Ilustrimi nga Jeta Dobranja/Trembelat për kallxo.com.

Frymë-Marrja dhe Frymë-Mbajtja në Prishtinë

Në mars të vitit 2016, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë filloi të mblidhte të dhëna për cilësinë e ajrit për herë të parë në Kosovë përmes EPA-së, Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit së ShBA-së. Dikush mund të thotë se kjo nuk është kurrfarë risie: Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka matur cilësinë e ajrit në tetë vende të ndryshme të Kosovës–përfshirë qytetet e Prishtinës, Mitrovicës, Pejës, Gjilanit, dhe Prizrenit për vite me radhë. Por, nisma e Ambasadës së ShBA-së u ka sjellë qytetarëve të Prishtinës të dhëna të sakta për cilësinë e ajrit në kohë reale. Falë EPA-s ka qenë mundësi e përcjelljes së zhvillimeve të ajrit të Prishtinës orë më orë, ditë më ditë. Në këtë tekst janë përmbledhur të dhëna që i kemi ndier, por nuk i kemi parë. Niveli i cilësisë së ajrit të Prishtinës ka ndryshuar shumë përgjatë vitit të kaluar: ishte “i Mirë” vetëm 25 për qind të kohës, kryesisht ishte “Mesatar”, por shpesh ishte edhe “i Dëmshëm për Shëndetin” dhe “i Rrezikshëm”. Por, përmirësimet e fundit të cilësisë së ajrit të Prishtinës nuk duhet t’i lëmë të na mashtrojnë: ajri që thithim në Prishtinë, në mesataren vjetore, është thjesht i keq.

Gjatë 365 ditëve të fundit, Ambasada e ShBA-së ka mbledhur dhe shpërndarë të dhëna për cilësinë e ajrit bazuar në një parametër të veçantë për mjaft përfaqësues: përqendrimi materieve grimcore më të vogla se 2.5 mikronë (një mikron është baras me një të njëmiliontën e metrit), të cilat e kryesisht kanë ndikim në sistemin e frymëmarrjes dhe atë të qarkullimit të gjakut. Këto materie grimcore e kanë prejardhjen nga burime të ndryshme të ndotjes – prej djegies së qymyrit, drurit dhe shumicës së materialeve tjera, deri te makinat motorike – dhe prandaj përbëjnë matës të mirë të cilësisë së ajrit në përgjithësi.

Një tjetër burim i rëndësishëm informatash në peizazhin e cilësisë së ajrit të Kosovës sa i përket ajrit të Prishtinës është publikuar në dhjetor nga qendra PEN, Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë, dhe ‘Science for Change Kosovo’ (Shkenca për Ndryshim në Kosovë). Studimi i publikuar nga këto OJQ në bashkëpunim me ‘Prosperity Initiative in Kosovo’ (PIKS) është përqendruar në ndotjen e ajrit të Prishtinës nga një gaz helmues i quajtur dioksid i azotit, apo NO2. Sipas këtij  studimi dioksidi i azotit është i pranishëm në Prishtinë për shkak të një “kombinimi të trafikut të dendur dhe emetimeve nga Termocentralet A dhe B”. Për më shumë, “Ndotja nga dioksidi i azotit në Prishtinë është problem i vazhdueshëm që shpesh tejkalon vlerat e BE-së dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, WHO-së.

Ilustrimi nga Jeta Dobranja/Trembelat për kallxo.com.

Kjo qëndron sidomos gjatë dimrit kur përqendrimi i dioksidit të azotit i matur nga vullnetarë në rrugët e Prishtinës i tejkaloi kufijtëe BE-së dhe WHO-së për gati tri herë. ‘Trekëndëshi’ mes stacionit të autobusëve, Hotelit Grand dhe Bregut të Diellit dukej se ishte zona më e prekur nga ndotja me dioksid të azotit në Prishtinë. Matjet nga projekti ‘Science of Change’ e kanë përparësinë e ofrimit të informatave gjeografike dhe stinore sa i përket një faktori të cilësisë, por matjet nuk janë bërë në mënyrë të vazhdueshme.

Nëse kërkoni informata të cilësisë së ajrit në kohë reale në internet, ndoshta do të ndesheni me faqen e Komunës së Prishtinës dhe do t’i gjeni matjet në gjashtë vende të ndryshme brenda qytetit. Informatat e komunës duken mjaft të hollësishme duke përfshirë shtatë parametra të cilësisë së ajrit si dhe nivelet e temperaturës dhe zhurmës. Sidoqoftë, të dhënat e publikuara nga komuna sa i përket përqendrimit të pluhurit në ajër, në mënyrë të pashpjegueshme, ishin shumë më të pakta se ato të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara gjatë kulmeve të ndotjes dimërore vitin e kaluar.

Para disa javësh në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka deklaruar se ky dallim në të dhënat për cilësinë e ajrit të ofruara nga komuna dhe ambasada e ShBA-së ka ardhur si rezultat i vendndodhjes së kësaj të fundit, duke qenë se lagja Arbëria ku është e vendosur Ambasada është me e ndikuar nga ndotja e ajrit. Ky argument është hedhur po ashtu nga Dr. Letafete Latifi, Drejtoreshë e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, HMIK, gjatë një debati për cilësinë e ajrit të organizuar nga Zyra e BE-së në Kosovë.

“Ambasada e ShBA-së gjendet në një zonë banimi që i ekspozohet më shumë ndotjes prej termocentraleve të Obiliqit dhe ku djegia e drurit dhe qymyrit përdoret zakonisht si sistem ngrohjeje nga familjet,” ka thënë ajo.

Por, matjet e Komunës së Prishtinës janë më të vogla sesa matjet shtesë nga HMIK-ja, pikat matëse të të cilave kanë një distancë prej rreth 500 metra larg. Për shembull, kur HMIK-ja regjistroi përqendrimin maksimal të mikro-grimcave në muaj më 17 nëntor, 2016, Komuna publikoi vlera të përqendrimit që ishin pesë deri në shtatë herë më të vogla, duke sugjeruar se ai ajër është “i Mirë” për t’u thithur.

HMIK-ja ka publikuar raporte mujore dhe vjetore të cilësisë së ajrit në faqen e Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit të Kosovës, AMMK-së, qysh nga shkurti i vitit 2014. Këto raporte teknike mund të tregojnë për trendet ditore apo stinore, por matjet orë më orë ende nuk janë të disponueshme dhe të dhënat ndonjëherë mungojnë. Ilir Morina, drejtor i AMMK-së, pretendon se HMIK-ja nuk mund të ofrojë të dhëna as ‘orë më orë’ e as ditore – pa pagesë – për shkak të problemeve teknike. Ai thotë se kjo do të ndryshojë së shpejti, kur “të instalohet një sistem i ri që ia mundëson HMIK-së të mbledhë matje në kohë reale… dhe t’ia dërgojë publikut.”

Derisa të ndodhë ajo, qytetarët dhe ekspertët duhet të mjaftohen me të dhënat e EPA-së (Ambasadës së Amerikës), të cilat sot vazhdojnë të jetë më të disponueshmet për paraqitjen ditore dhe vjetore të trendeve të cilësisë së ajrit në Prishtinë, përkundër vendndodhjes së matjes më të limituar të Ambasadës.

Duke i pasur parasysh të dhënat e EPA-së së ShBA-së, Prishtina i ka dy stinë të cilësisë së ajrit: stina “e frymë-marrjes” dhe stina “e frymë-mbajtjes”. Nga shkurti deri në shtator të vitit 2016, cilësia e ajrit në Prishtinë është vlerësuar ose “e Mirë” ose “Mesatare”. Ata që i përjetuan rrugët e pluhurosura të Prishtinës në verë mund të kundërshtojnë, por muajt e qershorit, korrikut dhe gushtit si duket përbënë kohën më të mirë për të marrë ajër të pastër në Prishtinë. Është me rëndësi të kujtohet se mikro-grimcat për të cilat po flasim – më të vogla se 2.5 mikronë – e kanë burimin kryesisht nga lëndët djegëse sikur druri, qymyri apo nafta e makinave, dhe jo nga shndërrimi i baltës në pluhur, gjë e cila i përgjigjet një lloji tjetër të mikro-grimcave që nuk matet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara.

Pas një vere “të Mirë” në vitit 2016, tetori solli stinën e “frymë-mbajtjes”: papritur, ajri i Prishtinës ishte “i Mirë” më pak se 10 për qind të kohës, dhe kufiri ditor i WHO-së – 25 mikrogramë për metër kub – tejkalohej thuajse dita-ditës. Dhjetori dhe janari panë matjet më të këqija të vitit. Gjatë këtyre dy muajve, përqendrimi i mikro-grimcave të matura në Ambasadën e ShBA-së i tejkaloi kufijtë e WHO-së 57 ditë nga 60 ditët e matura.

Sot, ajri i Prishtinës po përmirësohet. Smogu mbytës dhe cilësia “e Rrezikshme” e ajrit duken se i përkasin së kaluarës. Sipas Kryetarit Ahmeti, ajri është përmirësuar pas prurjes së autobusëve të rinj. Për fat të keq, kjo është vetëm një koincidencë stinore: erërat e lehta pranverore i largojnë ndotësit dhe zvogëlimi i ngrohjes kontribuojnë në cilësinë më të mirë të ajrit. Ndikimet e vërteta të 30 autobusëve të rinj të qytetit në cilësinë e ajrit janë ende të paqarta, por zvogëlimi i dukshëm i ndotjes përmes trafikut kërkon rregullimin e gjerë të trafikut rrugor.

Ilustrimi nga Jeta Dobranja/Trembelat për kallxo.com.

Deri atëherë, pasqyra vjetore e cilësisë së ajrit të Prishtinës ende nuk është mjaftueshëm “e Mirë” për të marrë frymë lirshëm – së paku jo në Arbëri. Sipas EPA-së së ShBA-ve, ajri i ka tejkaluar kufijtë ditorë të WHO-së dita-ditës gjatë javëve të fundit. Ndryshimet e mëdha mes dimrit dhe verës nuk duhet të pranohen ashtu siç duken. Përtej kulmeve habitëse të ndotjes së ajrit gjatë dimrit, është një pikë tejet e rëndësishme te të dhënat ku duhet ta përqendrojmë vëmendjen: mesatarja vjetore e cilësisë së ajrit. Kur vjen puna te grimcat më të vogla se 2.5 mikronë, ajri i thithur nga qytetarët e Prishtinës e ka tejkaluar kufirin e ËHO-së deri në tri herë në qendër të qytetit, sipas HMIK-së për vitin 2016, dhe deri në katër herë në Arbëri, sipas matjeve të Ambasadës së ShBA-së mes marsit 2016 dhe marsit 2017.

Sipas ËHO-së, këto përqendrime të larta vjetore të mikro-grimcave mund ta rrisin vdekshmërinë afatgjate deri në 15 për qind. Antigona Dervishaj nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka cituar një studim të bërë nga institucioni i saj në periudhën 2010-2012 që argumenton se ulja e ndotjes së ajrit do të shpëtonte jetë.

“Zvogëlimi i përqendrimit të materieve grimcore në ajër për 5 ug/m3 [diku 10-20% më pak sesa vlerat e sotme] do t’i shpëtonte 33 jetë në vit, dhe do ta rriste jetëgjatësinë e kosovarëve për mesatarisht tri vjet e gjysmë”, ka thënë ajo.