Ilustrim | Foto: Atdhe Mulla

Fotografia e Prishtinës

Në Prishtinë mjafton një shëtitje e shkurtër për të hyrë e për të dalë nga zemra e saj, e për të ecur në kohë dhe në kultura të ndryshme. Fotografia e Prishtinës nuk është e madhe dhe veçantitë janë të rralla në të, ndaj nëse një tjetri duhet t’ia prezantosh këtë fotografi, mund të jetë detyrë e vështirë.

Një detyrë kësisoj pata pak ditë më parë, duke qenë pjesë e projektit zviceran të grupit artistik “Bern ist Uberall”. Grupi i njohur ka vendosur që një shumë të të hollave të fituara nga një çmim nacional ta shpenzojë duke realizuar një projekt të përbashkët të artit performues me disa artistë kosovarë, me të njëjtën simbolikë: “Kosovë është Gjithkund”.

Mes kohëve të shkuara dhe kohës moderne

Thonë se një qytet mund të zbulohet nëpërmjet pasqyrimit të reve mbi të, nëpërmjet cilësisë së dritës, mënyrës se si muzgu bie dhe drita del. Po në Prishtinë, gjithçka varet nga koha dhe rruga-  në ç’kohë të ditës dhe nga cila rrugë hyn në qytet.

Në mes të kulturës, historisë e gjeografisë, në mes atmosferës së ramazanit në Prishtinë, qytetit gjysmë të zbrazët dhe thirrjes së ezanit, mes këmbanës së kishës katolike dhe kryqit të larë në ar të kishës ortodokse, t’i prezantosh tjetrit fytyrën e Kosovës, mund të jetë e vështirë.

Ta zbresësh një të huaj në zemrën e kryeqendrës kosovare, mysafiri edhe mund të besojë se ky qytet nuk është i ndryshëm nga kryeqendrat evropiane. Por magjia i hiqet vetëm pak metra më tutje. Mashtrimi nuk është i vogël. Është i tillë, sepse Prishtina s’është vetëm rruga ose sheshi “Nënë Tereza” e as platoja para Hotel Grandit, apo një tjetër përballë Kuvendit apo qeverisë. Prishtina është edhe përtej. Prishtinë janë edhe qindra rrugica që kanë mbetur nën hije e pa diell; Qindra lagje që kanë mbetur me kalldrëm e me ujëra të zeza, ose me puse të ujërave të bardha. Prishtina është përtej asaj që të shohin sytë në sheshin e ri.

Prishtina është edhe qyteti që në zemër ka një kampus universitar, që brenda vetes ka një kishë të papërfunduar ortodokse, e cila për banorët shenjon regjimin e kohës së Millosheviqit. Pak metra larg saj rri katedralja katolike, e ngritur shumë vonë mbi themelet e një shkolle, ndër më të vjetrat të qytetit, kjo për t’i treguar Perëndimit se ç‘tolerancë të madhe fetare kemi. Dhe vërtet, të huajt pyesin, si është e mundur që në një vend mysliman, ka në qendër një katedrale dhe jo një xhami? Por ata nuk e dinë se është bërë luftë me thonj për të ngritur mes këtyre dy tempujve, tempullin e madh të myslimanëve, të cilët në vend përbëjnë më shumë se 90 për qind të popullatës. Nëse ka një objekt të kultit ortodoks dhe të atij katolik në zemër të kryeqytetit, si mund të mos ketë vend për një xhami që u rri përballë? Edhe në këtë pyetje të mysafirëve, përgjigja mbetet peng. Ndoshta sepse edhe në “çështjet” fetare kemi pasur pak fat.

Lumturia

Por në Prishtinë, shëtitja pranë ndërtesave që kanë mbetur si dinosaurë të komunizmit dhe mbindërtimet e pasluftës mund të të falin një fytyrë e një shpirt gati-gati të panjohur. Miqtë zviceranë pyesin: Si është e mundur që duke pasur një përqindje kaq të madhe të papunësisë – njerëzit të duken kaq të lumtur. Të gjithë duken të lumtur! Dhe vërtet, në Prishtinë duket sikur lumturia është kristalizuar në fytyrat e njerëzve.

Duke iu afruar një ndërtese gjigante siç ështëpPallati i rinisë, përpara rri portreti i Adem Jasharit, në ballë të ndërtesës, si dhe portrete të politikanëve që ishin në garë për zgjedhjet e 11 qershorit. Përballë tyre rri memoriali i heroinave, i lënë si nën hije të pemëve – memorial që përkujton përdhunimin e femrës kosovare në luftën e fundit. Megjithëse pa përkujdesje dhe mbushur mbeturina përreth, ky monument dikur sikur lëshon një britmë të përvajshme, britmën e gruas së shkelur nga dhuna e vetëmohimi më pas.

Brenda pallatit të rinisë, që akoma taksistëve u themi me emrin e vjetër të kohës “Boro e Ramiz”, duket sikur koha është ngrirë. Në trup të tij, është lehtë ta bartësh veten në kohërat e ish-jugosllavëve. Gjithçka ka mbetur siç ish dikur. Dhe sikur dora e njeriut s’ka ekzistuar më meqë ka harruar t’i japë pak ngjyrë kësaj godine. Vetëm brenda Sallës së Kuqe, ku po mbahej një koncert i muzikës klasike me fëmijët dhe balerinat e vogla që bëheshin gati për në skenë, të kujtojnë se koha megjithatë ka ecur para.

Shumëçka duket paradoksale në kryeqytetin e Kosovës. Por në mesin e këtyre paradokseve, të huajt, fascionohen me buzëqeshjen, butësinë e miqësinë mes njerëzve. A është kjo një vlerë e fuqishme të cilën shqiptarët në tërësi, e kosovarët këndej, akoma e ruajnë me fanatizëm? Nga sytë e huaj duket sikur komuniteti shqiptar është i lidhur ngushtë e me shenja të forta solidariteti mes vete dhe “kjo është për t’u adhuruar”, thonë ata. Kosovarët duken të dashuruar fort me jetën dhe shpresën për ditë më të mira…të dashuruar me lirinë dhe të ardhmen e imagjinuar. Po dreqi ta marrtë, a nuk e kemi pritur kaq gjatë?

Nuk kemi pasur shumë fat me vendin që për Europën Perëndimore, vazhdon të jetë sot vetëm Europa ‘tjetër’, po me gjasë kemi ruajtur shumë nga vlerat e jetesës në bashkësi, pavarësisht betejave e kohërave. Dhe kjo poezi është shenjë e qytetërimit të njeriut shqiptar.