Ilustrim Stoli argjendi | Foto: Atdhe Mulla

Filigrani- Dashuria e Shkrirë në Fije e Kokrra Argjendi

Edhe pse në kohën moderne gjithçka po shkon drejt automatizimit, ende ka njerëz që krijojnë me dorë, durim e dashuri stoli argjendi dhe të materialeve tjera.

Faik Bamja nga Prizreni që 25 vjet krijon stoli argjendi në punëtorinë Sh. P. K. “Filigrani” që dikur ishte ndërmarrje shoqërore dhe një gjigant i punëve të dorës.

Bamja thotë për Gazetën “Jeta në Kosovë” se punimet nga argjendi kryhen me mjeshtëri të rrallë ku kombinohet përdorimi i mendjes në koordinim me lëvizjet e dorës.

“Filigrani është punim dore me kombinim të fijeve të holla dhe kokrrave të argjendit. Çdo detal punohet me dorë me mjeshtri të të menduarit dhe të përpunimit të dizajnit”, shpjegon Faik Bamja.

Ai tregon kuptimin e fjalës filigran, kuptimin e fjalës që përkufizon zejen që ushtron.

“Fjala filigran rrjedhë prej gjuhës latine: filium- fije dhe granum- kokra, domethënë punim me fije dhe kokërr. Filigrani është punim dore me kombinim të fijeve të holla dhe kokrave të argjendit”, tregon Bamja.

Bamja shpjegon se punimeve të argjendit u qaset ndryshe, varësisht nga mënyra se si e siguron këtë metal të çmuar.

Thotë se nëse blen argjend të vjetër nga dyqanet e argjendarisë atë vetëm e përpunon, por nëse blen argjend të pastër si lëndë të parë në tregun e jashtëm, atë duhet ta shkrijë për ta kombinuar me 2 për qind bakër dhe ta hollojë pastaj varësisht se si i duhet për stolinë që është duke e punuar.

Në Sh. P. K. “Filigrani” sipas Bamjes punojnë tetë punëtorë profesionistë, ndërsa ai thotë se punimet më shumë çmohen jashtë vendit sesa në Kosovë.

“Këtë shkollë që kemi dallohet prej shkollave tjera të filigranit sepse punojme me teknikë të posaçme.Punimet tona çmohen ma tepër jashtë vendit sesa këtu.Rinia ka fillue t’i kthehet artizanatit të bukur të filigranit. Shpesh kemi punuar për personalitete të cilët vizitojnë Kosovën”, thotë Faik Bamja.

Ai zejen e filigranit e pranon se nuk e ka të trashëguar, por me të filloi të merrej në vitin 1992, para 25 vjetësh si udhëheqës i punëtorisë pasi është inxhinier i teknologjisë së metaleve.

Kurora për princeshën Elia Zaharia

Por Lekë Berisha nga punëtoria “Dodo Silver” thotë se zanatin e ka trashëguar nga të afërmit e tij.

“Unë e kam trashëgu(zejen) prej axhës edhe prej dy dajve të mi. Këtë zeje unë personalisht e punoj që 22- 23 vjet kështu diçka. Faktikisht me filigran ia kam nis pak ma vonë, ndosha nja 17-18 vjet. Kto janë kollona që janë 300 vjet të vjetra, e këta (zinxhirë dore) janë nja 30-40 vjet të vjetër. Përpara u punu ma shumë i bardhë”, thotë Lekë Berisha.

Ai tregon se bashkë më dhëndrin e tij që gjithashtu punon stoli argjendi, kanë krijuar kurorën për princeshën Elia Zaharia që vitin e kaluar u martua me princin Leka II.

“Ato e kena bo bashkë me dhëndrin që e ka pasë babën edhe gjyshin argjendar. Na ka marrë kohë 4-5 ditë, po ajo u kanë ditën- natën, që i kena lanë krejt punt tjera anash me bo. Dhe jam shumë i kënaqur qe kena bo atë kurorë dhe që emri i familjes u përmend”, thotë Berisha.

Ai për Gazetën Jeta në Kosovë rrëfen se për shkak që bënë kurorën u ftuan në dasmën princërore.

Edhe në dasmë çuan një dhuratë tjetër-punë të tyre të dorës.

“Megjithëse kena qenë të ftuar edhe në dasëm te princesha, ne mandej ia kena bo edhe një dhuratë tjetër. Lidhjen e Prizrenit ja kena bo”, thotë Berisha.

Lekë Berisha në dyqanin e tij “Dodo Silver”

Ai shpreh bindjen se stolive të argjendit asnjëherë nuk u del moda.

“Në pyetje është shija. Çdo send është me modë, por ksaj nuk i kalon kurrë moda. Kjo është tash në modë, filigrani si filigran, por ka me qenë edhe mbas 30 vjete prapë ka mu bartë”, shpjegon Lekë Berisha.

Ai lavdëron punimet nga argjendi të kryera në Prizren, ndërsa tregon viset e njohura për punime të tilla.

“Filigrani për Ballkan u kon te shqiptarët. Shkodra pak ka punu, ka qenë rajoni i Prizrenit, rajoni i Pejës, ka pasë edhe pak në Gjakovë. Por punimet e Pejës kanë qenë ndryshe nga punimet e Prizrenit. Prizreni i ka pasë më me finesë, me tel më të hollë, ma ndryshe. E Peja ka punu me i thojnë me pafte me kokrra”, sqaron Berisha.

Ai thotë se stoli argjendi punohen edhe në vende të tjera të botës, por më ndryshe.

“Filigrani punohet edhe në pjesë të tjera të botës. Punohet në Indi, në Peru, por ata punojnë me tel më të trashë, tjetër lloj dizajni”, thotë Berisha.

Punim në dyqanin “Dodo Silver” | Foto: Atdhe Mulla

Refugjatja që nisi në Turqi të krijojë stoli

Por frymëzimin jashtë vendit për punime dore nga metale të zbukuruara me gurë e ka gjetur një kosovare tjetër- Saba Berisha- Ismajli.

Gjatë luftës ajo ishte refugjate në Turqi, ndërsa atje nisi të punojë stoli në një atelie, për ta vazhduar më pas edhe në Kosovë punën e njëjtë.

“Gjatë dëbimit tonë nga shtëpia gjatë luftës kisha rastin të punoj në një atele në Turqi dhe të profesionalizohem në bakër dhe me dizajnime të aksesorëve. E kisha ëndërr kur të kthehem në Kosovë të hapi një atele ashtu sikurse atje që punova. Andrra mu realizu, u ktheva dhe e quajta pikërisht ‘Terra’ dyqanin, nga toka jonë”, thotë Saba Berisha- Ismajli.

Ajo tregon për Gazetën Jeta në Kosovë se si krijon punimet e saj.

“Dizajnimet kryesisht të bakrit kalojnë nëpër disa procedura. Së pari skica, vizatimi, zgjedhen gurët, turkuazi, amazoniti, koralet nga më të natyrshmet, ngjyrat. Përzgjedhja merr një kohë të gjatë. Bëhet dizajnimi pastaj vjen djegia, pastrimi të fitojmë vjetërsinë, të duket më antike, më bukur dhe vijmë deri tek një stil pak më unik”, shpjegon Berisha- Ismajli punën e saj.

Saba Berisha- Ismajli duke punuar në dyqanin e saj | Foto: Atdhe Mulla

Për dallim nga mjeshtrat e punimeve të argjendit që ndodh të bashkëpunojnë për të krijuar punimet e tyre, e diplomuara në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës Saba Berisha-Ismajli tregon se gjithë punën e kryen vetë.

“Punoj vetëm unë. Vetë i dizajnoj prej zgjedhjes, përzgjedhjes së gurëve deri te dizajni, deri në fund e punoj unë vetë”, thotë Berisha-Ismajli duke treguar se nuk dëshiron të jetë kopje e dytë, por të krijojë punime të veçanta.

Qaforet, unazat dhe vathët janë stolitë që më së shumti i kërkojnë gratë dhe vajzat prej saj.

Stoli në dyqanin e Saba Berisha- Ismajlit | Foto: Atdhe Mulla