Të drejtat e kësaj fotoje janë ekskluzive të Gazeta Jeta në Kosovë. Ndalohet ripërdorimi apo rishpërndarja në çfarëdo forme.

Fituesit dhe Humbësit e Merkatos Politike Kosovare

Periudhat qershor-gusht dhe janar-shkurt, janë muajt kur FIFA dhe UEFA, ua lejojnë ekipeve të futbollit të humbin e të fitojnë jashtë fushës së blertë. Ato blejnë e shesin futbollistë.

Kalime të pabesueshme, të menjëhershme, e që besa, me raste edhe të pafalshme ndodhin gjatë këtyre dy periudhave, që në sport njihet gjerësisht me termin “merkato”, çka është huazim nga italishtja që do të thotë “treg”.

Dikush kalon nga një ekip i vogël te një i madh, dikush nga një rival te tjetri, e këto të dytat gjithmonë krijojnë një spektakël më të madh mediatik.

Në Kosovë gjindja nuk janë mësuar me merkato të tilla kalimtare, për shkak të nivelit ku qëndron sporti vendor. Por, kjo nuk do të thotë që në këtë vend nuk është parë ndonjë lloj i merkatos.

Qytetarët kanë qenë dëshmitarë të merkatos së partive politike në vend, të politikanëve që kanë lëvizur nga një parti opozitare në tjetrën, nga shoqëria civile në parti politike apo edhe nga një pol në tjetrin.

Partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë një “Manchester City” – ekip që shpenzon shumë në blerjen e lojtarëve – në merkaton e aderimeve politike, ndonëse investimet e saj me gjasa nuk kanë qenë në euro por në kapital elektoral.

Kush e ka besuar, për shembull, se deputetja më e zëshme e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj Bujupi, një prej bashkëpunëtoreve më të mira të liderit të kësaj partie, Ramush Haradinaj, do ta ‘tradhtonte’ atë për të vazhduar karrierën politike me Ymerin, Kurtin e Molliqajn. Por ajo e bëri.

Vlen të kujtohet thënia përmbyllëse e fjalimit të Kadaj Bujupi gjatë zyrtarizmit të saj në radhët Vetëvendosjes.

“Po të më jepej mundësia të zgjedhja në mes të paqes dhe drejtësisë, do të zgjedhja drejtësinë. Të dashur miq, në rrethanat e krijuara, unë u përcaktova për drejtësinë dhe mu për këtë sot jam këtu në mesin tuaj”.

Pra si duket, ajo nuk e kishe kapërdirë dot vendimin e ish-partisë së saj, për të mos hedhur gaz lotsjellës në Kuvend apo për bojkotim të njëanshëm të Kuvendit. Sipas Vetëvendosjes, AAK dhe Nisma kishin këmbëngulur të mënyrë të njëanshme që të mos vazhdonin me ‘kalljen tradicionale’.

Divorce dhe martesa elektorale

Në një prononcim për Gazetën Jeta në Kosovë, Kadaj Bujupi ka treguar shkurtimisht arsyet kryesore që e mundësuan një nga kalimet më dramatike të aderimeve të kohëve të fundit, duke theksuar qëndrueshmërinë e kauzës së Vetëvendosjes.

“Besoj që Vetëvendosje është i vetmi subjekt në Kosovë që ka ruajtur konsistencën e qëndrimeve të saj, dhe vendosmëria e sinqeriteti i Vetëvendosjes e kanë shndërruar këtë subjekt në një konstante të ndryshimit në Kosovë dhe se e ka bërë të natyrshme që rreth saj të mblidhen të gjithë ata që e duan këtë ndryshim”, tha ajo.

Madje, ish-partiakët e deputetes e kanë cilësuar atë si “Kali i Trojës në AAK”.

Deputetja Time Kadriaj ia kishte kushtuar një status në Facebook pak ditë pasi Kadaj Bujupi kaloji në VV, duke sjellë në kujtim momente nga Iliada dhe Odiesue i Homerit, kur Odiseu e krijon atë kalin e rrejshëm, si të vetmen mënyrë për ta çarë mbrojtjen para kështjellës trojane.

Trinomi i partive VV-AAK-NISMA patën një bashkëjetesë të trazuar gati mbi shtatë-mujore për t’u ndarë përfundimisht pas vendimit për ta anuluar një protestë të përbashkët të opozitës më 26 mars.

Për ironi, po ato ditë të marsit, Vetëvendosje kishte lidhur koalicion me AAK-në në komunën e Prishtinës, ku edhe ia kishte besuar një drejtori.

http://kallxo.com/shpend-ahmeti-riformatizon-qeverine-komunale/

Përveç Kadajt Bujupit, Vetëvendosje goditi opinionin publik edhe me përfshirjen e ish-gazetarit Dukagjin Gorani, në formacionin e saj.

Gorani dikur ka qenë këshilltar i Kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi, një prej kundërshtarëve më të mëdhenj politikë të Vetëvendosjes.

Por merkato e Vetëvendosjes nuk shënon vetëm hyrje të reja. Në anën tjetër, partisë opozitare i iku edhe njëri nga deputetët më të votuar nga radhët e saj.

Ilir Deda me gati mbi 13 mijë vota në zgjedhjet e 2014, la Vetëvendosjes për të filluar ndërtimin e një subjekti të ri politik në vend.

Megjithatë largimi i tij, nuk ka qenë krejt befasues për shkak të qëndrimeve të këtij të fundit karshi partisë së tij gjatë kohës së “rezistencës”.

Madje atij iu kishte organizuar një ndarje interesante me spektakël mediak, kur në një konferencë për media para dy muajsh, palët u ndanë në një formë sa demokratike aq edhe humoristike para syve të gazetarëve.

Edhe pse Deda ende nuk e ka regjistruar zyrtarisht partinë, ai ka arritur të marrë në ekipin e tij shumë njerëz, përfshi këtu edhe Kryetaren e Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, e cila ka qenë edhe nënkryetare e AKR-së së Behgjet Pacollit.

Megjithatë befasia e këtij “afati kalimtar” ishte krejt tjetërkush.

Infografikë e disa prej kalimeve më të zëshme në merkaton e politikës kosovare | Foto: Jeta në Kosovë
Infografikë e disa prej kalimeve më të zëshme në merkaton e politikës kosovare | Foto: Jeta në Kosovë

‘Me shumicë’ në gjirin e PDK-së

Ajnishahe Halimi, dikur opozita e vetme e kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, e cila së bashku me të pakënaqurit e Vetëvendosjes, të cilët për një kohë të gjatë e kishin quajtur veten “Fraksion+”, janë padyshim kalimi ma befasues në këtë merkato, duke iu bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në maj, e cila para pak kohe ishte bërë me kryetar të ri.

Vetë emri “Fraksion” ka qenë interesant që në fillim, duke qenë se në terma shoqërorë nënkupton një grupim përçarës brenda një komuniteti më të madh.

Mirëpo për Vetëvendosjen ky kalim nuk ka çuar peshë sepse ata kanë qenë të përjashtuar nga partia dhe arsyeja kryesore për këtë ka qenë se këta ish-anëtarë kanë ndjekur interesin personal dhe jo atë shoqëror, thuhet në përgjigjen e VV për Gazetën JNK.

“Ata mund të flasin gjithë ditën e gjithë natën, nuk më intereson”, ishte kundërpërgjigja e Halimit ndaj deklaratave të VV-së.

E pyetur për qëndrimet e saja të dikurshme karshi PDK-së, ajo thotë se profili i saj është ai që ka qenë gjithmonë por nuk pranon të bëjë kalkulime të deklaratave të atëhershme për PDK-në.

Megjithatë, Halimi nuk e përjashton mundësinë që të jetë një opozitë brenda PDK-së me qëllim të riformatizimit të partisë.

Vetëvendosje nuk u ndal, por vazhdoi të vjelë tek partitë e tjera, duke e ‘dëmtuar’ në masë të madhe Nismën, ku arriti t’i marrë disa degë të kësaj partie, përfshi edhe atë të Drenasit, nga ku vjen numri 2 i Nismës, Jakup Krasniqi si dhe degët e Ferizajt e Vitisë.

Por të njëjtën gjë po e bënte edhe PDK-ja, deri në pikën sa arritën të rekrutojnë Arton Muhaxhirin, ish-sekretarin organizativ të Vetëvendosjes në qytetin e Pejës.

http://kallxo.com/aktivisti-vetevendosjes-kalon-ne-pdk/

Muhaxhiri në një prononcim për Gazetën Jeta në Kosovë thotë se gjithmonë e ka paragjykuar PDK-në si parti, për shkak të propagandës që i është bërë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai ka folur edhe për akuzat që i ka marrë nga ish-bashkëpunëtorët e tij tek Vetëvendosja, se iu është bashkangjitur ‘Klubit të SHIK-ut’ duke thënë se ato deklarata “janë të paguara”.

Dikur viktimë e propagandës anti-SHIK të Vetëvendosjes, Muhaxhiri sot vlerëson kontributin e organizatës së nëndheshme të inteligjencës kosovare.

“Unë mendoj që SHIK-u ka dhënë kontribut në kohën sa ka qenë në funksion dhe tash nuk ekziston. Vetevendosje e përmend SHIK-un për të bërë propagandë, për të ngjallë frikë tek njerëzit. SHIK-u e ka kryer misionin e tij, mandatin e tij”, tha Muhaxhiri.

E përveç ishave të Vetëvendosjes, PDK-së iu bashkuan studentë e doktorë, e së bashku me ta edhe fituesi i Big Brother Albania 8, Vesel Kurtishaj.

Në anën tjetër merkatoja e Nismës ishte tepër e varfër. Krejt çka ata bënë ishte shkrirja e plotë dhe pa surprizë në Nismë e partisë së Bashkimit Demokratik të Zafir Berishës, që deri atëherë ishin vetëm në koalicion.

http://kallxo.com/kuvendi-ia-ndolli-berishes-shkrirjen-ne-nisme/

Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë Kosovës, përveç aderimit të degës së Lëvizjes për Bashkim në Podujevë, nuk është parë të jetë aktive me ‘blerje të reja’.

Kurse humbësi më i madh i kësaj merkatoje është partia e cila, të paktën zyrtarisht, po qeveris vendin.

Lidhja Demokratike e Kosovës që drejtohet nga Kyreministri Mustafa, nuk është parë duke bërë ndonjë ‘blerje të re’ apo transferim hyrës në parti. Madje LDK-ja as nuk i pranon të tjerët në parti, duke u bazuar në incidentin e Donika Gërvallës, e cila ishte tërhequr zvarrë nga stafi i sigurisë, duke mos u lejuar të hyjë në mbledhjet dhe takimet e partisë.

E derisa në futboll, merkatot kanë një limit kohor, në politikë nuk ndodh e njëjta. Ato mund të ndodhin kurdoherë por zakonisht fillojnë kur nuhaten zgjedhjet e reja.