Ilustrim. Foto: Colin/Wikimedia Commons

Fillon Lufta Kundër Makinerive të ‘Lajmeve të Rreme’ në Ballkan

Rreth 26 vjet më parë, në atë që atëherë ishte Jugosllavia vazhdonte lufta midis Ushtrisë Jugosllave dhe Kroacisë.

Por përveç luftimeve midis ushtarëve në fushën e betejës, një tjetër luftë zhvillohej midis gazetarëve në televizion.

Ndërsa konflikti shpërtheu dhe u përhap, media në të dyja anët i braktisën të gjithë pretendimin se po ruante standardet profesionale dhe, në shumë raste, përhapi frikë dhe fjalë të rreme.

Për shembull, në Kroaci media filloi të shkruante për snajperë të panjohur serbë që silleshin rrotull në kryeqytet, Zagreb, duke pretenduar se ata ishin vendosur në vende kyçe të qytetit.

Kjo histori u transmetua rregullisht në vjeshtën e vitit 1991, megjithëse deri më sot, askush nuk ka konfirmuar ndonjëherë se qoftë edhe një snajper i vetëm ishte i pranishëm në Zagreb.

Ndërsa, kolegët e tyre në Beograd, ndër të tjera, raportuan se Ushtria Kroate po vriste foshnja serbe dhe madje edhe se i mbante pjesë të trupave të tyre si bizhuteri.

Në vitin 2012, prokuroria serbe ka hetuar një numër të panjohur gazetarësh për nxitje lufte dhe propagandë, ndërsa Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë paditi fillimisht ish-presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviç duke pretenduar se ai përdori mediat për qëllimet e tij të luftës.

Ndërkohë që televizioni dhe gazetat përhapën propagandë dhe atë që tani quhet “lajm i rremë” në vitet 1990, beteja e vërtetë tani është në internet.

Vitin e kaluar, qyteti i vogël maqedonas i Velesit, dikur i njohur vetëm për verë dhe bujqësi, u bë famëkeq për një arsye të re pasi u zbulua për prodhimin e “lajmeve të rreme” në prag të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Pëlqimet dhe shpërndarjet e lajmeve të rreme që dilnin nga Velesi arritën miliona në numër.

Në javën e fundit të fushatës zgjedhore në Shtetet e Bashkuara, më shumë se njëqind faqe interneti po prodhonin lajme të rreme nga Maqedonia.

Juristja e të drejtës së medias Flutura Kusari pajtohet që, ndërkohë që Ballkani ishte një terren i frytshëm për prodhimin e lajmeve të rreme më parë, lojtarët kanë ndryshuar që nga ardhja e mediave sociale dhe internetit.

“Publikimi i lajmeve të rreme ka ekzistuar edhe më herët, kështu që s’ka asgjë të re këtu,” tha ajo për BIRN. “Megjithatë, ajo që ka krijuar alarm kohët e fundit  në lidhje me këtë çështje, është ndikimi i internetit në shpërndarjen e tyre me shpejtësi më të madhe,” shtoi Kusari.

Politikanët në Ballkan marrin drejtimin

Zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA dhe “globalizimi i fenomenit të lajmeve të rreme” i kanë inkurajuar politikanët e Ballkanit të përdorin më shumë dezinformim në fushatat e tyre, thonë ekspertët – por gjithashtu të hapin faqe interneti dhe fushata që supozohet se synojnë “zbulimin” e lajmeve të rreme nga kundërshtarët e tyre.

Këtë verë, partia bullgare Volya, e drejtuar nga Vesselin Mareshki, një biznesmen i njohur edhe si “Trumpi bullgar”, njoftoi se dëshironte të propozonte një ligj kundër lajmeve të rreme.

Ideja kryesore është të krijojë një regjistër të të gjitha faqeve të internetit që përmbajnë informacione në lidhje me pronësinë e tyre. Megjithatë, asnjë propozim nuk çuar ende para parlamentit në Sofje.

Ndërkohë, në fund të tetorit, partia kryesore në pushtet e Bullgarisë, GERB e kryeministrit Boyko Borisov, nisi një regjistër në Facebook të “lajmeve të rreme” të prodhuara nga rivali i saj kryesor, Partia Socialiste Bullgare.

Zyrtarisht, GERB nuk është e listuar si krijuese apo administratore e faqes së Facebookut, të quajtur “Lajme të rreme – Regjistrimi i lajmeve të rreme, gënjeshtrave, propagandës dhe mashtrimit”, e cila synon të ekspozojë “gënjeshtarë, hajdutë dhe mashtrues të rregullt”.

Por partia ka konfirmuar se ajo qëndron pas nismës dhe i ka bërë gjithashtu thirrje njerëzve t’i bashkohen, duke ndarë lajme dhe deklarata që ata i konsiderojnë të rreme, megjithatë pa u angazhuar në kontrollime të mëtejshme të fakteve.

Në Maqedoni, para dhe gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme në dhjetor 2016, disa media investiguese në vend zbuluan disa faqe lajmesh të rreme në internet që vepronin të lidhura me partinë e atëhershme në pushtet VMRO DPMNE, të cilat kishin filluar të prodhonin raporte të rreme lajmesh të projektuara të diskreditonin Social Demokratët që atëherë ishin në opozitë.

Dy faqe të tilla lajmesh, saznajemo.rs dhe alo.com.hr, në atë kohë ishin regjistruar së fundmi në Serbinë dhe Kroacinë fqinjë, sipas një investigimi nga portali vendas i lajmeve NOVA TV.

Investigimi i NOVA-s zbuloi se pas këtyre portaleve, të cilët të gjithë ndanin të njëjtën përmbajtje të rreme për liderin e Partisë Social Demokrate, atëherë në opozitë, dhe kryeministrin aktual Zoran Zaev, ishte një firmë e regjistruar në rrugën Vasil Gjorgov, 24, në Shkup, Maqedoni.

Artikujt më të përhapur të lajmeve që publikuan të dyja faqet e lajmeve pretendonin se Zaevi kishte negociuar me grupe etnike shqiptare në Zvicër për ta ndarë Maqedoninë përgjatë vijave etnike – në këmbim të një ryshfeti të majmë prej 10 milionë eurosh.

Kjo gjë u përhap shumë nga mediat e atëhershme pro-qeveritare dhe madje u përdor në fjalimet e liderëve të VMRO DPMNE-së.

Mirce Adamcevski, nga Këshilli i Etikës së Medias i Maqedonisë, thotë se lajme të tilla të rreme shpesh janë të lehta për t’i identifikuar.

“Është e dukshme kur shikoni disa portale të ndryshme lajmesh që mbështesin njërën anë ose tjetrën, por përcjellin të njëjtat tekste fjalë për fjalë – madje edhe me të njëjtat gabime drejtshkrimore,” vërejti Adamcevski.

Politikanët i shfrytëzojnë mirë këto lloj dezinformimesh në Serbi dhe Kosovë, si edhe gjatë fushatave zgjedhore.

“Një nga burimet kryesore të lajmeve të rreme janë sigurisht politikanët shpesh duke cituar të dhëna të pasakta, të keqinterpretuara ose jashtë kontekstit,” thotë Milka Domanoviç, një gazetare serbe për faqen e internetit që merret me kontrollimin e fakteve Istinomer.rs, një nga pionierët e gazetarisë që merret me kontrollimin e fakteve në Ballkan.

Domanovic thotë se mediat në Serbi gjithashtu raportojnë në mënyrë rutinë deklarata të tilla nga politikanët pa i kontrolluar ato dhe pa rezerva – kështu që, për shembull, pretendimi i gabuar i presidentit Aleksandar Vuçiç se Serbia ka rritjen më të lartë të GDP-së në rajon u prezantua gjerësisht si një fakt.

E njëjta gjë ndodhi edhe me deklaratat e pasakta në lidhje me numrin e punësimit apo numrin e investimeve të huaja.

Media në Ballkan dështon në trajtimin e dezinformimit

Ndërkohë që në Europë apo Shtetet e Bashkuara mediat kryesore janë në krye të betejës kundër lajmeve të rreme dhe dezinformimit të qëllimshëm, kjo nuk ndodh në Ballkan.

Atje, mediat kryesore janë shpesh në anën tjetër, së bashku me politikanët.

Mirela Arqimandriti, drejtoreshë e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim në Shqipëri, e cila po punon për krijimin e një projekti që merret me kontrollin e fakteve në Shqipëri, thotë se si rezultat i kësaj besimi te mediat dhe politikanët ka rënë ndjeshëm.

“Besimi publik tek mediat është në rënie. Mbulimi mediatik shihet si i pasaktë dhe se i mungon analiza e thellë dhe nuk është në gjendje të ndjekë lajmet. Konsumatorët e mediave mendojnë se disa media përmbajnë pikëpamje partiake dhe po bëhen shumë të politizuara,” tha Arqimandriti për BIRN.

Në Bullgari, Nelly Ognyanova, një profesoreshë e të drejtës së medias në Universitetin St Kliment Ohridski të Sofjes, shprehet se shumë kohë para se termi “lajm i rremë” të bëhej shumë i përhapur, Bullgaria tashmë kishte një “rreth mediash që nuk përmbushnin misionin e tyre për të informuar, por ishin të përkushtuar për dezinformim, propagandë, servilizëm në gazetari dhe shpifje”.

Ajo shpjegoi se, përveç shqetësimeve të përgjithshme rreth gazetarisë së keqe dhe senzacionalizmit, faktorë të tjerë e bëjnë problemin më serioz në Bullgari.

“Sektori i medias demokratike po dëmtohet dhe dezinformimi përhapet kundër figurave kritike të atyre në pushtet, siç janë opozita, magjistratët e pavarur dhe shoqëria civile,” tha Ognyanova.

Ajo shtoi se fushatat e tilla dizinformuese përhapin idenë e “një shoqërie të mbyllur dhe fundin e një Europe të bashkuar” – dhe popullarizojnë idetë e administratës së presidentit rus Vladimir Putin, të cilat janë në kundërshtim me vlerat e BE-së dhe botës demokratike”.

Një studim i publikuar muajin e kaluar nga Qendra Liber për Median të Re tregoi në mënyrë shqetësuese se shembuj të “gjuhës ekstreme” mund të gjenden në pothuajse në një në çdo katër lajme në mediat kryesore në Serbi, me qëllim rritjen e senzacionalizmit, përhapjen e frikës dhe urrejtjes.

Nga 36,960 artikuj të analizuar, 9,436 kishin një lloj gjuhe ekstreme, kryesisht bazuar në dezinformime dhe supozime të rreme, duke pasur mungesë standardesh etike.

Mediat sociale kanë rritur dukshëm përhapjen e lajmeve të rreme dhe të dezinformimit.

Situata është alarmuese edhe në Kosovë, sipas kreut të Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës, Shkëlqim Hysenaj, sepse vendi ka një numër të madh përdoruesish të mediave sociale dhe “ka një tendencë për t’i ndarë lajmet e rreme nëpërmjet tyre”.

“Ne kemi edhe media të ndryshme online që shpesh kanë prodhuar dhe sponsorizuar lajme me përmbajtje të pasaktë,” shtoi ai.

Organizata e Hysenajt ka nxjerrë 18 rekomandime se si të trajtohet dezinformimi – por një është i rëndësishëm për mediat profesionale.

“Ne duam që çdo informacion të konfirmohet para se të publikohet, përfshirë përmbajtjen e prodhuar nga palët e treta, lexuesit ose përdoruesit e rrjetit social,” tha Hysenaj.

Kolegu i tij nga Maqedonia, Adamcevski, pajtohet me idenë se përgjegjësia kryesore për çjerrjen e maskës së lajmeve të rreme bie kryesisht mbi mediat dhe gazetarët profesionistë – por thotë gjithashtu se mbështetet edhe në reagimin e shpejtë të institucioneve profesionale me argumente për të kundërshtuar informacionin e rremë.

“Nevojitet një reagim në kohë. Në komunikimet e shpejta të ditëve të sotme, nëse i lini pa përgjigje lajmet e rreme, kjo do të shkaktojë një dëm dhe do ta keqinformojë shumë shpejt publikun,” tha ai.

Mediat e pavarura dhe shoqëria civile bashkohen

Grupet e shoqërisë civile dhe mediat e pavarura në Bullgari janë në krye të nismave të përbashkëta për të monitoruar mediat për lajme të rreme, për të kontrolluar faktet dhe për të edukuar më mirë njerëzit.

Disa media atje, përfshirë faqen online të lajmeve Mediapool dhe televizionin NOVA, kanë nisur projekte për kontrollimin e fakteve për të rritur ndërgjegjësimin për dezinformimin në media.

Mediat në pronësi të manjatit të medias dhe deputetit Delyan Peevski, Telegraf dhe Monitor, gjithashtu i kanë kushtuar seksione të veçanta lajmeve të rreme, duke deklaruar botuesin e tyre si të vetmin luftëtar të vërtetë kundër informacionit të rremë.

Shërbimi Europian i Veprimit të Jashtëm Task Forca Stratcomi Lindor, i cili drejton fushatën “BE kundër Dezinformimit”, kryesisht për të kundërshtuar propagandën ruse, ka identifikuar disa lajme me origjinë bullgare si të rreme në bazën e tij të dhënave të përjavshme “Disinfo”.

Megjithatë, në Serbi aktualisht vetëm një faqe interneti i është kushtuar kontrollit të fakteve – Istinomer, e cila nisi këtë formë gazetarie në Ballkan dhe është zhvilluar nga një organizatë joqeveritare CRTA.

Organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri po përgatisin ngritjen e një shërbimi për kontrollin e fakteve të medias, të quajtur Faktoje, i cili do të synojë të fusë lajmet “nën një shqyrtim më të rreptë dhe që do të përfshijë shqyrtimin e pretendimeve për lajme të rreme,” tha për BIRN Michael Alexander, këshilltar për projektin.

“Një pjesë e rolit të Faktoje do të jetë të përcaktojë shtrirjen reale dhe natyrën e lajmit të rremë që qarkullon aktualisht në Shqipëri,” tha ai.

“Ajo që duket e qartë është se një mentalitet prit dhe ngjit nënkupton se pasaktësia, qoftë e qëllimshme apo jo, mund të përhapet në një shkallë alarmuese”.

Sipas mbështetësve të Faktoje, projekti do të sigurojë prova për saktësinë e deklaratave të bëra nga lojtarët kryesorë politikë, si zyrtarët publikë, opinionistët dhe gazetarët.

Qasja bazohet në përpjekjet e përbashkëta të ekspertëve, gazetarëve, qytetarëve dhe të rinjve për të identifikuar, zgjedhur, analizuar dhe vlerësuar faktet nga burime të besueshme dhe për të prodhuar raporte mbi vërtetësinë e deklaratave të politikanëve, hartuesve të politikave, liderëve të opinionit, zyrtarëve publikë, reklamave televizive dhe të tjerëve.

Në Kosovë, organizata të tjera të pavarura mediatike po punojnë gjithashtu për këtë çështje, siç është platforma Kallxo.com, Kosovo 2.0 dhe Sbunker. Por analistët mediatikë thonë se kjo nuk është e mjaftueshme.

“Duhet të ndërmerren një sërë masash për të adresuar çështjen e lajmeve të rreme siç janë: zbatimi rigoroz i standardeve etike dhe ligjore nga vetë gazetarët; edukimi i të rinjve se si të konsumojnë shkrim-lexim mediatik; rregullimin dhe vetë-rregullimin e mediave; dhe rritjen e efikasitetit të organeve policore, prokuroriale dhe gjyqësore,” tha Flutura Kusari.

Duke folur për mënyrën se si mund të ndryshohet gjendja në media, Petar Gunjiç, nga portali Cenzolovka, i cili monitoron lirinë e medias, thotë se edukimi i gazetarëve dhe redaktorëve duhet të shoqërohet nga lirimi i mediave nga kërkesat e shefave për të ndjekur “klikueshmërinë”.

Po ashtu, ai thotë se çështja e njohurive mediatike është e rëndësishme nëse “shteti dëshiron të ketë media të përgjegjshme – që në këmbim do të thotë qytetarë të informuar, që do të thotë një nivel më të lartë demokracie”.

“Për shembull, t’i mësojmë njerëzit që kërkojnë në internet për të gjitha përgjigjet – duke filluar që nga vaksinimi i fëmijëve të tyre e deti te trajtimi i sëmundjeve – si t’u besojnë ose jo atyre mediave. Duhet t’i theksojmë njerëzve se duhet të ketë një burim informacioni, që nëse dikush akuzohet për diçka, duhet të ekzistojë edhe ana tjetër,” bëri thirrje Gunjiç.

Megjithatë, ai pranon se ky është një proces afatgjatë me një rezultat të pasigurtë.

Ndërkohë që ndryshimi i ligjeve mund të jetë gjithashtu pjesë e zgjidhjes, nëse do të diskutohet legjislacioni kundër “lajmeve të rreme”, sipas profesoreshës bullgare Ognyanova, ai duhet të mbulojë vetëm kërcënime shumë të rënda, siç janë fushatat që kërcënojnë procesin zgjedhor demokratik ose manipulimin që paraqet rreziqe reale për sigurinë kombëtare.

“Miratimi i legjislacionit është një masë që mund të arrihet lehtë. Ajo që është e vështirë dhe e ngadaltë është përpjekja e përditshme për të krijuar gazetari të cilësisë së lartë dhe audienca të informuara,” përfundoi Ognyanova.