Presidenti Thaçi ia dorëzon kryeparlamentarit veseli propozimin për FSK-në. Foto: Kuvendi i Kosovës.

‘Forca’ e PDK-së

Në fillim ishte dukur sikur LDK bëri një hap të guximshëm kur mori drejtimin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, në ditët kur kjo parti bashkë me PDK-në po ndanin kulaçin qeveritar, në ditët e ftohta të dhjetorit 2014.

Por fotografia e sotme ku Presidenti Thaçi ia dorëzon kryeparlamentarit Veseli dokumentin me propozime për ndryshimin e ligjit të FSK-së, po e nxjerr veprimin e LDK-së si tërësisht të gabuar e të pamatur.

E njohur si parti që mbante mbi supe “rezistencën paqësore” në vitet 1990, LDK e pati të vështirë që në vitet e pasluftës t’i përshtatej ritmit të jetës nën vrazhdësinë politike të imponuar nga drejtuesit e UÇK-së, të veshur në frakun e politikanëve.

Edhe më vështirë po del që LDK ta bindë veten që tani, 17 vjet pas atyre ditëve të ftohta të raporteve të tyre me guerilët, ka dorë në fatin e mëtejmë të forcës që synon të bëhet ushtri duke iu shmangur disa rregullave kushtetuese të cilat po dalin të jenë shumë më të vështira se që ishin imagjinuar nga hartuesit dhe miratuesit e Kushtetutës.

Presidenti i Kosovës (ish kryetari i PDK-së), Hashim Thaçi, ia dorëzoi sot kryetarit të Kuvendit (kryetarit aktual të PDK-së), Kadri Veselit, propozimet me të cilat përmes një rruge të shkurtër synon t’ia ndërrojë statusin Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në pamundësi për ta bindur Listën Serbe t’i japë votat për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur, Thaçi ka vendosur që punës t’i shkojë deri në gjysmë, deri aty ku duket se nuk ka mundësi për të shkuar më tutje.

Të martën paradite, Thaçi kaloi nga zyra e tij deri te zyra e Veselit që gjenden në ndërtesën e njëjtë për t’ia dorëzuar një kërkesë dy-fletëshe për të ardhmen e FSK-së. Ideja është që FSK të vazhdojë me emër të njëjtë, por t’i rriten disa kompetenca për t’i ngjarë më shumë një ushtrie.

Por fotografisë së re të nisjes së bërjes së ushtrisë do t’i mungojë përjetësisht kryeministri i vendit Isa Mustafa (kryetar i LDK-së) dhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (që gjithashtu është kuadër i LDK-së).

Nëse deputetët e votojnë propozimin e Thaçit, atëherë ministrisë së drejtuar nga Haki Demolli do t’i binte barra e jetësimit të këtij ligji në praktikë, kryeministrit (kryetarit të LDK-së), Isa Mustafa do të duhej ta menaxhonte procesin e transformimit ndërsa një ministri tjetër e drejtuar nga LDK- Ministria e Financave e Avdullah Hotit-  do të duhej të kujdesej që t’i gjente paratë që forca e re të pajisej me armatim dhe pajisje tjera që e bëjnë atë Forcë të Armatosur.

“Kushtetuta moderne e Kosovës, mua si Komandant Suprem i Forcave të Sigurisë së Kosovës më jep kompetenca të mjaftueshme për të ndërmarrë iniciativën për të ndryshuar ligjin e FSK-së”, tha Thaçi më 5 mars në një parakalim të FSK-së brenda rrethojave të kazermës së saj.

Si shumëçka në karrierën e tij politike, edhe fatin e krijimit të ushtrisë, Thaçi po synon t’ia kreditojë vetes. Njëjtë sikur bëri me trenin e mbushur me simbole e mbishkrime nacionaliste serbe që në janar të këtij viti u nis nga Beogradi drejt Mitrovicës së Veriut, por u ndal në Rashkë.

Ndërsa dështimin të tjerëve.

Presidenti Thaçi mund të arsyetohet ashtu si po arsyetohet vazhdimisht: se e ka kryer pjesën e punës së vet kur në vitin 2014, si kryeministër i Kosovës kishte provuar transformimin e FSK-së përmes ndryshimeve kushtetuese.

Ai thotë vazhdimisht që për këtë kishte marrë edhe pëlqimin e deputetëve të pakicave, me një çmim goxha të lirë- vazhdimin edhe për një mandat të ulëseve të tyre të rezervuara brenda Kuvendit të Kosovës.

Një kthim prapa në kujtesën e asaj kohe e bën me faj LDK-në dhe Vetëvendosjen, që të dyja atëbotë në opozitë- të cilat këmbëngulnin që komuniteteve joshqiptare t’u hiqej privilegji që kishin për të marrë numër të madh deputetësh me një grusht votash.

Por ai e ka më të vështirë t’i ikë dështimit në rastin e mos-anëtarësimit në UNESCO, sado që kur është në studiot e preferuara televizive të tij, mundohet këtë faj t’ia hedhë lotsjellësit të hedhur nga opozita në sallën e Kuvendit dhe molotovit jashtë tij.

Kërkesa e Thaçit për këtë lloj ndryshimi në ligj e bën FSK-në të vazhdojë të punojë edhe më tej me ndjenjën e përkohëshmërisë.

E në fakt, përkohshmëria po e ndjek këtë forcë që nga viti 1999.

Shuarja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në atë kohë i kishte hapur udhë krijimit të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës (TMK), një forcë e cila sado që bartte armë dhe bënte nderime në stilin ushtarak, kishte detyra kryesisht të emergjencave humanitare në shuarje të zjarreve dhe operacione kërkim- shpëtimi.

Koincidencë apo jo, nënshkrimi i Thaçit gjendet në dokumentin i cili e shpërbën UÇK-së dhe e themelon TMK-në.

Ndjenja e përkohshmërisë e shoqëroi gjatë tërë funksionimit të saj edhe trupën aktuale, Forcën e Sigurisë së Kosovës të themeluar pas shpalljes së pavarësisë.

Kur i pati dështuar ideja e transformimit të FSK-së maj të vitit 2014, Thaçi kishte thënë që një Kuvend që nuk arrin ta formojë ushtrinë nuk e meriton të ekzistojë.

Të nesërmen e kësaj deklarate, u shpërnda Kuvendi dhe u thirrën zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Duke dështuar ta formojë ushtrinë si Kryeministër, Thaçi po provon ta çajë rrugën e njëjtë nga një pozitë tjetër dhe me mjete tjera.

Por, tani Hashim Thaçit një pyetje tjetër i vjen përballë: A e meriton një President, si Komandant Suprem i Forcave të Sigurisë, të qëndrojë në detyrë nëse dështon ta formojë Ushtrinë për të cilën u fotografua aq shumë?