Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

Fotokopjimi Pengon Profesorët të Botojnë Libra

Pirateria vazhdon të lulëzojë në Kosovë nëpërmjet video shop-eve dhe lokaleve të fotokopjimit, pavarësisht se ligji për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta ka hyrë në fuqi që një vit e gjysmë. Ministria e Kulturës gjatë qershorit ka nisur një fushatë vetëdijësimi, para se të fillojë veprimet kundër kësaj dukurie, në bashkëpunim me institucionet tjera. Profesorët universitarë ankohen se fotokopjimi po i lë pa shkruar libra, ndërsa studentët nuk kanë para për të blerë librat e tyre origjinalë.

Profesorët universitarë në Kosovë të cilët botojnë libra ndjehen të dëmtuar nga shitja e paautorizuar e librave të tyre në lokalet e shumta të fotokopjimit të cilat u hapën në masë të madhe pas luftës. 

NDËRLIDHUR

Ky fenomen i ka dekurajuar ata në shkrimin e librave të tjerë që kërkojnë vite përkushtimi.

Iset Morina i cili ligjëron lëndën e Procedurës civile në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës ka të botuar katër libra.

“Më shumë më janë shitur librat gjatë okupimit, sesa pas luftës” tregon Morina.

Ai thotë që kjo pirateri i ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme. Për çdo vit, rreth 600 kopje të librit për të cilin thotë se ka punuar 6 vjet, janë fotokopjuar. 

Morina ka 25 vjet përvojë pune dhe thotë që edhe pse numri i studentëve është shumëfishuar pas luftës, librat shiten më pak për shkak të fotokopjimit të paautorizuar.

Mirëpo nga 15 gushti secili person fizik apo juridik pritet të gjobitet ose dënohet me burg deri në tetë vjet në rast se shkel të drejtat autoriale.

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Kulturës e cila ka krijuar Task Forcën për luftimin e piraterisë. 

Task Forca më 15 qershor ka filluar fushatën informuese  me moton “stop piraterisë” e cila do të zgjasë deri më 15 gusht të këtij viti. 

Studentët nuk kanë para e librat kushtojnë shtrenjtë

Artin Ahmeti nga libraria “Artini” thotë se fushata kundër piraterisë është një lajm shumë i mirë për ta dhe për autorët që botojnë libra në Kosovë.

Por ai dyshon se shteti e ka marrë këtë çështje seriozisht. “Kemi pasur premtime edhe më herët, por nuk janë realizuar”. 

Të premten në librarinë “Artini” blenin libra vetëm tre persona, ndërsa në fotokopjen “Extreme” e cila ndodhet përballë Akademisë së Arteve prisnin më shumë se njëzet veta për fotokopjim. 

Një libër universitar në librari kushton mesatarisht dhjetë deri në pesëmbëdhjetë euro, ndërsa në fotokopje mund të fotokopjohet nga dy deri në pesë euro. 

“Faji i studentëve nuk është, sepse nuk kanë para dhe librat janë më shtrenjtë. thotë Ahmeti. “Mirëpo as faji ynë nuk është, sepse taksa është e lartë — ne ende paguajmë 16 për qind taksë për importim të librit nga Shqipëria”.

Sipas profesorit Morina pirateria ndikon edhe në mungesën e literaturës. “Profesorët janë të dekurajuar të ulen dhe të shkruajnë, sepse [librat] po e abuzohen nga tjetërkush”, thotë ai. 

Për studentët librat kushtojnë shtrenjë.

Lirim Bekteshi (21) i cili studion në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinë fotokopjet janë dy apo tre here më të lira. “Nuk ke llogari të blesh libra të cilat kushtojnë 10 deri në 15 euro ku vetëm për një vit duhet të blejmë dhjetë libra”. 

Për Blerina Ibishin (23) e cila është duke magjistruar në fushën e ekonomisë në UP studentët nuk kanë bibloketa të denja në shtëpitë e tyre.

“Ndoshta po të mos kishte fotokopje do të mësoheshim të blinim libra origjinalë, sepse ma merr mendja se të gjithë blejnë fotokopje sepse jemi mësuar”. 

“Fushata ka nisur me njoftimin drejtuar të gjithë personave, fizikë dhe juridikë, të cilët bëjnë prodhimin, shpërndarjen, shitjen fizike të materialeve, ose vendosjen në internet… se obligohen që të pajisen me kontrata ose autorizime përkatëse nga mbajtësit e të drejtave” thuhet në komunikatën e dërguar nga MKRS-ja dy javë më parë. 

Sipas komunikatës “nga ta kërkohet që të sigurojnë që produktet e vëna në qarkullim,  të mos jenë produkte pirate ose të shkelin të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta”.

Task Forca kundër falsifikimit dhe piraterisë në fushën e të drejtës së autorit përbëhet nga përfaqësues të Ministrisësë Kulturës, Inspektoratit të Tregut, Zyrës për Pronësi Industriale në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë; Doganës së Kosovës,  Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Ilustrimi: Dardan Sinani

“Do të shoh a ka punë për të gjithë punëtorët”

Meriton Makolli pronari i kompanisë Ricon, e cila merret kryesisht me fotokopjimin e librave ka dëgjuar për fushatën e MKRS-së por ende nuk i ka të qarta detajet. 

Unë do të bashkëpunoj me Task Forcën dhe nëse ka ndonjë material me autorë të huaj, i heqim krejt, tha Makolli. 

Ai thotë se “librat e juridikut nuk i shumëzojmë nëpër lokalet tona”. 

Ricon ka katër lokale në Prishtinë dhe të punësuar rreth 15 punëtorë. Ai ngreh dyshim që fillimi i zbatimit të ligjit mund të ndikojë në biznesin e tij.

“Do të shoh a ka punë për të gjithë punëtorët. Normal unë marr punëtorë sa kam mundësi me i pagu dhe sa kam kërkesa”, thotë Makolli. 

Përmes fushatës informuese Task Forca informon qytetarët se nëse bëjnë shkelje të të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafëerta ndaj tyre do të merren masa administrative dhe penale.

Gjykatësit janë ata të cilët do të përballen me shkeljet e ligjit nga ana e prodhuesve të paautorizuar të materialeve dhe shpërndarësve të këtyre materialeve. 

Mirëpo Kosova nuk ka gjykatës të profilizuar në të drejtat e autorit.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi thotë se “jemi të gatshëm të trajtojmë rastet e tilla, edhe pse nuk kemi gjykatës të profilizuar”.

Ibrahimi thotë se është vështirë të ndalet kjo dukuri, sepse sidomos fotokopjet tanimë i kanë të ruajtur librat të cilët i fotokopjojnë.

Duhet të mendohet nga ana e shitësit të librave se a është i përballueshëm për gjepin e studentit çmimi i një libri siç është tani” tha ai. 

Sipas profesorit Morina, vjedhja e punës, mundit dhe dijes së tjetërkujt shkakton dëme të shumëfishta. “Luftim i piraterisë do t’i stimulojë profesorët që t’i kthehen punës shkencore”. 

Valon Kashtanjeva, i cili është drejtor i Zyrës për të Drejtën e Autorit në Ministrinë e Kulturës, dhe kryesues i Task Forcës thotë se pikat e shitjes së materialeve të paautorizuara janë të identifikuara dhe do të identifikohen edhe gjatë inspektimeve. 

“Ne kemi bërë njoftim në të gjitha mjetet e informimit dhe një video reklamë e cila do të transmetohet në RTK” tha Kashtanjeva. “Do të shpërndahen materiale informuese, broshura, lidhur me të drejtën e autorit, piraterinë…”.

Zbatimi i ligjit për të drejtat e autorit pritet të mbyllë video shop-et të cilat ofrojnë në treg filma pa autorizimin e produksioneve filmike.

Foto: World War Z Facebook

Filmi me Brad Pitt-in shikohet në Kosovë, para se të shfaqet në kinematë europiane

World War Z, filmi më i ri i aktorit Brad Pitt i lansuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 21 qershor e cili ende nuk është shpërndarë në të gjitha kinematë e Europës, tashmë gjendet në tregun e Kosovës.

Filmi flet për Garry Lane, një i punësuar i Kombeve të Bashkuara, i cili mundohet të ndalojë përhapjen e epidemisë së Zombive.

World War Z do të shfaqet për herë të parë në Belgjikë, Francë e Zvicër më 3 korrik 2013. 

Arben Bytyqi, pronar i Video Shop “Beni” që gjendet te “Tre Kapelat” thotë se do të bashkëpunojë me ministrinë dhe do të largojë të gjitha DVD-të pirate. 

“Çfarëdo që vlen për të gjithë të tjerët, vlen edhe për mua”, thotë ai. Madje ai thotë se është i lumtur për këtë ligj. 

“Na konvenon edhe neve me origjinal, sepse kështu siç janë, çmimi i DVD-ve është shumë i ulët”, thotë Bytyqi. 

ETIKETA

01 Korrik 2013 - 00:00

Donjeta Demolli 01/07/2013 - 00:00
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0

Fotokopjimi Pengon Profesorët të Botojnë Libra

by Gazeta JNK
NA NDIQNI