidatët konkurrentë për kryetar të Komunës së Gjakovës, por pak para përfundimit të këtij emisioni, nga lodhja, jo edhe me dëshirën time, isha tretur në gjumë.           

E tash të nderuar gjakovarë, për katër vitet e ardhshme, nëse doni t’i shihni  akrepat e “Sahat Kullës” duke ecur përpara, ju e dini për kë të votoni?

Me fat!