Shkëputur nga Filmi 'Martesa'

Filmi 'Martesa': Dashuria që Nuk Shpërfaqet Dot

Lidhjet dashurore të rrezikshme janë shumë më të sigurta gjatë luftës. Rrëmuja emocionale dhe rreziku fizik i një jete të fshehtë zvogëlohet andaj dëshirat më të thella dhe të vërteta mund të zgjerohen, duke pasur dhe pushtet më të lirë falë katrahurës që të rrethon. Të gjitha rregullat e shoqërisë – ato që njihen nga ligjet dhe kontratat, si dhe të gjitha kodet e pashkruara ndërpersonale të sjelljes – flaken mënjanë.

Disa njerëz jo vetëm mbijetojnë; ata edhe mund ta mishërojnë veten e tyre të vërtetë midis vorbullës së një bote të përmbysur dhe të tronditur deri në thelb. Hera e paqes dikur kthehet dhe ndonëse është një paqe eksperimentale dhe e brishtë, çdokush pranon se më në fund, përmes kontratës shoqërore, çdo gjë do të kthehet në një gjendje normale.

Siç ndodh në të shumtën e vendeve të reja që synojnë të jenë shoqëri moderne, spektakli i një dasme që përfshin aktin e burrit dhe gruas që hyjnë në kontratën e martesës publikisht para dëshmitarëve është pjesë e garancisë së atij normaliteti. Njerëzit mbështeten te ajo që ta arsyetojnë një botë që kurrë se ka rregulluar veten. Si mund ta ketë bërë një gjë të tillë kur kaq shumë njerëz janë zhdukur pa gjurmë dhe ende nuk janë gjetur? Si mund të jetë rregulluar kur kundërthëniet dhe dyfytyrësitë me të cilat shumica e të mbijetuarve vazhdojnë të jetojnë rimbështillen në qoshe të fshehta, një lëmsh rrenash i tërhequr me kujdesi mbi të gjitha gjërat që gjykohen si të pashprehshme?

Në filmin debutues të Blerta Zeqirit ‘Martesa’, Anita, një grua e re dhe e zhdërvjellët që jeton në Prishtinë, po merr gënjeshtra nga tëra anët, e mbështetur në sigurinë se me burrin jashtëzakonisht të pashëm që do t’i bëhej bashkëshort do të rrisë shumë fëmijë të bukur dhe do të gatuajë ushqime të shijshme për ta në kuzhinën e saj të mrekullueshme, dhe të gjitha ankthet e braktisjes, bonjakërisë dhe jetës së bombarduar të zbutura me sasi të mëdha të alkoolit do të lihen prapa.

Filmi ‘Martesa’

Ashtu siç e ka vërtetuar në veprat e saj paraprake, Zeqiri ka sens mjeshtëror të ndarjes së roleve, sens fort të skalitur për t’i njëmendësuar plotësisht karakteret e saj të parafytyruara në njerëz prej vërteti. Në syprinë, Anita e Adriana Matoshit e mban dhimbjen e saj në mënyrat më të pangarkuara në të shumtën e kohës për arsye se ajo ende trajtohet si fëmijë, duke mos lëvizur kurrë larg lojërave fëmijërore dhe fshehtësive, e mbrojtur ashtu siç mbrohet fëmija nga gjërat e pakëndshme rreth saj. Ajo po ashtu u mësua të gënjejë; ndonëse nuk di ta bëjë aq mirë. Matoshi është po ajo aktore që dha një performancë mahnitëse në filmin e shkurtër të shpërblyer ‘Kthimi’. Ajo ka talent madhështor për t’i shfaqur ndjenjat më delikate në fytyrë, si dhe duke u kthyer menjëherë në nusen sipërfaqësore dhe llafatore që gjithkush do ta shohë. Si fëmijë, ajo vetëm do të kënaq, edhe kur dëmtohet emocionalisht, vetëm për mos t’u braktisur sërish.

Prej fillimit, ka diçka paksa të çuditshme me të fejuarin e saj Bekimin, i luajtur me mjeshtërin e lartë që pritet nga Alban Ukaj, aktor që përdor secilën qelizë në korpusin e tij për t’i përçuar nuancat e një burri që vazhdimisht luan rolin e tij të pritshëm prapa një perdeje të hollë të durimit dhe duke u përpjekur së tepërmi të gjejë një grimë kënaqësie në vendimet që është shtyer t’i marrë. Vetëm atëherë kur kthehet shoku i tij i fëmijërisë Noli, ai fillon të shkërmoqet fasada e vet.

Këtu mund të kthehemi te intuita fort e goditur e Zeqirit për ftuar Genc Salihun ta luajë Nolin. Veç atyre që kanë jetuar prapa hënës, ne e njohim Salihun si një superyll të muzikës në Kosovë e Shqipëri, një kantautor dhe performues që mund ta mëkojë e ngjyejë secilën këngë në botëra e botëra tregimi. Mund të kapim disa pamje të mjeshtërisë së tij artistike këtu, për shembull në skenën të paraqitur bukur ku Noli dhe Bekimi e këndojnë duet “They Can’t Take That Away From Me” të Xhorxh dhe Ira Gershuin (George, Ira Gerschëin). Gjithmonë mbetem me gojë hapur pasi ta shoh një performancë të gjallë të Salihut, por ai është zbulesë në këtë rol, duke dhënë një lojë përcëlluese e të paepur si Noli zemërplasur.

Filmi ‘Martesa’

Njeriu mund ta përgatisë vetveten për tregimin e dashurisë – apo trekëndëshin dashuror, po deshët – që shfaqet duke e parë paraqitjen e shkurtër apo konspektin, pra nuk është se ka një zbulim ngjethës. Por ajo për të cilën shikuesi nuk është përgatitur është prania habitëse e Salihut e cila përmban dhe shpreh torturën e përvuajtur dhe dërrmuese të dashurisë joreciproke, dashuri që njihet si e pamundshme nga të dyja palët, por prapë ai mban shpresë. Është sikur Artur Rimboja (Arthur Rimbaud) të ringjallet brenda këtij burri. Çdo gjë dukshëm zbehet kur Noli nuk është vërdallë, gjithkush tjetër duke u kthyer në formë si fantazma që mishërojnë mërzitur rolet e paracaktuara, një aftësi që e neverit Nolin së jashtmi, por që nga brenda e ka pak lakmi, sepse është i përjashtuar.

 

Dorëshkrimi i shkëlqyer i Zeqirit dhe Berishës vërtet feks në një skenë të një ngjarjeje të kaluar mes Nolit dhe Bekimit teksa janë të shtrirë krahas njëri-tjetrit në dhomën e errët të Bekimit. Duke folur situatën momentale, Noli thotë: “Po kaloj shumë mirë. E dua këtë shumë. Ka luftë, e di?… [Por] kurrë nuk kam qenë kaq i plotësuar. Po mos të ishin duke na vrarë Serbët, gjithmonë do të doja të jetoj kështu”. Një përshkrim aq i bukur i dashurisë së ndaluar që rrallë kam dëgjuar.

Nuk është gjë e vogël që Zeqiri dhe bashkëskenatisti (si dhe bashkëshorti) Kreshnik Berisha, apo Keka, vendosën ta krijonin një tregim dashurie gej. Kosovën dhe tërë rajonin e Ballkanit, si dhe pjesë tjera të mëdha të planetit, nuk mund t’i quajmë fort të përshtatshme për njerëz gej. Shumë prej tyre jetojnë me frikë të tmerrshme se do të ekspozohen. Apo, nëse është e ditur për të tjerët, ata sulmohen, e ndonjëherë edhe vriten. Noli ndoshta ia lejon vetes të ketë nocione tepër romantike gjatë kohës së luftës, por në paqe ai vendos t’ia mbath në Francë. Kur kthehet në Prishtinë, ai është fort i vetëdijshëm, ai e di se çfarë e pret, por dashuria e tij e pavdekshme për Bekimin e bën përkohësisht guximtar.

Përforcuar me një grup të shkëlqyeshëm aktorësh mbështetës, ‘Martesa’ vërteton se Zeqiri është tejet e talentuar. Berishën e gjen si shok të përkryer kërcimi për t’i mishëruar vizionet e jashtëzakonshme kinematike. Si redaktor, Berisha përdor një metodë të dhembshëm që e kemi parë te Kthimi që e mban përsoshëm tempon me kinematografen Sevdije Kastrati, puna e së cilës është e mprehtë, e papërpunuar dhe urgjente, sikur bërësit e filmit po mundohen t’i përcjellin mënyrat e frymëmarrjes të protagonistëve, me emocione që fryhen e tkurren aq shpejt sa ndonjëherë të merren mendtë.

E gjitha arrin kulmin në ndejën martesore më të trishtuar të mundshme, ku mekanikat e pamëshirshme të kontratës së martesës rrjedhin lirshëm në kafkat e secilëve, me një nuse që duket shumë e pasigurt dhe e hutuar, dhe dhëndër të mjerë dhe të përloshur jo nga gëzimi. Është një pasqyrë shkretuese e drejtuar kundrejt një vendi dhe kohe ku të rinjtë e një shtrese të lartë si Anita e Bekimi kanë vetëm kuzhinat e bëra me porosi dhe punishtet e vogla të birrës për t’i zhdukur realitetet më të rënda të identifikimit të mbetjeve të të dashurve të nxjerra nga varrezat masive ndër një shatorre të ftohtë prej balte duke i groposur (dhe rigroposur) mbetjet e shpirtrave të tyre të humbur.