Fituesi i ‘Dokufestit’: Vendi Im po Kthehet tek Unë

“Flotel Evropa”, i pari film i tij dokumentar i metrazhit të gjatë u duartrokit gjatë. Një histori personale që e solli të filmuar në 70 minuta, i dha atij epitetin e më të mirit të Ballkanit në Festivalin Ndërkombëtar të Filmave Dokumentarë dhe të Shkurtër “Dokufest” në Prizren.

Vladimir Tomiq, regjisori i këtij filmi, është njëri ndër të shumtët që gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë emigroi në Danimarkë. Në vitin 1992  anija e harruar “Flotel Evropa” u tërhoq nga Kryqi i Kuq në kanalet e Kopenhagës. Ajo u bë shtëpi e përkohshme për mijëra njerëz që prisnin vendimin për azil.

“Çdo herë që përfundoj filma si ky, ndihem mirë, ndihem i lehtësuar,” tha Tomiq pasi mori çmimin që nuk e kishte pritur.

Në një intervistë për KALLXO.com, Tomiqi foli për kujtimet e tij të luftës dhe jetën që e bën sot në Danimarkë.

“20 vjet pas luftës në Bosnjë më duket sikur lufta kurrë nuk përfundon. Kjo koha e pajtimit do të vijë, por shumë ngadalë. Besoj që do të do të bëhet më mirë,” tha ai.

Dokumentari i cili pasqyron jetën e refugjatëve të Bosnjës në portin e Kopenhagës është i ndërtuar me xhirime të bëra në atë kohë. “Nëna ka xhiruar pamje të familjes në ‘Flotel Evropa’ dhe ja ka dërguar babait në Bosnjë”, tregon Tomiq.

“Po ashtu ky film është bërë me filmimet e njerëzve që ishin aty. Ata na e dhanë materialin. Shumë prej tyre kanë parë filmin dhe u ka pëlqyer,” shpjegon regjisori.

Ai para 20 vjetësh u largua nga Sarajeva me nënën e tij dhe vëllanë më të madh. Ata kaluan dy vjet në harresën “Flotel Evropa”. Kjo shtëpi e përkohshme i dha atij shumë kujtime.

Një kujtim i bukur ishte edhe Melisa. Vajza që 12 vjeçarit të atëhershëm i pëlqente shumë.

I pyetur ku është Melisa, ai rrëfen: “Ajo është mirë. Ajo jeton dhe punon në Danimarkë. Isha shumë i frikësuar për t’ia treguar asaj filmin, por ajo e ka parë dhe i ka pëlqyer shumë”.

“Flotel Evropa” tashmë nuk është aty ku ka qenë. “E kanë larguar. Kemi provuar me ekipin të biem në gjurmët e saj, por na kanë thënë që e kanë çuar diku tjetër”.

Ai i rikthehet shpesh vendit të lindjes. Bosnja që dikur i kishte marrë një pjesë të fëmijërisë në luftë, sot i duket më e afërt.

“Çka ka bërë lufta, ka marrë nga unë një pjesë të fëmijërisë. Festivalet të cilat bëhen në Sarajevë më japin ndjenjën që vendi im po kthehet tek unë,” thotë Tomiq.

Projekti i radhës do të jetë vazhdimësi e këtij filmi dokumentar. “Po besoj që mund të bëjmë edhe një film tjetër që mund të përfshijmë njerëz të tjerë qe do të flisnin për atë kohë. Ideja e parë ka qenë të bëjmë një film me refugjatët e Bosnjës që sot jetojnë në Danimarkë, intervista me ta. Po ky projekt është shumë i madh, na duhet më shumë kohë”, flet për të ardhmen Tomiq.

Për Vladimir Tomiqin, festivali i filmit “DokuFest” është ngjarja më e madhe që ndodh jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan. “Është shumë e rëndësishme për këtë regjion që të kemi diçka qe na e sjell botën në Ballkan. Është e jashtëzakonshme”.

Për të ngjarjet e tilla kulturore ndihmojnë në ballafaqimin me të kaluarën dhe pajtimin më të shpejtë të popujve në Ballkan, “vendin e luftërave” siç e quan ai.