Fillon Zhdukja e Qeseve Ndotëse

Ka shumë arsye për qeset e plastikës që mbysin ekosistemet e Kosovës, qoftë në fushë, qoftë në lumenj. Në vend se ta ripërdorin një qese, konsumatorët në shitore pranojnë qese të panevojshme. Kur e kanë përdorur, disa individë hedhin bërllog në mënyra të papërgjegjshme. Mirëpo edhe plastika që është hedhur prej atyre që kanë parasysh hedhjen e mbeturinave me kujdes, mund të pwrfundojë në  fusha përsëri, për shkak të grumbullimit dhe menaxhimit të dobët për mbeturina në nivelin komunal: 70% e fshatrave në Kosovë nuk kanë shërbime për mbeturina.

Megjithatë, ju që jeni mësuar me pa plastikë duke dëmtuar vende të bukura, do të befasoheni: këtë javë fillon përfundimi i korrjes së plastikës në Kosovë! Kuptohet do të marrë kohë për përfundim si duhet – njëra prej vetive të këqija të plastikës është që zgjat kaq shumë, që qesja që ke gjuajtur javën e kaluar ende do të gjendet në bar mbas 400 vjetësh. Mirëpo qesja që ke gjuajtur dje… sipas ligjit duhet të prodhohet prej plastikës tjetër, dhe duhet të asgjësohet midis lulëkuqeve duke mos lënë asgjë mbas vetes.

Udhëzimi Administrativ i ri i lëshuar nga Ministria e Mjedisit ka hyrë në fuqi më 20 qershor. Udhëzimi kërkon që çdo qese që prodhohet, importohet ose shitet në Kosovë duhet të jetë prej plastikës me aditiv të përdorur gjatë prodhimit që të shpejtojë procesin e asgjësimit. Disa supermarkete kanë filluar të ofrojnë këtë lloj qeseje para më shumë se një muaji dhe ndoshta ke vërejtur në këto qese që kanë informatë të shtypur sipas kërkesës së ligjit të ri – një shpjegim se qesja është prej plastikës me aditiv, duke cekur kohën se kur do të asgjësohet qesja dhe muajin e vitin kur është prodhuar ajo. Kjo informatë e fundit të mundëson të provosh për vete pohimin sa i përket asgjësimit (gjithashtu është informatë e dobishme nëse planifikon të shfrytëzosh një qese të tillë e të mbash gjëra me të për një kohë të gjatë – para disa javëve shkova në dollap për të marrë një thes që kam futur aty dhe gjeta diçka që më është dukur dëshmi që kam një mi në shtëpi. Kur hulumtova me më shumë kujdes kuptova që ishte një qese e biodegradueshme që kam marrë prej Anglisë dhe që po asgjësohet para syve të mi, duke u bërë pluhur.)

Në shtetet si Mbretëria e Bashkuar, ka një varg llojesh të qeseve të biodegradueshme, duke përfshirë ato prej nishestes së misrit, jo vetëm që asgjësohen por edhe kompostohen – do të thotë që bëhen komponentë për humus. Përndryshe, në Kosovë, qasja që është e kërkuar nga Ministria e Mjedisit është kërkesa që gjatë prodhimit të qeseve diçka shtyhet që mundëson mikrobet të shfrytëzojnë karbonin brenda zinxhirëve polimer prej të cilave përbëhet plastika.

Ka mendime të ndryshme për pyetjet se a janë më të mira për ambientin qeset e misrit (që shfrytëzojnë bimë që përndryshe mund të përdoren për ushqim) ose qeset prej plastikës së biodegradueshme me aditiv (që ende kërkojnë naftë të vlefshme dhe të papërsëritshme gjatë prodhimit). Por askush nuk kundërshton faktin që të dyja janë më të mira sesa plastika e pabiodegradueshme që ka dëmtuar Kosovën për dy breza.

Askush nuk kundërshton që është më mirë me ripërdorë një qese, sesa me marrë një të re. Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Mjedisit është një hap përpara për mrekulli. Duhemi të festojmë duke marrë qeset me prodhimin e ri dhe t’i ripërdorim javë mbas jave kur shkojmë në shitore, derisa bahen pluhur në duart tona.

Elizabeth Gowing është bashkëthemeluesja e The Ideas Partnership, një OJQ kosovar që shfrytëzon fuqinë e vullnetarëve me luftue sfida në edukim, trashegimi kulturor dhe mjedis. Gjithashtu është autorja e Travels in Blood and Honey; becoming a beekeeper in Kosovo (Signal Books, 2011) dhe Edith and I; on the trail of an Edwardian traveler in Kosovo – www.edith-and-i.com – për Edith Durham, I botuar sivjet. Mund të kontaktohet në [email protected]