Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

Franca Prin me Azilkërkuesit Kosovarë

Franca është zyrtarisht shteti i vetëm që pranon azil nga kosovarët dhe në vazhdimësi ka pranuar numrin më të madh të aplikacioneve në vitet e fundit. Më 2011 ajo pranoi 720 nga 910 aplikues për azil. Por vendet tjera të BE-së nuk janë kaq miqësore ndaj aplikacioneve kosovare dhe kjo mund të bëhet pengesa kryesore për liberalizimin e vizave.

Shpresat për futje të shpejtë në zonën e qarkullimit pa viza të BE-së mund të thyhen nga dështimi i qeverisë për të ulur shkallën e azilkërkuesve në Europën Perëndimore.

NDËRLIDHUR

Numri i kosovarëve që synojnë të marrin azil në BE po bie nga viti në vit, por shifrat mbeten të larta dhe brengosëse për burokratët në Bruksel. 

Gati 10,000 kosovarë kërkonin azil më 2011 – më pak se sa 14,000 më 2009 – me shumicën prej tyre që kërkonin të ndërtonin një jetë të re në Francë, Gjermani dhe Belgjikë.

Një prej këtyre shteteve – Belgjika – është bërë aq e brengosur me rrjedhën e azilkërkuesve sa ka financuar një fushatë që përfshin video të muzikës pop dhe koncerte për të inkurajuar kosovarët që të rrinë në vendin e tyre.

Tove Ernst, zëdhënës i komisioneres për Punët e Brendshme Cecilia Malmstrom, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se Brukseli po vëzhgon nga afër kërkesat për azil nga Kosova pasi kjo do të luaj rol të madh për të vendosur nëse vendit do t’i jepet anëtarësim në listën e “bardhë të Schengenit”.

“Sikurse sugjeron udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, komisioni do të vazhdojë të monitorojë numrin e përgjithshëm të aplikacioneve për azil të qytetarëve kosovarë”, tha ajo. “Një rënie thelbësore në këtë sikurse edhe indikatorët e performancës do të përdorën si referenca sugjeruese në vlerësimet e komisionit në lidhje me ndikimet e pritshme në emigrim dhe në siguri nga liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës”.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi e kishte bërë liberalizimin e vizave një nga zotimet e tij kryesore në kampanjën zgjedhore të 2010-tës. Ai madje kishte sugjeruar në një intervistë për BBC-në përpara votimeve se vendi do të ishte “shumë afër” t’i bashkohet listës së Schengenit të Bardhë në fund të vitit 2011.

Por ky afat është treguar tejet optimist pas një serie vonesash në proces, përfshirë si rezultat i shqetësimeve mes shteteve të Europës Perëndimore rreth ndikimit të mundshëm të liberalizimit të vizave në shtetet tjera.

Pasi që liberalizuan vizat me Maqedoninë dhe Serbinë, shtetet e BE-së panë një valë migrimi ilegal duke i bërë disa ta rimendojnë tërë programin.

Më 2010, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja gjithashtu iu bashkuan listës – e kjo la Kosovën të izoluar dhe nxiti shumëkë të flet për Kosovën si një geto e ardhshme.

Por në janar të këtij viti, një “udhërrëfyes” për progresin e Kosovës drejt liberalizimit të vizave ishte dorëzuar më në fund të Prishtinë dhe Qeveria mori listën e kushteve që duhet t’i plotësojë këtë verë.

Vlora Çitaku, ministreshë për Integrime Europiane në Kosovë, thotë se Qeveria e Kosovës planifikon një kampanjë vetëdijesuese për muajin shator për të sfiduar “pengesën më të madhe” drejt liberalizimit të vizave. 

“Kjo pengesë janë azilkërkuesit”, tha ajo. “Prandaj kërkesa jonë për qytetarët e Kosovës është që të mos marrin rrugë ilegale për të shkuar në Europë sepse ata vetëm sa do të dëmtojnë shtetin e tyre dhe kështu askush nuk do të përfitojë”.

Eksodi

Kosova mbetet një prej burimeve më të mëdha të azil-kërkuesve në shtetet e industrializuara, tregojnë statistikat zyrtare.

Sipas raportit më të fundit të Kombeve të Bashkuara, publikuar në mars të këtij viti, Serbia dhe Kosova, që ende klasifikohen bashkë nga OKB, ishin radhitur si burimi i katërt më i madh në botë për azilkërkues.

Diku 21,000 njerëz kishin aplikuar nga Serbia dhe Kosova, prej të cilëve 41 për qind vinin nga Kosova, ose 8,600.

Kjo e vendosë Kosovën në vendin e 11-të në botë si burim azilkërkuesish.

Numrat – megjithatë – po bien. Sipas shifrave të BE-së për 2009, ishin 14,275 azilkërkues nga Kosova, më 2010 numri ishte 14,310 ndërsa më 2011 aplikacionet për azil në shtetet e BE-së ishin 9, 870.

Nuk është e qartë përse këto statistika ndryshojnë nga ato të ofruara nga OKB-ja, edhe pse që të dyja e vendosin Kosovën në mesin e azilkërkuesve të zakonshëm më të mëdhenj në botë.

Shifrat më të freskëta të BE-së për 2012 tregojnë se në tre muajt e parë të këtij viti rreth 1,970 kosovarë aplikuan për azil. Prej këtyre, 29 për qind në Francë, 24 për qind në Gjermani, 22 për qind në Belgjikë, 12 për qind në Suedi, 3 për qind në Luksemburg dhe 9 për qind në vende tjera.

Prej këtyre, një numër në rritje janë pranuar, 335 më 2009, 450 më 2010 dhe 920 më 2011.

Zyrtarisht, Franca është shteti i vetëm që pranon azil nga kosovarët dhe në vazhdimësi ka pranuar numrin më të madh të aplikacioneve në vitet e fundit. Më 2009, 190 nga 335 aplikues kishin marrë azil në Francë, më 2010 350 nga 450 si dhe më 2011 u pranuan 720 nga 910 aplikues.

Ambasada e Francës në Kosovë refuzoi të komentojë se përse ajo kishte një qëndrim të ndryshëm prej krejt pjesës tjetër të Europës karshi azilkërkuesve kosovarë.

Belgjika kohës së fundit ka nisur një kampanjë që synon të inkurajojë kosovarët të mos aplikojnë për azil.

Ministresha e Azilit dhe Migracionit e Belgjikës, Maggie De Block, vizitoi Kosovën në qershor për ta përcjellur mesazhin.

Ajo tha se kosovarët ishin në mesin e dhjetë azilkërkuesve kryesorë në Belgjikë.

De Block e vizitoi Kosovën si pjesë të kampanjës së shtetit të saj kundër emigrimit ilegal që përfshinte një festival muzike në Prizren dhe një këngë nga Eliza Hoxha.

foto  
Maggie De Block  

 

Ajo i tha masës në festival: “Gjendem këtu me ju sot, sepse besoj se kosovarët duhet të jenë krenarë të jetojnë në Kosovë. Krenarë të punojnë në Kosovë. Krenarë ta duan Kosovën. Mbi të gjitha, krenarë të jenë në Kosovë”.

“A e keni ditur se 625 kosovarë kërkuan azil në Belgjikë vitin e kaluar dhe u deshtë të ktheheshin në shtëpi? Disa ishin detyruar ta lënë Belgjikën sepse nuk kishin viza ose pasaporta adekuatë. Ata provuan të hynin në Belgjikë me dokumente të falsifikuara. Por kjo nuk funksionon”.

Kënga “e ardhmja jemi ne” e Eliza Hoxhës u thotë të rinjve kosovarë: “Edhe këtu jeta lulëzon, këtu ke emër, atje asgjë s’të përket, vendi yt thërret…”.

Ajo shton se “të ikësh nuk është opsion, të rrish këtu është mision” dhe u kërkon të rinjve të mos mendojnë se e tëra në këto vende është sikurse tregohet.

Qeveria duhet të bëjë më shumë

Analistët dhe politikanët opozitarë thonë se qeveria e Kosovës duhet të bëjë më shumë për krijimin e kushteve më të mira për qytetarët e saj, përpara se të harxhojnë para në rritje të vetëdijes.

foto  
Eliza Hoxha, E Ardhmja Jemi Ne  

“Nuk duhet të fajësojmë qytetarët e Kosovës që duan të ikin nga Kosova”, tha Behxhet Shala, drejtor i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. “E vetmja gjë për të cilën do të mendonte një banor i varfër është jeta më e mirë, prandaj faji është i Qeverisë që ka dështuar ta sfidojë papunësinë e lartë”.

Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, thotë: “Përderisa qeveria e Kosovës dështon të krijojë vende të reja pune dhe nuk lufton krimin e korrupsionin, azilkërkuesit nuk do të ndalen”.

Një jetë më e mirë për qytetarët e Kosovës në Kosovë është e vetmja rrugë për të ndalur kosovarët që të largohen nga vend i tyre thotë Naser Osmani, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

ETIKETA

13 Gusht 2012 - 12:22 am

Besiana Xharra dhe Lawrence Marzouk 13/08/2012 - 12:22 am
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0