Fle Jashtë në Mbrojtje të Pronës së Pretenduar (TV)

Mustafë Zejnullahu nga Ferizaj që nga 21 qershori është duke fjetur jashtë, me pretendimin e mbrojtjes së pronës që ai mendon se është e tij.

Gjykata Themelore në Ferizaj me datën 21 qershor ka dalë në terren dhe ka liruar shtëpinë-barrakë, e cila ka qenë objekt i ekzekutimit me kërkesë të Komunës së Ferizajt, e cila ka akuzuar Zejnullahun dhe kompaninë e tij të tekstilit NT “Moda”, se në mënyrë të paligjshme ka ushtruar pushtetin faktik në këtë pronë.

Të njëjtën ditë me urdhër të gjykatës është bërë edhe shembja e objektit në fjalë.

Në këtë vend që njihet me emrin Saraishtë është paraparë ndërtimi i objektit të ri të Prokurorisë Themelore të Ferizajt.

Por Musfatë Zejnullahu thotë se në këtë barrakë ka jetuar që nga viti 1977 dhe se këtë vend e ka blerë në atë kohë.

“Vendimi i Gjykatës është i falsifikuar dhe mua në këtë rast më janë shkelur të drejtat”, thotë Zejnullahu, i cili pretendon se ka dokumentacion që e vërteton pronësinë e tij, ndonëse këtë domunetacion që e prezanton në fletën poseduese të vitit 2001 citohet vetëm shfrytëzues.

Gjykata në anën tjetër është e habitur me reagimin e Zejnullahut.

Gjyqtari i lëndës përmbaruese Faton Ajvazi thotë se lirimi i paluajtshmërive në fjalë është bërë me vullnetin e plotë të Mustafë Zejnullahut dhe pa kurrfarë kundërshtimi ndaj Gjykatës dhe organeve të tjera shtetërore.

Vesel Zhinipotoku Drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Ferizajt për Gazetën Jeta në Kosovë thotë se vendimi i Gjykatës është i formës së prerë dhe se është konstatuar se ajo është pronë e Komunës.

“Nga aspekti humanitar ne si komunë e kemi paraparë që t’i mbulojmë shpenzimet e banimit për një periudhë kohore, si dhe i kemi ndihmuar me pako ushqimore, jo se kemi qenë të obliguar, por i lartpërmenduri ka edhe fëmijë”, thotë Zhinipotoku.

 Edhe Mustafë Zejnullahu e ka pranuar se komuna është duke ia paguar qiranë në banesën e përkohshme, ku familja e tij është vendosur.